Të gjithë njerëzit e qytetit e pëlqenin Krishtlindjen përveç Grinçit, i cili jetonte në veri të Kush-villit!
Grinçi e urrente Krishtlindjen! Gjithë stinën e Krishtlindjes! Tani ju lutem mos më pyesni përse. Sepse askush nuk i di mirë arsyet. Dikush thotë se ai nuk ishte mirë nga trutë e kokës. Ndoshta për shkak se këpucët i shtrëngonin shumë. Por mendoj se arsyeja kryesore mund të ketë qenë se zemra e tij ishte dy numra më e vogël,(hahahah bej shaka pastor). Miliona fëmijë, prindër dhe gjyshër i dallojnë shumë mirë fjalët e Doktor Seusit: “ Si e vodhi Grinçi Krishtlindjen?”. Grinçi i pakënaqur i urren lodrat, zhurmën dhe gëzimin e Krishtlindjes, kështu që vendos të ndalojë ardhjen e Krishtlindjes. Ai vishet si babagjysh i Vitit të Ri (Santa Claus) dhe zbret në oxhakun e çdo shtëpie të Kush-villit dhe vjedh gjithçka që mundet. Sipas fjalëve të Doktor Seusit, ai rrëshqiti poshtë oxhakut dhe me një buzëqeshje pakënaqësie, u soll rrotull nëpër dhomë dhe mori të gjitha dhuratat. Më pas mbush gjithë ato çantat me to. Grinçi i mbush çantat me dhurata, një nga një dhe, i nxjerr nga oxhaku! …Dhe një copë e vogël ushqimi që le në shtëpi është aq e vogël sa nuk do t’i mjaftonte as një miu të vogël. Më pas ai vjedh dhuratat edhe familjeve të tjera.
Ai merr gjithçka duke lënë shumë pak, sa për një mi!
Grinçi arrin të largohet me të gjitha dhuratat e vjedhura para se familjet të zgjohen nga gjumi dhe ta kuptojnë. Ai pret me padurim të shikojë fytyrat e tyre të mërzitura kur të zbulojnë se u janë vjedhur dhuratat e Krishtlindjes.
“O sa mirë ua hodha!” po këndonte ai i kënaqur. “Ata do të zbulojnë se Krishtlindja nuk do të vijë! “Ata tani po zgjohen! Unë e di se çfarë do të bëjnë tani! “Ata do të mbeten gojëhapur një apo dy minuta dhe më pas “Familja e Kushëve në Kushvill do të thërrasin: bo bo! Por në vend që të dëgjojë të qara dhe ankime Grinçi dëgjon tinguj të gëzueshëm dhe këngë.
Çdo njeri, i madh e i vogël në Kush-vill po këndonte! Ndonëse nuk kishin dhurata, ata nuk e kishin ndalur Krishtlindjen që të vinte. Krishtlindja erdhi.
Me dhurata apo pa dhurata, Krishtlindja erdhi gjithsesi! Dhe Grinçi, me këmbën e tij të futur në borën e ftohtë akull, qëndronte duke vrarë mendjen: “Si ka mundësi që Krishtlindja erdhi? “Ajo erdhi pa shirita, ajo erdhi pa zbukurime. Erdhi pa kuti, pa dhurata!”. Ndonëse e vrau mendjen për tre orë, nuk e kishte zgjidhur ende enigmën e tij. Më pas Grinçi mendoi për diçka që nuk e kishe menduar më parë! “Ndoshta Krishtlindja”, mendoi ai “nuk vjen nga dyqani. “Ndoshta Krishtlindje… do të thotë diçka tjetër!”
Në atë pikë, Grinçi ndryshon mendje. Ai vendos të mos urrejë më Krishtlindjen por të fillojë ta festojë atë. Kështu që i kthen lodrat nëpër shtëpi dhe, ushqimin për festën. Por ai vetë çfarë bën?! Kjo është një histori shumë e bukur, askush nuk mund të rrijë pa e pare film a pa e lexuar një libër si ky që ka brenda “minj” “oxhaqe” dhe “bisha”.
Më pëlqeu historia e Grinçit që herën e parë që e lexova dhe vazhdon të më pëlqejë. Mendoj se nuk do të jem asnjëherë tepër i moshuar për të shijuar Doktor Seusin dhe rimat e tij të çmendura. Por mua nuk më pëlqejnë vetëm rimat. Më pëlqen fakti që falë Grinçit, nuk është më nevoja që predikuesit të predikojnë se Krishtlindja konsiston shumë më tepër se sa gjërat që blejmë. Doktor Seusi dhe Grinçi i tij bëjnë një punë të mrekullueshme për të na kujtuar se Krishtlindja nuk doli nga një dyqan por ka një domethënie më të madhe.
Gjithsesi nëse duam të dimë prejardhjen e Krishtlindjes, nëse duam të dimë se çfarë humbi Grinçi, duhet të lemë doktor Seusin dhe të kthehemi te Bibla.
Bibla na tregon shumë qartë se nga vjen Krishtlindja: ajo vjen nga qielli. Bibla na tregon pak më shumë se çfarë e bën Krishtlindjen kaq të veçantë: pikërisht dhurata e Birit të Tij Jezusit. Gjoni 3:16 thotë: ” Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”
Krishtlindja është Krishti, dhe kjo do të thotë gëzim dhe jetë të përjetshme për “këdo që beson në Të.” Më pëlqen shumë fjala këdo, që përdoret këtu. I pasur a i varfër, i arsimuar apo analfabet, mashkull a femër, nga ky komb apo një tjetër, nuk ka rëndësi.
Çdo njeri në çdo cep të botës nuk do të humbasë nëse beson në Jezusin, por do të ketë jetë të përjetshme. Kjo është diçka për të cilën ia vlen të këndosh.
Asnjëherë tepër i moshuar
Krishtlindja është për “këdo”, ndaj edhe nuk ka rëndësi nëse je i ri apo i vjetër në moshë. Ne shpesh e mendojmë Krishtlindjen si kohë të përshtatshme për fëmijët (dhe pa dyshim fëmijët e duan shumë Krishtlindjen) por shumica e njerëzve që pëlqen Krishtlindjen janë të moshuar.
Në programin tonë sot, do të shohim se si dy njerëz të moshuar zbulojnë atë që Grinçi humbi. Ne do të shikojmë një histori të një burri të moshuar që quhet Simeon, dhe një vejushë të moshuar me emrin Ana, e cila pa foshnjën Jezus dhe kuptoi se ata po shikonin shpëtimtarin që kishin pritur kaq gjatë.
Këta dy njerëz të moshuar i dinin profecitë e lashta që premtonin lindjen e një fëmije me emrin “Emanuel” që do të thotë “Perëndia me ne”, një fëmijë që do të rritej për të shpëtuar popullin e Tij prej mëkateve të tyre dhe do tu jepte atyre një të ardhme të shkëlqyer. Simeoni dhe Ana, jetuan shumë gjatë, dhe ndonëse po plakeshin nuk ndalën asnjëherë së luturi apo shpresuari se do të vinte: “ Perëndia me ne”, Emanueli.
Historia e Simeonit dhe Anës tregon shumë për Jezusin, përpos kësaj tregon se edhe njerëzit e moshuar kanë një vend të rëndësishëm në planin e Perëndisë. Ti nuk je asnjëherë tepër i moshuar për tu gëzuar në Krishtin fëmijë, dhe asnjëherë tepër i moshuar për t’i ndihmuar të tjerët të kthehen te Krishti. Bibla i merr seriozisht edhe njerëzit e moshuar. Ndonjëherë të moshuarit shihen si njerëz të çuditshëm, që kanë pasur kohën e tyre dhe nuk shërbejnë më për asgjë, madje disa të moshuar fillojnë ta shohin veten kështu.
Por Bibla nuk ka këtë këndvështrim për të moshuarit. Shkrimet nuk i trajtojnë të moshuarit sikur ditët e tyre më të mira kanë mbaruar, apo sikur ata kanë më pak rëndësi se sa të rinjtë. Në Dhjatën e Vjetër Perëndia urdhëron:” Nderoje plakun dhe ki frikë nga Perëndia yt.” (Levitiku 19:32) dhe Ai thotë: ” Flokët e bardha janë një kurorë lavdie; atë e gjejmë në rrugën e drejtësisë.” (Fjalët e Urta16:31)
Konsiderata e Perëndisë për njerëzit e moshuar shkëlqen më së miri në historinë e Simonit, Anës dhe foshnjës Jezus. Kur Bibla përshkruan Simeonin dhe Anën, tregon se këta njerëz duhet të merren seriozisht. Simeoni nuk është një burrë i moshuar me quka në fytyrë apo me rrudha në sy. Jo, Bibla e portretizon Simeonin si një njeri të drejtë. Ai i njeh premtimet e Perëndisë, dhe Fryma e Shenjtë e Perëndisë është mbi të, në një mënyrë të veçantë. Simeoni është i moshuar, por ai nuk po jeton në të kaluarën; ai po shikon drejt së ardhmes. Fryma e Shenjtë i ka zbuluar se nuk do të vdesë pa parë Jezus Krishtin, Mesian. Dhe kështu Simoni e merr si besim të shenjtë që të jetojë një jetë të perëndishme dhe të shikojë Krishtin.
Kësisoj as Ana nuk është një zonjë e moshuar që i buzëqesh fëmijëve dhe i përkëdhel në kokë. Ana është një grua që duhet marrë në konsideratë. Bibla e quan atë profeteshë, një grua me horizont dhe me aftësi komunikuese që e përcjellin shumë mirë atë horizont. Ana nuk ka ndonjë pozitë zyrtare, por është njeri i rëndësishëm në anën shpirtërore. Ajo gjendet gjithmonë në tempull, duke agjëruar, e duke u lutur, duke kërkuar Perëndinë dhe, duke i folur të tjerëve të për Zotin.
Ana është e drejtë, dhe e fortë. Ajo ka kaluar shumë vështirësi, por është grua e fortë. Ajo e humbi bashkëshortin shtatë vjet pas martese dhe qysh atëherë ka jetuar si vejushë. Ne nuk jemi shumë të sigurt në përshkrimin e Biblës për Anën. A ishte vejushë deri në moshën tetëdhjetë e katër vjeçe apo ishte vejushë për tetëdhjetë e katër vite, çka do ta bënte atë njëqind vjeçe! Sido që të jetë, ajo nuk është e re në moshë dhe, jeta e saj nuk ka qenë aspak e lehtë. Por a është ulur ajo në karrigen e saj duke ndjerë keqardhje për veten? Jo Ana, qëndron aktive në lutje dhe profeci dhe Perëndia e zgjedh atë për të qenë një prej lajmëtareve të veçanta për foshnjën e shenjtë.
(Pastor këtu bëj shaka:)
Nëse Simeoni dhe Ana do të ishin këtu në studio me mua, me siguri do të më ndërprisnin dhe do të thoshin: “Djalë i dashur, mos fol më për ne. Fol për Krishtin fëmijë. Sepse për të kemi ardhur këtu jo për veten.”
Dhe sigurisht që unë jam dakord. Fokusi kryesor duhet të jetë Jezusi. Bibla nuk e përmend Simeonin dhe Anën thjesht sa për të thënë se sa të mëdhenj janë por për t’i përdorur ata si një dëshmi e Jezusit.
Ndonëse, Jezusi është fokusi kryesor, Bibla na jep disa detaje për Simeonin dhe Anën, se çfarë njerëz ishin ata, dhe nuk duhet t’i humbasim këto detaje për shkak se e kemi me nxitim. Sepse fjalët që ata thanë për Krishtin fëmijë, kanë rëndësi.
Në përshkrimin që i bën Bibla Simeonit dhe Anës shohim respektin e Perëndisë për besimtarët e moshuar. Ky përshkrim tregon karakterin e sprovuar dhe forcën shpirtërore të shenjtorëve të moshuar që janë modeluar ndër dekada duke e jetuar besimin sipas premtimeve të Perëndisë; dhe sipas këtij përshkrimi duket se nuk je asnjëherë tepër i moshuar për të festuar me të tjerët lindjen e Jezusit dhe për t’i treguar të tjerëve për Të.
Të shohësh shpëtimin e Perëndisë
Te Luka 2, Bibla na tregon se si Simeoni dhe Ana u takuan me Jezusin. Luka, kapitulli 2 fillon me historinë e mirënjohur se si Jezusi u lind në Betlehem, si nëna e tij e vendosi në një grazhd, sepse nuk kishte vend në hanin e vendit dhe, se si engjëjt i shpallën barinjve lindjen e tij. Sidoqoftë, Luka 2 nuk thotë vetëm kaq për Jezusin. Kapitulli vazhdon të tregojë se si Maria ashtu edhe Jozefi, si prindër të mirë judenj që ishin, e rrethprenë Jezusin kur ishte vetëm tetë ditësh. Më pas, kur Ai mbushi dyzetë ditë, e çuan në tempullin e Jeruzalemit për t‘ia kushtuar të parëlindurin e tyre Zotit. Sërish, ky ishte një zakon jude, sipas ligjit të Perëndisë, dhënë me anë të Mojsiut.
Pikërisht në këtë çast hyn në rrëfim një qytetar i moshuar Simeoni. Bibla thotë:” Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon; Ky njeri ishte i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të.
27 Ai pra, i shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe, si prindërit i prunë fëmijën Jezus për të bërë me të ato që përshkruan ligji,
28 ai e mori në krah e bekoi Perëndinë duke thënë:
29 “Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate,
30 sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd
31 që ti e përgatite përpara gjithë popujve:
32 dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit.'”
Sa çast i mrekullueshëm! Simeoni po sheh me sytë e tij atë që populli i Perëndisë ka qenë duke pritur për shekuj me radhë. Simeoni po mban në krahë Shpëtimin e Perëndisë, Dritën e botës, Lavdinë e Izraelit. Simeoni shikon këtë foshnjë të vogël, dhe kupton se Perëndia është i mrekullueshëm, Ai është një Zot sovran, që i mban gjithmonë premtimet e tij, dhe për këtë ai e lavdëron Perëndinë.
Pasi Simeoni mban Jezusin në krahë, e ndien se tani mund të vdesë i lumtur. Ai mund të vdesë në paqe. Ai ka parë shpëtimin e Perëndisë dhe ka përmbushur detyrën që Perëndia i dha: të shohë me sy Shpëtimtarin dhe të deklarojë të vërtetën e tij.
Nga njëra anë, çasti kur Simeoni mban foshnjën Jezus në krahë është unik dhe i papërsëritshëm. Jezusi nuk do të jetë më kurrë foshnjë dhe asnjëri prej nesh nuk do të ketë mundësinë të mbajë foshnjën Jezus në krahë, ashtu si Simeoni. Nga ana tjetër, ai çast mund të mos jetë dhe aq unik. Unë njoh njerëz të cilët mund të identifikohen me Simeonin dhe të gjejnë veten në fjalët e tij. Ata kanë parë shpëtimin e Perëndisë në Jezusin, dhe ata vetë kanë përqafuar Krishtin. Pas shumë vitesh me Krishtin, ata mund të falënderojnë Perëndinë që e mbajti premtimin dhe, janë gjati të vdesin në paqe sepse kanë parë shpëtimin e Perëndisë me anë të Jezusit. Simeoni ishte unik nga njëra anë, por nga ana tjetër ai flet për të gjithë njerëzit e Perëndisë.
A e gjen ti veten te fjalët e Simeonit? A mund të thuash edhe ti: “Zot jam gati, më merr kur të duash ti?”. A mund të thuash:”Unë mund të vdes i lumtur, unë mund të shkoj në paqe sepse sytë e mi kanë parë shpëtimin tënd?”. Nuk është nevoja të mbash në krahë foshnjën Jezus për ta thënë këtë. Ti thjesht duhet të kapesh fort pas besimit në Jezusin. Nuk je asnjëherë tepër i moshuar për t’i besuar Jezusit, nuk je asnjëherë tepër i moshuar për të parë shpëtimin e Perëndisë, asnjëherë tepër i moshuar për të ndjerë paqen e Perëndisë teksa përballesh me vdekjen. Dhe nëse nuk je i moshuar, nuk je asnjëherë tepër i ri për t’i besuar Jezusit, asnjëherë tepër i ri për të kërkuar shpëtimin e tij, asnjëherë tepër i ri për t’ia kushtuar gjithë jetën Zotit, nga çasti që e njeh Jezusin derisa të vdesësh.