Shpresë në kohë hidhërimi

Print

Shpresë në kohë hidhërimi (pjesa 1)

Disa muaj më parë, unë drejtova shërbesën funerale të një djaloshi pesë vjeçar në kishën tonë. Një muaj para vdekjes së tij, Samueli, ishte diagnostikuar me leucemi, që është një lloj kanceri. Gjatë javëve para përcaktimit të diagnozës, prindërit e tij kishin vënë re se Samueli i vogël, nuk po reagonte si zakonisht. Ai thjesht nuk ishte energjik si normalisht. Nuk buzëqeshte shumë si më parë, as të qeshurat nuk ishin aq të shpeshta si më parë.

Kur prindërit e tij vunë re se ngjyra e lëkurës po i ndryshonte, e çuan për kontroll te doktori. Në fillim ata dyshuan se mos kishte grip, por pasi bëri testet e gjakut, doktorët kuptuan se duhet t’i jepnin lajmin e keq prindërve.

Samueli kishte leucemi. Pas gjetjes së diagnozës, ai u pranua menjëherë në spital, dhe u trajtua me ilaçe dhe mjekime tejet të forta.

Ai reagoi shumë mirë ndaj trajtimeve të kancerit, por trupi i tij i vogël nuk ishte në gjendje të luftonte infeksionet që pasuan menjëherë.

Vetëm tre ditë pasi kishte mbushur gjashtë vjeç, Samueli i vogël, vdiq në krahët e prindërve.

Kohë si tilla janë shumë të vështira. Nëse ke humbur ndonjëherë një njeri të dashur, besoj se e kupton çfarë do të thotë kjo. Vdekja gjithmonë sjell trishtim, dhe kjo vlen për çdo njeri që na le, pavarësisht moshës së tij.

Disa javë para vdekjes së Samuelit, unë drejtova shërbesën  funerale të një burri që ishte në të tetëdhjetat kur vdiq. Ai kishte shijuar një jetë të pasur, dhe plotë me bekime. Disa ditë para se ai të na linte, unë së bashku me familjen e tij u mblodhëm rreth shtratit të tij, duke ditur se dalëngadalë jetës së tij po i vinte fundi. Edhe në këtë situatë, kishte shumë lot trishtimi, sepse një njeri i dashur po na linte. Ai ishte, sikurse e përshkruan edhe Bibla: “i moshuar dhe i plotë në vite.” Megjithatë nisja e tij solli shumë trishtim. Vajtimi është gjithmonë i dhimbshëm.

Ndoshta ti mund ta gjesh veten me këtë situatë, personalisht. Në fakt, pikërisht tani, ndoshta po vuan humbjen e një personi të dashur. Ti e njeh dhimbjen që ndjen kur i thua lamtumirë një njeriu që e ke dashur aq shumë. Ndoshta tani, ti po dëgjon këtë program, ulur në tryezën e kuzhinës  dhe po vështron karrigen bosh ku ulej çdo vakt njeriu që ti doje aq shumë. Ti e njeh dhimbjen që ndjen kur shkon në shtëpi i vetëm dhe, gjen shtëpinë bosh, sepse njeriu yt i zemrës ka ndërruar jetë.

Ose ti mund të dish se si është të humbasësh një fëmijë për shkak të një aksidenti apo sëmundjeje.

Ti e njeh dhimbjen e pikëllimit.

Le të mendojmë për pak çaste këtë gjë. Çfarë është pikëllimi? Çfarë është kjo dhimbje që ndiejmë kur dikush ndërron jetë? Si ta kuptojmë se jemi të pikëlluar? Unë pashë fjalën pikëllim në fjalor dhe kuptimi i saj ishte: “Dhimbje e thellë që ndiejmë në zemër për humbjen e papritur të një personi të dashur etj.” Ne pikëllohemi sa herë që një njeriu ynë i dashur, ka ndërruar jetë.

Nëse humbasim diçka pa rëndësi, kjo nuk na ndikon shumë. Por kur humbasim dikë që ka shumë rëndësi për ne, që është bota jonë, lëndimi është shumë, shumë  i madh.

Studiuesit që merren me studimin e pikëllimit thonë se njerëzit që pikëllohen, zakonisht ndjekin një shteg të njohur. Pra ka një model sipas të cilit të gjithë njerëzit pikëllohen. Në fillim është tronditja dhe më pas mohimi.

Njerëzit thonë: “Kjo nuk mund të ketë ndodhur. Ndoshta jam në një ëndërr e keqe.” Rreth pesëmbëdhjetë vite më parë, një burrë në të nëntëdhjetat në kishën tonë, ndërroi jetë. Gruaja e tij, që kishte të njëjtën moshë, u trondit shumë kur e mori vesh lajmin. Ndonëse që të dy ishin të kaluar në moshë, dhe gruaja e tij kishte muaj që e ndiente se ditëve te tij po i vinte fundi, u trondit shumë kur e mori vesh. Ajo qëndronte pranë krevatit të tij pa fjalë. Ata kishin qenë rreth shtatëdhjetë vite të martuar bashkë. Ajo nuk mund ta imagjinonte jetën e saj pa të. Dhe kur jetës së tij i erdhi fundi, ajo ishte kaq e tronditur sa që nuk fliste fare.

Kohët e fundit një vajzë e re që studionte në universitet, u vra në një aksident. Miqtë dhe familja e saj, ishin kaq të tronditur prej humbjes së papritur të vajzës së tyre. Për disa ditë, pas vdekje së saj, shoqet e konviktit nuk mund të ktheheshin në dhomë, se nuk ishin në gjendje të shihnin shtratin ku ajo kishte fjetur. Shoqja më e ngushtë e kishte humbur fare nga tronditja. Ajo nuk mund ta imagjinonte se shoqja që e njihte që në shkollë të mesme, papritur ishte larguar nga jeta.

Ndjenjat e tronditjes dhe mohimit, shpesh i lënë vendin zemërimit. Ky zemërim mund të shkojë në drejtime të ndryshme. Ndonjëherë ka zemërim ndaj njerëzve të tjerë, për shkak të marrëdhënieve e tensionuara të së shkuarës. Unë mendoj se nuk është e vështirë të kuptosh në një funeral se cilët janë personat më të pikëlluar. Për fat të keq, fjalë të ashpra fliten mes njerëzve që janë më shumë të pikëlluar dhe, kjo e shton edhe më shumë lëndimin që ata kanë tashmë.

Pikëllimi ndonjëherë prodhon zemërim kundër Perëndisë. Njerëzit e pikëlluar mund të thonë: “Pse ma bëre këtë mua? Nëse ti je një Atë qiellor i dashur, pse nuk e shërove njeriun tim? Pse? Ku është dashuria jote, mëshira jote? Dhembshuria jote tani?” Ndonjëherë zemërimi drejtohet nga vetja. Personat e pikëlluar i thonë vetes: “Ah sikur të kisha kaluar më shumë kohë me të, sikur të kisha folur më shumë me të”, dhe e kanë fjalën për njeriun që ka ikur.

Pikëllimi i tyre lidhet me ndjenjat e fajit, dhe thellë brenda tyre ata janë të zemëruar me veten. Ndoshta për ty këto fjalë nuk kanë kuptim. Ndoshta dëshiron të kthehesh pas në kohë dhe, të flasësh me një mik, apo njeri të dashur që nuk jeton më. Ti je penduar që ke humbur mundësitë që mund ti sillnin atyre dhe ty, shërim e ngushëllim.

Ndonjëherë mund të ketë zemërim edhe ndaj personit që ka ndërruar jetë. Kjo është sidomos e vërtetë kur dikush vendos të vetëvritet, apo të heqë dorë prej jetës së vet.

Para shumë vitesh, një burrë në lagjen time, një mëngjes herët shkrehu armën dhe vrau veten. Ai donte t’i jepte fund mjerimit që ndiente përbrenda. Por pas kësaj, ai mjerim që ndjente, u përhap menjëherë te miqtë dhe familja e vet. Ndoshta ti e di shumë mirë se çfarë do të thotë kjo. Trishtimi yt sot është përzier më zemërimin ndaj personit që ka ikur sepse ndihesh i mashtruar dhe i tradhtuar.

Mik i dashur, ti mund të pikëllohesh, sepse kjo është një ndjenjë normale njerëzore. Edhe vetë Jezusi u pikëllua për vdekjen e mikut të tij Llazarit. Por ka shpresë edhe në mes të pikëllimit. Të krishterët besojnë tre siguri bazë që i japin shpresë jetës së tyre në kohë pikëllimi.