Titulli: Njerëzit, të parët nga rëndësia 3
Një tjetër organizator për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve tha: " Edhe sikur vdekja e një miu të shëronte të gjitha sëmundjet, kjo nuk do të bënte asnjë ndryshim për mua." Të tjera si këto në materialin në vijim, dëgjim të këndshëm!
Sipas këtij këndvështrimi, pirja e qumështit, veshja e rrobave të leshta është po aq e gabuar, sepse ne njerëzit nuk duhet të përdorim kafshët për mirëqenien tonë. Mbajtja e kafshëve shtëpiake, do të ishte gjithashtu e gabuar sepse sipas tyre është po aq e keqe sa skllavëria njerëzore. Nëse njerëzit dhe kafshët janë të barabartë, njëri nuk mund të jetë pronar i tjetrit.
" Dëshirojmë që të vijë dita kur dyqanet për shitjen e kafshëve shtëpiake do të mbyllen dhe mbarështimi i kafshëve do të marrë fund” shprehet një prej aktivistëve.
E gjithë kjo është bazuar në idenë se kafshët janë të barabartë me njerëzit dhe, duhet të kenë të njëjtat të drejta. "Ne nuk jemi superiorë. Nuk ekzistojnë dallime të qarta mes nesh dhe kafshëve", pohoi Majkëll Foks (Michael Fox) i organizatës Shoqëria Humane ( Humane Society). "Jeta e një milingone dhe jeta e fëmijës tim duhen vlerësuar njëlloj."
Dikush e pyeti profesorin e filozofisë Tom Regan se kë do të shpëtonte në rast se një varkë do të mbytej në oqean, një foshnjë apo një qen. Ai u përgjigj: "Nëse fëmija do të ishte me zhvillim të vonuar, ndërsa qeni do të ishte shumë i mirë, do të shpëtoja qenin!"
Piter Singër, profesor i etikës në universitetin Prinston, është dekani i mbrojtjes të të drejtave të kafshëve. Ndryshe nga disa, ai nuk i quan kafshët të barabarta me njerëzit, por ai mendon se një mace e lumtur duhet të ketë më shumë pretendime për jetën se sa një person që nuk është i lumtur, apo një foshnjë e porsalindur që nuk është e dëshiruar nga prindërit.
Disa fe, kanë mësuar prej kohësh se të gjitha format e jetës janë një dhe se gjithë kafshët janë të barabartë në vlerë me njerëzit. Tani gjithmonë e më shumë evolucionistë jo fetarë kanë të njëjtin opinion.
Por Bibla i dallon njerëzit nga kafshët dhe thotë se njerëzit kanë më shumë rëndësi. Pitër Singër e di këtë dhe e urren. Ai pohon: "Krishterimi është armiku ynë. Nëse duam që të drejtat e kafshëve të kenë sukses, duhet të shkatërrojmë traditën fetare judeo kristiane." Singër ngulmon se: "Askush tjetër veç një fanatiku të besimit do të thoshte se njeriu është qenia më e dashur e tërë universit, apo se gjithë kafshët e tjera janë krijuar për të na siguruar ushqimin, apo se ne kemi autoritet mbi ta dhe leje hyjnore për t’i vrarë."
Por sipas Biblës ne kemi autoritet mbi kafshët dhe lejë hyjnore për t’i ngrënë. Te Zanafilla 9 gjejmë se Perëndia vendosi të mbronte njerëzit prej sulmeve të kafshëve, duke bërë që kafshët tua kishin frikën njerëzve dhe po kështu Perëndia i dha lejë njerëzve që të përdornin kafshët për mirëqenien e tyre. Kjo nuk do të thotë se është mirë të torturojmë kafshët për argëtim, apo të shfarosim të gjitha speciet në zhdukje. Kafshët janë krijesa të Perëndisë. Ne duhet të vlerësojmë dhe mbrojmë larminë e mrekullueshme të botës së egër dhe të shmangim dëmtimin e panevojshme të habitatit të tyre. Ne nuk duhet të shkaktojmë dhimbje të panevojshme te kafshët. Bagëtitë dhe kafshët shtëpiake, duhet të ushqehen mirë dhe të trajtohen me kujdes.
Shkrimet thonë: " I drejti kujdeset për jetën e bagëtisë së tij." (Fjalët e Urta 12:10) Por kafshët nuk u krijuan sipas imazhit të Perëndisë dhe nuk u janë dhëna nga Perëndia të njëjtat të drejta me njerëzit. Perëndia të lejon të jesh vegjetarian, nëse kështu të pëlqen, por Perëndia nuk ta kërkon këtë. Shkrimet e thonë qartë se lejohet ngrënia e mishit dhe e produkteve të kafshëve. Perëndia i tha Noeut: " Çdo gjë që lëviz dhe ka jetë do t'ju shërbejë si ushqim. " (Zanafilla 9:3) Në Bibël ka raste të panumërta të popullit të Perëndisë që përdor lëkurën e kafshëve dhe ha mishin e tyre.
Jezusi vetë ndihmoi të tjerët të peshkonin si edhe hëngri peshq vetë. (Luka 24:43) Çdo vit Jezusi merrte pjesë në festën e Pashkës dhe hante një qengj të pjekur. Jezusi i vlerësonte kafshët, por njëkohësisht pohoi: " E, pra, sa më i vlefshëm është njeriu se delja!” (Mateu 12:12) Jezusi tha se kujdeset për çdo harabel por shtoi gjithashtu se çdo njeri vlen" më tepër se shumë harabela". (Mateu 10:31; Luka 12:7) Jezusi nuk kërkon që njerëzit të trajtohen njëlloj me kafshët. Jezusi i vendos njerëzit të parit.
A duhet të vriten vrasësit?
Tani pyetja e fundit e vështirë: a duhet të vriten vrasësit? Sipas parimit, “njerëzit, të parët nga rëndësia”, a duhet praktikuar dënimi me vdekje? Disa mendojnë se nëse ne e vlerësojmë jetën njerëzore, atëherë duhet të kundërshtojmë marrjen e një jete njerëzore me anë të dënimit me vdekje. Por sipas Biblës, vrasësit meritojnë të vriten.
Vrasja e një njeriu tjetër, shkatërron një motër a një vëlla, një anëtari të familjes njerëzore dhe ky është një sulm ndaj vetë Perëndisë. Keqtrajtimi i njerëzve të tjerë është diçka që Perëndia e merr si personale. Vrasësit meritojnë të vriten, për hir të njerëzimit dhe për hir të Perëndisë. Perëndia i tha Noeut: " Cilido që derdh gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri, sepse Perëndia e ka krijuar njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij." Më vonë Perëndia i tha Mojsiut: "Kush rreh një njeri dhe për këtë shkak ky vdes, do të dënohet me vdekje." (Eksodi 21:12) Në rast se vrasja është e qëllimshme dhe e paramenduar.
Dënimi me vdekje është një mënyrë për t’i venë njerëzit të parët nga rëndësia. Si? Duke nderuar vlerën e viktimave, duke u siguruar se vrasësi nuk do të vrasë më njerëz të tjerë. Kjo gjë do i frikësojë vrasësit e tjerë të mundshëm, që të kenë parasysh pasojat, si edhe duke mos e trajtuar vrasësin si një kafshë që duhet futur në kafaz, por një person të përgjegjshëm që duhet ndëshkuar sipas krimit të bërë.
Dënimi me vdekje nuk është një çështje e hakmarrjes vetjake, por e drejtësisë publike. Nuk duhet bërë prej njerëzve vigjilentë apo një skuadre vrasëse por prej qeverisë legjitime nën normat ligjore publike.
Bibla thotë se një zyrtar qeveritar " nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen. " (Romakëve 13:4)
Një qeveri duhet të kujdeset shumë që të mos ekzekutojë të pafajshmit, po ashtu nuk duhet të shfaqë diskriminim mes njerëzve të grupeve të ndryshme racore dhe sociale. Nëse një vrasës nga një minoritet etnik, ka gjasa të ekzekutohet për krimin e tij shumë herë më tepër se një vrasës nga një grup më i madh etnik, atëherë diçka nuk shkon. Nëse vrasësit e pasur që kanë avokat të fuqishëm marrin dënime më të lehta, ndërsa njerëzit pa para, dënohen me vdekje, atëherë sistemi ka nevojë për reformë.
Bibla thotë: " Nuk do të bësh padrejtësi gjatë gjykimit; nuk do të tregohesh i anshëm me të varfrin as do të nderosh personat e fuqishëm; por do të gjykosh të afërmin tënd me drejtësi." (Levitiku 19:15) Nëse një qeveri përdor dënimin me vdekje, duhet ta bëjë këtë me të drejtësi, pa paragjykime apo anësi.
Një miku im amerikan më tregoi rreth dënimit me vdekje atje. Ja se çfarë pohon ai: “Qeveria amerikane nuk duhet të aplikojë dënimin me vdekje në çdo rast vrasjeje. Nëse sistemi i drejtësisë shtrembërohet në favor të të pasurve apo të një grupi të madh etnik. Ndoshta dënimi me vdekje duhet të qëndrojë në pritje derisa sistemi të reformohet për të ushtruar drejtësinë në mënyrë të barabartë për të gjithë. Por në parim, qeveria është autorizuar nga Shkrimet që të ushtrojë dënimin me vdekje për vrasësit.”
Kjo ndodh në Amerikë, ndërsa tek ne dënimi me vdekje nuk aplikohet. Cilado qeveri qoftë që ushtron këtë dënim, Perëndia e fton qeverinë që të gjykojë me drejtësi, por Perëndia vetë mbetet gjykatësi suprem. Perëndia i tha Noeut se Zoti vetë do të kërkonte llogari për gjakun e derdhur të çdo njeriu. Bibla thotë:" Por ti, o Perëndi, do t'i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre." (Psalmi 55:23) Jezusi vetë deklaroi: " sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin. " (Mateu 26:52) Njerëzit që jetojnë me dhunë priren të vdesin në mënyrë të dhunshme dhe vrasësit që ia mbathin nga skena e krimit gjithsesi do të përballen me gjykimin e Zotit. Perëndia i vendos njerëzit të parët, për nga rëndësia dhe nuk do të lerë pa ndëshkuar fajtorët.
Dinjiteti më i lartë i njerëzimit
Ne kemi parë tre çështje së bashku: rritjen e popullsisë, përdorimin e kafshëve nga ana e njerëzve dhe dënimin me vdekje. Këto mund të duken si tri yshtje krejt të ndryshme, por kanë lidhje bashkë. Perëndia merret me të tria këto te pohimi që bën te Zanafilla 9 dhe, të tria këto përfshijnë faktin që Perëndia vë njerëzit të parët për nga rëndësia si edhe dinjitetin që Perëndia i ka dhënë njerëzimit.
Që prej ditëve të hershme të njerëzimit, Perëndia theksoi se qeniet njerëzore janë bërë sipas imazhit dhe ngjashmërisë së Tij dhe kjo na jep shumë dinjitet.
Krishti Jezus "dhe pse ishte në trajtë Perëndie"… u bë i ngjashëm me njerëzit" (Filipianëve 2:6-7) Biri i Perëndisë u bë si njëri prej nesh, ky është nderimi më i lartë për njerëzimin si edhe bekimi më i madh. Zoti i lavdisë i vendosi njerëzit të parët, duke lënë mënjanë madhështinë e Tij, për të shpëtuar njerëzit nga mëkati dhe ferri. Ai erdhi "…në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish." (Romakëve 8:3) Me anë të kryqëzimit, dhe vdekjes së Tij në kryq, Jezusi ka hapur rrugën për të gjithë mëkatarët, madje edhe për vrasësit që vdesin nën dënimin e ligjit njerëzor- për të marrë faljen dhe shpëtimin duke besuar në Të.
Nëse ti dhe unë besojmë në Jezusin si Shpëtimtarin dhe Zotin tonë, thotë Bibla, një ditë ne " do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit." (1 Korintasve 15:49) Një numër i madh njerëzish nga çdo komb do të reflektojë bukurinë dhe mirësinë e Jezusit dhe të shijojë pasuritë e Tij. Në atë parajsë, bota dhe jeta e egër do të bekohet së bashku me njerëzimin dhe nuk do të ketë më as lot as vdekje.
Derisa të vijë ajo ditë e përsosur, jeto me anë të besimit në Zotin dhe vendosi njerëzit të parët nga rëndësia, sepse janë bërë sipas imazhit të Perëndisë.
Respekto urdhërimet e Tij për këtë jetë. Kërko që mëshira e Tij të falë dështimet e tua. Dhe gëzohu në dinjitetin e të qenurit pjesë e familjes së Tij dhe sipas ngjashmërisë së Tij.