Titulli:
Gjaku i besëlidhjes 1
Përshëndetje
edhe nga unë! Tom Sojeri (Tom Sawyer) dhe Hakëllbëri Fini ( Huckleberry Finn)
janë dy djem që përpiqen të ruajnë një sekret. Si mund të sigurohen që as njëri
as tjetri nuk do ta zbulojë sekretin? Tomi dëshiron që të kapin duart dhe të
betohen. Por Hak thotë, “Oh jo, kjo nuk na hyn në punë. Kjo gjë vlen për
gjëra të rëndomta, por jo për gjëra me kaq rëndësi. Për këtë duhet gjak:”
Tomi mendon ashtu si Hak: kjo besëlidhje vuloset me shkrim dhe me gjak. Kështu
Tomi shkruan premtimin mbi një dërrasë të bardhë pishe. Më pas secili prej
djemve e shpon gishtin e madh me një gjilpërë, shtrydh pak gjak dhe vulos
inicialet e tij.
Këto
dy personazhe janë artistikë. Por marrëveshjet e vërteta nuk janë aspak artistike
kur bëhet fjalë për dhënien e dorës dhe të fjalës. Kur Perëndia e bëri një
besëlidhje me popullin e Tij të zgjedhur, Ai nuk tha thjesht fjalë, që t’i
bënin përshtypje për momentin dhe të ngeleshin më pas në harresë. Ai e shkroi
gjithçka. Ai regjistroi historinë e besëlidhjes për veprat e Tij të krijimit si
edhe ato të shpëtimit, dhe po ashtu regjistroi urdhërimet e besëlidhjes, premtimet
dhe mallkimet si një dëshmi për tërë brezat. Perëndia shkroi besëlidhjen e tij
në Bibël. (Fjala testament, e përdorur si për testamentin e ri dhe atë të
vjetër do të thotë : Besëlidhje.)
Dhe
ai vulosi këtë besëlidhje të shkruar me gjakun e Tij. Kjo nuk përfshinte veç
shpimin e gishtit dhe një pikë gjaku. Ajo përfshinte shpimin prej gozhdëve, gjembave
dhe shtizës. Kjo përfshinte derdhjen e
plotë të gjakut të Jezusit. Besëlidhja e Zotit, shkruar në Shkrime dhe vulosur
me gjakun e Tij, është diçka e pandryshueshme dhe e përjetshme.
Unë
nuk e di se çfarë mendon ti për këtë besëlidhje, por kjo është jeta ime. Unë
nuk do të pajtohem me një fe që bazohet te ndjenjat, takimi i duarve, bisedat
dhe koret që këndojnë. Kjo mund “të jetë e mirë për gjëra të vogla dhe të
zakonta,” sikurse e tha Hak Fini, por kur jeta ime dhe tërë bota është në
rrezik, unë kam nevojë për diçka më të fortë. Unë kam nevojë për një
besëlidhje, të shkruar dhe të vulosur me gjak.
Më
lejo të të tregoj se çfarë do të thotë të jesh në këtë besëlidhje me Krishtin.
Në këtë besëlidhje, unë nuk duhet të pyes veten “A vlej për diçka”. Unë nuk kam
pse të pyes veten se ku është vendi im, apo kujt i përkas.
Falë
gjakut të besëlidhjes: Perëndia më pranon. Perëndia më do. Perëndia gëzohet për
mua. Perëndia gjen kënaqësi në mua. Perëndia këndon për mua. Perëndia nuk i
mban mend mëkatet e mia kundër Tij, por më ndihmon t’i mposht ato. Perëndisë i
pëlqen të më ketë pranë vetes. Perëndisë i pëlqen të më dëgjojë. Perëndia pret
gjëra të mëdha prej meje. Perëndia po e bën botën më të mirë përmes meje. Perëndia
po bekon brezat e ardhshëm përmes meje. Perëndia më quan një njeri të veçantë
mes shumë njerëzve të veçantë. Perëndia im do të jetë Perëndia i fëmijëve të
mi, nipërve dhe stërnipërve për mijëra gjenerata, nëse bota do të ekzistojë aq
gjatë!
Kur
e them këtë nuk është një ego e imja. Është një realitet. Pikërisht këtë
garanton Perëndia në Bibël, për tërë ata që mbahen fort pas besëlidhjes së tij
në Krishtin. Unë nuk kam pse të ndihem i zënë në faj. Unë nuk kam pse t’i
frikësohem ndëshkimit. Nuk kam pse të ndihem i turpëruar apo i pavlerë. Unë nuk
kam pse të ndihem i acaruar apo ta shfryj acarimin tim te të tjerët.
Unë
nuk kam pse të ndihem konfuz për faktin se kush është Perëndia apo çfarë kërkon
Ai prej meje. Unë mund të jem i qartë, i sigurt, i qëllimshëm, duke ditur se
Perëndia më mirëpret mua, më çmon, më drejton, më korrigjon, më disiplinon, dhe
ka rezervuar gjëra të mëdha për mua. Të gjitha këto janë dhurata e Perëndisë,
nuk janë arritjet e mia.
Dhurata
e Perëndisë nuk është vetëm për mua. Por për të gjithë ata që i besojnë Birit
të tij dhe janë besnikë ndaj besëlidhjes së Tij. Perëndia nuk më zgjedh mua si
individ. Ai më zgjedh mua në Krishtin së bashku me tërë njerëzit dhe bën
besëlidhje me ta. Vetëm brenda kësaj besëlidhjeje të vulosur me gjakun e tij
unë mund të lulëzoj. Unë kam një marrëdhënie personale me Perëndinë, por jo si
individ në personin tim. Unë lidhem me Perëndinë në bashkësi me njerëzit e
besëlidhjes së tij, kishën. Unë e di se jam i veçantë, dhe i them edhe fëmijëve
të mi se janë të veçantë, sepse Jezusi na ka quajtur pjesë të “ kishës së
Perëndisë, të cilën Ai e bleu me gjakun e Tij.” (Veprat 20:28)
Ka
shumë gjëra që mund të thuhen për vetëvlerësimin, dhe është e tmerrshme që
fëmijët të rriten me ndjenjën e mungesës së dashurisë, vetmisë, pavlefshmërisë
dhe pa një qëllim në jetë. Por a do të ketë kuptim që vetëvlerësimi i fëmijëve
të ndërtohet mbi lajkat e prindërve dhe të mësuesve? Ky vetëvlerësim është si
kështjellat në rërë.
Kuptimi
im për veten, bazohet te fakti se çfarë mendon Perëndia për mua, në të qenit
pjesë e një trupi më të gjerë njerëzish, dhe në të pasurin e qëllimeve më të
larta dhe më fisnike. Unë e bazoj këtë në besëlidhjen e Perëndisë, të shkruar
në Fjalën e Tij dhe të vulosur me gjakun e Jezusit.
Jezusi
dhe Mojsiu
Natën
para se Jezusi të vdiste, ai organizoi një darkë, darkën e Zotit si një festë besëlidhjeje për dishepujt e Tij
dhe tërë pasuesit e ardhshëm. Ja se çfarë ndodhi:
Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën,
e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi
im”.
Pastaj mori kupën, dhe falënderoi, dhe
ua dha atyre duke thënë: “Pini prej tij të gjithë,
sepse ky është gjaku im, gjaku i
besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkateve. ”
(Mateu 26:26-28)
Kjo
nuk ishte hera e parë që dikush përdorte frazën “gjaku i
besëlidhjes.” Mojsiu e kishte përdorur atë shekuj më parë. Pasi Perëndia e
shpëtoi popullin e Izraelit prej skllavërisë, Zoti i dha një besëlidhje përmes
Mojsiut në malin Sinai, që përfshinte, shkrimin, gjakun dhe një ushqim të
veçantë. Ai shkroi Dhjetë Urdhërimet dhe ligjet përkatëse, Ai kërkoi gjak prej
sakrificave njerëzore, si shenjë e shpengimit prej mëkatit. Ndërsa Pashkën e
vendosi si një shenjë çlirimi dhe e miqësisë së besëlidhjes. Sipas Eksodit 24,
u ndërtua një altar, dhe u sakrifikuan disa dema të rinj.
” Dhe
Mojsiu mori gjysmën e gjakut dhe e vuri në legenë; dhe gjysmën tjetër të gjakut
e shpërndau mbi altar.
Pastaj mori librin e
besëlidhjes dhe ia lexoi popullit, i cili tha: “Ne do të bëjmë tërë ato që
ka thënë Zoti, dhe do t’i bindemi”.
Pastaj Moisiu mori
gjakun, spërkati popullin me të dhe tha: “Ja gjaku i besëlidhjes që Zoti
ka lidhur me ju sipas tërë këtyre fjalëve”. (Eksodi 24:6-8)
Pastaj Mojsiu, disa
priftërinj dhe, shtatëdhjetë pleqtë e Izraelit u ngjitën në Malin Sinai dhe
panë Perëndinë. Në njëfarë mënyre Perëndia bëri të dukshme diçka nga qenia e
Tij e padukshme.
Një takim kaq i ngushtë me Perëndinë mund të
kishte qenë dërrmues dhe vdekjeprurës. ” Por ai nuk e shtriu dorën kundër
krerëve të bijve të Izraelit; dhe ata e panë Perëndinë, dhe hëngrën dhe
pinë.” (Eksodi 24:11) Besëlidhja e lidhur atë ditë me Mojsiun ishte një
dhuratë e mrekullueshme prej Perëndisë.
Çdo element ishte i
çmuar. Zoti premtoi se do të ishte Perëndia i popullit të tij të zgjedhur, dhe
ata ishin dakord me këtë. Perëndia shkroi këto urdhërime për ti bërë të ditur
se çfarë kërkohej prej tyre, dhe ata deklaruan përkushtimin e tyre. Perëndia e
dinte se ata nuk mund të bindeshin pikë për pikë, kështu që Ai pranoi gjakun e
sakrificës mbi altar si një mënyrë për të mbuluar mëkatet e popullit të Tij,
dhe vendosi gjakun mbi njerëzit si një shenjë se Ai do të ishte me ta dhe asgjë
nuk do ta ndryshonte këtë.
Por a e zbatoi
populli këtë besëlidhje të vjetër? Pse Perëndia bëri një besëlidhje të re me
ta? Dhe për çfarë e kam fjalën? Për të gjitha këto na ndiqni herën e ardhshme!
Nga unë Berti mirë u dëgjofshim!