Zona e bekimit 3
Shumë prej mjerimit në këtë zonë shkaktohet prej mëkatit të së
shkuarës, që nuk është rrëfyer ende dhe nuk është pastruar. Nëse nuk merremi me
mëkatin, është njëlloj si të lesh hapur dhe pa mjekuar një plagë.
Ajo infektohet gjithmonë e më shumë, duke të sëmurur më shumë, e
duke shkaktuar komplikacione dhe duke të rrezikuar jetën. Mëkati ka nevojë për
shlyerjen e fajit, dhe pa Jezusin, i Cili të largon ndëshkimin e mëkatit me anë
të gjakut të Tij, diçka brenda teje të tërheq drejt ndëshkimit të vetes, apo
ndëshkimit të tjerëve. Ti shpesh zemërohesh dhe bëhesh i keq me njerëz pranë
teje ose tregohesh shumë i keq me veten. Ti tërhiqesh si me magnet me njerëz të
seksit të kundërt të cilët janë të këqij për ty, ose ti luan me drogën që e di
se të bën keq, ose lë pas dore gjëra në punë, për të cilat do të pushonin në
vend.
Por gjaku i Jezusit i ndryshon të gjitha këto. Jezusi siguron
shlyerjen e mëkateve për të të nxjerrë ty prej zonës së mjerimit për të hyrë në
zonën e bekimit, zonën e faljes dhe jetës së re.
Kur ti merr faljen e mëkateve dhe birësohesh në familjen e
Perëndisë si bijë e tij, ti bëhesh një princeshë, një bijë e mbretit. Ti fillon
të veprosh si anëtare e familjes mbretërore dhe nuk do të ulesh në nivelin e
sjelljes që është poshtë teje. Si vajzë e një mbreti, ti nuk pranon çdo burrë
që të del përpara. Ti kërkon një burrë të denjë për ty. Ti e le veten mënjanë
për dikë që është pa ashtu anëtar i familjes mbretërore dhe që do të trajtojë
ty si princeshë. Nëse ke fëmijë, trajtoi ata si princër dhe princesha, nuk po
them t’i llastosh, por mësoji ta shohin veten si anëtarë të familjes mbretërore
të Jezusit, dhe sillu me ta në një mënyrë që e nderon emrin e familjes së
Perëndisë.
Zona e vizionit
Zona e bekimit përfshin besimin dhe faljen; po ashtu përfshin
vizionin e asaj që është më e mira. Cilat janë zgjedhjet morale më të mira?
Cilat janë mundësitë e tua për të shijuar më të mirën e Perëndisë? Bekimet u
vijnë atyre që kanë vizionin e Perëndisë për të mirën dhe të gabuarën, si edhe
një vizion se si mund të bëhet jeta e tyre.
Bekimet u vijnë atyre që kanë pritshmëri të larta. Bibla
thotë: ” Kur nuk ka një vizion profetik, populli bëhet i
shfrenuar, por lum ai që respekton ligjin. ” (Fjalët e Urta 29:18 KJV).
Zona e bekimeve është zona e vizionit.
Vizioni
është zbulesë që ngre pritshmëri. Perëndia e zbulon standardin dhe qëllimin e
tij për ty, dhe ti i vendos pritshmëritë e tua sipas asaj zbulese.
Vizioni
përfshin zbulesën e Perëndisë për të mirën dhe të gabuarën. Gjërat rrëzohen pa
një vizion moral, por bekimet gufojnë kur i bindemi ligjit të Perëndisë. Bibla
thotë: “Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit.”
(Psalmi 119:1) Mojsiu tha ” Shikoni, unë vë sot para jush
bekimin dhe mallkimin; bekimin në rast se u bindeni urdhërimeve të Zotit,
Perëndisë tuaj, që sot ju përcaktoj; mallkimin, në rast se nuk u bindeni
urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe largoheni nga rruga që ju përcaktoj
sot, për të ndjekur perëndi të tjerë që nuk i keni njohur kurrë. ” (Ligji
i Përtërirë 11:26-28)
Kjo aplikohet në shumë fusha të jetës, përfshi këtu jetën
familjare. Bibla mëson se seksi është për martesën dhe martesa për gjithë
jetën. Bibla na mëson me urtësi të punojmë shumë, të mos gënjejmë, të mos
vjedhim të jemi të sinqertë dhe bujarë, të planifikojmë paraprakisht dhe të
kursejmë me zgjuarsi. Shpërfillja e kësaj urtësie dhe e këtyre ligjeve sjell
shqetësim dhe shkatërrim. Bindja ndaj drejtimit të Perëndisë, i bën familjet më
të qëndrueshme dhe ndërton prosperitetin në vend të varfërisë. Në Amerikën e
Veriut, shmangia e varfërisë nuk është tmerrësisht e komplikuar. Nëse ke
largpamjen për të përfunduar shkollën para se të martohesh dhe ndjenjën morale
e të mos pasurit të fëmijëve para martese, ke fare pak shanse të jesh i varfër
për shumë gjatë. Një në tre çifte të pamartuar jetojnë në varfëri atje, ndërsa
më pak se një në pesëdhjetë çifte të martuara me një person të punësuar për një
vit, është poshtë kufirit të varfërisë.
Një tjetër shembull i sjelljes biblike që sjell bekime është
adhurimi në familje. Në familjet ku njerëzit luten dhe lexojnë Biblën bashkë
përditë, rrallë ndodh divorci dhe fëmijët kanë më pak gjasa të kenë probleme
serioze. Mos është e tepërt të kërkosh kaq pak: vetëm dhjetë minuta në ditë për
leximin e Biblës dhe lutjen së bashku? Ndiq këtë model dhe ke për të parë se
çfarë gjëra të mira do të ndodhin.
Mos prit bekime nëse zgjedh një stil jetese që Perëndia e mallkon.
Bekimi nuk është thjesht një çek bosh. Jezusi na mëson ne vullnetin e Perëndisë
për jetën dhe thotë: ” Po t’i dini këto gjëra, të lumtur
jeni ju nëse do t’i bëni.” (Gjoni 13:17) Ai nuk thotë, “Ti do të
bekohesh gjithsesi.” Ai thotë, “Ti do të
bekohesh nëse i bën ato.” Të shijosh bekimet e Jezusit, jeto sipas
vizionit të Tij, me një sjellje të perëndishme.
Ne kemi nevojë për një vizion për të mirën dhe të gabuarën dhe ne
kemi nevojë për suksesin dhe lumturinë e vërtetë nën bekimet e Perëndisë. Ne
kemi nevojë për një ndjenjë qëllimi dhe të dimë se ky qëllim është i
realizueshëm. Ti nuk do të arrish maksimumin e potencialit tënd, nëse nuk
mendon se kjo është e mundur. Nëse e sheh veten si një viktimë, që nuk mund të
bësh më shumë se sa aq, ti do të mbetesh në zonën e mjerimit.
Në zonën e mjerimit- apo zonën e viktimave ti nuk merr
përgjegjësi. Gjithmonë është dikush që e ka fajin, dikush që duhet paditur.
Sikur të kishe pasur prindër më të mirë dhe një edukim më të mirë, ah sikur të
kishe më pak varfëri apo një shkollim më të mirë, sikur të jetoje në një lagje
më të mirë, jeta jote mund të kishte shkuar më mirë. Por gjithçka është kundër
teje, çfarë tjetër mund të presësh? Ti je një viktimë e forcave sociale që janë
përtej kontrollit tënd. Ti nuk mund të
presësh derisa të martohesh që të bësh seks. Ti nuk mund të presësh derisa të
gjesh një punë, kështu që vjedh të tjerët ose grabit sistemin e përkrahjes
sociale. Këto janë pritshmëritë e zonës së viktimës.
Zona e vizionit është tepër ndryshe nga zona e viktimës. Në zonën
e vizionit, ti ke pritshmëri të larta, sepse ti e njeh Biblën. Ti merr
përgjegjësi për ta nderuar Perëndinë dhe ti u bindesh ligjeve të Tij për jetën
familjare. Ti ndihmon në vend që të lëndosh, lufton për suksesin në vend që të
lakmosh suksesin e të tjerëve. Kur ti dështon, nuk bën shfajësime as i ul
pritshmëritë e tua. Ti i lutesh Perëndisë që të të falë dhe i kërkon ndihmë Atij
që të synosh më lart.
Vizioni i ngre pritshmëritë e tua morale, dhe vizioni i ngre
pritshmëritë e tua për qëllimin dhe arritjen e tyre. Ti do që jeta jote të
vlejë për diçka, dhe beson se Perëndia do ta bëjë të mundur këtë. Lutja biblike
e Jabetsit është një shembull i kësaj. Jabetsit i ishte vënë një emër me
pritshmëri të ulta. Emri Jabets do të thotë “ai shkakton dhimbje.”
Nëna e tij e quajti atë kështu për shkak se lindja e tij e lëndoi shumë. Disa
nëna mund t’i thonë një fëmije, “Ti je një mundim i vërtetë,” por
nëna e Jabetsit shkoi më larg duke e quajtur realisht të birin “dhimbje”. Shumë
njerëz ato kohë besonin se një emër i keq ishte një ogur i një jete të keqe. Po
ta kishe emrin dhimbje, do të ishe një dhimbje për të tjerët dhe do të kishe
shumë dhimbje për veten. Ti do të mbeteshe në zonën e mjerimit.
Por Jabetsi jetoi me anë të vizionit, jo si një viktimë. Ai mbajti
përgjegjësi për sjelljen dhe karakterin e tij. Ndonëse ai ishte quajtur
“dhimbje” jeta e tij nuk rezultoi ashtu, përkundrazi ai u bë një kolonë e
shoqërisë. Jabetsi u bë “ më i respektuar” se njerëzit e tjerë rreth tij. Ai
jetoi me anë të vizionit moral dhe ai kishte një vizion të asaj se çfarë mund
të arrinte me ndihmën e Perëndisë.
Jabetsi iu lut
Perëndisë së Izraelit, ” Jabetsin e nderonin më tepër se
vëllezërit; e ëma i kishte vënë emrin Jabets, sepse thoshte: “E linda me
dhembje”.
Jabetsi kërkoi ndihmën e
Perëndisë të Izraelit, duke thënë: “Oh, sikur të më bekoje dhe zgjeroje
kufijtë e mi, dhe dora jote të ishte me mua dhe të më ruante nga e keqja që të
mos vuaj!”. Dhe Perëndia i dha atë që kishte kërkuar. ” (1 Kronikave
4:9-10)
Jabetsi u lut me një vizion për të ardhmen dhe Perëndia e bëri
realitet atë vizion. Pavarësisht disavantazheve, njeriu me emrin dhimbje u bë i
respektuar dhe i suksesshëm.
Ti nuk je një viktimë. Nëse po vuan për diçka që ke gabuar, ti nuk
je viktimë. Mjerimi yt nuk është për fajin tënd dhe ti duhet të dalësh prej
zonës tënde të viktimës e të hysh në zonën e vizionit. Edhe sikur të mos i kesh
krijuar telashet vetë dhe të jesh duke vuajtur se ke bërë të mirën, ti sërish
nuk je viktimë. Bibla thotë se shumicën e kohës ti nuk do të lëndohesh për shkak se ke bërë
gjënë e duhur. ” Por, edhe sikur të vuani për
drejtësinë, lum ju” (1 Pjetri 3:14) Prandaj hiq dorë prej mentalitetit “i
mjeri unë”. Dil prej zonës së viktimës. Nëse të kanë akuzuar pa të drejtë,
kërkoji ndihmë dhe forcë Perëndisë. Bibla thotë se pavarësisht se çfarë u ndodh
atyre që i përkasin Jezusit, “ne jemi më shumë se fitimtarë përmes atij që
na deshi.” Asgjë ” nuk mund të na ndajë prej dashurisë që është në
Krishtin Jezus, Zotin tonë”. (Romakëve 8:37-39)
Vizioni ynë përfundimtar është të mbretërojmë me Krishtin dhe të shijojmë
lumturinë e tij përgjithmonë.
Ky është mesazhi jetë ndryshues i ungjillit. Kjo është ajo që e
kthen dëshpërimin në adhurim. Besimi, falja dhe vizioni, këto janë çelësat për
të jetuar në zonën e bekimit. ” Por ta falënderojmë Perëndinë që
na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezus Krisht. ” (1 Korintasve 15:57)