Ndonjëherë gëzohemi kur sjellja e keqe e disa njerëzve regjistrohet dhe del hapur në publik. Një politikan mundohet të mbulojë një skandal, apo çdo krim të pazbuluar, që provon fajësinë e tij.
Një trafikant droge mbështet te njerëzit me pushtet që ta nxjerrin prej burgut, por i duhet të përballet me një regjistrim që e ka kapur atë gjatë kryerjes së krimit.
Shumë njerëz janë të lumtur kur këta persona duhet të përballen me krimet e tyre; por a do të pëlqente që e gjithë jeta jote të regjistrohej dhe më pas të nxirrej në shesh për tu hetuar dhe gjykuar?
Epo të pëlqen ose jo, realiteti është ky. Cilado qofshin sekretet e tua, nuk do të mbeten të fshehura përgjithmonë. Çdo moment i jetës tënde ruhet në një regjistër të plotë dhe ky regjistër do të vlerësohet publikisht. Për këtë, nuk duhen kamera, as regjistrues, që të ndjekin nga pas, as një aparat për leximin e mendjes, që të shoqëron kudo. Por diçka më depërtuese dhe e saktë se këto gjëra që përmendëm.
Syri i Zotit është mbi ty. Perëndia di gjithçka që ti bën, gjithçka që thua, apo mendon dhe, e grumbullon çdo detaj në memorien e Tij me një saktësi të përsosur. Asgjë nuk i shpëton shikimit të Tij dhe Ai nuk harron asgjë. Po afrohet dita kur ti do të qëndrosh para Perëndisë dhe çdo detaj i jetës tënde do të shqyrtohet dhe do të gjykohet prej standardeve të gjykimit hyjnor.
Veprimet, fjalët, mendimet
Në ditën e gjykimit përfundimtar, do të shqyrtohen të gjitha veprimet e tua. Bibla thotë: ” Sepse Perëndia do të vërë të gjykohet çdo vepër, edhe çdo gjë që është fshehur, qoftë e mirë apo e keqe”. (Predikuesit12:14)
Çdo veprim, qoftë i mirë apo i keq, gjendet në atë regjistër: prekja e ëmbël dhe goditja e ashpër; koha kur ndihmuat fqinjin tuaj të sëmurë dhe koha kur mashtruat bashkëshortin, apo bashkëshorten dhe askush nuk e zbuloi. Aty është edhe çeku, që shkrove për të ndihmuar fëmijët në nevojë dhe marrëveshja e errët e biznesit që të pasuroi në kurriz të dikujt tjetër; ditët kur punove shumë dhe netët që ishe i dehur. Perëndia ka një regjistër të plotë të veprimeve të tua më të mira, të keqen dhe të mirën si edhe gjithçka të ndërmjetme.
Së bashku me këto veprime, në regjistrin e Perëndisë janë edhe fjalët e tua. Gjithçka që ke thënë është regjistruar fjalë për fjalë në memorien e Perëndisë. Sikurse e thotë edhe Jezusi: ” Nuk ka asgjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që nuk do të njihet.
Prandaj të gjitha ato që thatë në terr, do të dëgjohen në dritë; dhe ato që pëshpëritët në vesh ndër dhomat e brendshme, do të shpallen nga çatitë e shtëpive.” (Luka 12:2-3)
Gjithçka që ke thënë qoftë e mirë apo e keqe është regjistruar fjalë për fjalë: himnet dhe fjalët sharëse; komplimentet inkurajuese dhe fyerjet ulëse; udhëzimet ndihmëse dhe shpifjet raciste; premtimet e mbajtura dhe premtimet e thyera; diskutimet e vlefshme dhe thashethemet mizore. Të gjitha këto janë regjistruar dhe ti do të përgjigjesh për çdo njërën prej tyre në ditën e gjykimit. Jezusi tha: ” Por unë po ju them se ditën e gjyqit njerëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë.
Sepse në bazë të fjalëve të tua do të justifikohesh, dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh.” (Mateu 12:36-37)
Në ditën e gjykimit do t’i japësh llogari Perëndisë jo vetëm për veprimet dhe fjalët e tua por edhe për të gjitha mendimet e tua. Perëndia e di kur ti tregon mirësjellje nga jashtë, por përbrenda je mbushur me urrejtje dhe zemërim.
Perëndia e di, kur ti zhvesh dikë me sy dhe mbush mendjen me epsh për trupin e dikujt tjetër.
Perëndia e di, kur t’i sillesh si besimtar, jo për shkak të dashurisë së Perëndisë por sepse dëshiron t’i bësh përshtypje të tjerëve.
Perëndia thotë: ” Unë, Zoti, hetoj zemrën, vë në provë mendjen për t’i dhënë secilit sipas rrugëve të tij, sipas frytit të veprimeve të tij.” (Jeremia 17:10) Shkrimet thonë: “[Perëndia] do të nxjerrë në dritë gjërat e fshehta të errësirës dhe do të shfaqë këshillat e zemrave.” (1 Korintasve 4:5) Hebrenjve 4:12-13 shprehet kështu: ” Sepse Fjala e Perëndisë…është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.
Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t’i japim llogari.” (Hebrenjve 4:12-13) Perëndia mund ta lexojë mendjen tënde dhe Ai i gjykon mendimet që gjen atje.
Në ditën e gjykimit, nuk do të ketë nevojë për prova ADN-je apo për dëshminë e ekspertëve apo dëshmitarëve okularë, sepse Perëndia di gjithçka dhe do të nxjerrë gjithçka në dritë. Nuk do të ketë avokat, asnjë justifikim- gjykimi do të jetë i drejtë dhe përfundimtar.
Gjykatësi do të nxjerrë verdiktin e Tij dhe do të shpallë destinacionin tënd.
Gjykatësi i caktuar
Gjykatësi që do të jetë i pranishëm në ditën e gjykimit do të jetë Jezusi. Gjykata supreme ,në shumë vende, përbëhet prej një paneli gjykatësish që ofrojnë opinione të ndryshme bazuar në ligjet, precedentët dhe ndonjëherë në përllogaritje politike dhe preferenca vetjake. Por Gjykata e Supreme në ditën e gjykimit do të ketë vetëm një gjykatës, Jezusin. Vendimet e tij nuk bazohen tek opinioni, politika apo rastet precedentë, por tek e Vërteta.
Ndonjëherë caktimi i gjykatësve përfshin përleshje dhe zënka politike. Gjykatësit kanë shumë pushtet, kështu që palët dhe njerëzit përleshen për të marrë atë gjykatës që duan vetë, dhe të parandalojnë caktimin e një gjykatësi që nuk i kryen punë atyre. Por tashmë është bërë zgjedhja e gjykatësit më të rëndësishëm. Nuk ka vend për zgjedhje. Askush nuk mund të parandalojë apo të zhbëjë caktimin e Jezusit si gjykatës. Bibla thotë: ” Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit.” (Veprat17:31)
Ndoshta ti nuk e ke lidhur asnjëherë ringjalljen e Jezusit në Pashkë me caktimin e Tij si gjykatës, por Bibla shpesh e bën këtë lidhje. Jezusi tha: ” Në fakt ashtu si Ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do.
Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit”. (Gjoni 5:21-22)
Pasi Jezusi u ringjall, apostulli Pjetër deklaroi: ” Por Perëndia e ringjalli të tretën ditë… ai që Perëndia e ka caktuar si gjykatës të të gjallëve dhe të vdekurve”. (Veprat 10:40-42) Perëndia nuk na ka lënë që të vrasim mendjen se kush do të jetë gjykatësi suprem. Kur ngriti Jezusin prej së vdekurish , Ati qiellor miratoi drejtësinë e përsosur të Birit të Tij dhe kualifikimet e Tij për të kryesuar si gjykatës.
Caktimi i Jezusit si gjykatës nuk mund të pengohet as prej shtyrjeve politike, as prej sharjeve apo korruptimit. Vendimet e Jezusit për ditën e gjykimit nuk mund të ndikohen prej fitimeve, ryshfeteve, apo gjykatësve të shtrenjtë. Jezusi është një me Zotin, që Bibla e përshkruan si ” Perëndia i madh, i fortë dhe i tmerrshëm që nuk është fare i anshëm dhe nuk pranon dhurata. (Ligji i Përtërirë 10:17) Disa politikanë dhe gjykatës të korruptuar i bazojnë vendimet e tyre te fakti se kush jep ryshfete më të mëdha apo dhurata për fushatën e tyre elektorale, por dhënia ryshfeteve nuk do të hyjë në punë ditën e gjykimit. Jezusi tashmë ka në zotërim universin; Ai nuk ka nevojë për paratë e askujt. Paratë nuk mund ta blejnë Jezusin dhe mungesa e parave për të nuk ka rëndësi. Ai do të gjykojë të pasur e të varfër sipas drejtësisë së Tij dhe jo sipas pasurisë apo influencës së tyre.