Vazhdojmë me këshillën e radhës.
- Duaji fëmijët e tu duke besuar se Perëndia do të përfundojnë veprën e Tij në jetën tënde dhe atë të fëmijëve të tu.
Fëmijët e tu janë një vepër e papërfunduar, po kështu je edhe ti. Mbaje parasysh këtë. kur fëmijët e tu nxehen, mos u frikëso. Dhe kur ti vetë nxehesh, mos hiq dorë. Fëmijët e tu kanë një rrugë të gjatë për të bërë, po kështu edhe ti, por Perëndia i bën gjërat sipas mënyrës së vet, për t’ju çuar atje ku ai dëshiron që ju të jeni. Bibla u thotë njerëzve që janë shumë larg modelit të përsosur: “… Ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit.” (Filipianëve 1:6)
Është mirë që të kemi pritshmëri të larta për veten dhe fëmijët tanë. Por mos u bëj kërkues pa qenë mirëkuptues. Madje dhe Perëndia vetë, ndonëse është i përsosur dhe kërkon përsosmëri totale, ka dhembshuri për ne në dobësitë tona. Bibla thotë:
” Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij. Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.” (Psalmi 103:13-14)
Perëndia nuk do të jetë plotësisht i kënaqur derisa të jemi të përsosur, por ndërkohë, ai njeh dobësinë tonë dhe ai kënaqet me çdo shenjë progresi. Ky është qëndrimi i Perëndisë dhe ky duhet të jetë edhe qëndrimi ynë gjithashtu. Mos u trego shumë i ashpër me fëmijët e tu. Mos u trego shumë i ashpër me veten.
Mos e kthe çdo problem në një katastrofë të pandryshueshme. Mos u frikëso. Lutu. Ji i duruar me dështimet dhe ji mirënjohës sa herë që bën pak përparime. Ne nuk jemi ndryshuar plotësisht, por me hirin e Perëndisë do të ndryshojmë. Ne dhe fëmijët tanë nuk jemi të përsosur, por në vend që të lejojmë dobësitë të na shtyjnë në dëshpërim, le të pushojmë në Shpëtimtarin tonë që është i përsosur dhe është në gjendje të na bëjë ne dhe fëmijët tanë të përsosur në kohën e tij. Le të duam fëmijët tanë duke u lutur për ta dhe duke i besuar një Perëndie të dashur që do të përfundojë punën që na nisur në ne dhe fëmijët tanë.
- Duaji fëmijët e tu duke qenë i pranishëm në jetën e tyre.
Ndoshta kjo nuk të bën shumë përshtypje, por një prej mënyrave kryesore për të dashur fëmijët e tu është thjesht të jesh i pranishëm për ta! Po, të jesh i pranishëm! Edhe sikur të jesh larg të qenit i përsosur, atëherë je drejt rrugës për tu bërë një nënë apo baba i mirë thjesht duke qenë i pranishëm apo duke kaluar kohë më fëmijët e tu, në vend që të jesh diku tjetër.
Thjesht prania jote gjatë ngrënies së vakteve mund t’i ndihmojë shumë fëmijët. Ja një informacion tronditës për përdorimin e duhanit dhe marjuanës nga fëmijët që ndikohet shumë nga mos prania e prindërve në jetën e fëmijëve.
Gjashtë përqind, e fëmijëve që hanë darkë me prindërit e tyre më shumë se gjashtë herë në javë, pinë duhan. Ndërsa për fëmijët që hanë darkë me prindërit e tyre dy herë apo më pak në javë kjo shifër është më e lartë, 24 përqind.
Dymbëdhjetë përqind (12%) e fëmijëve të rastit të parë (pra që darkonin gjashtë herë në javë me prindërit) pinë marjuanë, kjo shifër është 35% për rastin e fëmijëve që hanin darkë dy herë apo më pak me prindërit e tyre.
Nuk duhet që të jesh hero apo gjeni që të ulesh me fëmijët për të ngrënë një vakt. Është e thjesht, ulu dhe ha me ta. Në të kundërt fëmijët e tu do të jenë tre apo katër herë më të predispozuar që të fillojnë zakone të dëmshme. Nëse ti thjesht shfaqesh çdo ditë për të ngrënë vaktet e biseduar me fëmijët, kjo mund të bëjë një ndryshim të madh në jetën e fëmijëve të tu.
Të ngrënit së bashku, të luajturit së bashku apo leximi i diçkaje me fëmijët e tu, mund të duken si gjëra të vogla. Sigurisht që këto nuk janë gjëra që kërkojnë njohuri në psikologji. Këto janë gjëra të vogla, por pikërisht “ këto gjëra të vogla” bëjnë një ndryshim të madh. Ato janë thesare të mëdha për zemrën dhe shpirtin e fëmijës.
Ndonjëherë nuk ke pse bën asgjë, veç qëndro me ta në shtëpi. Edhe sikur fëmijët të mos jenë duke bërë diçka me ty, edhe sikur ata të jenë vetëm në një qoshe tjetër të shtëpisë, thjesht prania jote në shtëpi, i bën ata të ndihen të mbrojtur, të sigurt dhe të gëzuar. Ndoshta për momentin ata nuk kanë nevojë për ty, por e dinë se ti je aty. Me fjalë të tjera, një pjesë e mirë e prindërimit nuk ka të bëjë me aftësitë e tua, por thjesht me të qenit i pranishëm. Ti nuk duhet të jesh ekspert, thjesht të jesh i pranishëm.
Rreziku i kësaj është se nëse ti nuk mund të jesh i pranishëm për fëmijët nëse nuk vjen në shtëpi, nëse je vazhdimisht larg fëmijëve të tu, nëse nuk kalon mbrëmjet apo darkat me ta. Nëse nuk i bën këto është e kotë të ngjeshësh oraret që të gjesh pak kohë për të qenë pranë tyre.
Bibla thotë: ” Si zogu që endet larg folesë së tij, kështu është njeriu që endet larg shtëpisë së tij.” (Fjalët e Urta 27:8) Prindërimi në largësi nuk funksionon. Ti nuk mund të drejtosh familjen përmes telefonit, faksit, apo postës elektronike. Duaji fëmijët duke qëndruar sa më shumë me ta.
- Duaji fëmijët duke vendosur prioritetet e duhura.
Çfarë ka me të vërtetë rëndësi për ty? Ku i përqendron përpjekjet e tua më të mëdha, energjinë dhe shqetësimin tënd, si të kesh më shumë gjëra, apo si të ndërtosh marrëdhënie më të mira?
Ne pamë pak më parë se sigurimi për nevojat tona fizike, mund të jetë një mënyrë për të dashur fëmijët, por plotësimi i nevojave fizike nuk është njëlloj si të rendësh pas pasurisë dhe luksit. Bibla thotë qartë se: ” Kush lakmon fitime vë në rrezik shtëpinë e vet.” (Fjalët e Urta 15:27)
Është më mirë të jetosh me më pak lukse dhe të kesh marrëdhënie më të shëndetshme me Perëndinë dhe Familjen se sa të kesh një stil jetese prej pasanikësh apo njerëzish të famshëm, me një familje të shkatërruar apo marrëdhënie të thyer me Perëndinë. Bibla e thekson hera herës këtë gjë te libri i Fjalëve të Urta:
“Më mirë pak me frikën e Zotit, se sa një thesar i madh me shqetësime. Më mirë një pjatë me perime në të cilën ka dashuri se sa një ka i majmur në të cilin ka urrejtje.” (Fjalët e Urta 15:16,17 TEV). “Është më mirë një copë bukë thatë me paqe se sa një shtëpi plot me kafshë të vrara me grindje.”(Fjalët e Urta 17:1 TEV)
Për të qenë i lumtur nuk të duhet ushqimi më i shtrenjtë, apo shtëpia më e madhe, a makina më e bukur që ekziston. Fëmijët e tu nuk kanë nevojë për tonelata lodrash a pajisjesh elektronike, apo dollapë me rroba të kushtueshme, për të qenë të lumtur.
Të jetuarit në paqe me njëri- tjetrin, dashuria për njëri tjetrin, nderimi i Zotit dhe shijimi i favorit të tij, janë gjëra shumë herë më të mira që paraja nuk mund t’i blejë, janë më të mira se gjithcka tjetër, si për ty ashtu edhe për fëmijët. Duaji fëmijët duke vendosur prioritet e duhura.
- Duaji fëmijët duke i disiplinuar ata si duhet dhe me vendosmëri.
Nëse i disiplinon fëmijët e tu, ata mund të të akuzojnë ndonjëherë se i urren apo se po tregohesh i keq me ta. Por çfarë thotë Perëndia për këtë në Bibël? Perëndia thotë se mungesa e disiplinës është e urryeshme. Fjalët e Urta shpall: ” Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë.” (Fjalët e Urta 13:24)
Disa ekspertë të prindërimit tolerant drejtojnë në mënyrë të gabuar prindërit duke thënë se gjuajtja me shuplakë quhet abuzim me fëmijën. Por Perëndia thotë se nuk quhet aspak abuzim ndëshkimi i fëmijëve të tu për mosbindje dhe mëkat. ” Ndëshko birin tënd sa ka shpresë, por mos u shty deri sa të shkaktosh vdekjen e tij.” (Fjalët e Urta 19:18)