Print

Programi 23 qershor 2015

Predikimi më i ashpër në histori 3

Në tetor të vitit 1517, Martin Luteri filloi një protestë e cila u quajt Reformacioni. Luteri protestoi kundër një kishe që theksonte rregullat dhe ritualet më shumë se sa realitetin e hirit dhe faljes së Perëndisë. Në të njëjtën kohë, Luteri u nxeh prej hierarkisë së kishës, e cila ishte plot me lakmi dhe vetëkënaqësi. Kalimi i sigurt për në qiell ishte bërë diçka që shitej. Një prej shitësve më të njohur dhe themeluesve ishte një njeri me emrin Tetzel. Slogani i tij ishte: "Kur paraja në arkë tringëllon, një shpirt nga purgatori shpëton."

Sot ekzistojnë ende Tetzelë si ky. Shpesh ata janë të veshur mirë, dhe të shëndetshëm në dukje, goja nuk i pushon për Perëndinë dhe, të garantojnë se bekimet e Perëndisë do të jenë mbi ty nëse i nënshkruan një çek të madh për shërbesën e tyre të veçantë.

Ndërkohë ata kanë paga marramendëse për vete nga fondet që ngrenë. Mjerë këta tregtarë fetarë! Ata pastrojnë anën e jashtme të kupës, por përbrenda janë zgjyrë me lakminë dhe egoizmin e tyre.

Të vdekur përbrenda

Akuza e gjashtë e Jezusit na kthen në thelb të asaj që duam të themi:

Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse u ngjani varreve të zbardhuara (me gëlqere), që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish.

Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi. (v. 27-28)

Shpesh një varrezë duket më e bukur se oborri para shtëpisë së një familjeje që gumëzhin prej gëzimit dhe jetës. Fëmijët e gëzuar e bëjnë rrëmujë oborrin dhe i lënë lodrat gjithandej nëpër tokë. Njerëzit e vdekur nuk e bëjnë këtë. Ata nuk e prishin qetësinë e varrezave, as barin nuk e shkelin, as rrëmujë nuk bëjnë.

Me pak gëlqere dhe pamje të zbukuruar, varreza duket e përsosur. Por nuk ka rëndësi se sa e përsosur duket, mbetet një vend i vdekur!

Një kishë e gjallë dhe plot energji i ngjan asaj shtëpisë që zien nga poterja e fëmijëve. Sigurisht që do të ketë edhe rrëmujën apo momentet e veta të sikletit. Kjo ndodh për arsye se po ndihmon mëkatarët të kapërcejnë problemet e tyre, në vend që t’i detyrojë të shtiren sikur nuk kanë fare probleme. Një kishë është e vdekur në rast se  interesohet më shumë për pamjen e jashtme se sa të shprehurit hapur të betejave të saj. Ajo mund të duket plot shkëlqim. Sepse të gjithë vijnë në kishë të veshur mirë dhe të kollarisur. Të gjitha ritualet kryhen në formën e duhur. Po ashtu përdoren fjalët e duhura dhe të gjithë përpiqen që të lenë një përshtypje sa më të mirë. Por një kishë si kjo është një varrezë shpirtërore. Monumentet janë të bukura, bari duket i shkëlqyer, por nën sipërfaqe shtrihet vdekja dhe kalbëzimi.

Refuzimi i lajmëtarëve të Perëndisë

Meqenëse folëm pak më lart për varrezat, në akuzën e tij të shtatë, Jezusi i ngarkon këta hipokritë me akuzën se profeti i mirë ishte vetëm profeti i vdekur:

" Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ndërtoni varrezat e profetëve dhe zbukuroni monumentet e të drejtëve,

30  dhe thoni: "Po të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve".

31  Duke folur kështu, ju dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bijtë e atyre që vranë profetët.

32  Ju e kaloni masën e etërve tuaj!

33  O gjarpërinj, o pjellë nepërkash! Si do t'i shpëtoni gjykimit të Gehenës?

34  Prandaj, ja unë po ju dërgoj profetë, dijetarë dhe skribë; ju disa prej tyre do t'i vritni dhe do t'i kryqëzoni, disa të tjerë do t'i fshikulloni në sinagogat tuaja dhe do t'i persekutoni nga një qytet në tjetrin,

35  që të bjerë mbi ju gjithë gjaku i drejtë i derdhur mbi dhe, nga gjaku i të drejtit Abel, deri te gjaku i Zaharias, birit të Barakias, që ju e vratë ndërmjet tempullit dhe altarit…. (v. 29-35)

Pothuajse të gjithë e pëlqejnë një profet pasi ka vdekur.

Të vdekur ne i duam por kur janë gjallë nuk i pëlqejmë dhe aq. Është e lehtë të thuash se do të ishim penduar po ta kishim dëgjuar që në fillim mesazhin e tyre. Ne nuk dalim hapur të pohojmë se realisht nuk do të donim një profet por një njeri që na i bën qejfin. Ne duam një fe të ëmbël dhe të zbutur, nuk duam realitetin sfidues dhe të ashpër të Perëndisë së gjallë.

Një profet i Perëndisë nuk është një person i mirë që u tregon njerëzve të mirë, se si të jenë më të mirë. Zakaria nuk u gjuajt me gurë deri në vdekje, për arsye se tha "Unë jam në rregull, ti je në rregull." Jeremia nuk u hodh në një gropë balte se tha:"Diçka e mirë do të ndodhë ty." Gjon Pagëzorit nuk ia prenë kokën se tha: "Buzëqeshni, Perëndia ju do." Jezusi nuk u kryqëzua se tha: "E di çfarë ju duhet më shumë se gjithçka o njerëz? Vetëvlerësimi!”

Mizor për të qenë i mirë

Përfaqësuesit e Perëndisë në të kaluarën nuk ishin thjesht “njerëz të mirë”dhe ata nuk thanë gjithmonë gjëra të mira. Jezusi vetë nuk u tregua tërë kohës një njeri i mirë. Fjalët e tij ishin shpesh të ashpra, pak i ndante ato prej të qenit mizore. Por Jezusi ishte mizor për të qenë i mirë. Ai i donte njerëzit kaq shumë sa që nuk mund të rrinte duarkryq ndërsa shikonte se si ata e shkatërronin veten në përpjekje për të provuar se ata ishin tashmë të mirë sa duhej edhe pa Të.

Kur Jezusi ndali së thëni këto shtatë akuza, sytë e tij u mbushën me lot dhe zëri filloi t’i dridhej:

"Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t'i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!". (v. 37)

Pas zemërimit të egër të Jezusit fshihej dashuria e Tij e ëmbël. Ai pa se këta njerëz po marshonin drejt shkatërrimit, kështu që Ai i ra alarmit të emergjencës dhe i shtyu që të ktheheshin tek ai. Por ata refuzuan.

Mos bëj edhe ti të njëjtin gabim. Mos prit që një përfaqësues i vërtetë i Perëndisë të jetë një person i mirë që u tregon të tjerë njerëzve të mirë se si të jenë akoma më të mirë. Ungjilli të thotë se je i pabesë, se zemra jote është e korruptuar dhe me lloj-lloj motivesh, se ti ke nevojë të marrësh faljen dhe të ndryshosh. Në rast se mendon se je një person kryesisht i mirë dhe meriton pëlqimin e Perëndisë, mjerë ti! Ti je ende jashtë mbretërisë qiellore dhe me shumë mundësi po i mbyll njerëzve në fytyrë derën e mbretërisë së Perëndisë.  Pavarësisht sa i mirë je në dukje, pavarësisht se çfarë shohin të tjerët tek ti, zemra jote është e korruptuar.

E vetmja rrugë që mund të hysh në mbretërinë qiellore është të pendohesh për mëkatet e tua dhe të lutesh për dhembshurinë dhe faljen e Perëndisë. Ti mund të vendosësh besimin tënd në Jezusin dhe në gjakun që Ai derdhi për të paguar për mëkatet e tua. Ajo çka ka vdekur brenda teje duhet të zëvendësohet prej jetës së Frymës së Shenjtë të Perëndisë.

Jezusi erdhi për të shpëtuar mëkatarët. Krishterimi është vetëm për mëkatarët. Njerëzit të cilët mendojnë se janë të mirë sa duhet që të meritojnë pëlqimin e Perëndisë nuk kanë vend në Krishterim.

Kisha e Jezusit është vendi ku duhet të përballemi me mëkatin tonë dhe të ngushëllohemi prej hirit të Perëndisë. Kisha nuk është vendi ku ne përgëzojmë njëri-tjetrin duke thënë sa të mirë jemi.

Cilado kishë që harron këtë të vërtetë duhet reformuar.

Cilido individ që harron këtë të vërtetë duhet të rilindet.

Këto ishin edhe minutat në dispozicionin tonë edhe për sot, Shpresoj të jeni inkurajuar. Edhe një herë ju falënderoj që zgjodhët të qëndroni në shoqërinë tonë, ndërkohë vazhdoni të dëgjoni programet e tjera në vijim. Nga unë Berti kalofshi sa më mirë. Mirë u dëgjofshim!