Print

Programi 30 qershor 2015

Perëndia i panjohur 2

Përshëndetje edhe nga unë. Pali vendosi t’i ndihmonte njerëzit e Athinës që ata të njihnin Perëndinë e vërtetë të zbuluar nëpërmjet Jezusit. Megjithatë, Ai nuk filloi me adhuruesit e idhujve. Ai filloi në sinagogë me miqtë e tij judenj dhe me disa grekë, të cilët adhuronin Perëndinë e Izraelit. Pali dëshironte që ata që tashmë besonin në një Perëndi të dinin se Jezusi është i vetmi në të Cilin u përmbushën të gjitha premtimet. Pasi foli në sinagogë, Pali e përcolli mesazhin e tij në rrugë. Ai foli në pazar me këdo që ishte atje. Papritur ai hyri në diskutim me disa filozofë epikurianë dhe stoikë.

Epikurianët besonin se gjithçka në realitet mund të shpjegohet në termat e atomeve që bien rastësisht nëpër hapësirë. Nuk ka projekt hyjnor. Gjithçka që ndodh është rezultat i shkaqeve tërësisht mekanike dhe ngjarjeve të rastit. (Të duket familjare? Kjo pikëpamje e realitetit prej disave quhet "shkenca moderne," por kjo nuk është shkencë dhe, nuk është moderne. Është një filozofi jo shkencore, mbi dymijë vjet e lashtë.) Epikuri mësoi se perënditë nuk duhen pasur frikë, vdekja duhet pasur frikë dhe, gjëja më e mirë në jetë është të kërkosh lumturinë tënde. Epikuri e përkufizoi lumturinë si mungesën e dhimbjes dhe ai mësoi se mënyra më e mirë për të zvogëluar dhimbjen është të shmangësh ekstremet ne sjellje.

Intelektualët epikurianë  flisnin me gjuhën e fisnikëve, por idetë e tyre të shtynin drejt një stili të zakonshëm jetese që nuk ishte gjë tjetër veç përçmues. Pikëpamja epikuriane i ktheu njerëzit në bërthama të rastësishme atomesh, pa asnjë ndjenjë dinjiteti apo destinacioni. Kjo nuk frymëzoi tamam urtësinë, virtytin apo heroizmin. Një intelektual si Epikuri tha se shmangia e ekstremeve do të sillte lumturinë më të madhe. Por njerëzit e zakonshëm që përvetësuan mendimin epikurian zbuluan se:" në rast se jemi një tufë atomesh që janë bashkuar rastësisht dhe më pas i dorëzohen vdekjes, ne mund të kemi një lulëzim për sa kohë të jetojmë. Nuk ka qëllim më të lartë se sa të mbërthesh kënaqësinë dhe të shmangësh dhimbjen. Pse të mos bëjmë atë që na pëlqen sa e kemi mundësinë? Të hamë, pimë dhe gëzohemi, se nesër do të vdesim." Ky ishte rezultati më i zakonshëm i epikurianëve në botën antike. Dhe ky është ende rezultati më i rëndomtë, ti shohësh njerëzit si rezultate rastësore të një evolucioni , të cilët nuk kanë jetë përtej vdekjes.

Stoikët kishin një mendim paksa ndryshe. Ata ishin panteistë: ata besonin se Perëndia është univers dhe universi është Perëndi.

Ata e panë tërë universin si një qenie të madhe racionale. Stoikët ishin edhe fatalistë: ajo që ndodh, ndodh dhe ti nuk mund të bësh asgjë për ta ndryshuar. Ti duhet të mësohesh ta pranosh atë pa u zmbrapsur apo ankuar. Mënyra që zgjedh stoiku është kontrollimi i dëshirave dhe emocioneve dhe bazimi i gjithçkaje që bën në nacionalizmin e mirëfilltë. Asgjë nuk duhet të të mërzisë, meqenëse Perëndia është gjithçka dhe gjithçka është Perëndi.

Stoiku më i madh në kohën e Palit ishte një studiues romak me emrin Seneka. Seneka njihej për karakterin dhe vetëkontrollin e tij. Ndodhi që ai ishte edhe tutori i një djali të ri me ermin Nero, i cili më vonë u bë perandor. Ai vrau nënën e vet dhe i binte violinës ndërkohë që Roma digjej. Ai masakroi shumë të krishterë. Disa stoikë ishin njerëz me parime të forta dhe moral të lartë, por pikëpamja e tyre për botën nuk kishte fuqi për të kufizuar veprimet tejet imorale të një njeriu si Nero. Në rast se Perëndia është gjithçka dhe gjithçka është Perëndi, atëherë vrasja e nënës apo rënia e violinës ndërkohë që Roma digjet është thjesht pjesë e natyrës së Perëndisë që sipas tyre është natyrë racionale dhe vazhdimisht e ndryshueshme.

Pazari i ideve

Në çdo rast kishte dy degë filozofësh që Pali takoi në pazarin e Athinës.

Grupi i filozofëve epikurianë filloi të debatonte me të. Disa madje e pyetën:"çfarë po përpiqet të thotë ky llafazan?" Të tjerë pohuan: "Duket sikur ai po mbron perënditë e panjohura." Ata folën kështu sepse Pali predikoi Lajmin e Mirë për Jezusin dhe ringjalljen. (17:18)

Këta njerëz menduan se ishte qesharake nga ana e Palit të pohonte se qenësia dhe veprimtaria e Perëndisë në këtë botë janë fokusuar te një njeri me emrin Jezus.

Epikurianët ishin ateistë të cilët nuk besonin në asnjë perëndi, ndërsa stoikët ishin panteistë të cilët besonin se gjithçka është Perëndi. Asnjëri prej këtyre grupeve nuk besonte në një Perëndi personal, aq më pak të besonin në një Perëndi që u bë njeri.

Ringjallja për ta dukej krejt marrëzi. Epikurianët e bazuan filozofinë e tyre te ideja se ne jemi thjesht një bashkim atomesh, të cilët vjen një çast që i dorëzohen vdekjes. Stoikët besonin vetëm në të ardhmen e një universi hyjnor që evoluon në mënyrë racionale. Ata nuk besonin në ringjalljen e individëve.

Nuk është çudi që Pali u dukej atyre si një llafazan që reklamon një besim të çuditshëm dhe të panjohur.

Megjithatë ata ishin ende kureshtarë. Ata dëshironin të dëgjonin më shumë për këto ide të reja, kështu që ftuan Palin që t’i adresohej Areopagut, një grupi njerëzish elitarë në Athinë dhe, tua shpjegonte atyre me detaje pikëpamjet e tij. Bibla shton këtë shënim: "Atëherë gjithë Athinasit dhe të huajt që banonin atje nuk e kalonin kohën më mirë sesa duke folur ose duke dëgjuar ndonjë fjalë të re." (Veprat 17:21)

Kjo mund të duket diçka e mirë, por ishte një rast i të qenurit tepër mendje hapur, aq sa në fund nuk të ngelet asgjë një mendje.

Njerëzit e Athinës pohuan se ishin mendimtarë të thellë që mbështetshin vetëm në fuqinë e tyre të arsyetimit, por ata realisht nuk dinin asgjë.

E vetmja gjë që donin të diskutonin ishin tendencat e fundit. Është ironike që në emër të të qenurit racionalë ata hapën dyert për çdo lloj supersticioni. Athina ishte plot me idhuj. Ata që nuk kishin asnjë qëndrim përfundonin duke  pranuar gjithçka. Racionalizmi nuk është armiku i supersticionit. Ai përgatit rrugën drejt tij. Kur ti nuk beson asgjë tjetër veç arsyetimit tënd, përfundon duke kapërdirë gjithçka tjetër, veç të vërtetës së Perëndisë.

Gjërat nuk kanë ndryshuar shumë në dymijë vjet. Nëse do të më duhej të përmblidhja në një fjali se si priren të sillen shumë intelektualë, unë do të përsëritja këto fjalë të Biblës: Njerëzit "e kalojnë kohën duke folur ose duke dëgjuar ndonjë fjalë të re." Është thjesht një lojë fjalësh. Është kuriozitet  pa përkushtim, diskutim pa vendim. Për sa kohë që Perëndia është i panjohur, ti mund të shpenzosh tërë kohën tënde duke luajtur me idetë më të reja. Por në rast se Perëndia është i njohur, loja e fjalëve ka përfunduar. Ti duhet ta mbledhësh mendjen. Në rast se Perëndia është i njohur, ti duhet të pendohesh dhe ti besosh Atij e t’i bindesh.

Pali dëshironte që njerëzit e Athinës ta kuptonin këtë. Filozofët ngritën sisteme te ndryshme abstrakte, ndërsa njerëzit e zakonshëm kishin perëndi dhe perëndesha , mite dhe supersticione qo ua bombardonin veshët. Me gjithë opinionet e ndryshme, askush nuk e dinte se çfarë të besonte, por sërish kishin një uri shpirtërore.

Po intelektualët pse i përfytyruan sistemet e tyre? Ata dëshironin të kuptonin tablonë e gjerë. Po njerëzit e zakonshëm pse i adhuronin perënditë dhe perëndeshat? Ata dëshironin të kishin një lidhje mes jetës së tyre personale dhe botës hyjnore. Racionalizmi i filozofëve dhe supersticioni i adhuruesve të idhujve ishin që të dyja të gabuara, por ata po kërkonin diçka që do të kënaqte një impuls të fuqishëm shpirtëror.

Por cila ishte kjo gjë që ata po kërkonin? Çfarë mund të kënaqë realisht dëshirën e tyre të fortë shpirtërore? Na ndiqni në programin tonë të herës së ardhshme , do të flasim më gjatë për krijuesin dhe Perëndinë e vërtetë. Pse përmendja e ringjalljes së Jezusit nxit kaq shumë polemika ndër njerëz të ndryshëm?

Deri atëherë mirë u dëgjofshim