Armiku i vërtetë

Print

Titulli: Armiku i vërtetë (pjesa 3)

Vazhdojmë me temën tonë njohja e armikut të vërtetë. Jemi në një betejë të madhe shpirtërore, dhe ajo mund të fitohet vetëm me armë të mëdha frymërore. Me asgjë tjetër.

Kjo mund të duket marrëzi dhe mund t’i prapësojë disa njerëz. Ata duan të jenë më praktikë, duan gjëra më konkrete.  Ata pohojnë: “Nëse problemi është lufta, na duhen organizata më të fuqishme ndërkombëtare, dhe forca paqeruajtëse më të mira.

Nëse problemi është krimi, na duhen më shumë komisariate, më shumë parandalime, më shumë programe trajnimi për kapjen e kriminelëve nëpër lagje. Nëse problemi është shtatzënia e parakohshme apo sëmundjet seksualisht të transmetueshme, na duhet më shumë arsimim. Nëse problemi është një varësi, na duhet një terapist apo një grup mbështetjeje. Nëse problemi është një mësim i çuditshëm në kishë, na duhet një komitet që të studiojë çështjen.

Nëse problemi është grindja, na duhen specialistë për zgjidhjen e konflikteve ndërpersonale.

Këto gjëra mund të jenë të mira, në disa raste edhe ndihmuese, por ato nuk mjaftojnë. Nëse mendojmë se një sërë aktivitetesh do të zgjidhin problemet tona më delikate, po mashtrojmë veten, ose me saktë, djalli po na mashtron ne. Ne jemi në një betejë shpirtërore. Ne përballemi çdo ditë me një armik të fortë shpirtëror. E vetmja mënyrë për të fituar është me anë të armëve të fuqishme frymërore.

Është tragjike kur kisha vetë e harron këtë. Kisha tundohet të mendojë se mund të shpëtojë individët duke iu bërë një tjetër terapi në grup, apo mund të shpëtojë shoqërinë thjesht me anë të një tjetër lobimi politik. Por Satani qesh kur na shikon se këto janë të vetmet armë me të cilat luftojmë.  Është njëlloj sikur po luftojmë një luftë me pistoleta uji dhe avionë prej letre. Ne po vendosim leukoplast mbi plagët e çara.

Më shumë se gjithçka tjetër bota ka nevojë për ungjillin, i cili godet drejt e në zemër mbretërinë e errët të Satanit. Na duhet ai ungjill që e merr Satanin seriozisht dhe, na duhet një ungjill që e lartëson Jezus Krishtin si të vetmin që mund të mposhtë Satanin. Kur Jezusi e ftoi apostullin Pal, për t’i predikuar ungjillin botës, ai tha: ” duke të zgjedhur ty nga populli dhe nga johebrenjtë, tek të cilët po të dërgoj tani, që t’u çelësh sytë atyre dhe t’i kthesh nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që të marrin me anë të besimit në mua faljen e mëkateve dhe një trashëgim midis të shenjtëruarve”. (Veprat 26:17-18)

Unë nuk mund të mendoj për një mesazh më të madh, apo më urgjent, a më praktik se sa ky. Satani është një armik kërcënues, por ai është po ashtu një armik i mposhtur. Ka një gjë që Satani e ka frikë, diçka që e frikëson atë për vdekje: ungjilli i Jezus Krishtit.

Intrigat e Satanit

Satani do të bëjë të pamundurën që t’i mbash duart larg ungjillit, sepse pasi ti e bën këtë, do ta shohësh atë ashtu si është, do të kuptosh intrigat e tij dhe, do të kesh fuqi për ta mposhtur atë. Nëse nuk beson se Satani është real dhe nuk mbështetesh te Jezusi për ta mposhtur atë, kjo është mënyra që i pëlqen Satanit. Ai do të bëjë sa të mundet për të mbajtur ty larg ungjillit. Njerëzit ndonjëherë thonë arsyet pse ata nuk besojnë tek ungjilli; këtë e arsyetojnë me pohimin se janë mendimtarë të lirë, njerëz të mirë arsimuar dhe përparimtarë. Ata nuk mund të pranojnë mësimet e vjetra të Biblës. Por mosbesimi nuk është shenjë inteligjence. Është një shenjë verbërie. Satani “ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata.” (2 Korintasve 4:4)

Satani e ka frikë ungjillin. Ai bën të pamundurën që ti të jesh i verbër ndaj saj, pra me pak fjalë bën të pamundurën që të pengojë përhapjen e ungjillit me anë të kishës. Ai nuk rresht së përpjekuri që drejtuesit e kishës dhe bashkësitë të lënë pas ungjillin biblik. Ndonjëherë kjo funksionon. Sipas Biblës “Dhe Fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve.” (1 Timoteu 4:1) Ka njerëz në kishë që thonë se Bibla përmban gabime. Ata thonë se Jezusi nuk është e vetmja rrugë shpëtimi. Ata thonë që nuk ka Satan, nuk ka ferr. Këta njerëz mendojnë se po ndjekin diturinë e fundit, dhe përditësojnë besimin. Por e vërteta është që ata e “braktisin” besimin dhe ndjekin frymërat mashtruese, dhe mësimet e mësuara prej demonëve.” A nuk është ironike kjo? Ata nuk besojnë se demonët ekzistojnë, dhe po bëjnë punën e demonëve.

Satani dëshiron që të verbojë ty për të vërtetën. Ai dëshiron që kisha të harrojë ungjillin dhe të ndjekë gënjeshtrat e tij. Por çfarë ndodh nëse e beson ungjillin dhe kisha jote refuzon të kompromentojnë të vërtetën? Çfarë ndodh më pas? A heq dorë Satani prej sulmeve dhe hidhet për sulm diku tjetër? As mos e mendo! Shpesh kishat më të fuqishëm dhe të krishterët më të zellshëm, janë ata që bëhen shënjestra e sulmeve më të ashpra të Satanit.

Satani nuk mund të shkatërrojë një kishë të ndërtuar mbi ungjillin, por ai mundohet ta përçojë atë dhe ta bëjë joefikase, sidomos nëse nuk jemi të vëmendshëm ndaj intrigave të tij.

Ai mundohet të sjellë zënka, hidhërim dhe ndarje në kishë. Ai ngre dyshime, mosbesim dhe mospërputhje mendimesh. Këto nuk janë thjesht mosmarrëveshje njerëzore, apo konflikte personaliteti. Ato janë vepra e Satanit. Ai dëshiron të na vjedhë gëzimin dhe të na bëjë të mjerë. Ai dëshiron të përçajë miqësinë tonë dhje të shkatërrojë dëshminë e unitetit tonë, që i jep lavdi ungjillit dhe Zotit e Shpëtimtarit tonë. Gjithë këtë ai e bën sepse e urren kishën dhe sepse e ka frikë ungjillin. Ai dëshiron që ta bëjë çdo kishë biblike, kaq acaruese dhe të pakëndshme për njerëzit brenda dhe jashtë saj.

Më lejo ta them sërish: Sulmet më të tmerrshme u ndodhin kishave më të gjalla dhe të krishterëve më të përkushtuar. Pse? Sepse ai i urren ata më shumë dhe, sepse janë kërcënimi më i madh ndaj pushtetit të tij. Nëse je i krishterë, veçanërisht nëse je i etur dhe besimtar aktiv, prit sulme nga Satani. Prit jo vetëm këtë, por që ai mund të shtyjë ty në dyshime nëse je apo jo bijë apo bir i Perëndisë. Disa prej të krishterëve më të perëndishëm edhe në shtratin e vdekjes, kanë thënë që Satani po i sulmonte ata me dyshime për shpëtimin e tyre. Ata nuk iu dorëzuan dyshimit, por ai gjarpër i keq po përdorte mundësinë e tij të fundit për t’i lënduar sa më shumë të mundej.

Nëse i përket Krishtit, Satani nuk mund të të ndajë ty prej dashurisë së Perëndisë apo të largojë ty prej dashurisë së Perëndisë, a ta heqë ty jetën e përjetshme, por Satani do të bëjë sa të mundet që ta dobësojë gëzimin dhe sigurinë tënde. Ai e bën këtë për shkak të urrejtjes dhe sepse dëshiron që ti të rrëzohesh, të rraskapitesh aq shumë sa të mos jesh produktiv në marrëdhënie me të tjerët. Satani nuk dëshiron që besimi yt të jetë i gëzueshëm, bindës dhe ngjitës. Ai nuk dëshiron që njerëzit e tjerë të dëgjojnë nga ti për Krishtin, as që ata të shikojnë Krishtin që punon në ty. Përndryshe, ata mund të besojnë Lajmin e Mirë që ‘mund të shpëtohen në Krishtin’ dhe të kenë fitoren mbi Djallin. Kjo është gjëja e fundit që Satani dëshiron, ndaj ai bën të pamundurën për të dobësuar dëshminë e atyre që e duan Krishtin.

Por pavarësisht se çfarë bën Satani, mos u dorëzo. Mos lejo atë që të të mashtrojë apo të të mposhtë ty. Mos u trego i pakujdesshëm e të shpërfillësh fuqinë e tij, por as mos shko në ekstremin tjetër që të dëshpërohesh duke menduar se ai nuk mposhtet. Satani është i urryeshëm, ai është dredharak, është i fuqishëm, por është edhe i mundur. Jezusi është Zot! Satani e ka frikë Jezusin; ai e ka frikë Frymën e Shenjtë; ai e ka frikë ungjillin. Ndaj “ji i fortë në Zotin dhe në fuqinë e tij. Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit.”

Përtej çdo përpjekjeje tjetër nëse përdorim të vërtetën dhe drejtësinë, paqen, besimin dhe shpëtimin si mburojën tonë, Fjalën e Perëndisë si shpatën tonë, fuqinë e lutjes që na jep energji, ne mund të bëjë shumë më tepër se vetëm të mundim Satanin. Mund të ndryshojmë këtë botë.

Nëse ke qenë duke jetuar pa Jezusin, nëse ke qenë nën mbërthimin e Satanit, ndoshta as e ke ditur, është koha për ndryshim. Tani është koha të pranosh armikun tënd të vërtetë dhe të dish se çfarë ka qenë duke të bërë ai me ty. Hiqe qafe dominimin e Satanit. Lutu për shpëtimin e Perëndisë. Beso në Zotin Jezus Krisht. Mirëprit frymën e tij në zemrën tënde.

” Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju! Afrohuni te Perëndia dhe ai do t’ju afrohet juve! ” (Jakobi 4:7-8)