Rikthehemi me pjesën e dytë të temës, “Besojmë çfarë duam vetë.”
Nëse të pëlqen që Perëndia të qëndrojë larg punëve të tua dhe, nuk dëshiron autoritet tjetër veç vetes, ti nuk do të ndiesh atë që autori i Psalmit 119 ndjeu, nuk do duash atë që ai donte, e nuk do të besosh atë që ai besonte. Por nëse je i gatshëm të dëgjosh më tej dikë i cili donte Perëndinë dhe e shijonte jetën nën autoritetin e tij, Fryma e Shenjtë e Perëndisë mund të trazojë brenda teje një dëshirë për ta dashur Perëndinë, një kënaqësi në autoritetin e tij, dhe një bindje të gjallë në Të. Psalmi 119:18 thotë: “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.”
Kapitulli më i gjatë në Bibël, Psalmi 119, shpreh kënaqësinë në Perëndinë dhe dëshirën për ta njohur më mirë Perëndinë, dhe për të qenë në një mendje me autoritetin e tij. Psalmi 119 fillon duke thënë: “Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit. Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër” (Psalmi 119:1-2) Pse është bekim të jetosh nën autoritetin e Perëndisë? Një arsye është se je në kontakt me realitetin. Perëndia është madhështor, ka në dorë universin; diçka që ti nuk e ke. Jezusi erdhi në tokë për të predikuar rreth mbretërisë së Perëndisë, autoritetit të tij dhe mbretërimit të tij. Ai premtoi drejtimin dhe bekimin e jetëve tona. Nëse e beson atë lajm të mirë, dhe jeton i lumtur nën drejtimin e Krishtit mbret, ti do të fluturosh më lart. Nëse e shpërfill autoritetin e Perëndisë, ti do të përplasesh dhe do të digjesh.
“Një pilote po praktikonte manovra të shpejtësisë së lartë me një avion luftarak. Ajo ndryshoi kontrollin me mendimin se i kishte dhënë avionit një udhëzim për të fluturuar lart, por në fakt kishte dhënë të kundërtën dhe, u përplas pingul me tokën. “Ky është një shembull i ekzistencës njerëzore në kohët tona”, shkruan Dallas Uillërd. (Dallas Willard) shumë prej nesh si individë, apo si shoqëri njerëzore, jetojmë duke vrapuar me shpejtësi, shpeshherë nuk ia kemi idenë nëse po fluturojmë lart apo poshtë.” Në të njëjtën mënyrë jetët tona shkatërrohen kur shpërfillim autoritetin e Perëndisë dhe, udhëheqjen e Fjalës së tij. Ne shkatërrojmë shëndetin, familjen, kulturën, dhe dinjitetin tonë, i shkatërrojmë të gjitha njëra pas tjetrës, dhe nëse nuk mësojmë cila është rruga për lart, do të përfundojmë përgjithmonë në ferr. Ne duhet të mësojmë se çfarë ka lart dhe çfarë ka poshtë. Kur dëshirojmë vullnetin e Perëndisë dhe i besojmë autoritetit të Tij, mund të fluturojmë direkt lart.
Kënaqësi e pastër
Jeta e jetuar nën autoritetin e Perëndisë është rruga drejt kënaqësisë së vërtete: ajo është e pastër dhe e dëlirë, e njëkohësisht e kënaqshme dhe e këndshme. Psalmi 119 thotë: “Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde. E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.” (v. 9, 11) Mëkati mund të sjellë njëfarë kënaqësi, por kjo nuk do të jetë asnjëherë kënaqësi e mirëfilltë. Mëkati gjithmonë të le një shije të keqe dhe të sëmur.
Besimi dhe bindja sjell kënaqësi të vërtetë. Psalmi 119 pohon: “Gëzohem duke ndjekur porositë e tua, ashtu sikur të zotëroja tërë pasuritë. Do të kënaqem me statutet e tua. Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time. Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën. Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.” (v. 14,16,35,97,103)
Një çift i martuar, më tregoi se të dy ishin rritur pa marrë parasysh udhëzimin e Fjalës së Zotit. Familjet nuk u kishin mësuar asgjë për pastërtinë seksuale. Bashkëshorti tha se kur ishte i ri, drejtimi i vetëm në këtë fushë erdhi kur anëtarët e familjes do ta pyesnin nëse kishte vënë bast për ndonjë vajzë fundjavën e kaluar. Gruaja tha se kur ishte e re, drejtimi i saj i vetëm erdhi kur e ëma i tha: “Më njofto kur dëshiron të kryesh marrëdhënie me djemtë, që të të blej kontraceptivë.” Kështu që para se ky burrë dhe kjo grua të takoheshin bashkë, ata kishin pasur partnerë të ndryshëm seksualë. Pasi u takuan, ata jetuan bashkë për disa vite para se të martoheshin. Ata nuk jetonin me anë të ligjit të Perëndisë për të ruajtur seksin për në martesë.
Por sot ata janë bërë të krishterë dhe studiojnë Biblën. Ata shikojnë se si sjellja e mëparshme i largonte shumë prej gëzimit të tyre. Megjithatë, ata nuk vijnë rrotull duke u ankuar. Tani ata e njohin Perëndinë dhe Fjalën e Tij dhe, rrugët e Zotit i duken përtëritëse dhe emocionuese. Ata po qëndrojnë besnikë ndaj njëri-tjetrit, e po i drejtojnë fëmijët e tyre në një mënyrë krejt ndryshe nga ajo që ishin rritur vetë. Ata dëshirojnë që fëmijët e tyre të ruajnë veten për martesë dhe të shijojnë kënaqësinë e vërtetë.
Autoriteti i Perëndisë drejton jo vetëm seksualitetin tonë, por edhe përdorimin e parave. Ai përcakton qëllimet që vendosim, mënyrën se si flasim, si e bëjmë punën, si mendojmë dhe formulojmë teori, si i falim shkeljet e të tjerëve ndaj nesh, si e shohim çdo çast të jetës si një dhuratë nga Perëndia, e që duhet jetuar për lavdi të Tij.
Kjo ndihmon që të shijojmë mirësinë e botës së Perëndisë pa lënë një shije të keqe.
Kur ti nuk e do Perëndinë dhe nuk i bindesh Atij, universi mund të duket i ftohtë dhe armiqësor. Por kur jeton nën autoritetin e Perëndisë, Perëndia është pranë teje dhe dashuria e Tij të shoqëron kudo që të shkosh. Psalmi 119 thotë ” Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate. O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua. Mirësia jote qoftë përdëllimi im.” (v. 41, 64, 76)
Kënaqësia e vërtetë e shijimit të dashurisë së Perëndisë kudo që shkon dhe në gjithçka që bën.
Kjo nuk i ndodh çdokujt, dhe nuk ndodh në mënyrë automatike. Kjo ndodh vetëm kur ti e do Jezusin, kur jeton nën autoritetin e tij dhe i bindesh mësimeve të tij. A nuk duket sikur jemi në ligj kur e lidhim ligjin e Perëndisë me dashurinë e Tij? Psalmi 119,vazhdimisht e lidh ligjin dhe dashurinë , e Jezusi vetë e lidh dashurinë me bindjen. Një prej dishepujve të Jezusit e pyeti: “Juda, jo Iskarioti, i tha: “Zot, si vallë do të na dëftehesh neve dhe jo botës?”. Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai. Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar.” (Gjoni 14:22-24) “Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time. Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij. Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.” (Gjoni 15:9-11) Autoriteti i Perëndisë nuk është legalizëm. Është kënaqësi e vërtetë dhe liri e përsosur.
Liri e përsosur
Psalmi 119 thotë, “Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën.” (v. 32) “Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.” (v. 45) Fjala e Zotit nuk e shkatërron lirinë: ajo na bën të lirë! Jezusi thotë: “Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi;do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.” (Gjoni 8:31-32)
Satani thotë se nuk je i lirë po që se nuk shkon atje ku Perëndia të ndalon shkosh. Por çfarë do të mendoje po të të thoshte dikush që nuk je vërtetë i lirë derisa të jetosh në një burg? Imagjino sikur i afrohesh një zone burgu. Ti shikon mure dhe një tel me gjemba, dhe shikon paralajmërime që thonë se kjo është një zonë burgu dhe nuk duhet t’i afrohesh. A do të thoshe: “Unë dua të jem i lirë, nuk mund të jem i lirë nëse nuk mund të shkoj kudo në botë. Unë nuk mund të jem i lirë, nëse nuk jam i lirë të shkoj brenda atij burgu kompleks dhe të jetoj brenda një qelie.” Liria e Perëndisë të nxjerr ty prej mureve të burgut për të shijuar ajrin e freskët dhe kullotat e gjelbëruara. Ndërsa lira e Satanit të largon prej ajrit të pastër dhe fushave të mëdha dhe të jep ty “lirinë” (në thonjëza) që të thithësh ajrin e ndotur të birucës së mëkatit dhe skllavërisë.