Ne besojmë atë që duam vetë. Kur nuk i besojmë Perëndisë, kjo ndodh sepse nuk e duam Atë. Pengesa më e madhe për njohjen e Perëndisë nuk është mungesa e informacionit për ta njohur Atë, por mungesa e dëshirës. Mendja e shmang Perëndinë, derisa zemra ta dojë.
Tomas Nejgëll nuk beson tek ekzistenca e Perëndisë. Profesor Nejgëll jep lëndën e filozofisë dhe drejtësisë në universitetin e Nju Jorkut. Ai ka diploma të universitetit të Oksfordit dhe Harvardit. Ai pranon se disa gjëra mund të synojnë drejt realitetit të Perëndisë, por Tomas Nejgëll nuk dëshiron që Perëndia të ekzistojë, dhe ai beson çfarë do vetë. Ai thotë:
“Unë dua që ateizmi të jetë i vërtetë dhe shqetësohem prej faktit, që disa prej njerëzve më inteligjentë dhe më të mirë informuar që njoh, janë besimtarë të një feje. Nuk është puna që unë thjesht nuk besoj tek Perëndia… puna është se unë dëshiroj shumë që të mos ketë Perëndi! Unë nuk dua që të ketë një perëndi, unë nuk dua që universi të ketë një Zot.”
Me këto fjalë profesor Nejgëll po thotë se e ka problem “autoritetin hyjnor”. Ai nuk dëshiron një botë ku çdokush e pranon Zotin si pronar të gjithçkaje dhe, ku çdo njeri duhet t’i japë llogari Perëndisë. Ai mendon se ka njerëz të tjerë, që ashtu si ai kanë probleme me autoritetin. Ata përdorin “biologjinë evolucionare për të shpjeguar gjithçka për jetën, përfshi këtu gjithçka për mendjen njerëzore”, thotë Nejgëll. Këto shpjegime shpesh kundërshtojnë logjikën, por janë sfiduese sepse heqin Perëndinë nga pamja. Nejgëll thotë, “Darvini aftësoi kulturën sekulare moderne të shfryjë goxha e çliruar, duke siguruar kështu një mënyrë për të eliminuar qëllimin, kuptimin dhe projektimin e njeriut si krijesa më e rëndësishme e botës.”
Riçard Ljuinton (Richard Lewinton) një biolog i Harvardit nuk e refuzon Perëndinë në mungesë të të dhënave apo logjikës. Por e refuzon për shkak të: “Përkushtimit sipas prioriteteve!”. Ljuinton pohon: “çelësi për të kuptuar betejën e vërtetë mes shkencës dhe të mbinatyrshmes është dëshira për të pranuar pohimet shkencore që bien ndesh me logjikën.” Pse të zgjedhësh një teori të paperëndishme që duket e panatyrshme, në vend të ideve me pikësynim dhe projektim hyjnor? Për shkak se Perëndia përjashtohet nga fillimi, ky përkushtim “është absolut”, thotë Ljuinton “sepse ne nuk mund të lejojmë një këmbë hyjnore në derën tonë.”
Mosbesimi nuk bazohet tek provat, por në zgjedhjen e një qëndrimi bazë para konsiderimit të ndonjë prove. Së pari është zemra që nuk e pëlqen Perëndinë; pastaj mendja që e shmang Perëndinë. Ne besojmë atë çfarë duam vetë.
Shmangia e autoritetit
Ne nuk jemi të gjithë profesorë të njohur, por shumë prej nesh kanë një “problem me autoritetin hyjnor”. Ndoshta nuk ka shumë ateistë të përkushtuar, por ateizmi nuk është e vetmja mënyrë për të shmangur Perëndinë si një figurë autoritare. Ka mënyra të tjera për të besuar atë që duam.
Një prej tyre është deizmi. Në deizëm ti pohon se ekziston njëfarë Perëndie, i cili mban në lëvizje këtë botë, por vjen një çast i le gjërat të marrin drejtimin e tyre. Perëndia mund të ekzistojë, por ai të shpërfill ty, dhe ti po ashtu mund ta shpërfillësh atë, nuk ke pse të mendosh për Perëndinë, nuk ke pse ta njohësh atë, nuk ke pse t’i bindesh Atij. Bibla përshkruan këtë mënyrë të menduari tek Psalmi 10. “I pabesi, me arrogancën e fytyrës së tij, nuk e kërkon Zotin; tërë mendimet e tij janë: “Perëndia nuk ekziston”. Ai thotë në zemër të tij: “Perëndia harron, fsheh fytyrën e tij, nuk do ta shohë kurrë”. (Psalmi 10:4,11) Nëse mendon se Perëndia është i vërtetë por dëshiron të bësh sipas qejfit, mund të të pëlqejë Perëndia i deizmit më shumë se Perëndia i Biblës. Dhe ti beson atë që do.
Ndoshta ti nuk dëshiron të jesh vetëm në univers. Ti as nuk përkrah idenë ateiste se s’ka zot dhe, as nuk beson perëndinë e papërfshirë të deizmit. Ti dëshiron një Perëndi i Cili është pranë teje, i Cili të bën ty të ndihesh më mirë, dhe të ndihmon kur ti ke nevojë. Ti do një perëndi, i Cili të lejon të bësh ç’të duash dhe nuk mundohet të ta ndryshojë jetën. Ti dëshiron një Perëndi, i Cili duhet të mendojë njëlloj si ti, dhe të jetë pak a shumë si ti. Kështu që ti beson atë që do vetë.
Te Psalmi 50 Perëndia thotë: “ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia. Ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty.” (Psalmi 50:17,21) Në vend që të kërkosh të njohësh Perëndinë ashtu siç ai është, ti e merr me mend se ai të miraton ashtu siç ti je. Në vend që të gjesh në Bibël se çfarë dëshiron Perëndia, ti pohon se preferencat e tua janë në vullnetin e tij. Ti beson çfarë do ti vetë.
Këto janë disa prej mënyrave se si mundohemi të shmangim Perëndinë e vërtetë të Biblës. Ateizmi mundohet të heqë qafe Perëndinë. Deizmi mundohet të mbajë larg Perëndinë. Feja e sajuar mundohet të rimodelojë Perëndinë. Forca lëvizëse në gjithë këtë është “problemi i autoritetit hyjnor”. Thomas Nejgëll tha se shumë prej nesh nuk janë aq të sinqertë sa Nejgëll kur pohoi : “Shpresoj të mos ketë Perëndi! Unë nuk dua që të ketë Perëndi; unë nuk dua që universi të jetë ashtu.” Pavarësisht se sa të sinqertë tregohemi për të, sërish mbetet “problemi i autoritetit kozmik”. Bibla thotë: ” Dhe ju vetë, që dikur ishit të huaj dhe armiq në mendje me veprat tuaja të këqija”(Kolosianëve 1:21) Jezusi thotë “… njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta.” (Gjoni 3:19)
Kur bëjmë të këqija, problemi kryesor nuk është se ne nuk e dimë se çfarë do Perëndia, por ne nuk duam atë që do Perëndia. Neve thjesht nuk na pëlqen Perëndia i Biblës. Sidomos autoriteti i tij, nuk na pëlqen fare. Nuk na pëlqen autoriteti që kërkon bindje. Ne nuk e pëlqejmë autoritetin i Tij, për të drejtuar botën në mënyra që nuk i përshtaten ideve tona. Nuk na pëlqen autoriteti i tij për të përcaktuar fatin tonë. Kemi frikë se Perëndia do të kufizojë lirinë tonë, do të ndrydhë të menduarin tonë dhe do të na prishë argëtimin. Ne nuk duam një univers ku Qenia supreme (pra Zoti) është ashtu siç pohon Bibla. Ne duam t’i drejtojmë vetë jetët tona. Ndaj rebelohemi, dhe besojmë atë që duam.
Të shijosh autoritetin
Që të besojmë tek Perëndia i gjallë, nuk kemi nevojë për më shumë të informacion apo bindje, por duhet t’ju japim fund mospëlqimeve tona ndaj Perëndisë dhe gjetjes së arsyeve pse ekziston Perëndia.
Në një farë mënyre ne duhet ta shohim autoritetin e Perëndisë si diçka të mirë, që nuk na e vjedh gëzimin. Vetëm kur kuptojmë se sa i mirë është Perëndia, mund të besojmë se sa real është ai. Vetëm kur vlerësojmë karakterin e Perëndisë dhe rrugët e Tij, mund ta njohim me të vërtetë Atë. Mendja pranon atë që do zemra. Ne besojmë atë që duam.
Kapitulli më i gjatë në Bibël, Psalmi 119, flet për autoritetin e Perëndisë. Shkruesi i Psalmit 119 gjen gëzimin më të madh në njohjen e Perëndisë dhe në jetën e bërë nën autoritetin e tij. Ai i thotë Zotit: “Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua.” (Psalmi 119:68) Kur përdor fjalën “i mirë” ai nuk e ka fjalën vetëm për një sjellje të mirë. Ai e përdor fjalën i mirë në kuptimin që kjo fjalë merr sa herë themi se një ushqim është i mirë.( i shijshëm dhe i shëndetshëm), apo në kuptimin që një histori është e mirë (ajo është tërheqëse, rrëqethëse), apo në kuptimin që një investim është i mirë (që ai është i besueshëm dhe do të sjellë fitime të mira). Perëndia është i mirë, gjërat që bën Ai janë të mira, dhe autoriteti i Tij është diçka e mirë për ne: ai autoritet është i shijshëm, i shëndetshëm, tërheqës, i depërtueshëm, dhe shpërblyes. Psalmi 119 thotë: “Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime.” (v. 111)