KONCEPTIMI I DUHUR PËR RRITJEN E FËMIJËVE
Rritja e fëmijëve është punë e vështirë apo jo? Në një sondazh të zhvilluar prej stacionit të lajmeve ABC, gjashtë në dhjetë nëna pohuan se shqetësohen për aftësitë e tyre në prindërim.
Gjysma e tyre ndihen fajtore që nuk po përmirësohen në prindërim. Ndërsa shtatëdhjetë përqind mendojnë se sot është shumë herë më e vështirë të jesh prind krahasuar me brezin e mëparshëm.
Unë mendoj se është e vështirë të gjesh ekuilibrin e duhur kur bie fjala te rritja e fëmijëve, apo jo?
Pesëdhjetë përqind e nënave në këtë sondazh thanë se i shkojnë më shumë pas qejfit fëmijëve, krahasuar me nënat e tyre.
Në një kulturë materialiste, është e vështirë të mos u japësh fëmijëve gjithçka kur të luten.
Reklamat që fëmijët thithin përmes televizorit çdo orë e çast, u thonë se janë mjaftueshëm të mëdhenj për të parë televizor, duke i kthyer kështu parashkollorët në konsumatorë të vërtetë.
Dhe ky problem nuk është vetëm në Shqipëri por kudo. Sot në Kinë, politikat qeveritare inkurajojnë familjet të kenë një fëmijë. Kështu këta fëmijë të vetëm bëhen aq të përkëdhelur dhe të llastuar sa që sociologët tani flasin për një komb me perandorë të vegjël dhe perandoresha të vogla.
Megjithatë në një botë që i llaston më shumë se sa duhet fëmijët, shohim se ka shumë të tjerë që përdoren dhe akuzohen. Në Shtetet e Bashkuara, regjistrohen çdo ditë 2500 raste të braktisjes dhe abuzimit të fëmijëve.
Shpesh këta fëmijë abuzohen prej prindërve të tyre sepse shihen si një mundësi e mirë që këta të fundit të plotësojnë kënaqësitë dhe dëshirat e tyre egoiste.
Nga llastimi i tepruar e deri te braktisja e fëmijëve, lavjerrësi lëkundet sa në njërin ekstrem te tjetri.
Edhe prindërit e krishterë përballen me këto presione.
Unë kam folur me shumë prindër të cilët po ndeshen me mënyrën se si fëmijët e shprehin temperamentin e lartë.
Në të njëjtën kohë kam folur edhe me prindër të cilët janë në betejën e madhe të përcaktimit të sasisë së gjërave materiale që duhet tu japin fëmijëve.
Shpesh po të njëjtët prindër kalojnë të gjitha këto probleme. Ata ndeshen me të dyja anët e medaljes së prindërimit. Ata pranojnë se ndonjëherë bëhen abuzues verbalë, e humbasin durimin me fëmijët dhe, më herë të tjera mund ti llastojnë më shumë se sa duhet! Këta prindër mundohen të kompensojnë dështimet e tyre prindërore duke i dhënë fëmijëve më shumë se sa duhet! Po është e vështirë të rritësh fëmijë sot.
Tani, dua t’ju sugjeroj diçka. Ndryshimi i madh në rritjen e fëmijëve do të vijë pasi të keni ndryshuar mënyrën si i shikoni ata.
Nëse i shikoni fëmijët dhe veten tuaj, thjeshtë si konsumatorë që e gjejnë lumturinë në gjërat materialet, atëherë me siguri jeni drejt rrugës së problemeve të prindërimit.
Nëse mendon kështu atëherë do të tundohesh që ti llastosh së tepërmi fëmijët, me mendimin se prindërimi i mirë mund të krahasohet me sasinë e parave që shpenzon për tekat e tyre.
Më pas presionet financiare për rritjen e fëmijëve ngatërrohen me dëshirat vetjake për të jetuar si konsumator, e për pasojë do të zbulosh se llastimi i fëmijëve është acarues dhe, largon mundësitë për të bërë një jetë të mirë.
Unë pyes veten se si i shikon ti fëmijët e tu. A i shikon fëmijët njëlloj siç i shikon Perëndia?
E dini në kishën e Jezus Krishtit fëmijët kanë rëndësi. Fundja fare, Jezus Krishti i mori fëmijët e vegjël në prehër dhe i bekoi.
Jezusi madje u tregoi ndjekësve se nëse nuk do të bëheshin si ata fëmijë të vegjël nuk do të hynin në mbretërinë e Perëndisë.
Në fakt, Jezusi i vlerëson fëmijët kaq shumë sa që e quan besimin e tyre prej fëmije, modelin e dishepullizimit të vërtetë.
Fëmijët, kanë shumë rëndësi, për Jezusin.
Atëherë nuk është aspak çudi që kur lexon Shkrimet do të shohësh se Perëndia zgjodhi një familje për t’i përfshirë ata në historinë e shpengimit të madh.
Atje do të gjesh histori që të ndihmojnë të kuptosh, se si familjet tona mund të përfshihen në planin e Perëndisë, për shpengimin e njerëzve sot.
PROBLEME NË FAMILJE
Le të shohim së bashku kapitullin e parë të një Samuelit. Për arsye kohe nuk po e lexojmë gjithë kapitullin, por atje do të gjesh gjithë historinë e lindjes së djalit me emrin Samuel.
Ishte një burrë me emrin Elkanah dhe kishte dy gra, Anën dhe Peninan. Dhe gratë nuk shkonin shumë mirë me njëra- tjetrën. Nëse dëshiron të dish arsyen se përse Bibla thotë se monogamia është zgjidhja ideale, mjafton t’i hedhësh një sy zhvillimit të ngjarjeve në familjen e Elkanahut.
Nuk është çudi që në familjen e tyre ka tension.
Dhe ky tension shpërtheu mes Anës dhe Peninës, në lidhje me fëmijët. Penina kishte fëmijë ndërsa Ana jo. Dhe Penina nuk linte pa ia kujtuar këtë gjë Anës.
Unë mendoj se Ana nuk kishte nevojë që Penina t’ia kujtonte faktin që nuk kishte fëmijë.
Unë jam i sigurt se hidhërimi duhet të ketë qenë miku më i ngushtë i Anës. Dhe sinqerisht, ka shumë prindër që na dëgjojnë tani dhe e kuptojnë dhimbjen e saj.
Gruaja ime dhe unë nuk patëm fëmijë menjëherë pas martese. Dhe më kujtohet dhimbja që përjetonim sa herë që çiftet në kishën tonë shpallnin se po prisnin një fëmijë. Dhimbja jonë nuk ishte shumë e madhe krahasuar me disa prindër të tjerë. Unë kam njohur disa çifte të krishtera që nuk mund të merrnin pjesë në kishë, ndërkohë që bekohej një fëmijë para të gjithëve.
Lëndimi i tyre ishte shumë i madh. E di shumë mirë se ka shumë prindër që i kuptojnë lotët e Anës.
Ata e njohin dhimbjen që vjen nga dëshira për të mbajtur në krahë një fëmijë të tyren, që është mishi dhe gjaku i vet dhe ky gëzim, ky bekim për një arsye apo për tjetrën nuk po vjen.
Tani nëse je duke përjetuar dhimbjen e Anës, do të ishte mirë të kujtoje se Perëndia i Shkrimeve është Perëndia i jetimëve por edhe i prindërve pa fëmijë.
Ekziston një Perëndi që kujdeset. Dhe ky Perëndi i përgjigjet shumë ndryshe dhimbjes sonë se sa Penina, e cila i kujton me të keq Anës gjendjen e saj për t’ia lënduar zemrën vazhdimisht.
Ekziston një Perëndi, i Cili reagon shumë ndryshe nga Eli, që nuk e kupton dhimbjen e Anës, sa që mendon se ajo e ka derdhur trishtimin e saj te alkooli duke u dehur. Ekziston një Perëndi, i Cili kupton dhe kujdeset për lëndimet tona. Ai na fton t’i sjellim zemrat tona para Tij.
Dhe pikërisht kjo ndodh edhe në këtë histori. Ana e derdh dhimbjen e saj para Perëndisë në një ditë të madhe festive në Izrael.
E dini, në kohën e Anës, duhej ende kohë që Tempulli të ndërtohej në Jeruzalem. Arka e besëlidhjes zbriti në tabernakull, në një vend të quajtur Shiloh.
Çdo vit, adhuruesit shkonin në malin Shiloh për t’i ofruar sakrifica Perëndisë. Pra populli i Perëndisë bashkohej në malin Shiloh për të festuar.
Elkanahu e dinte se kjo festë do ta lëndonte shumë Anën. Kur ne jemi në kthetrat e hidhërimit, e qeshura e të tjerëve thjesht sa e rëndon më shumë vuajtjen tonë.
Shumë prej nesh mendojnë se Krishtlindja, për shembull, është një kohë shumë e dhimbshme sepse festat familjare na kujtojnë humbjen e një personi të dashur. Elkanahu u mundua të bënte më të mirën për ta lehtësuar disi dhimbjen.
Kjo është arsyeja pse ai do t’i jepte Anës shumë dhurata të bukura në atë festë, në shenjë nderimi të veçantë. Sepse fundja fare, i tha ai Anës: “A nuk jam unë për ty më i mirë se dhjetë fëmijë?”.
Por realisht si ndihej Ana pas këtyre fjalëve? Ndërkohë që gjithë të tjerët e pyesnin Peninën për fëmijët e saj, çfarë ndodhte brenda zemrës së Anës, që ndodhej aty pranë? Për më shumë na ndiqni në programin e radhës.