Detektorët e marrëzirave

Print

Titulli: Detektorët e marrëzirave (pjesa 3)

Një shembull i “kompleksitetit të pa zvogëlueshëm”  është syri. Syri ka një lente, një fokus të ndryshueshëm, një diagram variabël i cili kontrollon sasinë e dritës, sensorët e ndritshëm, e kështu me radhë. Asnjë prej këtyre pjesëve nuk mund ta bëjë punën e tij nëse nuk janë të pranishëm edhe komponentët e tjerë të syrit.

Darvini foli për përzgjedhjen natyrore si forcën që vë në punë evolucionin, por krijesat që u zhvilluan në disa pjesë të një syri do të kishin avantazhe përshtatjeje mbi të afërmit e tyre. Syri do të ishte i kotë në përzgjedhjen natyrore, derisa tërë pjesët e tij të ishin të pranishme dhe të punonin së bashku. Darvini vetë shkroi: “Kur mendoj për syrin, dridhem.” “E të mendosh se syri… mund të ishte formuar me anë të përzgjedhjes natyrore.” “Duket absurde në shkallën më të lartë.” Por pavarësisht absurditetit, Darvini vazhdoi duke predikuar doktrinën e tij, dhe njerëzit i besuan.

Në kohën e Darvinit, kompleksiteti i syrit e bëri atë të dridhej dhe Darvini nuk dinte as gjysmën e tij. Ai nuk merrte vesh fare nga biokimia. Dishepujt e Darvinit, mund të rrëfejnë përralla të një vendi të ndriçuar paksa nga drita, i cili aksidentalisht u zhvillua  në një grup qelizash të mbledhura për të kapur dritën më mirë, dhe kështu me radhë derisa më në fund u shfaq një sy pothuajse i plotë. Por fakti është se edhe diçka kaq e thjeshtë në dukje sa një vend i ndjeshëm ndaj dritës, nuk është dhe aq i thjeshtë. Është pa dyshim një kompleksitet i pa zvogëlueshëm.

Gjithsesi, njerëzit vazhdojnë të flasin në terma  të përgjithshëm, për qeniet e gjalla sikur ato janë krijuar aksidentalisht dhe janë zhvilluar gradualisht në një organ, apo pjesë të trupit, pastaj është formuar një pjesë tjetër, më pas një pjesë tjetër. Majkëll Beh e krahason këtë mendim me shpjegimin se kështu punon një sistem stereo kur ti” vë një disa altoparlantë në një amplifikator dhe i shton një cd-plejër, një radio dhe një regjistrues.” Është e lehtë të flasim për shtimin e një kutie të zezë, më pas të një tjetre për sistemin stereo. Por brenda atyre kutive të zeza, ka pjesë të ndryshme të ndërlidhura që organizohen në një projekt kompleks.

Kështu ndodh edhe me organet dhe qelizat e krijesave të gjalla. Sa më shumë që zbulon për brendinë, aq më kompleks dhe intrigues rezulton projekti. Është më e lehtë të besosh që çarqet e minjve dhe sistemet stereo evoluojnë aksidentalisht se sa të besosh që organet dhe qelizat komplekse dhe proceset biokimike, evoluojnë rastësisht. Darvini dikur shkroi: “Nëse do të mund të demonstrohej ekzistenca e ndonjë organi kompleks i cili mundësisht të mos ishte formuar prej modifikimeve të vogla dhe të panumërta, teoria ime absolutisht do të rrëzohej poshtë.” Me ato që dimë tashmë për biokiminë, thotë Beh, teoria e Darvinit me të vërtetë përballet me një shkatërrim. Ndoshta e vetmja alternativë është të flasësh për projektin inteligjent, edhe sikur ky të nënkuptojë një krijues të një lloji të caktuar, pra një Krijues.

Shumë mësues dhe njerëz të arsimuar e kanë bindur veten disi, se gjithçka mund dhe duhet të shpjegohet pa përmendur Perëndinë. Ata e shohin kompleksitetin dhe projektin kudo përreth tyre, por ata kërkojnë fuqinë mrekullibërëse të rastësisë dhe e anashkalojnë besimin. Ata besojnë doktrinat që asgjëja prodhon diçka, që rastësia prodhon projekte, që nga diçka e pajetë mund të prodhohet jetë. Ata predikojnë këto doktrina si një kredo e padiskutueshme, për çdo arsimim të shëndoshë, si dogma e pranuar në shkolla publike dhe në universitete. Kur dëgjojmë këto gjëra, detektorët e gjepurave duhet të jenë duke zhurmuar.

Minjtë dhe Muzika

Autori britanik, Xhon Jang (John Young) tregon një shëmbëlltyrë për një komunitet minjsh. Këta minj jetonin në një vend që shërbente si dhomë muzike, ku kishte edhe një piano të madhe. Ndonjëherë nga dera e shtëpisë së tyre, ata mund të dëgjonin muzikë të mrekullueshme që vinte nga pianoja. Ata qëndronin të mahnitur prej asaj muzike të bukur.

Megjithatë shumë shpejt minjtë, filluan të kishin mosmarrëveshje.

Disa thanë: “Muzikë si kjo nuk mund të ketë nëse nuk do të kishte një muzikant që e luan.” Por minjtë e tjerë thanë: “Marrëzira. Nuk ka asnjë muzikant që po e luan.” Disa minj të tjerë gnostikë thanë: “Asnjëherë nuk kemi për ta marrë vesh nëse ka një muzikant që luan atje ose jo. Mjaft me këtë tani, ndajeni djathin se po na hahet.”

Një ditë kur dëgjuan fillimin e muzikës, një mi shumë guximtar dhe kureshtar vendosi të merrte rrezikun për të shkuar në dhomën e muzikës e ta vërtetonte vetë. Ai lëvizi me të shpejtë përgjatë dyshemesë dhe u ngjit në një këmbë të ndritshme e të zezë të pianos së madhe. Ai qëndroi në piano për disa çaste dhe më pas u nis me nxitim në shtëpi, tu tregonte minjve të tjerë, me një frymë dhe me gëzim, zbulimin e tij.

“Hej unë kam parë si bëhet muzika. Pashë disa çekiçë të vegjël që godasin disa tela të shtrënguar. Por nuk pashë asnjë muzikant.”

Miu ateist tundi kokën dhe qeshi i kënaqur. Gnostikët ngritën supet dhe vazhduan të hanin djathin e tyre. Ata që kishin besuar në ekzistencën e një muzikanti ishin të zhgënjyer. Më në fund ata e dinin të vërtetën. Por jeta tani dukej shumë më pak interesante.

Minjtë kujtuan se morën përgjigje për pyetjen e tyre. Tani ata janë të arsimuar. Por janë të arsimuar të marrë. Njohuria e paktë është diçka e rrezikshme. Minjtë dinë pak më shumë për çekanët dhe telat dhe ata mendojnë se dinë gjithçka. Ata dinë diçka se si një piano bën muzikë dhe ata mendojnë se kanë provuar se askush nuk ka projektuar pianon dhe se një piano mund të luajë vetë. Sigurisht që nuk ka asnjë projektues apo muzikant brenda pianos, por a do të thotë kjo se ai nuk ekziston? Jo, kjo thjesht do të thotë se ai nuk është pjesë e pianos.

Kur shohim krijimin, ne nuk shohim Krijuesin, por a do të thotë kjo se Ai nuk ekziston? Jo, kjo thjesht do të thotë se ai nuk është pjesë e krijimit të Tij. Ne nuk e shohim Atë, por projektet e ndërlikuara të krijimit  janë një provë bindëse e Projektuesit, dhe muzika e krijimit është një provë e qartë e një Muzikanti të madh.

Bota e Atit tim

Ne jetojmë në një univers të madh i cili është projektuar, krijuar dhe drejtuar prej një Perëndie madhështor. Çdo zbulim i ri duhet të na bëjë përshtypje gjithmonë e më shumë me pushtetin dhe natyrën hyjnore të Perëndisë. Reagimi i vetëm i duhur është të lavdërojmë Atë dhe T’i japim falënderime. Ne duhet të admirojmë dhe adhurojmë Zotin, i Cili na jep një grimë të shkëlqimit dhe urtësisë së Tij në gjërat që ka bërë Ai. Dhe ne duhet të pranojmë që gjithçka që kemi vjen prej Tij. Çdo frymëmarrje e jona e çdo gjë që kemi është një dhuratë prej dorës së Perëndisë. Për gjithçka i detyrohemi Atij, prandaj duhet t’i jemi mirënjohës. Ne nuk mund të besojmë thjesht se diku atje jashtë ekziston një Perëndi dhe ta lemë me kaq. Ne duhet ta lartësojmë atë si Perëndi dhe t’i japim falënderime.

Çfarë ndodh nëse e njohim Perëndinë por nuk e lavdërojmë apo e falënderojmë atë? Romakëve 1, thotë se mendimet tona bëhen të kota dhe zemrat tona të marra errësohen. Kur ne largohemi prej Perëndisë dhe jetojmë jetën në  hesapin tonë, mëkati i errëson mendjet tona dhe e shkatërron jetën tonë. Romakëve, kapitulli 1 vazhdon duke përshkruar se kur njerëzit refuzojnë Perëndinë, Zoti i dorëzon ata në pasojat e mëkatit të tyre. Ne zhytemi në teori të marra, perversione seksuale, shkatërrime sociale, mizori ndaj njëri tjetrit e, një mal me mizori të tjera. Kur ne nuk kemi një marrëdhënie personale me lavdërime dhe falënderime për Krijuesin tonë, gjërat shkojnë keq e më keq. Ne bëhemi të marrë, qoftë në mënyrën e të arsyetuarit dhe në mënyrën se si e jetojmë jetën tonë. Ne e shpërfillim Krijuesin tonë dhe shkatërrojmë veten.

Pasi e kemi bërë këtë dhe kemi provokuar zemërimin e Perëndisë, ka vetëm një mënyrë për tu kthyer tek Ai, dhe atë mënyrë nuk mund ta gjejmë thjesht duke studiuar krijimin. Krijimi mund të na ndihmojë ta marrim seriozisht realitetin e Perëndisë, por vetëm Bibla mund të na tregojë një pamje të plotë se si është ky Perëndi i fuqishëm dhe i mrekullueshëm.

Bibla na tregon se çdo krijesë e krijuar është bërë me anë të Jezus Krishtit dhe në Të qëndrojnë të gjitha gjërat. Përmes mëkatit tonë, ne kemi dëmtuar veten dhe krijimin e Perëndisë. I vetmi që mund të shpëtojë popullin e Perëndisë dhe të restaurojë krijimin e tij është ai përmes të cilit u bë gjithçka në fillim. Biri i Perëndisë, Jezusi, burimi i tërë krijimit, u bë një krijesë, një qenie njerëzore. Ai vdiq në kryq për të thyer kontrollin e mëkatit dhe ai u ngrit nga vdekja për të mposhtur fuqinë e vdekjes dhe të prishjes.

Vetëm Jezusi, mund të na japë një marrëdhënie personale me Perëndinë, i Cili të krijoi ty. Vetëm Jezusi mund të restaurojë krijimin e Perëndisë në përsosmëri, kur Ai të kthehet në tokë. Kur ti i beson Jezusit, Perëndia të birëson si fëmijën e Tij. Fryma e Tij i hap sytë e tu për të parë fuqinë dhe madhështinë e Perëndisë, dhe dashurinë që shkëlqen në gjërat që Ai ka bërë. I pamendi thotë në zemër të vet:”Nuk ka Perëndi.” Por besimtari këndon: “Kjo është bota e Atit tim”.