BËRJA E MASKAVE
Gruaja e një mikut tim, ka dhënë mësim arti plastik në një shkollë nëntë vjeçare për afro tridhjetë vjet. Ajo është ndër ato gra që i pëlqen puna me nxënësit, një dashuri që unë nuk e kam fituar asnjëherë! Kënaqësia e saj është të shohë nxënësit e ndrojtur të klasës së gjashtë të kalojnë gradualisht në klasën e nëntë, duke u ndier më të sigurt për veten e gati për të filluar sfidën e gjimnazit.
Çdo vit, nxënësit e klasës së nëntë kanë një projekt të veçantë që është bërja e maskave. Kjo është një detyrë që ata e pëlqejnë shumë. Çdo pranverë ata të klasës së tetë, pyesin nëse do të kenë mundësi edhe ata për të bërë maska vitin tjetër. Dhe sigurisht që mikja ime i përgjigjet duke i thëne se po, edhe ata do ta kenë këtë mundësi.
Por përse e kanë shumë qejf nxënësit e klasës së nëntë këtë projekt? Ndoshta për faktin se kanë mundësi të bëjnë maska sipas imagjinatës së tyre dhe t’i vendosin ato në një festë, kur të gjithë do të jenë me maska. Përveç misterit ajo ka edhe ndjenjën e rrezikut brenda. Meqenëse ti nuk mund ta bësh vetë maskën për fytyrën tënde, formën e maskës do ta bëjë shoku përkrah. Ndaj duhet të sigurohesh që ai e ka bërë atë në madhësinë e duhur, me hapësira të veçanta për sytë dhe gojën, nga ku mund të shohësh dhe të marrësh frymë lirisht!
Duhet shumë guxim kur formohet maska e bardhë prej allçie. Më pas vjen puna më e madhe e dekorimit. Çfarë do të pikturojnë në maskën tënde? Sepse ajo do të tregojë diçka?
Mikja ime i nxit nxënësit të krijojnë një maskë e ta pikturojnë atë në bazë të gjendjes së tyre të brendshme.
Çfarë ndien brenda teje, pyet ajo? Çfarë emocionesh fsheh ti që do të doje t’i zbuloje? Cilat janë premtimet dhe vlerat e tua? Si mund t’i shprehë maska jote ato?
Si do ta përshkruaje më mirë personin tënd?
Për mendimin tim, kjo tregon kurajën të vërtetë! Duhet shumë guxim për një nxënës të klasës së nëntë të shprehë atë që ndien në zemër dhe në shpirt.
Unë kam parë punët e këtyre nxënësve. Shumë prej tyre janë të mahnitshme! Disa nxënës kanë bërë një punë aq të mirë sa ngelem pa fjalë kur shoh të shprehur në to, frikën, shpresën dhe ëndrrat e tyre.
MASKAT TONA
Në fakt, kur unë e kam parë punën e tyre, kam dalë në përfundimin se nxënësit e klasës së nëntë arrijnë ti shprehin ndjenjat e tyre shumë herë më mirë se disa prej nesh që jemi të rritur.
Sinqerisht, ne njerëzit e rritur vendosim maska nga më të ndryshmet. Dhe nuk i kemi krijuar ato në një shkollë nëntë vjeçare.
Ne i kemi krijuar ato vetë përgjatë jetës teksa jemi përballur me njerëz të ndryshëm që kanë ngritur pritje të ndryshme për ne.
Në vend të maskave që zbulojnë veten tonë të vërtetë, ne krijojmë maska që fshehin atë se kush jemi realisht.
Në fakt, disa prej nesh janë kaq të mirë për ndërrimin e maskave sa që në fund nuk kuptojmë se cilët jemi realisht.
Identiteti ynë është një kaleidoskop i ndryshueshëm me fasada të rreme, që ndoshta tregojnë ‘personin tim të vërtetë.’
Por më lejo të të tregoj diçka në lidhje me maskat. Herë a vonë ato do të mërziten. Nxënësit që përmendëm pak më lart, gëzohen me maskat e tyre, për aq kohë sa ato nuk janë dëmtuar. Ata kalojnë më shumë kohë duke ia treguar të tjerëve maskën sesa duke i përdorur.
Sepse mbajta e maskës nuk është e rehatshme. Nëse pyet një fëmijë që ka vënë maskë: Çfarë do të do të doje të bëje pas festës me maska? Me siguri që do të thoshte se dëshiron të kthehet në shtëpi dhe të heqë menjëherë maskën.
E njëjta gjë vlen edhe për fasadat tona. Mendoj se një person që shtiret si dikush tjetër konsumohet në fuqi dhe emocione.
A nuk mendon edhe ti se të shtiresh si dikush tjetër është shumë rraskapitëse?
Unë mendoj kështu për shumë arsye. Ne mbajmë maska sepse mendojmë se njerëzit nuk dëshirojnë t’ia dinë për ne dhe as se kush jemi ne realisht. Atëherë kur njerëzit pyesin:”Si je?” A duan vërtetë të dinë se si jemi?
Shpeshherë, kur i themi dikujt atë që mendojmë apo atë që po bëjmë realisht, shohim se ai nuk ka interes të na dëgjojë. Pra këtu hyn në punë maska. Çfarë bëjmë ne? Shtiremi sikur jemi dikush tjetër në mënyrë që të shkojmë mirë me njerëzit.
Për më tepër, mendojmë se njerëzit nuk do të na duan, nëse ne i tregojmë se cilët jemi realisht.
Disa prej nesh janë rritur me shumë dashuri në familje, edhe nëse kemi gabuar.
Pra ti je rritur me mendimin se pavarësisht se si je, apo sa fajtor je, njerëzit e tjerë të duan dhe të respektojnë.
Por disa njerëz të tjerë nuk janë rritur kështu. Ata janë rritur me mendimin se po të ishin të mirë do të merrnin dashuri, ndërsa po të mos ishin të mirë nuk të merrnin dashuri.
Ndaj edhe shumë prej nesh kanë mësuar që të vegjël që të fshehin atë personin jo dhe aq tërheqës brenda vetes.
Ne vendosim të veprojmë kështu, pasi njerëzit nuk do të na donin ashtu siç jemi realisht.
Por ka edhe një arsye tjetër përse vëmë maska.
Të gjithë venë maska. Në fakt, ndonjëherë duket sikur jeta është një festë me maska. Askush nuk është i sinqertë. Çdo njeri e luan rolin aq bukur, sa thua ti jeta e këtij shkon vaj! Kështu që si mund të guxojmë të shkojmë në një festë me maska, pa maskë?!
Çfarë do të mendojnë njerëzit për ne nëse u tregojmë se si jemi realisht? Ndershmëria do të na bëjë neve shumë të prekshëm. Prandaj edhe ne fshihemi. Ne reflektojmë paqe atëherë kur brenda nesh ndiejmë një ankth të madh.
Ne japim përshtypjen se jemi në dijeni të gjërave në jetën tonë, ndërkohë që nuk e kemi idenë se në cilin drejtim duhet të shkojë jeta jonë.
MASKARADA SHFAQET NË KISHË
Për fat të keq, maskat hyjnë pikërisht në atë vend ku pritet ti gjejmë më pak ose aspak. Bëhet fjalë për kishën. Vendin ku ne shkojmë për të takuar të krishterë të tjerë.
Nëse ka një ankim me vend për kishën, që kam dëgjuar gjatë viteve të mia si pastor, është pikërisht hipokrizia e të krishterëve në kishë.
Besoj se e dini se një hipokrit është një njeri që ‘ve maska’.
Fjala hipokrit, ka kuptimin të jesh aktor në një skenë, dhe në botën antike të teatrit grek, kjo do të thoshte të vije një maskë e cila mund të portretizonte emocionet e duhura të një personazhi.
Prej asaj kohe, kuptimi i fjalës hipokrit ka mbetur po ai: te jesh dikush tjetër, jo vetvetja. Të pretendosh se ke vlera që nuk janë në jetën tënde. Të pretendosh se ke një standard të caktuar vetëm për të mashtruar të tjerët.
-Ndoshta ky mund të jetë vetëm problemi yt me të krishterët apo me besimin e krishterë.
Me shumë mundësi ti je i magjepsur prej Jezusit, por kur ti shikon besimin e ndjekësve të tij, ti nuk mund të bësh sikur nuk e vë re hipokrizinë e ndjekësve të Tij.
-Ndoshta ti punon për një pronar i cili shkon në kishë të dielën dhe, i jep një mësim të shkëlqyer fëmijëve në takimin e tyre, por të hënën në punë ai përdor karakterin e tij laik për të frikësuar personelin, madje tregohet i pamëshirshëm me ta, për gabime që janë bërë pa dashje.
-Ndoshta ke pasur disa lidhje biznesi me një person me reputacion të krishterë si një prej shtyllave mbështetëse të komunitetit të krishterë, megjithatë në ato marrëveshje ti zbulove se të mashtruan.
-Ndoshta ti ke jetuar me një fqinj që thoshte se ishte i krishterë dhe kishte gjithmonë kohë për të dëgjuar problemet e tua. Por pasi ndave me të lëndimet më të thella, zbulove se ishte bërë objekt thashethemesh në lagje.
-Sa herë që ke hyrë në kishë, je ndier shumë ngushtë sepse ke takuar njerëz jeta të cilëve duket sikur shkon vaj, ndërkohë që nuk është ashtu.
Pra ti i sheh të krishterët si hipokritë.
Për fat të keq, ka shumë maska në sirtarët e disa të krishterëve që shpallin se janë ndjekës të Jezus Krishtit.
Por nëse arrijmë deri tek maskat, nëse edhe të krishterët nuk janë të sinqertë për jetën e tyre, për betejat, për dhimbjen e tyre, a mund të themi se ata po e ndjekin Jezusin? Po Jezusi a ishte kështu, a mbante ai maska?
BALLË PËR BALLLË ME JEZUSIN
Besoj se dhe ti je në një mendje me mua se është e çuditshme që ndjekësit e Jezusit mendojnë se duhet të venë maska. Nuk kanë përse ta bëjnë këtë, për të vetmen arsye se Jezusi ishte njeriu më i sinqertë që ka jetuar në këtë botë.
Jezusi ishte shumë i sinqertë me të tjerët. Ky lloj sinqeriteti dallohet që në moshën dymbëdhjetë vjeçare, kur jepte mësime në tempull.
Prindërit e tij, Maria dhe Jozefi, e gjejnë atë pas një kërkimi tre ditor, e të dëshpërueshëm.
Por pasi i takon Jezusi i përgjigjet thjesht: “A nuk e dini se duhet të merrem me punët e Atit tim qiellor?”
Ky ishte një lloj sinqeriteti që do të shfaqej kudo gjatë shërbesës së tij.
E shohim këtë kur ai u konfrontua me dishepullin e tij, Pjetrin teksa ky i fundit u mundua ta largonte Jezusin prej misionit të tij.
” Largohu prej meje, o Satan!” Këtë i thotë Jezusi Pjetrit të pabindur. Sinqeritetin e tij e hasni edhe tek varri i mikut të tij Llazarit, kur Jezusi ulet në gjunjë dhe derdh lot. Ky lloj sinqeriteti do të shfaqet edhe në Kalvarin e tij.
Pikërisht atje, me shumë sinqeritet Ai i drejtohet Perëndisë me zë të lartë që e gjithë turma të dëgjojë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?”
Jezusi nuk u shtir asnjëherë. Ai nuk vuri kurrë maska. Jezusi ishte gjithmonë vetvetja. Gjithmonë.
Por çfarë mund të themi për ndjekësit e Jezusit?
Çfarë mund të themi për sinqeritetin e tyre?