Shpresë në kohë hidhërimi

Print

Shpresë në kohë pikëllimi (pjesa 2)

Zemërimi ndonjëherë shoqërohet me ndjenja depresioni, vetmie dhe frike. Për fat të keq, shumë njerëz ndihen të pashpresë në pikëllimin e tyre. Ndoshta në pikëllimin tuaj ti ke bërë këtë pyetje: “Pse kështu është jeta? Thjesht një seri ngjarjesh të dhimbshme dhe shkurajime?”

Njerëzit që vuajnë humbjen e një fëmije apo një personi të ri, mund të pyesin: “A mund të vijë ndonjë e mirë nga kjo humbje?” Ndërsa të tjerë mund të pyesin veten: “A dua të vazhdoj të jetoj? A mund t’ia dal e vetme, pa njeriun e zemrës që kam humbur?”

Pikërisht në kohë si këto, mesazhi i Biblës mund të na japë ngushëllim të madh dhe shpresë. Shiko edhe një herë pasazhin nga Bibla. Te letra drejtuar Thesalonikasve 4:13-14, apostulli Pal na kujton se ne nuk duhet të “pikëllohemi si gjithë njerëzit e tjerë.” Kjo na mëson disa të vërteta shumë të rëndësishme; le t’i shohim së bashku ato.

Së pari, Bibla shpjegon qartë se të krishterët nuk duhet tu vijë turp prej pikëllimit. Qysh prej rënies së Adamit dhe Evës në mëkat, pikëllimi ka qenë një përvojë universale.

Të gjithë njerëzit nga çdo kohë e vend pikëllohen.

Jezusi vetë u pikëllua. Profeti Isaia na tregon se Jezusi e kishte: “Njohur pikëllimin.” Ne e dimë prej ungjillit sipas Gjonit, se Jezusi vetë qau në varrin e mikut të tij Llazarit. Të krishterët duhet ta dinë këtë, sepse ndonjëherë u thuhet se të krishterët nuk duhet të qajnë, as të pikëllohen për humbjen e një njeriu të dashur. Jo nuk është ashtu, Bibla thotë se edhe ne si të krishterë pikëllohemi. Të krishterët dhe jo të krishterët pikëllohen.

Sidoqoftë, ka diçka ndryshe në pikëllimin e të krishterëve. Kjo pjesë në Bibël, na tregon për të krishterët: “mos u pikëlloni si të tjerët që nuk kanë shpresë.” Po, është e mundur të shpresosh edhe në mes të pikëllimit. Po, është e mundur edhe për ne, edhe në mes të zemërimit, zhgënjimit dhe trishtimit, që të shpresojmë ende. Dhe shpresa është gjëja më e rëndësishme që dikush mund të ketë në kohë pikëllimi.

Shpresa e të krishterëve bazohet në tre siguri të mëdha. Së pari, Jezusi është gjallë; së dyti, Ai do të kthehet; së treti, Kur Ai të kthehet do të ngrejë të vdekurit dhe, do të marrë në qiell përgjithmonë, të gjithë ata që kanë besuar në Të. Le t’i shohim më nga afër këto tre siguri.

Së pari, Jezusi është gjallë. Ne kemi shpresë sepse Ai jeton. Të krishterët besojnë se Jezusi vdiq në kryq, dhe ai pagoi një herë dhe përgjithmonë, dënimin për të gjitha mëkatet tona. Ditën e tretë pas vdekjes u ngrit nga varri. Përmes ringjalljes së Tij, ai mposhti vdekjen për veten dhe për ne. Jezusi tani është në qiell, dhe prej atje, një ditë Ai do të kthehet. Nëse kjo gjë nuk do të ishte e vërtetë, ne do të ishim fare të pashpresë.

Së dyti, Jezusi do të kthehet. Në ditën e kthimit të Tij, Ai do të sjellë me vete, të gjithë ata që gjatë jetës së tyre e kanë vendosur besimin tek Ai si Zoti dhe Shpëtimtari.

Çfarë ribashkimi që do të jetë!

Së treti, kur Jezusi të kthehet ai do të ngjallë të vdekurit. Ai që njeh ADN-ne e çdo njeriu, do të flasë fjalën dhe të vdekurit do të ngrihen, kudo qofshin trupat e tyre. Të gjithë ata që besuan në Të, Jezusi do tu japë në hirin e Tij jetë të përjetshme.

Kjo është shpresa që shpall ungjilli. Trupi i Jezusit qëndroi në varr për tre ditë. Trupat e atyre që besojnë në TË mund të qëndrojnë pak më gjatë të varrosur. Por me siguri, ashtu siç ai u ngrit prej së vdekurish, kështu do të ngrihen gjithë të tjerët që besojnë në Krishtin.

Për të gjithë ata që i bëjnë këto pyetje: “Vetëm kaq ka në jetë? A mund të ketë gjëra më të mira? A do të shoh sërish të dashurin tim të krishterë? A do të largohet ndonjëherë kjo dhimbje?”, të gjitha këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave, ne mund t’i përgjigjemi kështu: “Po, me të vërtetë! Ka shpresë, për shkak të Jezusit.”

Ky është premtimi i Ungjillit. Apostulli Pal ishte kaq i bindur për këtë sa që Bibla thotë se fjalët e tij mund të përmblidhen në katër fjalë: “Jezusi dhe Ringjallja.” (Veprat 17:18) Pali përshkroi ata që vdesin në Krishtin sikur janë “në gjumë”. Si mund ta thoshte ai këtë? Sepse vetëm gjumi është i përkohshëm. Dita do të vijë shumë shpejt, kur Krishti të kthehet dhe me zërin e tij të thërrasë: “Bijtë e mi, zgjohuni!” Dhe të vdekurit në Krishtin do të zgjohen, për një jetë të re dhe më të mirë, një jetë me Krishtin dhe me njëri- tjetrin që do të zgjasë përgjithmonë.

Ajo ditë po afrohet, por nuk ka ardhur ende. Derisa të vijë, ne duhet të bëjmë atë që thonë Shkrimet sipas 2 Korintasve kapitulli 4:17, nuk duhet të na lerë zemra.

Pse? Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie. Ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme.

Më lejo të të pyes, a e ke ti këtë shpresë? Ti mund ta kesh nëse beson në Jezus Krishtin, Birin e Perëndisë dhe Shpëtimtarin e Botës.

Së dyti, a  e di se si të gjesh këtë shpresë kur je e pikëlluar për humbjen e njerëzve të dashur?

Shpresa që ne të krishterët kemi, mund të bëhet e jotja në çast. Kur Krishti të kthehet ne do të jemi bashkë me Të dhe do të jemi populli i Tij përgjithmonë. Ti mund të mbështetesh në këtë.

Tri ditë para se Samueli i vogël të ndahej ai ndau me nënën e tij, çastet e fundit që ishte i ndërgjegjshëm.

Teksa ajo përkëdhelte me duar fytyrën e tij të vogël, i tha këto fjalë: “Samuel ti e di se mami dhe babi te duan shume.” Ai tundi kokën dhe tha “po”.

Atëherë ajo i tha:”Ti e di se edhe motra dhe vëllezërit të duan shumë.” Ai tundi kokën përsëri për të thënë “po”. Atëherë nëna e vet i tha: “Ti e di se Jezusi të do shumë, dhe sërish ai tundi kokën fort për të thënë “po”.

Dhe atëherë më në fund ajo i tha:” Nëse duhet të shkosh me Jezusin atëherë dakord, ti mund të shkosh.” Dy ditë më vonë, ai iku.” Shpresa që ne si të krishterë kemi është kjo: Jezusi do të kthehet një ditë, të vdekurit do të ngrihen në një jetë të re dhe ne do të jemi me të përgjithmonë.

Lutja ime për ty sot është e dyfishtë. Së pari, lutja ime është që ti personalisht të njohësh shpresën që Jezusi u jep të gjithë atyre që besojnë. Krishti fitoi fitoren mbi vdekjen. Çdo njeri që beson në Krishtin ka pjesë në atë fitore.

Së dyti, lutja ime sot është se nëse je në pikëllim, do të gjesh ngushëllim dhe shpresë në faktin e njohur të ringjalljes dhe kthimit të Krishtit. Për shkak të Tij, vdekja dhe dekompozimi nuk janë fjalët përfundimtare të jetës.