Një shok i veçantë dhome

Print

Titulli: Një shok i veçantë dhome (pjesa 2)

Ndoshta kjo të duket e çuditshme ty. Ideja e Frymës së Shenjtë as të shkon nëpër mend. Ti nuk ke shumë dijeni të Frymës së Krishtit dhe nuk e mendon shumë se si qëndrimet dhe veprimet e tua e ndikojnë atë. Në atë rast, një nga këto dy gjëra duhet të jetë e vërtetë: ose ti nuk e ke fare Frymën e Shenjtë në jetën tënde, ose ke qenë duke e shpërfillur apo trishtuar Atë.

Në rast se nuk e ke Frymën e Shenjtë, nëse nuk ke një shok dhome të veçantë, që të banojë në zemrën tënde, ti nuk je fare i krishterë. Ti nuk je shpëtuar nga Jezusi. Është kaq e thjeshtë. Bibla thotë se “nëse dikush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket Krishtit” (Romakëve 8:9) Dhe nëse ti nuk i përket Krishtit, kjo do  të thotë se mëkatet e tua nuk janë paguar. Borxhi i mëkatit tënd po shtohet gjithnjë e më shumë, dhe po të vdisje pikërisht tani, do të vuaje në ferr përgjithmonë. Tamam tani, ti mund të duash të jetosh vetë, pa Zotin dhe të bësh çfarëdo që të pëlqen, por nëse vazhdon kështu, do të përfundosh në një vend të tmerrshëm nga ku nuk ia mbath dot kurrë.

Prandaj nëse nuk i ke besuar Jezus Krishtit, nëse nuk e ke ftuar asnjëherë Frymën e Tij në jetën tënde, të lutem bëje para se të jetë tepër vonë. Përballu me nevojën tënde. Kupto se e vetmja zgjidhje për ty është që të Zoti të jetojë me ty, ndaj me përulësi kërkoi Atij të banojë në ty.

Ndoshta, kohë më parë Ti i ke besuar Krishtit, dhe Fryma e Tij ka jetuar në ty për një farë kohe. Nëse po, nëse je i krishterë, merr pak kohë për të pyetur veten:”çfarë ndikimi ka prania e Frymës në mua?” Më vjen keq ta them, por dhe nëse je një i krishterë i vërtetë, ti ndonjëherë mund ta shpërfillësh shokun e veçantë të dhomës dhe të pikëllosh Mikun hyjnor, i Cili jeton brenda nesh. Kur një njeri i rëndësishëm dhe i dashur jeton me ty, duhet të kesh në mendje atë person në gjithçka që ti bën. Kjo vlen për njerëzit e
zakonshëm siç janë: një mik, gruaja apo burri dhe po aq e vërtetë është për Frymën e Krishtit. Nëse jemi të Krishterë, Fryma e Shenjtë jeton në ne dhe duhet të gëzohemi në praninë e Tij dhe të jetojmë në një mënyrë që e kënaq dhe e nderon atë.

Kur ti ke një person tjetër që jeton me ty, qoftë një mik apo gruan a burrin, ti nuk mund të bësh më gjërat si të ishe vetëm, apo ta bësh zakon që ta ofendosh atë person. Kjo gjë praktikohet edhe në jetën me Frymën e Shenjtë.  Bibla nxit çdo të krishterë, ” Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit.” (Efesianëve 4:30) Kur ne e hidhërojmë Frymën, ne duhet të pendohemi dhe t’i kërkojmë falje, si edhe ndihmë për të ndryshuar rrugët tona.

Pastaj ne duhet ta nderojmë Atë. Si duhet ta nderojnë të krishterët Frymën e Shenjtë? Le të shqyrtojmë tre zona: pranimi, komunikimi dhe, pjesëmarrja.

Pranimi

E para, pjesa më kryesore e nderimit të Frymës së Shenjtë është pranimi: të kuptuarit se ai është atje brenda teje dhe ta pranosh për Atë që është. Asgjë nuk është më pikëlluese se shpërfillja e dikujt sikur të mos jetë atje. Si do të ndiheshe nëse je pranë dikujt që sillet sikur ti nuk je fare në dhomë me të? Kjo të mërzit shumë apo jo? Pra si mendon se ndihet Fryma e Shenjtë kur ti vazhdon punët e tua pa i kushtuar vëmendje Atij, ndonëse në të vërtetë Ai është brenda teje kudo që ti shkon?

Nderoje Frymën e Shenjtë duke kuptuar se ai është i pranishëm brenda teje. I vetmi rast në të cilin Ai nuk është i pranishëm, siç thamë më lart, është nëse ti nuk i përket Krishtit dhe je rrugës për në ferr. Bibla thotë, ” Analizoni veten tuaj a jeni në besim; provoni veten tuaj! A thua nuk e njihni vetveten se
Jezu Krishti është në ju? Veç në qofshi të paprovuar?” (2 Korintasve 13:5)

Nëse nuk të vjen keq kur mëkaton, nuk beson se gjaku i Jezusit mund të pastrojë ty, nuk ke dashuri për Zotin, nuk dëshiron t’i shërbesh dhe t’i bindesh Atij, atëherë ti ke dështuar në këtë test. Por nëse shenjat e besimit të vërtetë janë të dukshme, atëherë Krishti jeton në ty me anë të Frymës së Tij. Fryma e Shenjtë është në ty! Mos e harro këtë! Mos e pikëllo Frymën duke e injoruar atë. Nderoje duke qenë gjithmonë i vetëdijshëm për praninë e Tij.

Teksa i kushton vëmendje pranisë së Frymës, sigurohu që të pranosh edhe personalitetin e tij. Fryma e Shenjtë nuk është një send, apo një fuqi abstrakte; Ai është një Person, dhe ne duhet të lidhemi me të, njëlloj si me një Person. Ne duhet ta nderojmë Frymën duke e trajtuar si një shok real dhe personal dhe, duke pasur një marrëdhënie dashurie me Të.

Por ndoshta ty të duket i mistershëm personaliteti i Frymës së Shenjtë dhe, i vështirë për tu njohur. Në këtë rast, ki parasysh se personaliteti i Frymës i ngjan personalitetit të Jezus Krishtit. Në misterin e
qenies së Perëndisë, Perëndia Atë, Krishti Bir, dhe Fryma e shenjtë janë tre persona të bashkuar në një Perëndi: në Trinitetin e Shenjtë. Ndonëse nuk mund ta kuptojmë këtë plotësisht, një gjë që ajo tregon është se kur Fryma e shenjtë jeton në ne, Krishti vetë jeton në ne.

Jezusi i tha dishepujve që pasi të kthehej në qiell, Ai do të vinte tek ata në personin e ngushëlluesit, Frymës së Shenjtë. “Unë do të vij tek ju”, tha Jezusi. “Atë ditë do të kuptoni se… unë jam në ju.”
(Gjoni 14:18,20) Kjo është arsyeja përse shkruesi biblik që kishte Frymën e Shenjtë mund të thoshte: “Krishti jeton në mua.” (Galatasve 2:20) dhe pse mund t’i fliste të krishterëve për “Krishti në ju shpresa e lavdisë.” (Kolosianëve 1:27) Prandaj nëse nuk je i qartë se çfarë personaliteti ka Fryma, duhet thjesht të dish se si është Jezusi. Çfarëdo që e fyen Jezusin, e fyen edhe Frymën e Shenjtë, dhe çfarëdo që e nderon
Jezusin, e nderon dhe e kënaq Frymën e Shenjtë.

Fryma nuk na e bën veten të njohur, thjesht si personi i tretë i Trinitetit, por Ai na bën të njohur Jezus Krishtin. (Gjoni 15:26)  Fryma i bashkon besimtarët me Krishtin dhe përmes Krishtit, ai na lidh me Perëndinë Atë, në një marrëdhënie dashurie. Njohja dhe përjetimi i kësaj është realiteti më i mrekullueshëm dhe më jetë ndryshues në botë. Nëse një princ i njohur dhe fisnik do të bëhej shoku yt i
dhomës, mund të duket diçka e mahnitshme, por nuk do të ishte asgjë në krahasim me Perëndinë që jeton në ty. Zoti është shumë herë më i madh se çdo princ, dhe Ai jo vetëm jeton me ne, por Ai realisht jeton në ne. Nderimi i Frymës së Shenjtë përfshin njohjen e pranisë së tij dhe personalitetin e tij të
mrekullueshëm hyjnor.

Komunikimi

Një tjetër mënyrë e rëndësishme për të nderuar Frymën është komunikimi. Nëse dikush jeton me ty dhe të do, por  i flet apo e dëgjon rrallë, ti po e lëndon marrëdhënien dhe po e pikëllon atë person. Kur dikush është gjithmonë pranë teje dhe i dashur për ty, ti dëshiron të dëgjosh se çfarë mendon, e po ashtu do
që ai person të dëgjojë çfarë mendon ti. Kështu është edhe me Frymën e Shenjtë. Komunikimi është jetësor.

Sipas Biblës ” …asnjëri s’i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë. Dhe ne nuk kemi marrë frymën e botës, por Frymën që vjen nga Perëndia, që të njohim gjërat që na janë dhuruar falas nga Perëndia.” (1 Korintasve 2:11-12) Që të dimë se çfarë ka në mendje Perëndia, duhet të mësojmë të dëgjojmë Frymën e Shenjtë. Si mund ta bëjmë këtë?