Po erdhi e keqja duhet ta luftosh. Pasi sulmi të ketë filluar do të jetë tepër vonë për të kërkuar rrotull armatim dhe armë. Shumë persona bien viktima të luftës frymërore jo sepse sulmi ishte tepër i ashpër, por sepse personi nuk ishte përgatitur paraprakisht. Nëse e shpërfill Biblën kur gjërat po të shkojnë mirë, do të jetë e vështirë të gjesh atë që të duhet, kur të vijë dita e keqe, dhe Satani të të sulmojë.
Nëse nuk tërhiqesh prej pushtetit mbrojtës të Jezusit kur jeta është e qetë, e kur je i kthjellët, si do ta dish se çfarë duhet të bësh kur mendja të vjen rrotull, dhe zemra po të copëtohet? Vish armatimin e plotë të Perëndisë, ushtrohu dhe qëndro gati për sulm, vazhdo të dëgjosh drejtimin e Perëndisë dhe kështu do të kesh gjithçka që të duhet për t’i qëndruar kurtheve të djallit.
Ushtarë vere?
Në betejën shpirtërore, ne duhet të jemi gjithmonë gati, dhe të armatosur, dhe pjesë e gatishmërisë sonë është të kuptuarit e vështirësisë së betejës. Në kohën e luftës amerikane për pavarësi, kishte disa kolonë, që nuk e kuptuan se sa do të zgjaste kjo luftë dhe sa e vështirë do të ishte ajo. Ata folën shumë për lirinë dhe patriotizmin në verën emocionuese, kur u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë, por ata e braktisën çështjen e tyre, kur luftanijet britanike po afroheshin gjithmonë e më shumë. Por kishte të tjerë që e dinin se lufta nuk do të ishte aq e lehtë. Ata kishin pritur gjithë kohës një betejë të vështirë dhe të gjatë. Ata qëndruan të patundur në kohët më të vështira, atëherë kur të tjerët hoqën dorë. “Në kohë lufte provohen shpirtrat e njerëzve,” shkroi Tomas Pejn (Thomas Paine). “Ushtari i verës dhe patrioti i diellit, në këtë krizë do të tkurren prej shërbimit ndaj vendit të tyre; por ai që qëndron tani, meriton dashurinë dhe falënderimet e burrave dhe grave.” Njerëzit që kaluan lumin Dela-uer në errësirën e akullt me Xhorxh Uashingtonin nuk ishin ushtarë vere. Ata që duruan plagët dhe dimrin e acartë, nuk ishin patriotë të diellit. Ata ishin burra të fortë e të përgatitur, që arritën përfundimisht fitoren. Kështu është edhe në mbretërinë frymërore, ata që fitojnë luftën me Satanin, janë ata që mund të durojnë vështirësitë dhe, ta vazhdojnë betejën deri në fund.
Bibla thotë se ne jemi në një luftë. Të jetosh në luftë nuk është gjithmonë aq e lehtë. Lufta është e dhimbshme dhe, ka telashe. Ti nuk mund të kesh fitoren thjesht duke “pohuar apo shpallur fitoren”, apo ” apo duke e harruar, a të thuash se e di Perëndia.” Ti duhet të luftosh. Sigurisht ti duhet të mbështetesh në fuqinë e Perëndisë, dhe jo tek fuqia jote, por sërish duhet të luftosh me gjithë forcën që Perëndia të jep ty. Të jetosh për Jezusin do të thotë të luftosh, dhe jo të shkosh me pushime diku.
Uinston Çërçilli u bë krye ministër i Anglisë në mes të një lufte të tmerrshme, me forcat e fuqishme naziste, të Adolf Hitlerit, këtij njeriu zemërgur. Ish krye ministri, Nevill Çembërlejn, kishte premtuar “paqe në kohën tonë” dhe i tha popullit të tij” të bënin një sy gjumë.” Por kur erdhi lufta, nuk kishte kohë për paqe dhe rehati të rreme. Uinston Çërçilli nuk premtoi kohëra të bukura dhe as një fitore të lehtë. Ai i tregoi kombit të tij: “Nuk mund të ofroj asgjë tjetër veç, gjakut, mundit, lotëve dhe djersës. Ne kemi para nesh një sfidë, një nga ato më të dhimbshmet? Ti pyet; po cili është synimi ynë? Mund të të përgjigjem me një fjalë. Fitorja. Fitorja me çdo kusht, pavarësisht gjithë frikërave. Fitorja, pavarësisht se sa e gjatë dhe e vështirë mund të jetë rruga.” Tani mendo sikur Çërçilli të kishte thënë, “Nazistët janë qullashë. Do t’i mundim fare lehtë. Nuk do lodhemi as do të mundohemi shumë.” Çdokush që priste një fitore të shpejtë dhe të lehtë do të ishte dorëzuar përballë sulmeve të ashpra naziste. Por për shkak se drejtuesi britanik i paralajmëroi njerëzit që të prisnin, derdhje gjaku, lodhje, lot dhe djersë, trupat dhe njerëzit e Anglisë qëndruan të vendosur dhe arritën qëllimin e tyre: fitoren.
Përshëndetje ja ku takohemi sërish, në pjesën e tretë të temës sonë: “I armatosur dhe gati”. Jezusi premton fitore në luftën me Satanin, dhe ky rezultat garantohet prej faktit që Ai e fitoi betejën përfundimtare përmes vdekjes dhe ringjalljes së Tij. Por kur premton fitoren, Jezusi, nuk premton se kjo do të jetë e shpejtë dhe e lehtë. Ai nuk u premton shëndet dhe pasuri, atyre që e pohojnë dhe duan ta kenë këtë. Ai premton gjak, mund, djersë dhe lot. Jezusi premton vështirësi dhe vuajtje ndërsa lëvizim drejt fitores mbi Satanin. Shkrimi thotë, ” Shumë të dashur, mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju për t’ju provuar, se si ju ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Por gëzohuni, duke qenë pjesëtarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzoheni dhe të ngazëlloheni.” (1 Pjetri 4:12-13)
Mos u trondit kur Satani të sulmon dhe jeta bëhet të vështirë. Ti je në një luftë. Prit sulmin. Përgatitu për të.
Përballu me të dhe qëndro i patundur. Bibla thotë: ” Ti, pra, duro pjesën tënde të vuajtjeve, si një ushtar i mirë i Jezu Krishtit. Sepse asnjë nga ata që shkojnë ushtarë nuk ngatërrohet me punët e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar.” (2 Timoteu 2:3-4) Nëse Jezusi është komandanti yt, dhe nëse fitorja ndaj Satanit është qëllimi yt, atëherë përqendrohu tek misioni yt.
Një ushtar i mirë duhet të jetë në gjendje të durojë vështirësitë dhe të ta çlirojë mendjen prej shpërqendrimeve që e pengojnë misionin e tij dhe frenojnë efikasitetin e tij. Ti nuk mund të fitosh luftën nëse shqetësohesh më shumë për marrëdhëniet civile të shëndetit dhe pasurisë sesa për marrëdhënien me Krishtin, komandantin tënd. Ti duhet të fokusohesh tek fushata kundër Satanit, tek misioni që Zoti të ka dhënë në atë fushatë.
Një ushtri e fortë
Beteja shpirtërore është e vështirë, por fitorja është e sigurt për ata që janë në anën e Zotit. Lufta shpirtërore kërkon tërë vëmendjen dhe forcën tonë, por fitorja përfundimtare i përket Zotit. Është pikërisht armatimi i Zotit që na mbron, armët e Perëndisë që luftojnë për ne, dhe fitorja totale e Perëndisë e cila siguron sfondin për fitoren tonë individuale.
Shkrimi thotë “vishni armatimin e Perëndisë”-jo thjesht armatimin që na jep Perëndia, por atë që vesh vetë Ai.
Dhjata e Vjetër thotë për Zotin:” ai u veshi me drejtësinë si me një parzmore dhe vuri mbi kryet e tij përkrenaren e shpëtimit” (Isaia 59:17). Dhjata e Re na thotë që të veshim:” parzmoren e drejtësisë” dhe “helmetën e shpëtimit.” Ne duhet të veshim të njëjtin armatim që vesh Zoti. Ne duhet të përdorim të njëjtat armë që përdor Zoti.
Fuqia e madhe e Perëndisë duhet të bëhet fuqia jonë.
Forca hyjnore që e mbrojti Zotin Jezus prej tundimeve të Satanit dhe e aftësoi Jezusin të pushtonte mëkatin dhe vdekjen duhet të jetë forca jonë.