Mrekullitë e botës së egër
Udhëtimi i shpejtë i Perëndisë me Jobin në natyrë sapo ka filluar. Pasi ka pyetur shumë për krijesat jo të gjalla, Perëndia e pyet Jobin për krijesat e gjalla. Ai e pyet për kafshët, veçanërisht për kafshët e egra që nuk janë zbutur nga njerëzit, as është treguar interes i veçantë. Ato krijesa të çuditshme që të bëjnë të qeshësh apo të tundësh kokën, krijesa të pavlera që nuk i shërbejnë për asgjë krijimit. Por ajo që na duket e çuditshme është fakti që ato mbeten nën kujdesin dhe sundimin e Perëndisë. Ajo që neve na duket aq e çuditshme është krijuar prej urtësisë së Perëndisë. Ajo që neve na duket e pavlerë, për Perëndinë është argëtuese dhe shumë e këndshme.
Disa kafshë shtëpiake dhe bagëti ushqehen prej njerëzve, por kafshët e egra dhe zogjtë ushqen në mënyra që s’kanë lidhje fare me njerëzit. Perëndia e pyet Jobin, ” A mund ta gjuash ti gjahun për luaneshën apo të ngopësh të vegjlit e uritur të luanit…Kush i siguron korbit ushqimin e tij, kur zogjtë e tij i thërrasin Perëndisë dhe enden pa ushqim?” (38:39-41) Krijesat e botës së egër, nuk mbështeten te ne por te Perëndia. Njerëzit mund të dëmtojnë ekosistemet dhe të shkatërrojnë krijesat, por nuk mund të krijojnë kafshët dhe zogjtë, dhe nuk mund të krijojnë ekosisteme ku lulëzon bota e egër. Vetëm Perëndia e bën këtë.
Kafshët e egra nuk marrin ushqim prej njerëzve, dhe ato nuk kanë nevojë për ndihmë njerëzore që të lindin të vegjlit e tyre. Perëndia i thotë Jobit ” Mblidhen dhe pjellin të vegjlit e tyre, duke u dhënë fund kështu dhembjeve të tyre. Të vegjlit e tyre bëhen të fortë, rriten jashtë, shkëputen dhe nuk kthehen më pranë tyre.”(39:1) Ne njerëzit nuk e mbikëqyrim as nuk asistojmë lindjen në botën e egër. Ne nuk i numërojmë ditët deri sa cjeptë a drerët e vegjël të linden. Por falë Perëndisë, kafshët e egra lindin pa ndihmën tonë. ” Mblidhen dhe pjellin të vegjlit e tyre, duke u dhënë fund kështu dhembjeve të tyre. Të vegjlit e tyre bëhen të fortë, rriten jashtë, shkëputen dhe nuk kthehen më pranë tyre ” (39:3-4)
Nëse tundohemi të mendojmë se bota sillet rrotull nesh dhe se varet prej nesh, Perëndia na pyet për krijesat e botës së egër, që nuk mbështeten në ndihmën tonë apo që nuk ndjekin ritmin tonë as i shërbejnë qëllimeve tona. Në kohën e Jobit, dhitë furnizonin njerëzit me qumësht; gomerët mbartnin gjëra; qetë plugonin tokën dhe tërhiqnin karrocat.
Kafshët mund të jenë të dobishme për ne, e ne mund të themi se ato janë krijuar për hatrin tonë. Por Zoti mendon ndryshe. Përveç specieve të zbutura të dhive, gomerëve dhe qeve ka edhe specie të tjera të egra.
Dhitë e malit kanë të vegjlit e tyre që i ushqejnë me qumësht, pa ja dhënë qumështin njerëzve. Gomerët e egër jetojnë të lirë, larg prej vendbanimeve njerëzore, duke mos i shërbyer askujt e duke e siguruar vetë ushqimin e tyre. Po ashtu edhe qetë e egra bëjnë të njëjtën gjë: ato nuk punojnë për njerëzit. Nëse mendojmë tërë krijesat dhe ngjarjet që sillen rrotull njerëzimit tonë, duhet ta mendojmë më mirë.
Perëndia pyet, ” Kush lë të lirë gomarin e egër, kush e ka zgjidhur gomarin e egër, të cilit i kam caktuar të rrijë në shkretëtirë dhe tokën e kripur si banesë? Ai përçmon zhurmën e qytetit dhe nuk dëgjon britmat e asnjë zotërie. Hapësirat e gjera të maleve janë kullota e tij, dhe ai shkon dhe kërkon çdo gjë që është e gjelbër..” (39:5-8)
Gomerët e egër nuk i shërbejnë interesave njerëzore, por Perëndia gëzohet në to.
Në të njëjtën mënyrë, qetë e egra nuk i ndihmojnë njerëzit për të punuar tokën ashtu si qetë e zbutura. Perëndia pyet: ” Bualli vallë a pranon të të shërbejë ose të kalojë natën pranë grazhdit tënd? A mund ta lidhësh vallë buallin me litar që të lërojë tokën në hulli, ose të lesojë luginat pas teje? A do t’i kesh besim atij, sepse forca e tij është e madhe, ose do t’ia lësh atij punën tënde?” (39:9-11)
Bualli i egër është shumë ndryshe nga kushëriri i tij i zbutur. Bualli i egër mund të çajë me brirë, apo të vrasë një njeri, por nuk do të punonte kurrë për të.
Bualli i egër ka një fuqi të jashtëzakonshme, por ai nuk mund të mbrehet për qëllime njerëzore. Kështu që si guxojmë ne të mendojmë se krijuesi i këtij bualli të egër mund të zbutet për tu përdorur prej njerëzve dhe të shfrytëzohet në hesap të planeve të tyre? Perëndia është i mirë. Ai nuk kontrollohet nga asnjë prej dëshirave të njeriut, dhe Ai nuk punon për ne dhe as nuk merr urdhra prej nesh.
Teksa Perëndia vazhdon guidën e tij në mbretërinë e botës së egër, ai ia tërheq vëmendjen e Jobit tek një zog i pazakontë: struci. Struci ka krahë dhe i përplas ato por nuk mund të fluturojë. Struci femër nuk kujdeset shumë mirë për vezët e saj apo për të vegjlit. Duket se kur Perëndia i dhuroi tru krijesave të tij, struci ishte i fundit në resht. Por për disa arsye që ne nuk i dimë, Perëndia i dha këtij shpendi aftësinë që të vraponte shumë shpejt. (39:13-18) Sa çudi!Një zog që nuk mund të fluturojë por mund të vrapojë si një kalë!! Pse ka krijuar Perëndia diçka kaq të çuditshme? Vetëm Perëndia e di, Ai nuk e thotë arsyen pse. Si mund të njohim dhe gjykojmë thellësinë e mendimeve të Perëndisë, nëse nuk kuptojmë pse është kështu struci?
Ne nuk duhet të presim që të gjitha gjërat t’i shërbejnë dëshirave tona personale, apo të kenë kuptim për ne.
Ato janë krijuar për lavdinë dhe kënaqësinë e Perëndisë. Kjo është arsyeja kryesore pse Perëndia i krijoi ato. Dhe kjo është arsyeja kryesore pse Ai na krijoi ne: për lavdinë dhe kënaqësinë e vet.
Edhe një kafshë e zbutur , e stërvitur ka mjaft forcë dhe shpirt për të na bërë që të habitemi dhe të kemi frikë. Merr si shembull kalin. Perëndia pyet, ” A je ti ai që i ke dhënë forcën kalit dhe ia ke veshur qafën me jele që valëviten? A je ti ai që e bën të kërcejë si një karkalec? Hingëllima e tij krenare të kall tmerr. Çukërmon në luginë duke u kënaqur nga forca e tij; sulet në mes të kacafytjes me armë ” (39:19-21) Një kalë i fuqishëm lufte që bëhet gati për betejë është një mrekulli e frikshme edhe për mua, që jam rritur në një fermë me kuaj. Mund të them se janë kafshë të mrekullueshme. Shumë fëmijë tërhiqen prej kuajve dhe i duan shumë historitë me kuaj. Një hamshor i vërtetë mund të na magjepsë dhe të na mrekullojë, sepse burimi më i madh i forcës dhe shpirtit të tij është vetë Krijuesi i këtij kali.