Bota e egër

Print

Titulli: Bota e egër (pjesa 1)

A ke thënë ndonjëherë me vete se nëse Perëndia është i vërtetë, Ai duhet ta bënte më mirë punën e drejtimit të botës? A e ke pyetur veten se pse Perëndia e lejon trishtimin dhe dhimbjen, në vend që të mos lejojë që të ndodhë asgjë e keqe? A ke dashur ndonjëherë që Perëndia të të fliste e të të jepte një shpjegim?

Kur ndodhin gjëra të tmerrshme edhe njerëzit më të perëndishëm nuk mund të rrinë pa thënë; “Pse mua, pse më ndodhi mua kjo?” Kur financat shterojnë apo të dashurit vdesin, apo kur  ju bie një sëmundje, duket sikur bota juaj nuk ka kuptim. Atëherë Perëndia duket si pa kuptim. Gjërat që ke besuar gjithmonë mund të duken më të pasigurta. Edhe sikur të mbahesh fort pas disa bindjeve bazë, ato bindje mund të mos ndihmojnë shumë. Ti ndihesh bosh, vetëm dhe i mjerë. Ti ndihesh sikur Perëndia nuk po të merr parasysh, më keq akoma, sikur Ai të ka vënë në shënjestrën e mundimeve.

Ah sikur vetëm Perëndia ta bënte veten e Tij të njohur dhe të ta shpjegonte situatën!

Po sikur Perëndia të vinte dhe të të fliste ty? Po sikur Perëndia të të jepte një mundësi për të arsyetuar me Të? Nëse ke vuajtur për faj të diçkaje që nuk e ke bërë, çfarë do të thoshte Perëndia në përgjigje të pyetjes tënde? Dhe pasi Perëndia të jepte përgjigjen e  Tij, si do t’i përgjigjeshe ti?

Libri i Jobit na tregon për një njeri që donte të arsyetonte me Perëndinë. Jobi është një njeri i mirë i cili vuan shumë fatkeqësi. Pasuria e Jobit është shkatërruar, fëmijët e Jobit dhe shumë prej punonjësve të tij janë vrarë, dhe shëndeti i Jobit është shkatërruar. Edhe pse ka ndodhur kjo, Jobi nuk e mallkon Perëndinë as nuk ndalon së besuari në Të. Por Jobi proteston dhe e pyet Perëndinë se pse duhet të vuante kaq keq kur shumë njerëz të tjerë që janë shumë më të këqij se ai, duken sikur po begatohen. Jobi ka miq të cilët i ofrojnë shpjegime të ndryshme, por ato fjalë nuk bëjnë gjë tjetër veçse e trishtojnë Jobin më shumë. Jobi vazhdo t’i lutet Perëndisë që t’i përgjigjet atij dhe më në fund Perëndia i përgjigjet!

Por në vend që t’i japë Përgjigje Jobit, Perëndia i bën Jobit një sërë pyetjes njëra pas tjetrës dhe pyetjet e Perëndisë duket sikur nuk kanë shumë lidhje me problemet e veçanta të Jezusit. Perëndia nuk thotë asnjë fjalë se përse Jobi e humbi pasurinë dhe shëndetin e tij. Perëndia nuk thotë asnjë fjalë se pse vdiqën fëmijët e Jobit. Në vend të kësaj, Perëndia i bën Jobit një tur të shpejtë rreth natyrës dhe, e pyet atë për gjëra që ai nuk mund t’i kuptojë apo kontrollojë, duke u fokusuar veçanërisht te bota e kafshëve të egra.

Pse duhet ta bënte Perëndia këtë? Në rast se një njeri kërkon përgjigje për problemet e veta, pse e ndryshon temën Perëndia dhe flet për mbretërinë e kafshëve të egra? Mirë, kjo mund të duket e çuditshme, por Perëndia e di se çfarë është duke bërë. Pasi Jobi e takon Zotin dhe dëgjon pyetjet e Perëndisë, Jobi papritur nuk ka më pyetje apo ankime. Jobi bindet me përulësi dhe me kënaqësi të plotë.

Kur përballemi me dhimbjen dhe pyetjet e vështira, ne dëshirojmë një shpjegim, por a është shpjegimi vërtetë nevoja jonë më e madhe? Një shpjegim i gabuar mund të bëjë shumë dëme, madje edhe një shpjegim i saktë ndonjëherë nuk bën punë. Arsyet e Perëndisë shpesh kalojnë përtej asaj që mund të kuptojë mendja jonë. Madje edhe sikur të mund të kuptonim disa prej arsyeve të tij, të marrësh përgjigje për mendjen nuk do të thotë se merr shërim për zemrën. Ne kemi nevojë për besimin më shumë se sa për kuptim. Admirimi dhe lavdërimi i Perëndisë na shërben më shumë se sa arsyetimi me Perëndinë. Ne duhet të kuptojmë se pavarësisht shqetësimeve tona personale, ne jetojmë në një botë të egër dhe plot me mrekulli, dhe se pas saj qëndron një Perëndi i mrekullueshëm dhe një Krijues i dashur. Kur ai realitet bëhet i njohur për ne, ne përulemi dhe shërohemi.

Një tur në vorbullën e erës

Zoti i foli Jobit nga një vorbull ere. Çfarë ka më të çuditshme dhe më të paparashikueshme se një tornado apo një shtrëngatë? Ti nuk e di asnjëherë se ku mund të fillojë një tornado. Asnjëherë nuk e di se ku mund të bjerë një vetëtimë. Mund të jetë e frikshme, megjithatë mund të jetë mahnitëse të shohësh një stuhi në veprim. Pikërisht nga një stuhi kaq e egër i erdhi Jobit, zëri i Perëndisë: ” Mirë, pra, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh” (38:3) Perëndia e pyet Jobin dhe Ai fillon duke i krahasuar hapat e parë e krijimit të botës, me fazat e hershme të ndërtimit të një ndërtese:

Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi. Kush ka vendosur përmasat e saj, në rast se e di, ose kush ka vënë mbi të litarin për ta matur? Ku janë vendosur themelet e saj, ose kush ia vuri gurin qoshes? (38:4-6)

Ndonëse jetojmë në epokën shkencore, nuk mund të shpjegojmë se si universi erdhi në ekzistencë nga asgjëja,  se si koha dhe hapësira filloi, se si materia dhe energjia filloi. Është mëse e mrekullueshme kjo gjë, aq sa t’i lërë njerëzit pa fjalë dhe t’i bëjë engjëjt të këndojnë.

Teksa Zoti vazhdon të bëjë pyetje, Ai pyet se kush ia cakton caqet ujit dhe kush kontrollon detin dhe retë. Perëndia e pyet Jobin: “A ke urdhëruar ndonjëherë lindjen e diellit që t’i japë fund natës, dhe që largojë ligësinë e saj në kërkim të një vendi ku të fshihet?

A ke qenë n ndonjëherë në fund të oqeanit, mos të përmendim më thellësitë e vdekjes? Nëse dëshiron të jesh një person që i di të gjitha dhe mendon se mund ta drejtosh më mirë botën, a mund ta kontrollosh dritën dhe errësirën? A e di se ku fillon një vetëtimë, apo se ku fillon të fryjë era? A i drejton ti shtrëngatat? A e ujit ti tokën me vesën dhe shiun? A e krijon ti ngricën dhe akullin? A e bën ti të mundur kthimin e lëngut në diçka të ngurtë, në mënyrë që uji të kthehet në akull të fortë? A mund të kontrollosh yjet dhe yjësitë?  A i vendose ti ligjet për tokën? A të raportojnë retë dhe vetëtima ty, sikur të ishe shefi i tyre? (38:8-35) Bota e Perëndisë është tepër e egër për tu kontrolluar prej nesh, plot me mrekulli, aq sa nuk mund ta imagjinojmë.

Disa gjëra ne jemi në gjendje t’i perceptojmë dhe t’i dimë disi, por kush e shpiku mendjen njerëzore, apo fuqinë e saj arsyetuese? Perëndia pyet, ” Kush e ka vënë diturinë në mendje, ose kush i ka dhënë gjykim zemrës?” (38:36) Disa njerëz me “shumë tru” kanë pohuar se nuk është racionale të besosh te Perëndia. Por si mendon, nga u erdhi atyre aftësia e trurit? Nga evolucioni i rëndomtë? Në atë rast, truri i tyre do të kishte evoluar nga një copë mishi. Nuk ka arsye pse të presim që një copë mishi e zakontë dhe e evoluar të dijë diçka me saktësi, dhe nuk ka arsye të presim një botë të zakontë që të jetë plotësisht e kuptueshme.

Por Perëndia, i Cili krijoi botën, na krijoi edhe mendjen. Kjo është arsyeja pse mendja jonë ka të paktën një farë inteligjence dhe bota është të paktën e kuptueshme. Para se të arsyetojmë me Perëndinë ne duhet ta nderojmë atë si Autorin, i Cili Krijoi mendjet tona me aftësinë për të pyetur. Para se të përdorim urtësinë e Perëndisë për të gjykuar urtësinë e Tij, ne duhet të kuptojmë se ajo pak zgjuarsi që kemi , është dhuratë e Perëndisë për ne dhe është një grimë e vogël krahasuar me urtësinë e Tij të pafund. Nëse nuk jemi të gatshëm të pranojmë se mendja jonë vjen nga një Mendje shumë herë me madhe se e jona, tërë arsyetimet tona janë të kota dhe gjithçka tjetër pa kuptim. Ne nuk mund ta shmangim pyetjen që Perëndia i bëri Jobit: ” Kush e ka vënë diturinë në mendje, ose kush i ka dhënë gjykim zemrës?”.