Satani është i vërtetë. Demonët e tij janë realë. Ky nuk është supersticion. Është realizëm. Lexo historinë tënde. Shiko lajmet e mbrëmjes. Shiko jetën tënde. Armiku real nuk është thjesht njerëzor por demonik. Bibla është tërësisht realiste kur thotë: “sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit [faktorëve njerëzorë], por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.” (Efesianëve 6:12)
Kjo mund të duket tmerruese— po, është tmerruese—por është një hap më i madh drejt fitores për të njohur kundërshtarin tënd, për të parë armikun sikurse është në të vërtetë. Nëse ke probleme me njerëzit e tjerë, mos e nxirr mllefin te ata. Shikoje Satanin si armikun e vërtetë. Po ashtu, mos mendo se mund të zgjidhësh vetë problemet e tua dhe, mos mendo se progresi njerëzor, mund të zgjidhë tërë telashet tona. Satani është tepër i fuqishëm për tu mposhtur në atë mënyrë. Bazohu tek fuqia e Perëndisë për të mposhtur armikun.
Satani në shënjestër, jo Njerëzit
Armiqtë tanë të vërtetë nuk janë njerëzit por demonët. Kur ti e pranon këtë fakt, ti i shikon njerëzit ndryshe. Kur dikush bën gjëra të tmerrshme dhe të lëndon ty, ti mund të tundohesh që ta urresh atë, apo të duash që ai të shkojë në ferr. Kur ti shikon një grup të caktuar njerëzish si burimin e gjithçkaje të gabuar në këtë botë, ti mund të duash që ata të fshihen nga faqja e dheut.
Por armiku i vërtetë është Satani. Ai po i shtyn njerëzit që të bëjnë detyrën e tij të pisët. Beteja kryesore nuk është kundër mishit dhe gjakut, por kundër pushteteve shpirtërore.
Përfytyroje pak këtë. Një djalë i vogël gjuan një qen me gur. Kur guri i bie në kurriz, qeni angullin në dhimbje. Nga inati që u vra i turret gurit për tu hakmarrë. Por ndërsa kafshon gurin, qeni harron se ishte djaloshi që ia hodhi gurin. Qeni vazhdon luftën e tij me gurin dhe nuk kupton që më shumë po vritet. Kjo, thotë Xhon Kalvin shpjegon më së miri se çfarë do të thotë të shpërfillësh Satanin dhe të sulmojmë njerëzit që na kanë bërë keq. Është e vërtetë që ata mund të na kenë lënduar, por Satani është strumbullari i çdo telashi, dhe ne duhet ta shohim atë si armikun tonë kryesor.
Nëse je duke luftuar kundër një diktatori të keq, cila është strategjia më e mirë: të shfrysh inatin kundër civilëve, që janë dominuar prej një regjimi mizor, apo të kesh në shënjestër drejtuesit dhe forcat ushtarake? Do të ishte moralisht e gabuar dhe, po ashtu një strategji e dobët, të sulmosh njerëzit e sunduar prej një regjimi të tmerrshëm, në vend që të sulmosh regjimin vetë. Një strategji e suksesshme, do të ishte të merrje në shenjë udhëheqësinë. Fokusi kryesor do të jetë sulmimi i elementëve drejtues dhe kontrollues, si edhe ndarjet thelbësore të ushtrisë armike.
Nëse e bëjmë këtë për një luftë të zakonshme; sa më shumë duhet bërë në luftën shpirtërore: fokusohu tek armiku dhe luftëtarët fanatikë më të fortë.
Armiku i vërtetë është Satani dhe demonët e tij, jo njerëzit që janë mbërthyer prej së keqes. Shumë prej atyre njerëzve mund të fitohen sërish për tu kthyer në anën e Zotit. Edhe sikur njerëzit të jenë në anën e Satanit, sërish ka shpresë për ta.
Ata mund të jetojnë nën fuqinë e të ligut dhe t’i shërbejnë kauzës së tij, por mund të jenë shumë ndryshe nëse çlirohen prej tiranisë së Satanit. Ai dhe demonët janë aq të pabesë sa nuk mund të marrin pendesë, kanë shkuar aq larg sa nuk kanë mundësi shpëtimi. Por shumë njerëz mëkatarë nuk kanë arritur ende në atë pikë. Ata sërish mund të gjejnë shpëtim. Në të kaluarën Perëndia ka shpëtuar disa njerëz të pashpresë dhe i ka transformuar armiqtë e tij në miq dhe, mund ta bëjë sërish këtë. Kështu që sa herë takohesh me një armik njerëzor, ti mund të duash ta kundërshtosh atë, por mos e trajto sikur të ishte demon. Bëji demonët shënjestrën tënde, dhe mendoje mundësinë që një ditë njerëzit që i sheh si armiq mund t’i bësh miq.
Kjo nuk e shfajëson mëkatin njerëzor. Nëse mëkaton dhe shkon krah Satanit, ti je përgjegjës për këtë. Nuk mund të shfajësohesh, “Djalli më shtyu ta bëja,” ashtu si një ushtar që kryen krime lufte nuk mund të thotë,” Unë thjesht po zbatoja rregullat.” Nëse ti i shërben një komandanti dhe ndjek urdhrat e tij, ai është përgjegjës, por kështu je edhe ti. Nëse ti vazhdon të kundërshtosh Perëndinë dhe të qëndrosh në anën e Satanit, do të përballesh me të njëjtat disfata të tmerrshme sikurse demonët.
Por ekziston një tjetër mundësi për ty. Perëndia të jep ty një mundësi që nuk ia jep Satanit apo demonëve të tij. Dorëzohu në Jezusin, bashkohu në anën e Zotit dhe, ai do të tregojë mëshirën e tij dhe do ta rimëkëmbë jetën tënde. Është tepër vonë për demonët. Tërbimi i plotë i Perëndisë është drejtuar tek regjimi i Satanit, dhe gjithë demonët janë të destinuar me ferr të përjetshëm. Por nuk është tepër vonë për ty. Ti ke mundësinë të marrësh hirin e Perëndisë, të braktisësh mbretërinë e humbur të errësirës, dhe të bëhesh pjesë e mbretërisë së gëzueshme të Perëndisë.
Beteja kryesore e Perëndisë nuk është kundër mishit dhe gjakut, kështu që nëse je armik i Perëndisë, ti sërish mund të bëhesh mik me të, me anë të besimit në Jezusin. Dhe nëse tashmë je mik i Perëndisë, ti duhet të jesh gati tu tregosh njerëzve të tjerë, të njëjtin hir, që Perëndia të ka treguar. Jezusi u thotë ndjekësve të tij: “T’i doni armiqtë tuaj, dhe bëhuni mirë atyre që ju urrejnë.” (Luka 6:27) Pranimi i faktit se armiku ynë i vërtetë janë demonët dhe Djalli, na ndihmon të jemi më të mëshirshëm me armiqtë njerëzorë.
Armët efikase
Njohja e armikut tonë të vërtetë na ndihmon të mbështetemi më pak në fuqinë tonë dhe metodat njerëzore dhe më shumë te Perëndia. Ti edhe unë po luftojmë kundër forcave të liga që kanë pushtet dërrmues. Edhe pse mundohemi me gjithë përpjekjet tona të mposhtim të ligun, nuk mund t’ia dalim me fuqitë tona. Ndoshta tani po thua: “-Po pse kaq i zymtë o pastor, pse kaq pesimist?”
Jo përkundrazi, jam optimist! Duhet të pranojmë atë që Bibla thotë për Satanin. Vetëm ashtu ai nuk do të jetë në gjendje të na i hedhë më, nuk do të jetë i aftë as të na mundë, nëse përdorim armët e duhura.
Po të mos ishte armiku kaq i frikshëm, ungjilli nuk do të ishte kaq i madh. Lavdia e ungjillit është që Perëndia na tregon armikun, të frikshëm ashtu siç është dhe, më pas Ai shpall fitoren e Tij mbi Satanin dhe, tregon se si mund të jemi pjesëtarë të asaj fitoreje. Vdekja dhe ringjallja e Krishtit i ka dhënë Satanit një goditje shkatërruese. Satani është i dënuar me humbje. Me atë Lajm të Mirë, Zoti na fton të besojmë në Krishtin, të bashkohemi në betejën kundër Satanit, derisa fitorja të jetë arritur plotësisht, dhe të përdorim armët dhe mburojën që siguron Perëndia. Jemi në një betejë të madhe shpirtërore, dhe ajo mund të fitohet vetëm me armë të mëdha frymërore. Me asgjë tjetër.