Dhurata e Lirisë dhe e nevojës

Print

Titulli: Dhurata e Lirisë dhe e nevojës (pjesa 2)

Si mund të qëndrojnë bashkë, dy fjalët, liri dhe urdhërim? Le të jemi të sinqertë, urdhërimi sikurse e kemi parë fillon me diçka shumë pozitive:”Ti je i lirë të hash nga çdo pemë e kopshtit. . .”

Por kur shohim se çfarë vjen më pas, ndjenja jonë e lirisë, mund të trazohet. Fjalët e para të Perëndisë për njeriun kanë fjalën “por”, e cila ndryshon komplet kuptimin e fjalisë,

“Por,” thotë Perëndia, “ti nuk mund të hash nga pema e njohjes të së mirës dhe së keqes.”

Unë mendoj se nuk duhet të ishte kjo fjalë “por” në kontekstin e lirisë, sepse në liri nuk ka kufizime. Unë dëshiroj të jem krejt i lirë. Por më pas lexoj në tekst se kjo është pema e njohjes.

Perëndia vazhdon t’i thotë Adamit se prej saj nuk mund hajë.

Po kjo nuk duket e drejtë, mua nuk më duket si liri.

A nuk është njohuria rruga drejt lirisë?

Perëndia po e kufizon mundësinë e hyrjes së njeriut në njohuri, e po kështu po kufizon mundësinë e hyrjes së njeriut në liri. Por në tekst vazhdojnë të shfaqen kufizimet.

Më vonë lexojmë se ka diçka në krijimin e Perëndisë që nuk është e mirë. Perëndia thotë, ‘Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm.”

Vetmia me sa duket e kufizon qenien e parë njerëzore.

Pra ka diçka “jo të mirë” atje.

A e shihni se çfarë ka ndodhur në tekstin tonë? Papritur gjithë liria që kemi folur më parë, është kompromentuar.

Tani ka urdhërime dhe kufizime; njohuria është ndrydhur dhe Perëndia thotë: “Bëj këtë, mos bëj atë.” Liria dhe nevoja janë vendosur bashkë në tekstin tonë për të kuptuar se në krijimin e mirë të Perëndisë, liria dhe nevoja shkojnë gjithmonë bashkë. Por shumë prej nesh kjo gjë nuk u duket e drejtë.

Nëse je i lirë duhet të jesh plotësisht i lirë, ose nëse nuk je i lirë, atëherë quhesh jo i lirë. Po mua më pëlqen ta mendoj lirinë si një dhuratë prej Perëndisë, ndërsa për nevojën nuk jam shumë i sigurt.

Më lejo të të kujtoj sërish atë predikuesin me kovën e mbushur me ujë.

Pasi vendosi që të mos hidhte ujin mbi njerëzit, ai tha: “ Unë jam i lirë dhe po të dua, mund të predikoj pjesën tjetër të takimit duke mbajtur kovën të futur në kokë.”

Pas këtyre fjalëve ai futi sërish kokën në kovë dhe vazhdoi të fliste një pjesë të predikimit me kokën mbuluar me kovë.

Më pas ai theksoi se edhe pse ishte i lirë të sillej si të donte, ishte e pamundur që njerëzit në kishë ta dëgjonin mirë se çfarë po thoshte. Po kështu edhe ai e kishte të pamundur të lexonte shënimet e tij.

Me pak fjalë, nevoja dikton se ne predikuesit,  duhet t’i mbajmë kokat jashtë kovave kur predikojmë.

Ky pastor me këtë kovë tha: “Unë jam i lirë të mbaj kokën në kovë, dhe ta mbaj aty poshtë në ujë sa kohë të dua.

Por meqenëse nuk jam Heri Poter (Harry Potter), dhe nuk kam aftësi magjike për të qëndruar nën ujë e për të marrë frymë me velëza, nuk mund të marr dot frymë nën ujë. Unë nuk mund të thith oksigjenin që është në ujë sepse nuk jam krijuar për ta bërë këtë. Unë jam njeri dhe jo peshk.”

Ky predikues po sillej çuditshëm; sepse po përpiqej të shpjegonte konceptin e lirisë që është gjithmonë e kufizuar prej nevojës së krijimit tonë.

Ne jemi krijesa, dhe si krijesa të Perëndisë së plotfuqishëm, ka disa kufij, brenda të cilëve ne duhet të jetojmë, na pëlqen ose jo.

Nëse kjo është e vërtetë fizikisht, (sikurse e kemi provuar të gjithë), atëherë kjo është e vërtetë edhe shpirtërisht.

E kupton logjikën e kësaj? Zoti Perëndia ynë, është krijuesi, përfshi këtu edhe krijuesin e lirisë sonë.

Kështu kuptojmë se krijuesi i plotfuqishëm, i vendos limitet dhe kufijtë për të gjithë ne, krijesat e tij.

Kjo njohuri që thotë se ne jemi krijesa, dhe jo krijuesi, janë pika e fillimit për të kuptuar se përse liria dhe nevoja shkojnë gjithmonë bashkë.

Nëse jam aq budalla sa të mbys veten me duart mia, duke mbajtur kokën nën ujë, më shumë se sa mundem, nuk kam përse të ankohem kundër ligjeve të natyrës. Le të themi se nëse do të bëja këtë, askush nuk do t’ia dinte për mua dhe as nuk do të më dëgjonte mua.

Perëndia është krijuesi, ndërsa ne krijesa. Për të jetuar në dhuratën e lirisë së tij ne duhet të pranojmë dhuratën se kemi nevojë për të.

Pra vini re urdhërimin që Perëndia i jep Adamit. Liria dhe nevoja, në krijim nuk është vetëm për krijuesin që i tregon krijesave se si duhet të jetojë.

Vini re se kur Perëndia e jep urdhërimin, ky është vetëm për kufijtë. Pra Perëndia thotë: “mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe së keqes. Sepse unë jam krijuesi yt. Është detyra ime të përcaktoj se çfarë është e mirë dhe e keqe. Ndërsa detyra jote është të bindesh. Ta them unë çfarë është e mirë dhe e keqe.”

Por nuk kemi mbaruar. Fjalët e Perëndisë në këtë tekst na zbulojnë hirin e Tij ndaj nesh.

Ai jo vetëm që i jep udhëzime të duhura Adamit, se çfarë duhet të bëjë dhe çfarë nuk duhet të bëjë, por ai vë re gjithashtu se Adami ka nevojë për ndihmën e një njeriu tjetër për ta bërë këtë.

Perëndia sheh se nuk është mirë për Adamin që të jetë vetëm. Ky rresht na kujton se ne kemi nevojë për njëri- tjetrin. Nuk është mirë që të jemi vetëm. Këtu na kujtohet jo vetëm se është e nevojshme që ta dëgjojmë krijuesin dhe t’i bindemi atij, por mësojmë se për ta bërë këtë kemi nevojë për ndihmën e qenieve të tjera njerëzore.

Pra është e nevojshme, që të qëndrojmë së bashku.

Dhurata e madhe e Perëndisë në këtë pasazh, është se ai i jep Adamit lirinë e po kështu jep udhëzime, se si të ruajë atë liri. Përveç kësaj, përmes krijimit të një qenieje tjetër, ai siguron një ndihmës të përshtatshëm në jetën e tij.

Për sa kohë që Adami jeton nën nevojën e urdhërimeve të Perëndisë ai do të përjetojë liri. Dhe dhuratat e Perëndisë bëhen edhe më të mëdha kur shikojmë se Perëndia do të sigurojë një partnere për të, që të mos jetë vetëm në lirinë e tij. Pra dikush tjetër e ndihmon që të bindet.

Më lejo t’i kthehemi edhe një herë atij predikuesit, me kovën e pagëzimit. Në fund të mesazhit të tij, pastori kthehet tek pagëzorja, dhe merr tasin e pagëzimit dhe thotë:

“Unë nuk e derdha të gjithë ujin e pagëzimit në kovë. Ka mbetur ende edhe pak, sepse është e nevojshme që të rrijë këtu.

Pse e lashë aty- pyet ai? Sepse ky ujë i pagëzimit shënon larjen e mëkateve tona përmes gjakut të Jezus Krishtit, dhe ripërtëritjes së jetës sonë  me anë të Frymës së Shenjtë.”

Uji i pagëzimit, konfirmon të vërtetën e madhe se Perëndia na plotëson me lirinë e Jezus Krishtit.

“Me fjalë të tjera,” tha pastori, “ky ujë na jep lirinë dhe nevojën. Lirinë prej mëkatit dhe nevojën për bindje.”

Predikuesi pastaj mori tasin e pagëzimit, shkoi drejt mesit të sallës dhe filloi të zhyste duar në tas dhe më pas të spërkate atë ujë drejt njerëzve që qëndronin ulur në  kishë.

Ai tha:” Për të gjithë ju që jeni pagëzuar. Dëshiroj që të ndjeni në trupin tuaj ujin e pagëzimit përsëri. Dua t’i shoh ato pika në trupin tuaj. Dua që të kujtoni lirinë  tuaj në Jezus Krishtin. Unë dëshiroj që të njihni nevojën e të jetuarit në të vërtetën e tij. Unë dua që të njihni lirinë dhe nevojën e Krishtit që ju jep jetë.”

Me këtë, pastori e mbylli mesazhin e tij.

Më lejoni që edhe unë ta mbyll me të njëjtin stil.

Fundja fare ky predikues, për të cilin folëm deri tani jam unë.

Sa do të doja që të kishe parë vështrimet e çuditura të bashkësisë sime kur më panë , duke i kërcënuar se do ti lagia me ujë.

Do të doja shumë të kishe parë se sa i marrë dhe i çuditshëm duket një predikues që flet me një kovë në kokë.

Sa do të doja që të kapërceja valët radiofonike e të spërkasja edhe ty me ujin e pagëzimit.

Po kështu do të dëshiroja shumë që të shihje vështrimet e paqta e të gëzueshme të besimtarëve në kishën time teksa ishin spërkatur me ujin e pagëzimit.

Sepse ne kemi lirinë në Perëndinë, me anë të Jezus Krishtit, për të jetuar përjetësisht me Të e po kështu nevojën për të jetuar në bindje ndaj Tij.

Sot pra le të jetojmë në lirinë por edhe nevojën tonë për Krishtin.