Vargjet për sot janë nga Filipianëve 3:12- 4:1
Ne jetojmë në një kohë që shumë e kanë cilësuar si: “koha e varësisë.” Tashmë grupet e shërimit janë bërë pjesë normale e jetës sonë.
Procesi prej dymbëdhjetë hapash që ne zakonisht e lidhim me grupin e “Alkoolistëve Anonimë”, përdoret për t’i ndihmuar njerëzit që të merren me varësitë e tyre ndaj alkoolit, seksit, punës, fesë, ushqimit apo mungesës tij.
Titulli i mesazhit tim sot është “Dëshira e papërmbajtur për eufori.” Frymëzimin e kam marrë prej librit me titull “Liria shumë e dëshiruar”, (The Freedom We Crave) i autorit Uilliam Lentërs(William Lenters).
Lentërs punoi për disa vite si pastor në një qendër për rehabilitimin e të alkoolizuarve. Ai tregon në librin e tij se si shoqëria e sotme, i pranon problemet e varësisë sepse është infektuar prej asaj që ai e quan “Dëshira e papërmbajtur për eufori.”
Sipas përshkrimit të fjalorit, euforia është: “ndjenjë vetëkënaqësie dhe gëzimi të papërmbajtur”.
Ne si njerëz jemi më shumë të interesuar të ndihemi mirë, dhe ta arrijmë këtë sa më shpejt, pra duam një zgjidhje të shpejtë.
Vite më parë, unë kam vizituar një miken time në Amerikë. Ajo më kërkoi këshillim për një marrëdhënie të sajën. Ana ishte vejushë prej dhjetë vitesh. Ajo ishte tashmë pesëdhjetë vjeç, dhe kishte rënë marrëzisht në dashuri.
Por kishte një problem. I dashuri i saj ishte gjashtëdhjetë vjeç dhe nuk gëzonte shëndet të mirë.
Dhe nëse ajo martohej sërish do të humbiste pensionin dhe përfitimet nga sigurimet shoqërore të bashkëshortit të ndjerë. Unë e takova atë një ditë dhe më kërkoi të bekoja zgjidhjen krijuese që ajo kishte gjetur, që ishte: thjesht të jetonte me këtë burrë.
Unë i shpreha mendimin tim në lidhje me këtë marrëdhënie. Dhe dola në përfundimin se shumë njerëz në këto kohë vijnë me zgjidhje si kjo.
Por fjalët e fundit që i thashë ishin: “si e krishterë që je, kjo nuk është zgjidhja më e mirë. Unë mendoj se ose duhet të martohesh me atë tipin dhe të marrësh parasysh të gjitha sakrificat që duhet të bësh, ose të mos martohesh me të dhe, të jetosh si e pamartuar. Por nuk mund ti bësh të dyja”.
Ndoshta ti nuk bie dakord me këshillën që i dhashë, por reagimi i saj më shtyu t’ju tregoj këtë histori: ishte i pabesueshëm reagimi i saj. Dëgjoje:
“Berti, ti po bën shaka më duket. Nëse nuk mund të martohem me të, do të ngelem beqare gjithë jetën.”
Arsyetimi im sipas saj nuk kishte kuptim për dy arsye. Së pari, sepse mendonte se seksualisht kjo gjë ishte e pamundur, sepse askush në historinë njerëzore nuk ia ka dalë mbanë të qëndrojë beqar i kulluar.
Së dyti, ajo ndjente sikur alternativat e mia i shkelnin disi të drejtat e saj për kënaqësi, lumturi, vetë përmbushje, që në rastin e saj, do të thoshte që të dëshirat e saj romantike dhe seksuale nuk do të përmbusheshin dhe ajo duhet t’i rezistonte.
Ky është vetëm një shembull për të treguar se si “Dëshira e papërmbajtur për eufori.” (pra dëshira për tu ndier më mirë dhe jo thjesht mirë) na infekton jo vetëm ne por edhe të menduarit dhe, të jetuarit tonë. Ka edhe shumë shembuj të tjerë. Ja disa:
- Blerjet apo bërja e pazareve është diçka që i jep njerëzve shumë kënaqësi. Reklamuesit i dinë mirë këto gjëra.
- Puna jonë mund të na japë shumë kënaqësi.
- Për më tepër njerëzit e përmbushin dëshirën për eufori, përmes pornografisë apo përmes varësisë ndaj internetit në përgjithësi.
Tani e kuptoj se ka një sërë gjërash në kulturën tonë që e bëjnë epokën tonë një epokë të varësisë.
Në tekstin tonë, sot, Pali po thotë se i njëjti problem ekzistonte edhe në kohën e tij. Te Filipianëve 3 vargu 18, Pali përshkruan njerëz të cilët janë tërhequr prej dëshirave dhe orekseve të tyre sensuale.
Ai i thotë se me lot në sy po i shkruan këtë letër Filipianëve, që shumë njerëz jetojnë si armiq të kryqit të Krishtit. Çfarë lloj sjelljeje mund ta bëjë dikë armik të kryqit të Krishtit? Pali përgjigjet: “dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë.”
Pali po flet këtu për sensualizmin, skllavërinë e orekseve tona, që ka qenë dhe mbetet njëlloj në çdo kohë dhe kulturë. Dhe vini re se sa ngushtë e lidh ai këtë me trupat tanë.
Ai jo vetëm që përmend stomakun dhe, gjërat tokësore. Por kontrasti mes situatës së tashme dhe situatës tonë të re, bën ndryshimin mes trupave tanë dhe trupave tanë të ri: (sa interesante) Jezus Krishti do të transformojë, trupat tanë të përuljes që një ditë të bëhen si trupi i tij i lavdishëm.
Pali vazhdon përshkrimin e tij në vargun 19: “Destinacioni i tyre është shkatërrimi.”
Kur të ndierit mirë të kthehet në një skllavëri, kur ” dëshira e papërmbajtur për eufori” e kontrollon jetën tënde, miqtë e tu, shpenzimet e tua, dhe çdo vendim që merr, miku im po shkon drejt shkatërrimit. “Stomaku është Perëndia i tyre.”
Tani Pali nuk po thotë se këta njerëz do të përulen dhe do t’i luten stomakut.
Por po thotë se, kur impulsi i të ndjerit mirë, (dëshira e zjarrtë për eufori që arrihet përmes seksit, pijeve alkoolike, ngrënies apo shpenzimeve) kur kjo ndjenjë duket sikur drejton jetën tënde, atëherë ajo është ndjenja jote më e lartë, ky është Perëndia yt.
Ti duhet të jesh i sinqertë në lidhje me këtë:
“Lavdia e tyre është në turpin e tyre.” Praktikisht këta njerëz janë krenarë për sjelljen e tyre.
Tani, nëse ata e shikojnë ashtu siç është sjelljen e tyre, nëse do ta ndanin sjelljen prej nxitjeve brenda tyre, që duket sikur plotësojnë nevojat e tyre, do tu vinte turp për veten. Do tu vinte turp për sjelljen e tyre. Por në atë gjendje që janë nuk e kuptojnë çfarë po ndodh, ndaj edhe gëzohen në atë që është e turpshme.