Arsyet e duhura pse të bëjmë mirë!

Print

Titulli: Arsyet e duhura pse të bëjmë mirë! (pjesa 1)

Pa humbur kohë po filloj me temën e sotme. Si fillim dëshiroj t’ju njoh me vargjet biblike ku do të fokusohemi. Ato janë nga letra e  Efesianëve 2:1-10:

Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate,

2  në të cilat keni ecur dikur, sipas ecjes së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes,

3  ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes, dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët.

4  Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi,

5  edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit),

6  edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus,

7  për të treguar në epokat që do të vijnë pasurinë e pamasë të hirit të tij, me anë të mirësisë ndaj nesh në Krishtin Jezus.

8  Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë,

9  jo nga vepra, që të mos mburret askush.

10  Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.

Historia thotë se një ditë një filozof  gjerman i shekullit të nëntëmbëdhjetë me emrin Artur Shopenhauer (Arthur Schopenhauer), ishte ulur në një stol në parkun e qytetit. Ai kishte qëndruar ulur atje pothuajse tërë ditën. Një polic kaloi aty pranë dhe e goditi me një shkop gome, e më pas e pyeti: “Ec trego tani, kush je dhe përse rri ulur këtu?” Thuhet se Shopenhauer përgjigjet: “Ah sikur ta dija se kush jam!”

Po ti a ia ke bërë vetes këtë pyetje? A ke menduar ndonjëherë se: “Kush jam unë dhe çfarë jam duke bërë këtu?” Ndoshta ti e pyet veten vazhdimisht për këtë, ndoshta ndonjëherë e shkruan këtë edhe në faqen tënde të blogut. “Kush jam unë dhe çfarë po bëj këtu?” Më pas ndoshta e mendon më gjatë dhe më thua me vete: “Sa vite kam unë mbi shpinë? Ndoshta tridhjetë? Apo gjashtëdhjetë? Apo më shumë?”

Kush e di se sa vite jetë do të kemi!

Por unë pavarësisht viteve të mbetura, dua të di se çfarë do të bëj me to?

Si mund t’i jetoj ato në atë mënyrë që kur t’i kem përfunduar, të kuptoj se ia vlejtën vërtet?

Po, kush jam unë dhe përse jam këtu?”

Kjo është një pyetje e rëndësishme për të gjithë ne, pavarësisht moshës që kemi. Kjo është pyetje e rëndësishme sepse gjërat që bëjmë në jetën tonë,do të përcaktojnë se sa plotësuese dhe e kënaqshme do të jetë për ne, e po kështu sa ndryshim do të sjellë jeta jonë, në jetën e të tjerëve.

Por kujtoni se jeta jonë dhe gjithçka që bëjmë do të marrë formë prej qëllimeve tona.

Kjo është shumë e rëndësishme, sepse shumë njerëz nuk kanë një qëllim të madh sa duhet për ta jetuar jetën. Maksuell Malz (Maxëell Maltz), një kirurg i njohur, dikur shkroi një libër në të cilin e përshkruante qenien njerëzore si një “diskreditues kuptimi”. Me këtë ai donte të thoshte se ne dëshirojmë fort të gjejmë kuptim dhe qëllim në jetë. “Jetët tona,” shkroi ai dikur, “janë si biçikleta, nëse dëshiron të ruash balancën, ti duhet të ecësh përpara”.

Prandaj ti edhe unë duhet të përballemi me këtë pyetje të rëndësishme. Kush jam unë dhe përse jam këtu?

  1. Të krishterët përballen me pyetjen

Të krishterët përballen me këtë pyetje në një mënyrë unike dhe shumë të rëndësishme.

Ata e dinë se nga kush ju ka ardhur jeta, po kështu e dinë se kur kjo jetë të ketë përfunduar ata do të takohen me Perëndinë, dhuruesin e jetës.

Kështu që kur ata bëjnë pyetjen: “Kush jam unë dhe përse jam këtu?”, gjithmonë pyesin duke pasur në mendje Perëndinë.

Jezusi tha se Ai dëshiron që ne të jemi në lavdi me Të.

Dhe Ai do të na çojë ne atje në fund të jetës sonë. Por deri atëherë, Ai ka plane për ne, këtu në tokë. Ai ka zgjedhur të na vendosë e të na lërë në tokë për një farë kohe. Prandaj sërish ne bëjmë pyetjen: “Pse?”

Prandaj pyetja e vazhdueshme në mendjen e besimtarëve është kjo: Meqenëse Perëndia na ka shpëtuar prej mëkatit, meqenëse na ka tërhequr pranë vetes, meqenëse Ai e ka bërë këtë përmes Birit të Tij Jezus Krishtit, dhe meqenëse Ai ka plane për mua, që të jem këtu në tokë për një farë kohe atëherë sërish duhet të pyes: Pse? Për çfarë arsye?

Çfarë ka në plan Ai? Dhe kjo është pyetja, për të cilën besimtarët e krishterë kanë një përgjigje shumë të qartë. Njerëzit e shpëtuar thonë: “Unë jam këtu për të bërë mirë, dhe për ta bërë këtë në emër të Perëndisë dhe për lavdi të Perëndisë, për hir të Atij që më shpëtoi.” Pikërisht këtë dëshiron Perëndia.

Pali e thotë këtë shumë qartë në fjalët e Efesianëve 2 që ju dëgjuat veç para pak minutash: “ Ne në fakt jemi vepra e Tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.”

Kjo do të thotë se Perëndia na ka vendosur këtu ku jemi. Perëndia e përcakton se sa gjatë do të jemi këtu. Po kështu Perëndia planifikon për ne sipas qëllimit të Tij se si duhet ta jetojmë jetën.

Ai na ka krijuar dhe na bërë për këtë qëllim: që të jemi njerëz të mirë, të cilët e duan dhe e i shërbejnë Atij; që i duan të tjerët, dhe i shërbejnë Atij; dhe, në përgjithësi, të jemi njerëz që e bëjnë botën një vend më të mirë për tu jetuar.

  1. Hetimi në thellësi

Por mendoj se duhet të hetojmë këtë më në thellësi. Nëse lexon Biblën me shumë kujdes, do të mësosh se çështja nuk është thjesht të jemi njerëz të mirë dhe të bëjmë të mirën, por ta bëjmë të mirën për arsyet e duhura… për motivet e drejta. Unë nuk e di nëse e ke menduar kështu më parë, por motivi pse i bën gjërat ka shumë rëndësi.

Besoj se e dini se në shoqëri ka tre tipa njerëzish të cilët ndërthuren së bashku.

Të tre këto tipa të rrethojnë ty edhe mua në jetën e përditshme. Ata të gjithë ndërveprojmë me ne.

Duket se ka njerëz, të cilët nuk kanë aspak interes të jenë njerëz të mirë, apo që të bëjnë të mirën.

Ata duken sikur nuk u intereson se si e jetojnë jetën dhe se si kjo do të ndikohet prej njerëzve të tjerë.

Ata bëjnë çfarë të duan, kur të duan, dhe ashtu siç duan vetë.

Atyre u interesojnë vetëm gjërat e tyre. Dhe këta janë njerëz të pandershëm, dhe të rrezikshëm; ata janë kërcënim për mirëqenien e shoqërisë. Shumë prej tyre janë në burgjet e vendeve tona, por shumë të tjerë, jetojnë mes nesh, çdo ditë. Për disa arsye, që shumë prej nesh nuk i kuptojnë, mirësia nuk do të thotë asgjë për ta.

Më pas janë njerëzit e tjerë, të cilët bëjnë gjëra të mira, por nuk e bëjnë me motivin e duhur.

Ti edhe unë ndonjëherë përfitojmë prej mirësisë apo gjërave që ata bëjnë.

Ata janë shumë të hapur me të tjerët, gjithmonë gati për të ndihmuar. Ata janë njerëz bujarë, ndonjëherë jashtëzakonisht dashamirës. Ata të ndihmojnë në çdo kohë. Dhe janë të besueshëm. Ti mund të mbështetesh gjithmonë tek ata. Por pavarësisht kësaj, ti ndjen se ka diçka që nuk të pëlqen, diçka që nuk shkon tek ata. Ata duken…. (si ta them???) duken disi të zhytur në vetvete teksa ndihmojnë të tjerët.

Ata duken sikur punojnë gjithmonë e më shumë për të bërë të mirën sikur të ishin në kërkim të diçkaje, por që asnjëherë nuk e gjejnë. Unë e di se është shumë e rrezikshme të gjykosh të tjerët, por këta njerëz të lenë përshtypjen se janë të prirur tu bëjnë mirë të tjerëve, me shpresën se do të fitojnë diçka për veten e tyre, çka mund të jetë fitimi i duartrokitjeve apo favorit të të tjerëve, për tu ndjerë mirë vetë, apo për të fituar vëmendjen e Perëndisë.

Për të qenë të saktë, ata janë njerëz të mirë dhe, bëjnë shumë të mira, por ti nuk je i sigurt për motivet e tyre.

Kohë më parë, një grua na shkroi në programin tonë dhe aty rrëfente me shumë sinqeritet se për njëzetë e nëntë vjet me radhë ishte përpjekur që të ishte një person i mirë, të donte Perëndinë dhe njerëzit e tjerë, por në fund u përball me motivin e vërtetë që fshihej pas kësaj dhe, ky ishte fitimi i favorit të Perëndisë…por në vend të kësaj kishte kaluar në depresion të thellë. Ajo po bënte gjërat e duhura, por për motivet e gabuara.

Dhe kjo ia shtonte më shumë stresin.

Por apostulli Pal flet për një tip tjetër, tipi i tretë i njerëzve, në pjesën që lexuam sot.

Pali po flet për njerëzit që bëjnë mirë, dhe e bëjnë këtë për arsyet e duhura, për motivet e duhura.

Ka njerëz të cilët jetojnë mirë, ata e duan Perëndinë, i mbajnë premtimet e tyre, i duan njerëzit e tjerë dhe janë një aset për kishën dhe komunitetin e tyre.

Veprimet e tyre janë ato të duhurat, dhe nëse i njeh nga afër, do të zbulosh se edhe motivet e tyre janë të drejta. Nëse i pyet ata, se përse jetojnë kështu, se përse bëjnë këtë apo atë gjë, përgjigja e tyre do të jetë ajo e apostullit Pal:

“Në fakt unë jam vepra e Perëndisë, po vepra e tij e artit, Perëndia ma ka dhënë jetën për ta përdorur atë për veprën e tij dhe për lumturinë e të tjerëve.

Dhe ai më ka dhënë mua një jetë të re në Jezus Krishtin, në mënyrë që unë të jetoj për të mirën e mbretërisë së Tij, dhe për njerëzit e tjerë. Ky jam unë, kjo është arsyeja përse jam këtu sot.”

Në rast se bisedon me këta persona, zbulon se janë shumë të lumtur dhe të kënaqur me personin e tyre. Ata janë të ndërgjegjshëm për mënyrën se si janë bekuar, ata janë shumë të qartë për identitetin e tyre në Jezus Krishtin.

Dhe ti je çuditur se sa të sigurt dhe të përulur janë ata në vetvete kur i thonë të gjitha këto.

Po ti në cilin tip bën pjesë? Uroj të jesh strehuar në identitetin e Jezusit, e të kesh gjetur vendin dhe rolin tënd në këtë botë. Këtu do të ndahemi bashkë. Unë ju lë takim herën e ardhshme.