Dua te vazhdoj temën tonë: “çfarë është njeriu?” atje ku lamë herën e kaluar. Astronomi Karl Segën (Carl Sagan) refuzoi këndvështrimin e lartë të Biblës për njerëzimin dhe pranoi këndvështrimin e Darvinit. Sipas fjalëve të Segënit: Përgjatë gjithë kohës së ekzistencës së tij njeriu, ka qenë duke kërkuar vendin e tij në kozmos: “Ku jemi?
Kush jemi ne?” Pas këtyre pyetjeve zbulojmë se jetojmë në një planet të parëndësishëm të një ylli të mërzitshëm që ka humbur në galaktikë dhe është futur në një cep të harruar të universit, në të cilin ka më shumë galaktika sesa njerëz.
Shkruesi i Psalmit 8 do të pajtohej me Segënin se ne dukemi të vegjël krahasuar me madhështinë e hapësirës. Por ndërkohë që Segëni(theksi bie te e) e shikon këtë si një shenjë që tregon se ne si i njerëz nuk kemi shumë rëndësi. Psalmisti e shikon atë si një arsye më tepër për të lavdëruar madhështinë e Perëndisë. Ai mrekullohet sesi Krijuesi i pafund i yjeve dhe galaktikave i ka dhënë kaq shumë rëndësi, disa krijesave të vogla siç jemi ne. Segëni e përshkruan vendin tonë në univers me fjalët: “të parëndësishëm”, “të mërzitshëm” dhe të “harruar”.
Psalmisti thotë se ne jemi “kurorëzuar me lavdi dhe nder” dhe se Perëndia vetë na njeh dhe kujdeset për ne.
Një ndërtesë e lartë në kompleksin e Universitetit të Harvardit ka mbishkrimin me letra të mëdha: ” Çfarë është njeriu që ti ta vizitosh?” Këto fjalë nga Bibla janë shkruar në një kohë kur Harvardi ishte ende i interesuar për trashëgiminë e tij të krishterë. Harvardi nuk është më një universitet i krishterë, por ato fjalë qëndrojnë ende mbi Harvard dhe mbi gjithë shoqërinë bashkëkohore. Darvinizmi i përgjigjet pyetjes: ” Çfarë është njeriu?”, pa iu referuar Perëndisë, duke këmbëngulur se ne jemi thjesht rezultat i rëndomtë i një procesit të paqëllimshëm. Por Bibla i përgjigjet pyetjes “çfarë është njeriu” duke iu referuar Perëndisë, duke shpallur se jemi krijuar sipas imazhit të Perëndisë dhe, jemi kurorëzuar me lavdi. Kjo e bën çdonjërin prej nesh të rëndësishëm, dhe siguron çelësin për të kuptuar se kush jemi ne.
Racionaliteti
Merr faktin që ne jemi qenie racionale. Ne kemi aftësinë të mendojmë, të kujtojmë, të nxjerrim përfundime, të përdorim gjuhën dhe të komunikojmë me të tjerët. Por si e kuptojmë se mendimet tona kanë lidhje me realitetin? Le të mendojmë pak për këtë. Si e kupton se gjithçka ekziston jashtë mendjes tënde? Si e kupton se ky nuk është vetëm një iluzion? Si e kupton se njerëzit e tjerë ekzistojnë? Ti nuk mund ta vërtetosh atë. Por njëkohësisht nuk ke si të mos e besosh. Ti thjesht e di atë në “njohjen” tënde.
Ose çfarë mund të themi për kujtesën? Si e kupton që nuk erdhe papritur në ekzistencë para pesë minutash, me një tru plot me sinjale që kryesisht u ngjajnë kujtimeve? Ti nuk mund të vërtetosh se kujtimet e tua janë reale, ti thjesht e di këtë në njohjen tënde. Pse kështu? Sepse kështu të ka krijuar Perëndia.
Megjithatë, nëse beson këndvështrimin darvinist të origjinës njerëzore,ai nuk ka aspak të bëjë me Perëndinë. Ti nuk ke arsye të mendosh se qeniet njerëzore kanë kapacitet të formuar për të njohur të vërtetën. Profesori i njohur Riçard Rorti insiston se qeniet njerëzore nuk janë projektuar për të njohur atë që është e vërtetë, apo për të kërkuar atë që është e drejtë. Rorti thotë: “Ideja se një prej specieve të organizmit është shumë ndryshe prej të tjerave dhe që nuk është i prirur drejt prosperitetit të vet, por drejt së vërtetës, është po aq jodarviniane sa ideja se çdo qenie njerëzore ka një përfshirje morale të formuar që ndryshe quhet ndërgjegje.” Rorti me anë të kësaj do të thotë se duhet të heqim dorë prej së vërtetës dhe parimeve morale. Unë them, ndoshta do të ishte më e mençur nga ana jonë të hiqnim dorë prej Darvinizmit.
Këtu ka shumë ironi. Darvinistët këmbëngulin se këndvështrimi i tyre është racional dhe i vërtetë, por nëse e beson Darvinizmin dhe e shikonin njerëzimin si produkt i një procesi të rëndomtë, atëherë nuk ke baza për të supozuar se mendimet njerëzore, përfshi këtu edhe të tuat, kanë ndonjë lidhje me realitetin.
Ateisti Uilliam Provin (Ëilliam Provine) tha se: “Me qëllim që të besojmë te Perëndia duhet të heqim trurin para derës së kishës”. Por kush është ai që dëshiron të heqë dorë prej turit të vet, pra të mos arsyetojë? Ateizmi i profesor Provinit thotë se vetë truri i tij është një aksident dhe se gjithë bindjet e tij janë të rastësishme. Si mund të jetë kaq i sigurt se e di historinë e universit dhe origjinën e njeriut? Si mund të pretendojë ai se di gjithçka? Pse mendon ai se këto ide rastësore në trurin e tij rastësor kanë kontakt me realitetin.
E vërteta është kjo: Perëndia i diturisë së pafund na projektoi sipas imazhit të tij. Ne nuk kemi mendjen e pakufizuar dhe njohurinë e pakufizuar të Perëndisë, por Krijuesi ynë na ka dhënë kapacitetin dhe aftësitë gjuhësore për të na lidhur me të vërtetën.
Marrëdhëniet
Le të shohim në një mënyrë tjetër se si e reflektojmë ne Perëndinë: kapaciteti ynë për të krijuar marrëdhënie.
Bibla thotë se kur Perëndia krijoi njerëzit sipas imazhit të tij, ai i krijoi mashkull dhe femër. (Zanafilla1:27) Kthimi i burrit dhe gruas në një person të vetëm në martesë, lidhja e prindërve me fëmijët dhe, uniteti i miqësive të ngushta janë synuar të reflektojnë unitetin midis Perëndisë, Trinitetit. Qysh prej përjetësisë Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë bashkohen në njëri-tjetrin në dashuri, qëllim dhe në vetë qenien e tyre si Perëndi. Po kështu kapaciteti ynë për të të unifikuar marrëdhëniet është një aspekt i rëndësishëm i imazhit të Perëndisë në ne.
Evolucionisti i thekur nuk mendon se mund të krijojë ndonjë marrëdhënie që shkon përtej biologjisë së thjeshtë dhe nxitjes për të mbijetuar. Sipas fjalëve të Riçard Daukins (Richard Dawkins): “Ne jemi makineri të mbijetesës, mjete robot që janë programuar për të ruajtur molekulat egoiste të njohura si gjene.” Romanca dhe përkushtimi i gjatë madje edhe miqësitë realisht nuk janë asgjë tjetër, veçse reaksione kimike në disa robotë.
Lidhjet familjare janë thjesht përshtatje evolucionare për të siguruar shumimin e gjeneve të një personi. Madje edhe sjellja që nuk duket egoiste mund të shpjegohet në terma evolucionarë. Një ushtar që hidhet mbi një granatë për të shpëtuar shokët e tij, një doktor që le vendin e tij të rehatshëm të punës për të punuar vullnetar në një lagje të varfër, me siguri se duhet të ketë ndonjë instinkt evolucionar a diçka tjetër që mund ta shpjegojë atë. Këto shpjegime shpesh janë kaq të panatyrshme saqë bëhen komike, megjithatë prezantohen pa turp fare dhe me pretendimin se tani ti njeh shpjegimin e vërtetë dhe racional.
Oliver Uendell Holmes shërbeu në Gjykatën Supreme Amerikane për tridhjetë vite, në periudhën 1902 deri 1932, dhe ndikimi i tij në Gjykatën Supreme dhe në teoritë legale vazhdojnë të ekzistojnë sot. Holm mësoi se ligji nuk ka lidhje fare me drejtësinë e Perëndisë. Ai u tregoi studentëve të juridikut, që të lenë mënjanë çdo këndvështrim moral të ligjit, si një shkencë e forcës politike.
Ligji, tha ai ” është vota e maxhorancës që mund të mposhtë gjithë të tjerët.” Me pak fjalë më i forti ka gjithmonë të drejtë. Evolucionisti Holm deklaroi, “Unë nuk shikoj asnjë arsye për t’i atribuuar njeriut një domethënie të ndryshme nga ajo që i përket një babuini (majmuni) apo një kokrrize rëre.”
Nëse dëshiron të kuptosh njerëzit dhe marrëdhëniet e tyre, ti nuk mund t’i krahasosh ata me majmunët, me baltën apo robotët. Ti duhet ta konsiderosh njeriun përtej detajeve të biologjisë apo kimisë. Romanca dhe martesa përfshijnë diçka shpirtërore që është shumë më tepër se sa reaksionet kimike që ndodhin në trupat e njeriut.
Miqësia dhe besnikëria kanë baza më të thella se sa thjesht mbijetesa e ADN-së së ngjashme me atë të një familjarit tonë.
Premtimet kanë një kuptim që është rrënjosur jo vetëm në instinktet e mbijetesës por edhe në besnikërinë e Perëndisë. Për të kuptuar marrëdhëniet ne duhet të dimë se jemi krijuar sipas imazhit të Perëndisë, i Cili është Trinitet. Atë, Bir edhe Frymë bashkohen në një marrëdhënie të përjetshme, ndërsa ne njerëzit jemi krijuar që të jetojmë në marrëdhënie me të tjerët ashtu si Perëndia Trinitet ka marrëdhënie në vetvete.
Uroj të jeni nxitur sado pak të mendoni rreth të vërtetave të rëndësishme të jetës, siç është pyetja që trajtuam sot :“ Çfarë është njeriu”.