KORRIK 2015

Print

Programi 30 korrik 2015

Bërësi i mrekullive 3

A e ke lexuar ndonjëherë ndonjë prej ungjijve të Dhjatës së Re, Mateun, Markun, Lukën apo Gjonin? Nëse jo, fillo t’i lexosh. Shiko gjërat që Jezusi bëri. Shiko numrin e mrekullive të mirëfillta dhe vështirësinë e atyre mrekullive. Kush tjetër veç Perëndisë mund t’i bënte këto gjëra? Jezusi dëboi demonët dhe eci mbi ujë. Ai i bëri të verbrit të shohin, të shurdhët të dëgjojnë, të pagojët të flasin, të paralizuarit të ecin, bëri që të vdekurit të jetojnë! Impakti i plotë, madje dhe para se të bëjmë një studim të kujdesshëm të kuptimit  të çdo mrekullie, impakti total i të parit të gjërave që Jezusi bëri tregon pushtetin e Tij hyjnor dhe të krijon një ndjesi të jashtëzakonshme.

Në rast se përshtypja e përgjithshme e punës së Jezusit nuk të bind që Ai është Perëndi, atëherë le t’i hedhim një sy më nga afër disa detajeve. Shiko disa mrekulli specifike të Jezusit në ungjijtë e Dhjatës së Re, dhe vër re se sa prej tyre përputhen me punën e Zotit të plotfuqishëm, sikurse përshkruhet në Dhjatën e Vjetër.

Ungjijtë e Dhjatës së Re, tregojnë për një kohë kur Jezusi dhe dishepujt e Tij ishin në një liqen në një varkë të vogël. Një stuhi e fuqishme erdhi dhe dallgët e përfshinë varkën. Miqtë e Jezusit ishin të tmerruar. Ata kishin frikë se për pak do të mbyteshin. Por çfarë bëri Jezusi ? Ai i foli erës dhe dallgëve dhe i tha,

" Pusho dhe fashitu!''. Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe.

Dhe ata i zuri një frikë e madhe dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti!"

(Marku 4:37-41)

Kush është ky? Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje shiko në Dhjatën e Vjetër. Psalmi 89:8-9 thotë: " O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson.”

Vetëm Perëndia i plotfuqishëm mund të qetësojë detin e furishëm. Atëherë nëse Jezusi qetësoi detin e stuhishëm, kush është Ai? Ai është Perëndia i plotfuqishëm!

Ose shikoni dy mrekulli të njohura të Jezusit në ungjijtë e Dhjatës së Re. Një herë, kur Jezusi ishte i ftuar në një dasmë, Ai e ktheu ujin në verë. Në një rast tjetër, Jezusi shumoi pesë bukë dhe dy peshq, për të ushqyer turmat e mijëra njerëzve. Çfarë tregon kjo për Jezusin?

Në Dhjatën e Vjetër, Psalmi 104 thotë: " O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; " (104:1) dhe flet për veprat e Perëndisë në krijim. Ndër të tjera, Psalmi 104 përmend specifikisht që Krijuesi siguron " verën që gëzon zemrën e njeriut…dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut." (104:15) Kështu që kur Jezusi e ktheu ujin në verë dhe kur  me anë të një mrekullie i dha bukë një turme prej më shumë se pesë mijë njerëz, çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se Ai është Krijuesi i qiellit dhe siguron gjithë ushqimin dhe pijen.

Le të shohim një tjetër shembull të mrekullisë së Jezusit që përshtatet me mënyrën se si Zoti Perëndi përshkruhet në Dhjatën e Vjetër. Psalmi 103 thotë " Beko, shpirti im, Zotin…. Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua."(103:2-3) Vetëm Perëndia mund të falë tërë mëkatet. Vetëm Perëndia mund të shërojë tërë sëmundjet.

Ungjijtë e Dhjatës së Re, tregojnë se Jezusi i fal mëkatet dhe shëron sëmundjet. Një histori e veçantë e bën shumë të qartë këtë. Disa njerëz erdhën tek Jezusi, duke mbajtur një të paralizuar në një vig. Jezusi ishte në një shtëpi, që ishte  tepër e populluar për të hyrë brenda, kështu që ata u ngjitën në çatinë e shtëpisë, bënë një të çarë  dhe nga aty e ulën të paralizuarin që qëndronte shtrirë në të. Kur Jezusi pa besimin e këtij njeriu dhe të miqve të tij, i tha, "Bir; mëkatet e tua të janë falur."

Tani disa mësues të ligjit që ishin ulur atje po mendonin me vete:" Pse flet kështu ky djalë? Ai po bën blasfemi! Kush mund të falë mëkatet veç Perëndisë?"

Menjëherë Jezusi e kuptoi në frymë se çfarë po mendonin ata në zemër të tyre për të ndaj u tha "pse i mendoni këto gjëra? Çfarë është më lehtë: t'i thuash të paralizuarit: "Mëkatet e tua të janë falur", apo t'i thuash: "Çohu, merre vigun tënd dhe ec"? Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet…" Ai i tha të paralizuarit " Unë po të them: Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde." Dhe ai u ngrit menjëherë, mori vigun e vet dhe doli përjashta në praninë e të gjithëve dhe kështu të gjithë u habitën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: “Një gjë të tillë s'e kemi parë kurrë!''.!"

Psalmi 103 lëvdon Zotin "i Cili i fal tërë paudhësitë tuaja dhe shëron tërë sëmundjet tuaja," kështu mësuesit fetarë kishin baza  biblike për të thënë se vetëm Perëndia mund të falë mëkatet. Kur Jezusi tha "Bir, mëkatet e tua janë falur," Ai po thoshte diçka që vetëm Perëndia mund ta thoshte. Kur kundërshtarët e tij e sfiduan atë, Jezusi u përgjigj duke bërë atë që vetëm Perëndia mund të bënte: ai shëroi paralizën e pashërueshme. Ai tregoi se është Perëndia që jo vetëm i fal mëkatet por gjithashtu është Perëndia që i shëron tërë sëmundjet. Vepra e Tij e shërimit, e konfirmoi fjalën e Tij të faljes dhe të dyja këto konfirmuan identitetin e tij si Perëndi.

Beso dhe jeto!

Ti mund të pyesësh nëse Bibla i ekzagjeron mrekullitë e Jezusit, por unë të them që bën të kundërtën. Bibla nuk e ekzagjeron; në vend të kësaj ai lë jashtë mrekullitë më të mëdha të Jezusit. Mrekullitë e përshkruara në Bibël, janë mahnitëse, por ato janë veç një shembull. Shkrimi thotë " Jezusi bëri edhe shumë shenja të tjera në prezencën e dishepujve të Tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër… Janë edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat, po të shkruheshin një nga një, unë mendoj se nuk do të mjaftonte mbarë bota që t'i nxinte librat që do të mund të shkruheshin " (Gjoni 20:30; 21:25). Autorët e Biblës nuk kishin vend për të përshkruar tërë veprat mahnitëse që bëri Jezusi. Por nën drejtimin e Perëndisë, ata shkruan mjaftueshëm për të përcjellë mesazhin se Jezusi është Perëndi." Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij. " (Gjoni 20:31)

Ndaj mos u mashtro prej ateistëve që thonë se nuk ka Perëndi dhe mos u mashtro prej ndonjë feje që mohon se Jezusi është Perëndi. Beso të vërtetën. Beso se ekziston një perëndi i gjallë dhe personal, dhe se Ai u bë njeri si ne dhe jetoi mes nesh. Beso në Jezusin. Beso se çfarë thotë Ai për veten, pikë së pari sepse Ai vetë thotë kështu.

Fjalët e Tij si Perëndi, mbartin një autoritet të pakufizuar dhe hyjnor. Dhe nëse nuk beson vetëm në bazë të fjalëve të tij, atëherë të paktën besoji veprave të Tij. Jezusi është mrekulli bërës. Mahnitu se si këto mrekulli e zbulojnë Atë si Zotin dhe Krijuesin e tërë krijimit dhe si Zotin dhe krijuesin e krijimit të ri, ku do të jetojnë të gjithë ata që i besojnë Atij.

Mos lejo asgjë që të pengojë ta njohësh Perëndinë. Zoti i plotfuqishëm ka jetuar dhe ka ecur mes nesh. Besoji fjalët e Jezusit. Besoji veprave të Tij. Në rast se fjalët dhe veprat që kam përmendur nuk mjaftojnë, konsidero fjalën dhe veprën më mahnitëse ndër gjithë të tjerat: Jezusi së pari tha se Ai do të ngrihej prej së vdekurish, dhe më pas e bëri! Kush tjetër veç Perëndisë mund të fliste fjalë si këto? Kush tjetër mund të bënte një punë të tillë? Kush tjetër veç Perëndisë është më i fuqishëm se vdekja? Reagimi i duhur ndaj këtij Jezusi të ringjallur është të themi atë që Thomai dyshues  tha kur pa Jezusin e ringjallur: "Zoti dhe Perëndia im!" (Gjoni 20:28)

Këtu minutave tona u ka ardhur fundi. Deri herën e ardhshme kalofshi sa më bukur.