GJON PAGËZORI
Por çfarë mund të themi për ndjekësit e Jezusit? Çfarë mund të themi për sinqeritetin e tyre? Tani dëshiroj të ndalemi së bashku në një rast studimi në lidhje me dishepullizim. Do të marrim Gjon Pagëzorin. Ti me të drejtë mund ta quash Gjonin si ndjekësin e parë të Jezusit. Ai filloi ta ndiqte Jezusin shumë kohë para se Jezusi të mblidhte dymbëdhjetë dishepujt rreth vetes.
Sepse Gjoni u caktua prej Perëndisë të ishte folësi fluent dhe energjik i identitetit të Jezusit.
Gjoni është zëri në shkretëtirë. Ai i thërret njerëzit të përgatiten për ngjarjen më të madhe shpirtërore që kanë parë me sytë e tyre.
Bëhet fjalë për ardhjen e vetë Zotit, përmes Birit të tij, Jezus Krishtit.
Gjoni do të shpallë se premtimet e Shkrimeve dhe shpresat e Izraelit do të përmbushen me anë të këtij djali të ri që vinte nga një dyqan zdrukthëtarie, në Nazaret!
Nëse ka një person që nuk mbante maskë, ky ishte Gjon Pagëzori.
Kur vjen puna tek Gjoni: ai është ashtu siç duket. Individualitetin e tij e dallon që nga veshja e tij prej deveje, e deri tek dieta ushqimore me mjaltë dhe karkaleca.
Ky ishte një djalë që nuk e ndiente nevojën për tu bërë një me turmën.
Ai as nuk tundohej që të përshtaste mesazhin e tij në varësi të pritjeve të turmës.
Ai nuk trembej nga e vërteta sepse e dinte se ishte thirrur prej Perëndisë për të shpallur të vërtetën me sinqeritet.
Ai i tha turmës se gjendja e tyre shpirtërore, ishte shumë e keqe. Ata ishin të korruptuar moralisht. Ata ishin të vdekur shpirtërisht. Dhe nëse ata nuk do të bënin një kthim njëqind e tetëdhjetë gradë, menjëherë do të përfundonin në ferr. Shpresa e tyre e vetme ishte ta merrnin seriozisht Jezusin që Gjoni prezantonte.
Ky ishte njeriu që do ta ndizte botën për gjykimin. I cili do të priste çdo pemë që nuk kishte frute.
Ky ishte një mesazh i vështirë krahasuar me standardet e korrektësisë politike të asaj kohe.
Gjoni nuk kishte nevojë të vendoste maska për të marrë miratimin e autoriteteve fetare. Sepse Jezusi po vinte. Dhe e keqja do të merrte atë që meritonte. E mira do të fitonte. Tashmë kishte filluar mbretërimi i drejtësisë së Perëndisë.
POR më pas…
Por më pas, tabani i shërbesës së Gjonit lëkundet.
Jezusi vjen. Por nuk ka zjarr gjykimi. Asnjë kolonë nuk rrëzohet. Ai vjen e fillon të predikojë. Nuk përfundon aspak në fronin e mbretit Herod.
Në vend të kësaj, është Gjoni vetë, ai që përfundon në burgun e mbretit Herod.
Në fakt, nëse e njeh vazhdimin e historisë, mendoj se di që koka e Gjonit përfundon e servirur në pjatë, para Herodit, një mbrëmje të frikshme. Por kthemi pas, në këtë pjesë të historisë, që po diskutojmë sot, Gjoni po vuan ende dënimin e tij në një qeli burgu, aty ai ulet dhe fillon të dyshojë.
Nëse do të ishte si shumë njerëz të tjerë, do të kishte vënë maskë edhe ai. Po, ai mund tu thoshte dishepujve të tjerë: S’ka problem, e vëmë edhe maskën! Ai mund tu thoshte atyre se kjo ishte pjesë e planit që prej fillimit.
Por Gjoni nuk e pa këtë si pjesë e planit të Perëndisë.
Dhe nuk ishte në natyrën e Gjonit të mashtronte.
Gjoni i tregon gjërat siç janë. Ai na lejon të shohim se çfarë ka në zemrën e tij. Dhe zemra e tij po vuan nga dhimbja. Ai përballet me realitetin e ashpër të dyshimit të vet: A është realisht Jezusi, Shpëtimtari, apo duhet të kërkojmë një shpëtimtar tjetër?
Unë nuk e di se çfarë bën ti kur dyshon, por mendoj se personi i fundit tek i Cili do të shkoja për t’i treguar dyshimin tim do të ishte Jezusi.
Mirë pra le të themi se do të shkoja. Po sikur ai të ofendohej? Po sikur të ma hiqte vizën fare?
Prandaj ne vazhdojmë të mbajmë maskën tonë!
Por kjo nuk ishte në stilin e Gjonit. Siç e dini ai thërret njërin prej dishepujve dhe e dërgon atë tek Jezusi si përfaqësuesin e vet për të bërë pyetjen: “A je ti Ai qe duhet te vinte, apo unë Gjoni kam bërë gabimin më të madh të jetës sime?”
Gjon pagëzori u tregua i sinqertë me Jezusin për dyshimet që kishte! Ai nuk donte të vinte maskë, as me Jezusin!
Ndaj unë pyes veten: a i lejojmë ne vallë të tjerët dhe veten të ushtrojmë të njëjtin sinqeritet?
Më çudit fakti se të krishterët shpesh presin që njerëzit e rinj në besim të përparojnë menjëherë në ecjen e tyre shpirtërore.
Të krishterët shpesh i lënë atyre një kohë të shkurtër, ndoshta disa javë, ndonjëherë vetëm disa ditë, që të merren me dyshimet e tyre para se t’ia përkushtojnë jetën e tyre Krishtit.
Të krishterët lexojnë katër ligjet shpirtërore dhe pastaj thonë: merr një vendim, tani, në çast!
Por kjo përqasje nuk respekton mënyrën se si shumë njerëz vijnë në besim.
Moslënia e kohës së mjaftueshme që ata të merren me dyshimet e tyre, thjesht i nxit njerëzit të shprehin siguri për udhëtimin e tyre, ose të venë maska të besimit jo të vërtetë.
NJE FJALË NGA JEZUSI
Jezusi sillet shumë mirë me dyshimin e Gjonit. Kjo për arsye se, Jezusi e kupton më mirë se çfarë është dyshimi. Jezusi e kupton se dyshimi nuk është njëlloj si mosbesimi. Ne shpesh mendojmë se duhet të vëmë një maskë sepse mendojmë se nëse dyshojmë, ne nuk besojmë.
Jezusi është i përzemërt përsa i përket dyshimit të Gjonit,
Dhe ne do të bënim mirë ta konkurronim këtë mirësi.
Çfarë bën Jezusi? Ai nuk e qorton Gjonin. Ai nuk e shmang Gjonin për faktin se papritur lëkundet në besimin e tij.
Jezusi thjesht i drejton ata tek provat e shërbesës së tij. Jezusi thotë: “ Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Shkoni dhe i tregoni Gjonit gjërat që dëgjoni dhe shikoni:
Të verbrit po shohin, të çalët po ecin, lebrosët janë pastruar dhe të shurdhrit po dëgjojnë; të vdekurit po ngjallen dhe ungjilli po u predikohet të varfërve.”
Të gjitha këto gjëra përputhen me atë që thuhet për ardhjen e Mesias, Shpëtimtarit, që përshkruhet në Dhjatën e Vjetër.
Siç e dini, Mesia do të vinte me hirin por edhe me gjykimin.
Gjoni, teksa i thërriste njerëzit për tu përgatitur për ardhjen e Krishtit, është fokusuar tek e fundit. Ai ishte fokusuar tek gjykimi i Mesias. Por Jezusi i kujton Gjonit, që të shikojë anën tjetër të monedhës. Hiri i ardhjes së Mesias.
Pikërisht këtë po nxjerr në pah Jezusi edhe në shërbesën e tij.
Në fakt ai në këto momente i ofron Gjonit pikërisht dyshimin e tij, teksa qëndron në burg, i rrahur prej dyshimeve.
Hiri që pushton shërbesën e Jezusit e lejon Gjonin, të mbajë larg maskën dhe t’i bëjë Jezusit një pyetje të vështirë.
Jezusi e fton Gjonin të kalojë prej gjykimit në hir. Ai rendit një listë mrekullish që shpalosin hirin. Kjo listë mrekullish përfundon me mrekullinë më të madhe ndër gjithë të tjerat, bëhet fjalë për Lajmin e Mirë që u predikohet të varfërve. Këtë i tregon edhe Jezusi Gjonit që ndodhet në një qeli burgu, në Palestinë.
Ai i ofron Lajmin e Mirë, e të hirshëm të ardhjes së mbretërisë së Perëndisë.
Dhe më pas Jezusi i thotë këto fjalë të fundit atij: “ Lum ai që nuk do të skandalizohet nga unë.”
Pikërisht atje, Jezusi pranon se natyra e punës së tij ishte paska e ndërlikuar. Gjoni nuk është i vetmi person që e ka të vështirë ‘të kuptojë’.
Jezusi kupton se besimi i madh fitohej përmes ecjes me të dhe natyrisht i fuqizuar vetëm përmes hirit të tij.
Jezusi na tregon se nuk është vetëm tundimi, apo sprova që mund të largojë dishepujt e mundshëm prej Jezusit.
Vetë natyra e tij, shërbesa e tij apo mënyra se si e drejtonte shërbesën do të prekte interesat e shumë njerëzve.
Por Jezusi na fton të përjetojmë bekimet që ka vazhdimi i udhëtimit tonë me të. Po kaq e rëndësishme është përballja me dyshimet dhe gjetja e sigurisë tonë tek Ai.
HEQJA E MASKAVE TONA
Perëndia na fton të jemi një komunitet njerëzish të sinqertë, në lidhje me dyshimet apo betejat tona, por mbi të gjitha të jemi të sinqertë me veten.
Si mund të ndodhë kjo?
Po të paktën për një arsye të vetme, ne duhet të ndjekim shembullin e Gjonit. Ne duhet të jemi të ndershëm dhe të hapur për të folur rreth betejave shpirtërore dhe emocionale, me të cilat përballemi.
Ne duhet të kemi guxim për të folur me sinqeritet e po kështu për të dëgjuar sinqerisht të tjerët.
Verën e kaluar një miku im drejtoi një konferencë në Qipro për drejtuesit e krishterë të vendeve arab folëse. Tematika e konferencës ishte: këndvështrimet e udhëheqësisë së krishterë. Ai kishte përgatitur kopje për çdo leksion dhe e dinte shumë mirë se çfarë do të thoshte. Por ai mendoi se thjesht dhënia e informacionit nuk ishte e mjaftueshme për ta cilësuar atë konferencë të suksesshme. Ai duhet të dëgjonte se çfarë kishin për të thënë këta drejtues të rinj. Ai nuk dëshironte që kjo konferencë pesë ditore të ishte një monolog. Ai dëshironte të dialogonte me këta drejtues.
Ai më tregoi arsyen përse e dëshironte këtë. Sepse këta të krishterë vinin nga Egjipti, Siria, Palestina dhe Kuvajti. Ai mund të fliste sa të donte, por gjithçka do të ishte e kotë nëse ai së pari nuk do të kuptonte botën e Lindjes së Mesme, presionet dhe persekutimin nën të cilin jetonin këta besimtarë.
Ndaj miku im duhet t;i dëgjonte mendimet e tyre. Po kështu ata duhet ta dëgjonin atë.
Prandaj, ai i ftoi për dialog dhe diskutim që në fillim të konferencës. Por u desh kohë, diku nga mesi konferencës që grupi i drejtuesve të largonin ndrojtjen e të fillonin me komente rreth asaj që miku im kishte thënë.
Vetëm një koment i sinqertë shpërtheu dyert dhe hapi rrugën e komunikimit. Kështu rrodhi lumi i pyetjeve.
Njerëzit ishin të hapur me njëri tjetrin, të sinqertë për sfidat në shërbesën e tyre. Ata kishin pasur një dialog të mrekullueshëm ditët në vijim.
Ata mësuan nga njëri tjetri. Dhe kur u larguan prej konferencës, miku im ishte i sigurt se gjithçka që kishin diskutuar atje do të bënte një ndryshim të madh në jetën e atyre drejtuesve.
Përse ishte e suksesshme ajo konference? Sepse në bisedat e tyre maskat u hoqën. Atë javë ata jetuan në integritet me njëri tjetrin.
Kur tregohemi të hapur me të tjerët, i nxisim edhe ata të jenë të hapur. Kur ne i dëgjojmë të tjerët, i nxisim edhe ata të na dëgjojnë.
HIR, PËRTEJ gjithçkaje
Por nëse dëshirojmë të jemi të sinqertë me të tjerët duhet të bëjmë edhe diçka të fundit. Ne duhet të konkurrojmë Gjonin. Po kështu edhe Jezusin. Për këtë na duhet që të tregojmë të njëjtin hir që Jezusi i tregoi Gjonit, e po kështu edhe neve. Ne duhet të jemi komunitete që ndërtojnë besimin dhe përkujdesjen. Komunitete që tregojnë durim dhe mirëkuptim të vërtetë. Vetëm kështu, mund të nxisim njerëzit e tjerë që të heqin maskat, e të jenë realë me njëri tjetrin dhe me Perëndinë. Ne e bëjmë këtë duket ditur se hiri i Perëndisë na pranon me të gjitha dështimet dhe fajet tona. Perëndia na pranon ashtu siç jemi.
Këtu minutave tona i erdhi fundi. Nuk dëshiroj të shtoj më shumë, veç t’ju lë nën inkurajimin e këtyre fjalëve të mrekullueshme.
Perëndia na pranon ashtu siç jemi!