Një prej spektakleve televizivë më të preferuar për mua është “ Ribërja totale e shtëpisë” (Extreme Home Makeover). Ndoshta e keni parë. Në këtë spektakël të njohur, zgjidhet një familje që merr surprizën më të madhe të jetës.
Ndërsa njerëzit e familjes dërgohen me pushime luksoze për një javë, një grup projektuesish dhe ndërtuesish fillojnë punën në shtëpinë e tyre pothuajse të rrënuar, dhe e transformojnë atë në një shtëpi të bukur e të madhe, që ata as e kishin menduar ndonjëherë.
Nuk di si ta përshkruaj momentin kur sheh vështrimin e tyre, lotët e gëzimit, e kur dëgjon teksa shprehin mirënjohjen për dhuratën, pra shtëpinë e re.
Ne ulemi të gjithë si familje para televizorit dhe mendojmë: A nuk do të ishte fantastike sikur të vinte dikushi e të bënte të njëjtën gjë me shtëpinë tonë?
Pra të vijë dikush, e të trokasë në shtëpinë tonë që ta transformojë atë e ta kthejë në shtëpinë e ëndrrave tona? Sa mirë do të ishte t’ia fillonim nga e para në një shtëpi të re, të ribërë nga e para.
Ndonëse kjo është diçka shumë e mirë, Bibla flet për një transformim që është shumë herë më i madh: ribërja e jetës sonë nga e para.
Cili është ai person që nuk ka thënë të paktën një herë të vetme: “Dua t’ia filloj nga e para”.
Të gjithë njerëzit përreth meje janë duke bërë gjëra të mrekullueshme, kanë një ndikim shumë pozitiv, po ndryshojnë botën. Një fëmijë bujar dhuron paratë që kishte kursyer për t’i blerë një fëmije tjetër një palë syze, duke themeluar kështu një shërbesë në një lagje të varfër.
Një grua strehon në shtëpi një nënë me fëmijën e saj dhe më vonë ajo shndërrohet në një shtëpi për të pastrehët. Një doktor jepet shumë pas punës së tij, duke ndihmuar njerëzit e varfër në Haiti, dhe më pas klinika e tij bëhet një model për projekte të tjera të ngjashme kudo nëpër botë. Ndaj ti thua, pse nuk mund të jem unë pjesë e diçkaje të tillë?” Kur ne shikojmë veten apo jetën tonë, kemi tendencën të zhgënjehemi.
Gjithsesi në Bibël, zbulomë një lajm të mirë, e të mrekullueshëm. Pali, një ndjekës i Jezus Krishtit, dhe një ungjilltar i madh, thotë kështu: “Nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re. E vjetra ka shkuar, gjithçka është bërë e re!” Kjo do të thotë se të gjithë ata që i japin jetën e tyre Jezus Krishtit, nuk përkufizohen më prej mëkatit apo natyrës së tyre të rënë, ndonëse të gjithë ne jemi mëkatarë, ndonëse të gjithë e ndiejmë barrën e fajit për gabimet e bëra apo për gjërat e mira që nuk i bëmë. Pali thotë se për të gjithë ata që janë në Krishtin, e kaluara lihet pas.
Dhe ne bëhemi të rinj. A ju kujtohet se çfarë tha Pali: Jo vetëm që e vjetra ka shkuar por ka ardhur e reja.
Ka ardhur! Ky është një pohim në kohën e shkuar.
Kjo do të thotë se të qenurit “ një krijesë e re” në Krishtin nuk është vetëm një realitet i së ardhmes, që do ta përjetojmë në qiell, por ai tashmë ka filluar! Ja se çfarë do të thotë kjo: kur Ati ynë na shikon prej fronit, duke kërkuar në gjithë faqen e dheut për ne, fëmijët e tij që jemi të ngarkuar me punë apo lojëra, Ai shikon në ne një njeri të ri në Krishtin, nuk sheh thyerjen që kemi për faj të mëkatit. E vjetra ka shkuar, e reja ka ardhur! Kjo ka domethënie të madhe sepse na ndihmon ta shohim si duhet botën ku jetojmë.
Tani dua të ndalem në një histori reale.
Në vitin 1988, një punonjës hekurudhash me emrin Jan Gërzebski pësoi plagë të rënda në kokë në përpjekje për të bashkuar dy vagonë treni. Dëmtimi ishte kaq i madh sa që Gërzebski ra në një komë të thellë dhe doktorët i thanë gruas së tij, Gertrudës, të priste më të keqen.
Megjithatë, Gertruda nuk u tërhoq prej vendimit se do t’i shërbente bashkëshortit sido që të shkonte fati i tij.
Ajo u kujdes shumë për Janin, ditë pas dite teksa ishte në komë, duke ndërruar pozicionet e tij në krevat dhe duke planifikuar vizita për anëtarët e familjes. Nëntëmbëdhjetë vite më vonë, në maj të vitit 2007 Jani u përmend dhe doli nga koma. Por çfarë zbuloi ai kur u zgjua nga “gjumi” i gjatë prej nëntëmbëdhjetë vitesh?
Një kohë shumë e gjatë apo jo? Mendo pak se vetëm një vit pasi ai ra në gjendje kome, komunizmi ra në gjithë Evropën. Ai ra në gjumë kur Polonia ishte komuniste dhe, u përmend pothuajse dy dekada më vonë, për të zbuluar demokracinë dhe zhvillimin e ekonomisë sw lirë.
Jani u shpreh me fjalët: “Kur rashë në koma, nëpër dyqane kishte vetëm çaj dhe uthull, ndërsa mishi ishte me racione dhe kudo gjeje veç radhë të gjata. Ndërsa sot unë takoj njerëz që kanë telefona celularë, dhe nëpër dyqane ka aq shumë produkte sa nuk di çfarë të zgjedhësh.” Po kështu kur Gërzebski u zgjua zbuloi se katër fëmijët e tij ishin martuar dhe tashmë ishte bërë gjysh njëmbëdhjetë herë.
Ai thotë se sot jeton në një botë shumë ndryshe. Gertruda, gruaja e tij shprehet: “Ai u gëzua kaq shumë kur pa rrugët e gjallëruara dhe produktet e shumta. Ai thotë se bota është më e bukur tani.”
Sikurse e thotë edhe ky punëtor i njohur polak, kur ne njohim bekimet që kemi në Krishtin, e shohim botën me sytë e atij që është rilindur sërish. Është njëlloj sikur të jemi zgjuar nga koma. Ne e shohim botën shumë ndryshe.
Ne tashmë jemi pjesë e një krijimi të ri. Kur ne fokusohemi te gjërat negative, qoftë të kësaj bote, apo të zemrës sonë, mund të qëndrojmë shumë lehtë në gjumë, në një proces ripërtëritës të jashtëzakonshëm. Jezusi i tha apostullit Gjon te Zbulesa: “Ja unë po i bëj të gjitha gjërat e reja”. Ne jemi krijesa të reja. Fillimi i një toke të re, nis me ne!
Kjo është një dhuratë e përjetshme që Zoti na ka dhënë. Mos bëj gabime; risia e jetës nuk është diçka për të cilën kemi merita. Sikurse e thotë edhe Pali: “Edhe të gjitha gjërat janë nga Perëndia që na pajtoi me veten përmes Jezu Krishtit dhe na dha shërbimin e pajtimit”. Lajmi i mirë është se risia e jetës nuk varet nga ne, apo në aftësinë tonë rikrijuese. Perëndia është Ai që na ofron jetën e re.
Por si është kjo jetë e re? Në një letër tjetër drejtuar të krishterëve në qytetin e Koloseut, Pali thotë: “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja”. Pali thotë se ne po bëhemi më shumë si Perëndia, më të Cilin qëndrojmë, specifikisht, ne bëhemi më shumë si Jezusi. Dhe pikërisht këtë bën edhe dishepullizimi.
Në kohën e Jezusit, kishte shumë dishepuj që ndiqnin shumë mësues. Të qenit dishepull do të thoshte t’i përkushtoheshe mësimeve të mësuesit tënd. Për ta bërë këtë, duhet të shkoje pas mësuesit, qytet më qytet, duke e dëgjuar atë që i mëson turmat e vogla të dëgjuesve të interesuar dhe, për t’i këshilluar individët që të kenë zbulesa të perëndishme të urtësisë, në një sfidë personale.
Por të qenit dishepull do të thoshte shumë më tepër sesa të mësoje atë që të kishte mësuar rabi.
Kjo do të thoshte që të bëheshe si mësuesi yt në çdo aspekt të jetës tënde. Ti mund të vëzhgojë mënyrën se si rabini prezantohej në publik, si fliste apo si ecte dhe ta imitoje më pas. Qëllimi i gjithë kësaj ishte të bëheshe një rabin në kuptimin e plotë të fjalës, pra të ishe përfaqësuesi i tij në çdo vend ku shkoje. Të ishe si ai, të veproje si ai.
Pra mendoje edhe një herë se çfarë do të thotë që jemi thirrur të jemi dishepuj dhe të bëjmë dishepuj të Jezusit. Kjo do të thotë se ne po bëhemi si Jezusi. Kjo do të thotë se do të jemi duke bërë të njëjtat gjërat si Ai, do të sillemi njëlloj si ai, do të themi të njëjtat fjalë si ai.
Tani e di që ky është një ndryshim total i jetës. Spektakli televiziv që ju fola pak më parë nuk krahasohet me këtë ndryshim. Është pak a shumë si transformimi që iu bë burgut të vjetër në rrugën Çarls Strit në Boston, që ka qenë streha e qytetarëve famëkeq. Mes tyre ka qenë edhe Frenk Ebagnejll (Frank Abagnale Jr), një artist i dënuar me burg, rolin e të cilit e luan Leonardo diKaprio. Filmi ka titullin”Më kap po munde” (Catch Me If You Can) dhe është shumë interesant.
Burgu është ndërtuar në vitin1851 dhe asokohe konsiderohej si një prej burgjeve më të mëdhenj në botë. Por rreth viteve gjashtëdhjetë, burgu u mbipopullua tej mase, ishte shumë i ndotur dhe për këtë arsye të burgosurit u ngritën në revoltë. Ndërtesa filloi punimet në vitin 1973. Transferimi i të burgosurve të fundit u bë në vitin 1990.
Shtatëmbëdhjetë vite më vonë dhe pas një investimi prej 150 milion dollarë, burgu në Çarls Strit është kthyer në Hotel Liberti, i cili mburret me luksin e tij që kushton nga treqind deri pesë mijë e pesëqind dollarë nata. Restorantet me emrat Klind dhe Skampo (që në italisht do të thonë “arratisje”) dhe lokali me emrin Alibi, i kujtojnë projektuesve të kaluarën e ndërtesës.
Një ish i burgosur Bill Berd (Bill Baird) vizitoi hotelin në dyzetë vjetorin e arrestimit të tij dhe u habit prej rinovimit. “Si mund të ndryshosh diçka kaq të tmerrshme siç është burgu”, pohoi ai, “ dhe ta kthesh në diçka jashtëzakonisht të bukur? Nuk di ç’të them!”
Po kështu transformimi i mëkatarëve në shenjtorë të Krishtit duket i pamundur.
Por sërish, ki parasysh atë që ka për të thënë Pali: “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja!” Mos harroni, Pali vetë kaloi përmes një transformimi radikal.
Ai u rrit si farise, që do të thotë si anëtar i një sekti brenda Judaizmit, që fokusohej në interpretimin strikt të Biblës. Pali si farise besonte se judenjtë ishin populli i zgjedhur i Perëndisë, të thirrur për të qenë të shenjtë, të ndarë mënjanë prej kombeve të tjera dhe për të qenë të përkushtuar ndaj Perëndisë. Ai besonte se Dhjata e Vjetër qe kemi edhe ne sot, ishte zbulesa e plotë e vullnetit të Perëndisë. Po kështu ai besonte se nuk ishte i mundur pajtimi i vërtetë dhe i përhershëm i njerëzimit me Perëndinë, prandaj mundësia më e mirë ishte që njerëzit të vazhdonin ta kënaqnin Perëndinë përmes sakrificave në tempull dhe ruajtjes strikte të ligjit fetar judeas.
Por realisht Krishti ka përfunduar gjithçka për ne miq, me gjakun e derdhur në kryq. Të gjitha ata që besojnë në Të marrin falje dhe vazhdojnë të transformohen në hirin e Tij.