Mëso të dëgjosh 1
Dua ta filloj me një histori. Një herë e një kohë një predikues vizitoi një kishë rurale ku ishte ftuar si folës. Ai kishte nam si një orator i madh dhe jetonte sipas këtij reputacioni. Zërin e kishte të fuqishëm, shqiptimin të përsosur, logjikën bindëse dhe shakatë argëtuese. Predikimi i tij kishte fare pak lidhje me Biblën, por si fjalim ishte kryevepër. Kur mbaroi takimi i kishës, një burrë të vjetër e pyetet miku i tij, se çfarë mendonte për predikimin.
Ky burrë i vjetër kishte qenë i krishterë për shumë vite dhe ishte një njeri shumë i ditur dhe i kursyer në fjalë. Ai e përmblodhi predikimin kështu: "Shumë erë e gjëmim të fortë kishte, por hiç shi.”
Kjo histori më bën të qesh, por njëkohësisht më bën të pyes veten: sa shpesh ndodh që njerëzit më dëgjojnë dhe thonë " Shumë erë e gjëmim të fortë, por hiç shi”? Unë flas në radio, për shumë njerëz në vende të ndryshme. Nëse unë ofroj vetëm opinionin tim dhe disa histori të bukura, atëherë keni të drejtë ta fikni radion kur flas unë. Ju nuk keni nevojë për shumë erë dhe gjëmime të forta; ju keni nevojë për shiun përtëritës dhe jetë dhënës, atë lloj shiu që vjen prej Fjalës së Perëndisë, Biblës. Unë kam për detyrë të them atë që thotë Bibla dhe t’i prezantoj njerëzit me Jezus Krishtin. Të gjithë ne që jemi pastorë dhe drejtues duhet të predikojmë atë që Perëndia thotë në Fjalën e Tij dhe, jo vetëm idetë tona.
Por edhe ti ke një detyrë gjithashtu. Detyrën që të dëgjosh kur Perëndia të flet. Komunikimi ka dy anë, të folurit është vetëm njëra anë, tjetra është të dëgjuarit. Nuk mjafton fakti që Fjala e Perëndisë të predikohet; por duhet edhe të dëgjohet. Dhe fatkeqësisht, të dëgjuarit nuk është diçka që na vjen natyrshëm shumicës prej nesh.
Perëndia frymëzoi shkrimet e Biblës dhe, gjithçka që Perëndia thotë në të është absolutisht e vërtetë dhe e besueshme. Zoti ka folur, por realisht sa prej nesh janë duke e dëgjuar me të vërtetë? Nuk ka rëndësi se sa e mrekullueshme është Bibla nëse ti nuk e lexon atë që thuhet aty. Nuk ka rëndësi sa mirë e predikon Fjalën e Perëndisë një pastor, nëse ti nuk je në kishë duke e dëgjuar atë.
Dëgjimi i Fjalës së Perëndisë nuk është thjesht një alternativë; është absolutisht i nevojshëm. Bibla thotë: "Sepse kjo nuk është një fjalë pa vlerë për ju, por është jeta juaj." (Lip 32:47) Ti duhet ta dëgjosh Perëndinë, me aq vëmendje sikur e gjithë jeta jote të varej nga kjo, sepse varet vërtet nga kjo. Kushtoji vëmendje Fjalës së Perëndisë. Besoje atë. Kënaqu me të. Vepro sipas asaj që Perëndia të ka thënë ty. Nëse ti e dëgjon dhe i përgjigjesh Perëndisë, do të lulëzosh. Por nëse nuk e dëgjon Perëndinë, ti do të humbasësh. Jeta jote mbështetet në Fjalën e Perëndisë, pra duhet të mësohesh ta dëgjosh.
Pse të mos e dëgjosh Perëndinë kur ai di gjithçka? Pse të mos e dëgjosh zërin e të vetmit që mund të na japë jetë? Perëndia na jep jetë me të Fjalës, në Jezus Krishtin dhe pikërisht me anë të Fjalës së tij Perëndia na drejton në një stil jete të shëndetshëm dhe të shenjtë. Pikërisht këtë thotë edhe Bibla te Jakobi 1:18 kur thotë se Perëndia "Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës." Fjala e Perëndisë është burimi i jetës sonë, ajo na rilind, ndaj do të bënim mirë t’ia vëmë veshin asaj.
Si mund të mësohemi ta dëgjojmë atë? Bibla jep disa udhëzime të qarta te Jakobi 1. Vargu 19 thotë: "Prandaj, vëllezërit e mi shumë të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim."Me fjalë të tjera, mbajini sytë hapur, gojën mbyllur, dhe temperamentin tuaj nën kontroll. Kjo është një këshillë e shkëlqyer sa herë që bisedojmë me dikë. Kjo është tejet e rëndësishme kur po dëgjojmë Perëndinë.
Të shpejtë në të dëgjuar, të ngadaltë në të folur
"Të shpejtë në të dëgjuar." A ke provuar ndonjëherë t’i flasësh dikujt që ka vënë kufje dhe po dëgjon muzikë? Veshët e tij janë të zënë nga muzika dhe po i fole asnjë gjë s’ka për të kuptuar.
Që biseda të mundësohet duhet që ai të heqë kufjet. Në të njëjtën mënyrë, kur Perëndia dëshiron të flasë me ty, është tejet e rëndësishme të largosh gjërat që të shpërqendrojnë dhe të dëgjosh çfarë po thotë Ai. Mos u sill sikur je tepër i zënë. Mos e ki mendjen tek muzika, televizori apo gjërat rrotull teje, që zëri i Perëndisë të vijë pa pengesa tek ti. Ji i shpejtë në të dëgjuar.
Të jesh i shpejtë në të dëgjuar do të thotë të gjesh kohë për Perëndinë ,do të thotë t’i kushtosh vëmendje asaj që Ai po të thotë.
A e ke qenë duke biseduar me dikë dhe po shtireshe sikur dëgjoje por mendjen e kishe diku tjetër? Teksa ai tjetri flet, ti tund kokën me mirësjellje që të duket sikur po dëgjon çdo fjalë, por realisht mendimet e tua rrahin diku larg dhe ti as e ke idenë se çfarë po thotë personi përballë. E di që ne e bëjmë këtë jo vetëm me njerëzit e tjerë por edhe me Perëndinë. Ndonjëherë, edhe teksa lexojmë atë që thotë Bibla , mendja jonë livadhis dhe me zor kujtojë se ku e lamë. Ose kur jemi në kishë, duke parë predikuesin që po na predikon Fjalën e Perëndisë, ndonëse mund të duket se po i kushtojmë vëmendje, mendimet rrahin larg. Nëse duam të jemi të shpejtë “në të dëgjuar” ne duhet të gjejmë kohë për Perëndinë dhe duhet të përqendrohemi çfarë po na thotë Ai.
"Jini të shpejtë në të dëgjuar" thotë Jakobi, dhe të ngadaltë në të folur." Shumë prej nesh bëjnë të kundërtën: jemi të avashtë në të dëgjuar dhe të shpejtë në të folur. Nuk e di për ty, por unë mendoj se kjo duket në mënyrën se si ndihemi kur na ndërpresim fjalën. Kur unë jam duke folur dhe dikush më ndërpret, zakonisht unë mërzitem. Por që të jem i sinqertë, edhe unë i ndërpres të tjerët po aq shpesh sa ata më ndërpresin mua. Ndryshimi kryesor është se kur i ndërpres unë nuk ka problem. Sepse unë kam për të thënë diçka interesante, diçka që nuk pret. (shënim: pastor është ironike kjo shiko intonacionin). Unë duhet ta them s’pret puna, derisa ta mbarojë fjalën personi tjetër. Por edhe sikur të mësohemi të jemi më të sjellshëm dhe të mos i ndërpresim të tjerët, ne përsëri e kemi më shumë mendjen se çfarë do të themi më pas se sa çfarë po mundohet të thotë personi në fjalë.
Nuk është zgjuarsi të nxitohesh kur flet. Te Fjalët e Urta 29:20 Bibla thotë: "A ke parë një njeri që ngutet në të folur? Ka më tepër shpresa te një budalla se sa te ai." Një mënyrë e mirë që të mos them budallallëqe me gojën time është ta mbaj gojën mbyllur. Njerëzit të cilët dëgjojnë qetësisht dhe nuk nxitohen në të folur janë atë që mësojnë shpejt dhe marrin më shumë dituri.
Kur këta njerëz zgjedhin të flasin, fakti që kanë qenë dëgjues të mirë, do të thotë se aktualisht kanë për të thënë diçka me vlerë. Mund të ketë një arsye se pse Perëndia i ka dhënë secilit prej nesh dy veshë dhe vetëm një gojë: ndoshta sepse ai dëshiron që të dëgjojmë dy herë më shumë se sa flasim. Megjithatë, shumë prej nesh pëlqejnë më shumë të flasin se sa të dëgjojnë.
Me sa duket kjo është e vërtetë edhe në marrëdhënien tonë me Perëndinë. Sondazhet kanë zbuluar se 90 përqind nga ne pohojnë se besojnë te Perëndia dhe 75 përqind thotë se luten të paktën njëherë në ditë. Megjithatë, më pak se 40 përqind marrin pjesë në një takim javor në kishë dhe, me shumë vështirësi një në dhjetë besimtarë lexon Biblën çdo ditë. Po kështu, 75 përqind bëjnë një farë lutjeje të përditshme; vetëm 10% lexojnë Biblën përditë. Pse është lutja e përditshme shtatë herë më e zakonshme se leximi i përditshëm i Biblës? Pse janë njerëzit më të pirur të luten se sa të dëgjojnë ungjillin apo të lexojnë Biblën vetë? Përgjigja është e thjeshtë: shumë prej nesh janë të shpejtë për të folur dhe të ngadaltë për të dëgjuar. Na pëlqen më shumë t’i themi Perëndisë se çfarë duam se sa të dëgjojmë se çfarë ka për të na thënë Ai. Dhe kur ndodh kështu, me shumë mundësi themi budallallëqe në lutje.
Si mund të presim që Perëndia të na dëgjojë kur ne nuk e dëgjojmë Atë? Si mund ta njohim realisht Perëndinë nëse nuk i kushtojmë vëmendje Atij? Lutja është e rëndësishme, por dëgjimi është akoma më i rëndësishëm? Nëse do të njohësh Perëndinë, duhet të dëgjosh më shumë e të flasësh me pak.
Minutave tona i ka ardhur fundi. Unë ju uroj një ditë sa më të bukur dhe takohemi herën e ardhshme në të njëjtën orë.