Kodi i da Vinçit apo Bibla? 2
Një burim i besueshëm
Libri i Gjonit ishte shkruar prej miqve më të ngushtë të Jezusit, dishepujve të tij më të dashur. Gjoni nuk ishte një romancier i etur për të shitur libra dhe për të bërë para. Gjoni e njohu Jezusin personalisht, e deshi atë shumë, u lidh me Jezusin si Birin e Perëndisë, dhe dëshironte që edhe të tjerët të lidheshin me Jezusin si Birin e Perëndisë. Gjoni 20:31 shpjegon qëllimin kryesor të librit: " Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij." (Gjoni 20:31)
Në kundërshtim me historitë e sajuara të Dan Braunit për Jezusin te Kodi i Da Viniçit, të krishterët e hershëm, përfshi këtu edhe miqtë më të ngushtë të Jezusit, e dinin se Jezusi ishte Biri i Perëndisë. Kur këshilli i Niceas deklaroi tre shekuj më vonë se Jezusi është Perëndi, nuk po shpikte një doktrinë të re. Ai thjesht po fillonte atë që Gjoni dhe miqtë e tjerë të Jezusit, autorët e Dhjatës së re, kishin thënë këtë gjithë kohën. Këshilli po rikonfirmonte hyjninë e Jezusit dhe të vërtetën e Trinitetit për të kundërshtuar idetë e rreme të sajuara prej një drejtuesi fetar renegat(tradhtar) me emrin Arius.
Nuk ishte vetëm këshilli i Niceas treqind vite më vonë i cili foli për Jezusin si Perëndi. Të katër ungjijtë flasin për Jezusin gjëra që vetëm Perëndia mund t’i thoshte. Ungjijtë tregojë gjëra që vetëm Perëndia mund t’i bënte. Në ungjillin e Gjonit, ishte një dëshmitar okular në ringjalljen e Jezusit i cili e quajti Jezusin: “Zoti im dhe Perëndia im”. (Gjoni 20:28)
Nëse nuk dëshiron të pranosh Jezusin si Perëndi, gjithmonë mund të gjesh një arsye për këtë. Ti mund të refuzosh Dhjatën e Re dhe, të fokusohesh në historitë dhe idetë të shkruara shumë kohë pas saj. Mbase, ti mund të ëndërrosh disa gjëra vetë dhe t’i shkruash ato në një novelë, si te libri Kodi i Da Vinçit. Ti mund të thuash çfarë të duash për Jezusin, por kjo nuk e ndryshon të vërtetën.
E vërteta për Jezusin është se ai ishte njeri dhe Perëndi dhe, vazhdon të jetë Perëndi.
Ai erdhi në këtë botë për të na treguar dashurinë e Perëndisë, për të vdekur si një sakrificë, për të paguar për mëkatet tona, me anë të ringjalljes dhe kthimit të Tij në lavdi. E vërteta Biblike për Mari Magadalenën (që në Kodin e Da Vinçit përmendet si gruaja e Jezusit) është se Jezusi e shpëtoi Mari Magdalenën prej demonëve që e zotëronin. Maria e deshi Jezusin si shpëtimtar dhe mik, por jo si bashkëshort. Mari Magdalena ishte e para që e pa Jezusin të ringjallur, por nuk pati kurrë fëmijë me të. Sipas planeve të tua, mund të shpikësh histori sa të duash. Por Jezusi nuk ndryshon siç ndryshojnë herezitë dhe e vërteta e Tij nuk ndryshon sa herë që shfaqen romane të famshme.
Gjoni është një autor të cilit mund t’i besojmë. Gjoni shkroi një ungjill për jetën e Jezusit dhe, ai shkroi letra për të inkurajuar të krishterët dhe për të kundërshtuar idetë e rreme për Jezusin që tashmë po përhapeshin kudo atë kohë. Në letrën e tij të parë, Gjoni theksoi ndryshimin mes hipokritëve që nuk e njohën asnjëherë Jezusin dhe nuk patën asnjë lidhje personale me Krishtin. Gjoni shkroi: "Atë që ishte nga fillimi, atë që dëgjuam, atë që pamë me sytë tanë, atë që vështruam dhe që duart tona e prekën lidhur me Fjalën e jetës." (1 Gjoni 1:1)
Pjetri, miku i Gjonit, ngulmoi pikërisht te kjo gjë: " Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij". (2 Pjetri 1:16) Dëshmitarët ishin njerëz të besueshëm të cilët folën prej përvojës së tyre. Në krye të kësaj, ata kishin inspirimin dhe drejtimin e Perëndisë, çka i bënte ata tërësisht të besueshëm në gjithçka që shkruan për Jezusin.
Fjala e Perëndisë dhe Biri i Perëndisë
Është normale për njerëzit të bëjnë thashetheme dhe të sajojnë sekrete për Jezusin dhe kishën. Por Jezusi real është një mister që mbetet i panjohur për shumë njerëz, jo për arsye se kisha e fshehu të vërtetën, por sepse shumë njerëz nuk shqyrtojnë atë që thotë Bibla. Problemi me ata që nuk e pranojnë Jezusin biblik nuk është që ata hetojnë shumë mbi misterin e Jezusit por që ata nuk hetojnë fare. Problemi nuk është se ata nuk njohin shumë sekrete por që i mbyllin sytë e tyre dhe i vulosin veshët e tyre për sekretet e universit. Problemi nuk është se ata kthehen shumë mbrapa në histori, por që ata nuk kthehen aq mbrapa sa duhet. Ata pretendojnë se do të gjejnë Jezusin e vërtetë mbrapa në kohë, para se të ishte mbajtur këshilli i kishës, para se të ishin formuluar doktrinat.
Por Gjoni u kthye shumë herë më mbrapa në kohë për të zbuluar misterin më të madh për Jezusin. Gjoni kthehet pas në kohë, te ato që pa dhe dëgjoi prej Jezusit vetë, madje shkon akoma më tej. I drejtuar prej Zotit, Gjoni vazhdon më tej te historitë më të vjetra dhe zbulon misteret më të thella. Ungjilli i Gjonit fillon duke u kthyer pas në epokat e fillimit të gjithçkaje. Ungjilli i Gjonit fillon duke thënë: "Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne." (Gjoni 1:1,14)
Në fillim të gjithçkaje, kur koha dhe hapësira erdhën në ekzistencë, dikush tha se “Fjala” ishte tashmë atje. Fjala nuk filloi asnjëherë; Fjala thjesht ishte, është dhe gjithmonë do të jetë, pa fillim dhe pa mbarim. Ky person hyjnor, i quajtur “Fjala”, u bashkua me natyrën njerëzore dhe u bë i njohur për ne si Jezusi. Por Fjala nuk filloi të ekzistojë kur foshnja Jezus lindi në një grazhd apo kur foshnja u ngjiz në barkun e Marisë. Ky ishte fillimi i jetës njerëzore të Jezusit, por jo i jetës së Tij të shenjtë. Fjala hyjnore, nuk kishte fare fillim. Ky person i quajtur Fjala ishte me Perëndinë para të gjitha kohërave, para gjithë botëve. Në fakt, ky person i quajtur Fjala ishte Perëndi vetë dhe ky Person hyjnor, erdhi në këtë botë si foshnja Jezus. Ky është misteri më i madh, sekreti përfundimtar, se kush është Jezusi.
Ky person nuk u bë biri i Perëndisë kur lindi si biri i bekuar i nënës së vet, Marisë. Ai ishte gjithmonë, Biri i Perëndisë, gjithmonë me Perëndinë Atin, gjithmonë vetë Perëndi dhe gjithmonë pjesë e Trinitetit me Atin, gjithmonë i bashkuar me Atin në dashuri pakufi. Ndryshe nga lindja e një biri njerëzor, lindja e një biri hyjnor, nuk është diçka që filloi në një pikë të caktuar kohore. Po kështu Biri nuk filloi si një version i vogël i Perëndisë dhe të rritej me qëllim që të bëhej i barabartë me Perëndinë Atë. Biri ka qenë gjithmonë një Zot, tërësisht i plotë, një imazh i përsosur i Atit të Tij. Natyra e Tij hyjnore buron prej natyrës hyjnore të Atit. Kur Maria lindi Jezusin, nuk ishte çështja që Biri të fillonte të ekzistonte për herë të parë; ishte ndryshe. Perëndia po dërgonte Birin e Tij të përjetshëm dhe ekzistues në këtë botë, që të mund të lindte nga një grua, duke bashkuar natyrën njerëzore me natyrën hyjnore që ekzistonte prej kohësh.
Shkrimet shpesh e quajnë Jezusin, Birin e Perëndisë, por këtu në fillim të Gjonit, ai e quan atë Fjala. Kur të krishterët flasin për "Fjalën e Perëndisë” ne shpesh e kemi fjalën për Biblën. Çdo fjalë e Shkrimeve është e frymëzuar prej Perëndisë, prandaj shkon që ta quajmë Biblën "Fjala e Perëndisë”. Por në nivelin më të lartë, Fjala e Perëndisë është akoma më e madhe se vetë Bibla. Fjala e Perëndisë është shumë më tepër se sa një libër me fjalë nga Perëndia të shprehura në gjuhën njerëzore; Fjala e Perëndisë është një Person hyjnor dhe i përjetshëm. Rëndësia më e madhe e fjalës së Shkruar, Biblës është të zbulojë Fjalën e Gjallë, Jezusin.
Fjala e gjallë është Perëndi, një shprehje e vetë Perëndisë Atë. Kjo Fjalë hyjnore nuk është një bashkim tingujsh, apo rrokjesh, por vetë qenia, personaliteti dhe mendja e Atit, kaq real dhe i gjallë që ai vetë është një Person që qëndron krah përkrah Atit. Fjala nuk përfaqësohet prej disa tingujve që bëri Perëndia; fjala është vetë personaliteti i Perëndisë dhe shprehja e vetes së tij, që buron prej Atit dhe lidhet me Atin në dashuri dhe harmoni të përsosur.
Shpresoj të jeni inkurajuar sot. këtu do të ndahemi bashkë, takohemi në programin e radhës në të njëjtën orë. Mirë u dëgjofshim!