Meqenëse tema sot do të jetë pak serioze dua ta filloj me një histori të humoristit dhe shkrimtarit të madh Mark Tuejn, i cili dikur ka thënë: Asnjë jetë, liri apo pronë nuk është e sigurt ndërkohë që një ligj është në diskutim.”
Uill Roxhers (Will Rogers) një komedian i vjetër, pak i krisur është shprehur kështu: “Unë nuk bëj shaka. Unë thjesht vëzhgoj qeverinë dhe raportoj faktet.”
Dikush tjetër bëri shaka duke thënë: “T’i japësh para dhe pushtet qeverisë është njëlloj sikur i jep një adoleshenti çelësat e makinës dhe uiski.”
Ne i pëlqejmë shumë këto shaka që bëhen kundër qeverisë, madje dhe vetë politikanët i pëlqejnë.
Kam lexuar një artikull për politikën qeverisëse të Ronald Regan. Aty shkruhej kështu:
“Pikëpamja e qeverisë për ekonominë mund të përmblidhet në disa fraza të shkurtra: nëse ekonomia lëviz, tatoje. Nëse vazhdon lëvizjen, kontrolloje. Dhe nëse ndalon lëvizjen, subvencionoje.”
Një shprehje e vjetër thotë: “Mos bëj përpjekje të kota. Kali i ngordhur nuk ngjallet më.”
Në internet hasa një shprehje që thoshte:
Kur zbulon se po ecën mbi një kalë të ngordhur, më e mira është të zbresësh. Megjithatë në qeveri shpesh përdoren strategji të tjera. Në to përfshihen edhe këto:
Ndrysho kalorësin.
Bli një kamxhik më të fortë.
Thuaj fjalë të tipit “Po ne kështu e kemi kalëruar gjithmonë këtë kalë.”
Rrit standardet për kalërimin e kalit të ngordhur.
Cakto një panel me ekspertët më të njohur për të studiuar kalin.
Krijo një program trajnimi për të rritur aftësitë kalëruese.
Krahaso gjendjen e kuajve të vdekur në mjedisin e sotëm.
Mirato legjislatura që deklarojnë:”Ky kalë nuk është i ngordhur.”
Fajëso prindërit e kalit.
Siguro fonde shtesë për të rritur fuqinë e kalit.
Deklaro “Asnjë kalë nuk është tepër i ngordhur për tu ngjallur.”
Deklaro se: I vdekur, kali është “më i mirë, më i shpejtë dhe më i lirë.”
Thuaj që kali u gjet në rrethana të këqija si një variabël i pavarur.
Cakto një prokuror të veçantë për të hetuar fermën ku ishte lindur ai.
Promovoje kalin në një pozicion mbikëqyrës.
Mund të vijë qejf të tallesh me qeverinë, por shumë njerëz nuk janë në humor për të qeshur pas një fushate të vështirë, e sidomos nëse kandidatët e tyre nuk fituan. Ata bëhen tym fare dhe nuk u flitet me gojë.
Për disa të tjerë problemi nuk është vetëm që zgjedhjet nuk shkuan ashtu siç donin ata. Ata e urrejnë qeverinë në përgjithësi. Ata nuk shohin asgjë të mirë në qeveri. Ata jo vetëm tallen me dobësitë e qeverisë me një humor therës, por edhe e përçmojnë atë. Ata nuk i respektojnë politikanët dhe burokratët. Ata nuk i besojnë më gjykatave, as policisë.
Sigurisht që njerëzit në pushtet nuk janë të përsosur; ata kanë shumë gabime. Dhe sikur të jenë të ndershëm, ata janë të kufizuar; edhe atëherë kur duan ndihmë, ka shumë gjëra që ata nuk mund t’i bëjnë. Kjo është arsyeja përse Bibla thotë: ” Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.” (Psalmi 146:3) Pra është për të mirën tonë që të mos i varim tërë shpresat te qeveria, as të mos mendojmë se qeveria është e shkëlqyer.
Por në anën tjetër nuk është mirë të kesh një opinion të ulët për qeverinë. Nëse do të pyesnin ty:” Çfarë të këqijash ka kjo qeverisje?” Me siguri që do të jepje një listë të gjatë me probleme. Por në rast se do të pyesnin:” Çfarë të mirash ka?”, si do të përgjigjeshe?
Pikërisht tek ky fakt do të fokusohemi sot: çfarë të mirash ka qeveria.
Tek Romakëve13 Bibla thotë:
Çdo njeri le t’i nënshtrohet pushteteve të sipërm, sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë dhe, pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia.
2 Prandaj ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhrit të Perëndisë; dhe ata që i kundërvihen do të marrin mbi vete dënimin.
3 Sepse eprorët s’ke pse t’i kesh frikë për vepra të mira, por për të këqijat; a do, pra, të mos i kesh frikë pushtetit? Bëj të mirën, dhe do të kesh lavdërim nga ai,
4 sepse eprori është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë; por, po të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen.
5 Prandaj është e nevojshme t’i nënshtroheni, jo vetëm nga druajtje e zemërimit, por edhe për arsye të ndërgjegjes.
Caktuar prej Perëndisë?
Ndoshta do ta pranonim pa vështirësi këtë që Bibla thotë në rast se qeveria jonë do të ishte e përsosur. Po kur ajo nuk është e përsosur?
Shkruesi i këtyre fjalëve, Pali, thotë se autoritetet janë caktuar nga Perëndia. Në një kohë zgjedhjesh duket sikur autoritetet caktohen prej parasë, premtimeve elektorale, aftësisë debatuese dhe kritikuese për kundërshtarët e tyre. Pra a është realisht e drejtë të themi se autoritetet janë caktuar prej Perëndisë? Votuesit mund të kenë zgjedhur këto persona, por a i zgjodhi Perëndia?
Tri herë Pali i quan autoritetet si shërbëtorë të Perëndisë. Politikanëve u janë vënë emra nga më të ndryshmit, disa s’thuhen me gojë, por emri “shërbëtorë të Perëndisë”, është i pazakontë për ta.
Pali thotë se autoritetet promovojnë të mirën dhe ndëshkojnë të keqen. A nuk kishte dëgjuar ai për ligjet e padrejta?
Nuk kishte dëgjuar ai për mizorinë policore? Nëse roli i qeverisë është të ndëshkojë keqbërësit, çfarë mund të themi për kriminelët që janë kapur në vendin e krimit, por janë lënë të lirë më pas falë aftësisë së avokatit të tyre?
Nëse mendon se Pali e shkroi kapitullin 13 të Romakëve në një kohë kur qeveria ishte e përsosur; në rast se mendon se fjalët e tij nuk janë vetëm për qeveritë e përsosura dhe jo për ato me probleme atëherë më mirë le të shohim situatën ku jetoi Pali. Pali nuk jetoi nën një qeverisje të përsosur.
Ai jetoi nën perandorinë romake.
Ndoshta nuk na pëlqen gjithmonë sjellja e kandidatëve gjatë zgjedhjeve, por në Perandorinë Romake, nuk bëheshin zgjedhje. Ndoshta sot ne mendojmë se qeveria nuk bën shumë për popullin, por në kohën e Palit skllavëria ishte diçka normale. Ne mund të mendojmë se qeveria sot duhet të mbrojë foshnjat e palindura prej abortimit, por qeveria romake nuk mbronte as foshnjat që tashmë kishin lindur dhe shumë prej foshnjave të padëshiruara, ishin lënë jashtë për të vdekur. Ndoshta ne mund të mendojmë se qeveria jonë i përdor fondet publike për disa projekte të dyshimta, por çfarë mund të themi për lojërat e sponsorizuara prej qeverisë në kohën e Palit, kur gladiatorët luftonin deri në vdekje për të argëtuar të tjerët? Ndoshta nuk jemi shumë të dhënë pas auditimit të taksave dhe të ardhurave zyrtare, por në ditën e Palit, personat që vilnin taksat njiheshin për faktin se ata i mbushnin xhepat e tyre me paratë e mbledhura. Ndoshta ne sot nuk na pëlqen karakteri i drejtuesve tanë, por në kohën që Pali po shkruante, Nero ishte perandor i Romës dhe pak para tij kishte qenë perandor Kaligula. Unë nuk dua të hyj në detaje të tjera të mërzitshme, por Kaligula dhe Nero ishin perversë seksualë dhe vrasës gjakftohtë.
Cilat ishin përvojat që kaloi Pali nën perandorinë romake? Sa herë qëndroi Pali në burg i akuzuar në mënyrë të padrejtë? Dhe pse në letrën e tij drejtuar romakëve nuk citon problemet e qeverisë, por nënshtrimin ndaj autoriteteve? A është marrëzi kjo? Arsyen pse do ta mësojmë në takimin tonë të herës së ardhshme.