Print

Programi 6 maj 2015

MARTESA brenda gjinisë 2

Monogamia besnike?

Ripërkufizimi i martesës për të përfshirë partnerët e të njëjtit seks nuk do të ndryshojë thjesht faktin se kush është një martesë e ligjshme. Por do të ndryshojë edhe institucionin e martesës, duke marrë kështu një kuptim tjetër veç monogamisë besnike. Pak më parë unë përmenda që shumë homoseksualë kanë ndjenja konfuze për çështjen e martesës brenda të njëjtit seks. Ata dëshirojnë një afirmim zyrtar dhe publik, për prirjen e seksualitetit të tyre, por pak prej tyre dëshirojnë që martesa të jetë e përhershme, një përkushtim ekskluziv ndaj një partneri. Kjo ndodh veçanërisht mes burrave homoseksuale. Ideja e tyre për "marrëdhënie të përkushtuara" është shumë ndryshe prej domethënies së martesës tradicionale.

Holanda ishte vend i parë që legalizoi "martesën" për çiftet e të njëjtit seks. Një studim holandez tregon se gjatësia mesatare e partneritetit të qëndrueshëm, është vetëm dy vite. Dhe sikur e ashtuquajtura “lidhje e përkushtuar” të zgjasë për një farë kohe, çfarë kuptimi ka në të vërtetë? Mund të ketë kuptimin e ndarjes së së njëjtës shtëpi dhe ndoshta  të njëjtit krevat, por rrallë herë do të thotë besnikëri seksuale. Një studim i burrave homoseksualë në marrëdhëniet e përkushtuara zbuloi se më pak se pesë përqind e njerëzve ishin besnikë ndaj njëri- tjetrit përgjatë një marrëdhënieje. Homoseksualët holandezë, në të ashtuquajturat lidhje partneriteti të përkushtuara i kalonin mesatarisht tetë partnerë në vit, përveç personit me të cilin supozohej se ishin lidhur. Atë çka shumë heteroseksualë do ta quanin mashtrim apo tradhti, shumë burra homoseksualë,  madje edhe ata që janë në marrëdhënie më afatgjata- do ta quanin thjesht një mënyrë jetese.

Ndoshta kjo shpjegon arsyen pse shumë homoseksualë kanadezë, të cilët mbështesin miratimin e qeverisë për martesat gej si një masë politike, nuk ishin aspak të gatshëm të hynin në martesë ata vetë. Ata do ta konsideronin martesën vetëm nëse kjo do të ishte diçka ndryshe prej asaj që ka qenë historikisht. Kryeredaktori i një publikimi gej kanadez tha: "Do të isha pro martesës nëse do të mendoja se njerëzit gej do të sfidonin dhe ndryshonin institucionin dhe nuk do të pajtoheshin me kuptimin tradicional të monogamisë që thotë ‘derisa vdekja të na ndajë’."

Me fjalë të tjera, ai do ta konsideronte martesën nëse nuk do të përfshinte dikë të seksit të kundërt, nëse nuk është një përkushtim ku duhet të jesh besnik vetëm ndaj një partneri seksual, dhe nuk synohet të zgjasë deri në vdekje. ati thotë se nëse martesa nuk do të kishte asnjë prej gjërave që e bën martesën ashtu si është, ai do të ishte pro saj! A nuk është e bukur kështu?

Disa që dëshirojnë miratimin e qeverisë për martesat gej debatojnë, se kjo do të nxisë më shumë monogaminë dhe besnikërinë mes homoseksualëve. Por martesa gej nuk do t’i bëjë homoseksualët më shumë monogamë dhe besnikë; kjo thjesht sa do ta bëjë martesën vetë më pak monogame dhe besnike. Në të vërtetë, për të kuptuar lëvizjen drejt martesës gej, ne kemi nevojë të shohim se si kjo përshtatet me pamjen e gjerë të revolucionit seksual.

Ne nuk do të kishim arritur asnjëherë në këtë pikë ku mund të konsiderohej martesa gej nëse heteroseksualët nuk do të kishin qenë kaq të zënë me hedhjen e martesës në plehra. Dejvid Fram (David Frum)shkruan:

“Sfondi i fitores të martesës brenda gjinisë, në Kanada shënon shembjen e martesës në popullatën e gjerë. [Vetëm në gjashtë vite] numri i çifteve që jetojnë sipas këtij ligji u rrit me njëzetë përqind. Numri i çifteve të martuara u rrit vetëm me tre përqind. Përhapja e bashkëjetesës duket sikur i ka mësuar kanadezët të mendojnë për familjen në mënyra të reja. Ata janë shumë të gatshëm ta mendojnë familjen si një derë të hapur (bashkëjetesa zgjat mesatarisht pesë vite), në të cilën prindërit hyjnë dhe dalin nga jeta e fëmijëve të tyre dhe ajo e fëmijëve të të tjerëve.

Nëse e mendon lidhjen në çift si një partneritet të rastit, që mund të përfshijë fëmijët ose jo, ose nëse je mësuar me idenë që fëmijët në një familje do të kenë shpesh një marrëdhënie biologjike me një të rritur por jo detyrimisht me tjetrin, atëherë do ta shohësh martesën mes të njëjtit seks si një ide mjaft tërheqëse; me të vërtetë, ti do të jesh gati të besosh që paragjykimi dhe urrejtja janë të vetmet arsye të mundshme që dikush mund të kundërshtojë martesën mes të njëjtit seks!

Për të kundërshtuar me efikasitet martesën mes të njëjtit seks, ti duhet të besosh që martesa është më shumë se një kontratë pëlqimi mes dy të rriturve. Më shumë se sa një pretendim i punëdhënësve apo qeverisë për përfitime ekonomike. Ti duhet të besosh se fëmijët kanë nevojë për nënë dhe baba, por për nënat dhe baballarët e tyre. Ti duhet të besosh se bashkëjetesa mes të pamartuarve është e gabuar, edhe atëherë kur heteroseksualët e bëjnë atë. Humbi këto bindje dhe ke për të humbur edhe rastin e martesës.

(Ky është artikulli  i shkruar në 2003 në Nejshënëll Rivju)

Ata që e kundërshtojnë martesën gej, kanë të drejtë ta bëjnë këtë, por ne të gjithë duhet të kuptojmë se nuk arritëm në këtë pikë sa hap e mbyll sytë. Këtu na sollën: mëkatet dhe dështimet e heteroseksualëve, qëndrimet kundër lindjes së fëmijëve dhe miliona aborte, epidemia e situatave me një prind, pikëpamja e seksit si një privilegj personal dhe i pamohueshëm, i shkëputur prej përkushtimit personal apo detyrimit publik. Të gjitha këto gjëra sigurojnë sfondin në të cilin martesa mes të njëjtit seks nuk duket aspak ndryshe prej asaj që është duke ndodhur mes shumë personash heteroseksualë. Miratimi i martesës mes së njëjtit seks do të ishte thjesht vula përfundimtare në pranimin e një shoqërie të revolucionit seksual dhe, refuzimit që i bën ajo martesës së vërtetë.

Do të ishte gabim të fajësonim vetëm homoseksualët për këtë. Martesa gej mund të dëmtojë më tej atë çka mbetet nga respektimi i martesës tradicionale. Por tashmë është bërë një dëm shumë i madh, prej vetë heteroseksualëve. Shoqëria e kishte nisur rrugën e gabuar para se të arrinim në këtë pikë.

Por tani që jemi në këtë gjendje kritike, çfarë duhet të bëjmë? A duhet të vazhdojmë më tej rrugën derisa të arrijmë në një rrugë pa kthim? Jo, kërkesa për martesën gej, duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi. Kjo duhet të na alarmojë sepse tregon se martesa tashmë është rrëzuar dhe po ashtu tregon se sa urgjente është që ne të kthehemi mbrapa, të pendohemi dhe t’i kthehemi martesës siç e projektoi Perëndia dhe siç e përkufizoi Jezusi. Është koha që si heteroseksualët dhe homoseksualët të pendohen, të kërkojnë faljen e Perëndisë dhe të jetojnë sipas urtësisë së tij.

Roli i qeverisë

Kur bëhet fjalë për politikën qeverisëse, shumë thonë se ajo duhet mbajtur e veçuar nga feja. Ata thonë se moraliteti nuk mund të detyrohet me ligj. Por qeveria miraton ligje për moralin seksual kur refuzon shtazërinë, kur refuzon përdhunimin, kur refuzon ngacmimin e fëmijëve, kur refuzon pornografinë e fëmijëve. Çështja nuk është nëse qeveria duhet të legjislojë moralitetin, por në ç’masë? Në vendet ku më parë ka pasur një konsensus të fortë të krishterë, ekzistonin ligje kundër pornografisë, kurvërisë, tradhtisë bashkëshortore, divorcit të pabazë dhe çiftimit homoseksual, sepse këto gjëra njiheshin si të gabuara dhe të dëmshme. Së fundmi këto ligje janë lehtësuar. Edha sa ligje të tjera do të lehtësohen kjo mbetet për tu parë. Poligamia mund të lejohet, madje edhe shfrytëzimi seksual i të rinjve, dhe të rinjtë mund ta miratojnë këtë. Sërish, në krye të listës është Holanda, e cila ul gjithmonë e më poshtë moshën e seksit të lejuar. Nëse një i rritur holandez kryen seks me një dymbëdhjetë vjeçare, akti nuk dënohet me ligj në rast se një fqinj e denoncon atë për ngacmim fëmije. Ky veprim dënohet me ligj vetëm nëse fëmija vetë nuk e miraton aktin dhe ngre akuza formale. Në rast se një i rritur arrin të joshë dhe të mashtrojë një dymbëdhjetë vjeçare për të treguar pëlqimin e saj, qeveria nuk mund të bëjë asgjë. Teksa një shoqëri largohet gjithmonë e më shumë prej tabanit të krishterë, ajo lejon gjithmonë e më shumë rritjen e mëkatit dhe mbron gjithmonë e më pak fëmijët.

Sigurisht, asnjë qeveri nuk mund të parandalojë apo të ndëshkojë çdo formë mëkati. Qeveria ndëshkon ato gjëra që konsiderohen si më të dëmshme për rendin dhe mirëqenien publike. Megjithatë, edhe sikur qeveria të mos dënojë apo ndëshkojë shumë mëkate, është një hap i madh që bën ndryshimin nga lejimi i diçkaje tek pranimi apo promovimi i saj. Ka tre mënyra se si një sjellje mund të trajtohet nga qeveria:  sjellja mund të ndëshkohet, mund të tolerohet, ose të nxitet. Në një pikë të caktuar homoseksualiteti u dënua. Tani ai tolerohet. Mbetet edhe nxitja e tij, barazimi i tij për nga vlera dhe rëndësia, me martesën. Kjo do të ishte një shembje kolosale. Ndryshe është të tolerosh mëkatet e bëra privatisht; e ndryshe është të bësh një mëkat të veçantë në publik dhe ta nderosh personin sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Kaq për sot miq, shpresoj të jeni sfiduar nga ky material, për ta parë martesën në këndvështrimin e duhur, Do të dëgjohemi sërish herën e ardhshme në të njëjtën orë.