Armiku i vërtetë

Print

Titulli: Armiku i vërtetë (pjesa 1)

Një lojtar hileqar mund të bëjë qindra, madje mijëra lekë në një natë të vetme, nga bastet, në bilardon e një bari. Çfarë cilësish duhen për të pasur sukses si hileqar bilardoje? Të paktën dy. Së pari, duhet të jetë shumë i mirë në gjuajtjen e stekës. Ai nuk ka për të fituar bastet nëse nuk di si të fitojë në lojë. Por po ashtu ka nevojë për një aftësi tjetër. Të jetë aktor shumë bindës dhe të japë përshtypjen se nuk është i mirë në lojën e bilardos. Nëse të gjithë njerëzit në bar e marrin vesh se në të vërtetë ai është i mirë, askush nuk ka për të vënë baste kundër tij.

Kur një hileqar i tillë shkon në një bar, ai përpiqet të përzihet me turmën. Ai të jep përshtypjen se është njeri i zakonshëm që ka dalë për qejf. Zakonisht ai nuk i vë vetë bastet. Ai merr mendimin e njerëzve dhe pastaj bën sikur ngurron për t’i hedhur paratë në lojë. Në fund bie dakord, vë bastin dhe humbet lojën, sigurisht që humb qëllimisht. Pasi dikush e ka rrahur mirë në lojë dhe ia ka marrë paratë, të gjithë të tjerët binden se do ta mundin sërish. Por kur luajnë sërish, ky hileqar fiton, ndonëse me një rezultat të ngushtë. Kundërshtari i tij është i etur për një tjetër lojë. Ai thotë: “o dyfishin, o asgjë”, i sigurt që në lojën tjetër do të rimarrë atë që ka humbur. Në fund, gjithë paratë e  lojtarit tjetër përfundojnë në xhepin e këtij hileqari.

Për asnjë çast gjatë gjithë lojës, hileqari nuk e lejon personin tjetër të kuptojë, se ka të bëjë me një lojtar të paskrupullt, a me një lojtar shumë herë më të mirë. Nëse hileqari del me xhepat plot dhe pa telashe, herës tjetër ai kthehet tek i njëjti bar, ndoshta natë pas nate ai ua rrjep paratë viktimave të tij, ndonjëherë të njëjtëve persona.

Hileqari nuk tregon asnjëherë se sa i mirë është. Ai sigurohet që të humbasë aq goditje sa ai tjetri të kujtojë se ky nuk di, apo që loja është barazim. Ai sigurohet që të humbasë  ndonjë lojë këtu, apo atje, ndonëse nuk hedh shumë para në tavolinë. Ai nuk duket më i mirë se kundërshtarët; duket sikur topi është në favorin e tij pikërisht atëherë kur i duhen më shumë pikët. Ai duket njeri me fat.

Por fati nuk hyn në këtë mes. Hileqari ka kontroll të plotë të çdo gjuajtje dhe të çdo loje. Por viktimat e tij, pavarësisht se sa humbasin, janë të bindur si gjithmonë, se ka pasur vetëm fat, dhe ata mund ta mundin nëse luajnë sërish.  Nuk e kuptojnë se nuk kanë fituar asnjëherë.

Merre seriozisht Satanin

Lojtarët hileqarë më kujtojnë mënyrën se si vepron Satani. Satani është shumë i fuqishëm, asnjë qenie njerëzore nuk mund ta mposhtë. Është kaq i aftë dhe i fuqishëm sa që viktimat nuk kanë asnjë shans për të fituar, por njëherazi është kaq dinak dhe tinëzar sa që viktimat rrallëherë e kuptojnë se kundër kujt po luftojnë.

Disa njerëz nuk besojnë se Satani është i vërtetë. Ata nuk mendojnë se Djalli dhe demonët ekzistojnë. Thonë se t’i mendosh këto gjëra do të thotë të mos jesh realist. Por kush po tregohet jo realist në këtë mes? Si mund të lexosh historinë apo të shikosh lajmet dhe të mos besosh se Satani dhe demonët e tij janë të vërtetë? Çfarë tjetër shpjegon fuqinë kërcënuese të ligësisë?

Ne shohim njerëz të zgjuar dhe të sofistikuar që ngecen nëpër skandale, apo bien në kurthin e varësive të ndryshme dhe, themi me vete, si u treguan kaq të marrë; sepse ne nuk e dallojmë natyrën e mashtrimit. Ne shohim luftëra, terrorizëm, torturë, krime dhe mizori dhe, pyesim veten se si njerëzit mund të jenë kaq të keq me njëri-tjetrin; ne nuk e njohim të Ligun, të cilën Jezusi e ka përshkruar si “vrasës qysh prej fillimit.” (Gjoni 8:44) Nuk është thjesht një problem i njerëzve, por edhe një problem i demonëve. Njerëzit mund të jenë mëkatarë dhe të trashë, sigurisht që pas kësaj fshihet ligësia dhe mashtrimi i Satanit. Armiku i vërtetë është Satani.

Por sërish e kemi të vështirë ta marrim seriozisht Satanin. Mendojmë se është më realiste të besojmë në aftësinë tonë dhe në atë gjë të lavdishme, që quhet progres. Ne mendojmë se mund t’i zgjidhim problemet thjesht duke u munduar pak më shumë. Shikojmë luftë dhe urrejtje,dhe mendojmë, “me pak më shumë negocim, më shumë bashkëpunim ndërkombëtar, mund të ngremë një rend të ri paqeje dhe sigurie.” Shikojmë fëmijë të panumërt pa etër, shikojmë që AIDS-i po shkatërron miliona njerëz nëpër botë dhe mendojmë:”Sikur të shpenzonim disa miliarda më shumë lekë në edukatën seksuale, gjërat do të përmirësoheshin.” Por sa më shumë përpiqemi, më keq bëhet.

Kush po tregohet realist këtu? Ata që mendojnë se kemi probleme të përmasave njerëzore dhe, zgjidhja është në duart e njerëzve? Apo ata që besojnë që jemi kundër diçkaje që kalon dobësinë dhe pabesinë njerëzore, që besojnë se po përballemi me një armik misterioz me një fuqi të tmerrshme? Është e çuditshme se si një lojtar hileqar mund të mundë dikë lojë pas loje dhe t’ia marrë të gjitha paratë viktimës, pa e kuptuar ky se me kë ka të bëjë. Madje ajo që të çudit më shumë është që pasi Satani ka bërë kaq shumë dëme, shumë njerëz vazhdojnë të mendojnë se Djalli dhe demonët nuk janë të vërtetë.

Nëse nuk arrin ta shohësh fuqinë e Satanit te krimet, lufta, konfliktet, dhe masakrat thjesht hidhi një sy jetës tënde.

Po kështu, Satani mund të jetë duke të kontrolluar dhe ti nuk e ke kuptuar fare. Ai mund të të marrë ty gjithçka që ke dhe sërish të mendosh se mund të fitosh. Ti i dorëzohesh tundimit, dhe mendon: “Mos! Ky ishte një mëkat, por nuk do të ndodhë sërish. Herës tjetër do ta bëj më mirë.” Ti mund të kesh një zakon të keq. Ti mund të kesh një temperament të pakëndshëm. Ti mund të kesh varësi ndaj pornografisë. Ti mund të abuzosh me gruan, apo je njeri që mban inat, apo pi shumë ose ke një tjetër ves dhe mendon: “Më duket se kam problem këtë gjë, por do t’ia dal. Thjesht duhet të përpiqem më shumë. Herës tjetër do ta bëj më mirë.” Gjatë tërë kohës vazhdon të humbasësh, dhe ai është kaq i poshtër sa që ti nuk e kupton se kundër kujt po lufton.

Ashtu si një hileqar bilardoje, Satani mund të lerë ty të fitosh njëherë në kaq kohë. Ti i reziston tundimit. Për disa javë je mirë, dhe i thua vetes “E shikon, unë mund ta bëj. Unë mund ta mposht këtë gjë.” Ti nuk e kupton që Satani mund të të mposhtë ty kur të dojë.

Mos harro se dikur Satani ishte një krye engjëll. Ai ka aq shumë fuqi sa nuk ta merr mendja. Ai është shumë herë më i zgjuar dhe më i fuqishëm se ti dhe unë. Punën e tundimit Ai ka qenë duke e bërë prej shekujsh; për mijëra vite ia ka qenë duke shkatërruar jetët e njerëzve, shumë prej tyre më të zgjuar dhe më të fuqishëm se ti dhe unë. Vazhdon të mendosh se mund t’ia dalësh, nëse përpiqesh më fort? Do të ishte komike, mos të thoja tragjike. Ti do të kishe më shumë fat kundër një lojtari hileqar.

Po, Satani dhe demonët e tij janë të vërtetë. Pranimi i këtij fakti është fillimi i njohjes së armikut tonë të vërtetë. Por si mund ta luftojmë atë?