Nga fillimi deri në fund ne si të krishterë jemi të përfshirë në beteja. Beteja për disa është në anën shpirtërore, kjo përmendet tek Romakëve 7, beteja e tundimit. Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë por nuk e bëjmë, ne e dimë se çfarë nuk duhet të bëjmë por e bëjmë ama. Kjo na çmend fare. Ky është një parafrazim i Romakëve 7.
Shumë prej nesh e njohin disi këtë betejë të brendshme. Ne çuditemi ndonjëherë kur dëgjojmë se një person e ka shkatërruar jetë e tij duke rënë në një mëkat që nuk duhet ta bënte. Ne themi: “Nuk mund ta besoj. Ai person kishte gjithçka që i duhej. I ra me shkelmë për hiç mos gjë.”
Por përse duhet të çuditemi kaq shumë? Gjithë mëkati është marrëzi, nuk ka kuptim, dhe është mundues për veten.
Më e bukura është se ne e dimë këtë kur mëkatojmë. Ne e dimë shumë mirë se çfarë po bëjmë dhe se sa shkatërruese është e gjitha kjo. Por e bëjmë gjithsesi. Dhe jo se nuk dimë të bëjmë më të mirën. Por thjesht e bëjmë!
E bëjmë këtë sepse dorëzohemi në betejë, nuk duam të luftojmë më. Bëhet fjalë për atë betejë që ndodh brenda nesh, në lidhje me trupin tonë, me preferencat, impulset dhe varësitë tona. Por nuk është gjithmonë kështu.
Bëhet fjalë për një betejë shpirtërore që Satani fut hundët sa më shumë të jetë e mundur për ti vështirësuar marrjen e vendimeve dhe, pse jo për të shkatërruar marrëdhëniet tona me të tjerët.
Po, kjo betejë është shpirtërore, por njëkohësisht është e dukshme në sytë e botës.
Për të gjithë ne, pavarësisht nëse e kuptojmë ose jo, ne si qytetarë të mbretërisë së Perëndisë jemi të përfshirë në një betejë që shihet nga këndvështrimi i botës.
Çdo kush ka një këndvështrim për botën, një sistem për mirëkuptimin e jetës, një sërë vlerash dhe besimesh që e bëjnë jetën të më qëndrueshme.
Materializmi, racizmi dhe militarizmi, nuk janë të vetmet prirje të pafajshme në botën përreth.
Këto janë pikëpamje të botës, që formojnë jetën, e mënyrën se si njerëzit gjejnë kuptim për jetën e tyre.
Dhe ato nuk janë neutrale. Ato qëndrojnë kundër pikëpamjes që të krishterët kanë për botën.
Aty ku Jezus Krishti është Zot, dhe të gjithë gjërat i nënshtrohen atij, dhe ku mbretëria e Krishtit është e gjitha në gjithçka.
Pavarësisht nëse e dimë ose jo, kisha e Jezus Krishtit është në një betejë për të mbrojtur jetën e vet kundër pikëpamjes së botës që kundërshton mbretërinë e Perëndisë.
Një prej gjërave më mahnitëse në botën tonë sot është kur kuptojmë se sa globale janë këto beteja.
Merr materializmin si shembull.
Ne e mendonim materializmin si gjetja e kuptimit të jetës në gjërat që zotërojmë, dhe dhënia e shpirtit tonë për të zotëruar më shumë gjëra…
Ne e mendonim materializmin si një sëmundje e veçantë e perëndimit, sidomos e Amerikës së Veriut.
Por me globalizimin, materializmi mund të jetë beteja më e ashpër mbarë botërore, kundër së cilës është angazhuar krishterimi.
Po ka edhe beteja të brendshme. Dhe është e rëndësishme që të kuptojmë betejat tona qoftë ato afatgjata dhe afatshkurtra.
Betejat që luftojnë ne si të krishterë, nuk janë gjëra që i hasim njëherë dhe me kaq mbaron.
Jam e mahnitur se sa shumë njerëz tregojnë se betejat e tyre me djallin janë të shpeshta se më parë,dhe se tani ata duhet të jenë më të qëllimshëm në lutje se sa kanë qenë. Po kështu, ata duhet t’i kujtojnë vetes vazhdimisht për të vërtetat e mëdha shpirtërore të hirit të pakushtëzuar të Perëndisë, sepse Satani, punon jashtë orarit, duke u munduar të krijojë dyshime, dyshime për veten, dyshime rreth ungjillit, dyshime se Perëndia nuk na do pa kushte.
Po, jeta e krishterë është një betejë. Ne si bij të dritës, jemi të përfshirë në një betejë me të ligun.
Ne duhet të jetojmë me fitoren dhe jo vetëm në atë të Jerikos por edhe atë të Kalvarit. Krishti ka fituar betejën me Satanin.
Beteja vendimtare është fituar; betejat që luftojmë sot, i luftojmë duke ditur se Satani është dënuar dhe ne kemi Fituar me anë të Krishtit. Ne jemi “më shumë se fitimtarë.”
Pra gjëja e parë që vërejmë në historinë e Jerikos është se beteja e Jerikos është shumë më tepër se sa një betejë ushtarake.
Kjo është një betejë e shenjtë, pjesë e betejës së vazhdueshme mes Krishtit dhe të ligut, një betejë në të cilën ne jemi përfshirë akoma edhe sot.
Së dyti, vemi re në këtë histori të betejës së Jerikos se kjo është shumë më tepër se historia e një beteje, një histori rreth shpëtimit, çlirimit, shpengimit! Por kjo është edhe historia jonë!
Nëse shtata është numri më domethënës në Bibël, atje ka diçka tjetër domethënëse. Tre herë në këtë histori, (vargjet17, 22-23, dhe 25), përmendet Rahabi. Jo, thjesht Rahabi, por Rahabi prostituta. Ne strukemi kur dëgjojmë këtë. Perëndia mund ta kishte përmendur njëherë të vetme emrin e saj me një shënim të shkurtër poshtë kapitullit 2, pa qenë nevoja ta përmendte më.
Tre herë dëgjojmë rreth prostitutës Rahab dhe se si Perëndia do ta mbajë premtimin e Tij dhe do ta shpëtojë atë. Gjithçka dhe gjithkush në atë qytet është shkatërruar. Ndërsa prostituta Rahab, shpëtohet. Në mes të kësaj beteje ku ka shumë vdekje dhe dhunë, ka shpëtim.
Dhe Rahabi vazhdon të shfaqet në vende të tjera të Biblës, ajo është pjesë e historisë më të madhe të shpëtimit, që paraqet Bibla.
Rahabi është në hollin e besimit tek Hebrenjtë 11, një kapitull i Biblës që liston heronjtë më të mëdhenj që kanë ekzistuar ndonjëherë. Po Rahabi renditet ndër heronjtë më të mëdhenj të besimit.
Dhe për më tepër ajo renditet në pemën familjare të Jezusit.
Tek Mateu 1, ku jepet gjenealogjia e Jezusit, Rahabi përmendet tek vargu 5 si pjesë e pemës familjare prej së cilës lindi edhe Jezusi.
Dhe më pas kur mendojmë për Rahabin, nuk rrimë dot pa menduar për prostitutën në Bibël, prostitutën që Jezusi e shpëtoi nga turpi.
Farisenjtë, njerëzit super religjiozë të kohës së Jezusit, ishin gati ta gjuanin gruan kurorëshkelëse për mëkatet e saj seksuale por Jezusi tha:
“Jo.” Kjo histori e madhe përfundon me fjalët që Jezusi i thotë kësaj gruaje: “Unë nuk të dënoj ty, shko dhe mos mëkato më.”
A nuk është interesante që Perëndia zgjedh mëkatin (mëkatin seksual) pikërisht atë që njerëzit fetarë, përdorin rastin më të parë për të gjykuar të tjerët, për t’i mbuluat me turp, për ti përjashtuar ata. Jezusi përdor këtë mëkat dhe njerëzit që kanë kryer atë krim, si rastin më të mirë për të treguar dashurinë e Tij, hirin e Tij, shpëtimin e Tij, pranimin e Tij, faljen e Tij, jo vetëm faljen, por edhe përfshirjen e Rahabit ndër njerëzit më të mëdhenj të besimit.
Ajo është e vetmja grua që merr pjesë në gjenealogjinë e Mateut dhe në hollin e besimit që gjejmë tek hebrenjtë. Kjo është një histori rreth shpëtimit.
Dhe shkruesi i Jozueut 6 nuk e ka problem t’i bashkojë këto dy mesazhe së bashku, mesazhin e betejës së shenjtë, dhe atë të shpëtimit. Në fakt, ne e njohim pjesën tjetër të shkrimeve, dhe nga vetë jeta jonë e dimë se Perëndia është i përfshirë në një betejë kozmike, me Satanin, Dhe arsyeja përse ai është i përfshirë në këtë është se ai dëshiron të shpëtojë botën. Pra jo vetëm të shpëtojë Rahabin por edhe ne.
Disa prej jush mund të ndihen si të dështuar, ashtu si Rahabi. Ti ke bërë gjëra të papranueshme.
Ti e ke mbuluar jetën tënde me turp. Nëse njerëzit do të mësonin gjithçka rreth teje, ti je i sigurt se ata do të të refuzonin, veçanërisht njerëzit fetarë.
Por e vërteta është se Perëndia i atyre njerëzve fetarë, vjen tek ti sot dhe të thotë: unë di gjithçka për ty, por përsëri të dua. Dhe dua më të mirën për ty. Unë vdiqa për njerëz si ty. Qëllimi im nuk është të të dënoj ty, por të të shpëtoj. Dhe pasi e ka bërë këtë të qartë për ty, se Ai të do, se Ai vdiq për ty, se Ai vdiq që të merrte mbi vete dënimin e mëkateve të tua, Ai të thotë: “Shko tani dhe mos mëkato më.”
Dhe ai nuk të shpëton ty për tu bashkuar me një grup njerëzish të shpëtuar. Por ai të shpëton ty për tu futur në këtë betejë të vazhdueshme që e ka fituar Krishti i ringjallur prej së vdekurish.
Beteja përfundimtare e historisë tashmë është fituar, fitorja është e sigurt.
A nuk do të bashkohesh edhe ti në betejën për paqe, mirësi, hir drejtësi dhe paanësi në botë? Perëndia të fton ty në kauzën më kuptimplotë që mund të ekzistojë. Shpresoj që ti të bashkohesh me të, për hir të emrit të tij, dhe për hir të botës. Amen.