Më e madhja është dashuria

Print

Titulli: Më e madhja është dashuria (pjesa 1)

Tema që kemi zgjedhur sot është shumë e dashur për të gjithë ne, apo jo? Sot nuk do ta filloj me vargje por me disa veprime matematikore. Ju e dini se:

Zero shumëzuar me çdo numër është e barabartë me zero. Fëmijët e kanë shumë qejf këtë ushtrim matematikor sepse është shumë i lehtë. Sa e lehtë është ta mësosh tabelën e shumëzimit kur shumëzon me zero, sepse e di që rezultati do të jetë gjithmonë zero. Për shembull:

Zero shumëzim një është e barabartë me zero. Zero shumëzim dy është e barabartë me zero, zero shumëzim njëqind është e barabartë me zero. Është e thjeshtë apo jo?

Edhe jeta është e thjeshtë, por ndoshta jo kaq e thjeshtë sa shumëzimi me zero, kur të duhet të zbulosh vlerën e veprimeve të tua. Rezultati përfundimtar i çdo veprimi është i barabartë me vlerën e veprimit, shumëzuar me dashurinë që ke. Në rast se nuk ke dashuri ( pra vlera e saj është zero), atëherë nuk ka rëndësi se çfarë bën sepse rezultati është zero. Zero shumëzuar me gjithçka tjetër është e barabartë me zero.

Bibla e tregon këtë, te letra e parë drejtuar Korintasve, kapitulli 13. Apostulli Pal, i frymëzuar prej Frymës së Shenjtë shkruan këto fjalë:

Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon.

Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë, edhe të dija të gjitha misteret dhe mbarë shkencën dhe të kisha gjithë besimin sa të luaja nga vendi malet, por të mos kisha dashuri, nuk jam asgjë.

Edhe sikur të ndaja gjithë pasuritë e mia për të ushqyer të varfrit dhe ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë. (v. 1-3)

Kjo është një prej pjesëve më të bukura në Bibël. Por në fakt flet për disa realitete që nuk janë dhe aq të bukura. Perëndia e shtyu Palin t’i shkruante këto fjalë për njerëzit në Korint që dukej sikur kishin gjithçka, përveç dashurisë.

Disa të krishterë në kishën e Korintit flisnin në gjuhë të tjera. Ata ishin kaq të kënaqur me këtë dhuratë të veçantë sa që thonin se kushdo që nuk fliste me këto gjuhë ishte një i krishterë i parëndësishëm dhe nuk ishte i mbushur me Frymën e Shenjtë, ose tek e fundit nuk ishte fare i krishterë.

Por Pali nën drejtimin e Perëndisë pohoi të kundërtën. Ai tha se ndonëse ai mund të fliste në gjuhë të tjera si pjesa më e madhe e tyre, nuk do të thoshte se dhurata e tyre ishte më rëndësishme se dhuratat e tjera të Frymës së Shenjtë, përpos kësaj asgjë nuk është më e rëndësishme se sa të pasurit e dashurisë së Perëndisë. Në fakt, pa dashuri, ti mund të flasësh çdo gjuhë të njerëzve a të engjëjve, dhe sërish të jesh bosh, apo si tingulli i cimbalit.

Shumë të krishterë të Korintit mburreshin me faktin se kishin miq disa drejtues të njohur si Pali, Apollo apo Pjetri. Disa madje pohonin një lidhje të veçantë dhe të drejtpërdrejtë me Jezus Krishtin vetë. Çdo grup ndihej superior ndaj grupit që nuk kishte lidhje të veçantë me një drejtues të njohur. Këta njerëz mendonin se kishin më shumë depërtim në profecitë, misteret dhe njohurinë frymërore. Por edhe sikur kjo gjë që ata mendonin të ishte e vërtetë, çfarë do të arrinin pa dashuri? Zero. Asgjë. Vetëm do të rrihnin ajrin dhe do të djersiteshin më kot.

Një pjesë e të Korintasve kishin fuqinë e shërimit dhe të mrekullive. Ata ishin kaq të gëzuar për këtë fuqi mrekullibërëse sa që nuk e shikonin të nevojshme që Jezusi të kthehej sërish e t’i ngrinte të vdekurit, a t’i bënte të gjitha gjërat të reja.

Ata zbuluan se mund t’i bënin vetë këto! “E ç’na duhet ringjallja?!”thoshin ata. “Kush ka nevojë për qiellin? Me pak besim, mund të jetosh këtu po aq mirë sa atje!” Dhe në rast se dikush kishte probleme me shëndetin, financat apo betejat shpirtërore, ata thjesht u thoshin:”Ju nuk keni besim sa duhet! Ju duhet të na ngjani më shumë ne, besimtarëve të vërtetë. Ne kemi besimin për të shëruar çdo sëmundje dhe për të lëvizur çdo mal,madje edhe tani para se Krishti të kthehet sërish.” Por ky këndvështrim që i sheh njerëzit e tjerë me nënçmim dhe pa dashuri, që ata e quanin besim që lëviz malet, në fakt ishte i barabartë me zero.

Perëndia nuk pohon se është gabim apo është e keqe të flasësh në gjuhë të tjera apo të kesh besimin që lëviz malet. Ai thjesht thotë se këto gjëra pa dashuri janë të barabarta me zero.

Por le të shkojmë pak më tej. A duket se kam dashuri, sikur ta shes gjithçka që kam dhe tua jap të varfërve dhe e bëj për të larguar një kompleks faji apo thjesht për të treguar se sa bujar apo zemërgjerë jam? Po sikur të bie martir dhe ta bëj këtë me dëshirën që të jem hero për hir të kauzës sime?

Në rast se bujaria dhe veprimet vetë sakrifikuese bëhen me dashuri, kjo është diçka shumë e mirë, por nëse nuk bëhen me dashurinë e Perëndisë, atëherë edhe gjërat e mëdha mund të barazohen me zero.

Për të zbuluar rezultatin e jetës tënde nuk mjafton të shtosh bujari, zemërgjerësi apo të tjera si këto. Po kështu nuk mjafton të kesh një sërë aftësish shpirtërore, dhe të bësh vepra të mira, të cilat do të rrisin apo pakësojnë dashurinë që ti ke. Jo, dashuria është faktori që shumëzon gjithçka tjetër. Nëse dashuria është e pranishme, ajo shumëfishon në mënyrë marramendëse gjithçka tjetër. Nëse faktori dashuri është zero atëherë gjithçka tjetër bëhet zero.

Dashuri reale

Pra pjesa hyrëse e 1 Korintasve 13 na tregon se sa e domosdoshme është dashuria. Pjesa tjetër tregon se çfarë natyre ka dashuria vepruese. Fjala dashuri ka përdorime të ndryshme, por cilën dashuri pëlqen Perëndia? Dashuria nuk është vetëm një bashkësi ndjenjash apo një gjendje e mirë shpirtërore. Dashuria duket në sjelljen e përditshme. Dashuria vjen prej qiellit, por ajo është reale, e prekshme.

Ja se çfarë thotë Bibla te 1 Korintasve 13:

Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset,

nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq;

nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të      vërtetën, i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të  gjitha, i mban çdo gjë. Dashuria nuk ligështohet kurrë.(1 Korintasve 13:4-8)

“Dashuria është e durueshme.” Nëse do ta përkthenim këtë fjalë për fjalë do të ishte: “vuan për një kohë të gjatë”. Dashuria toleron shumë gjëra. Kjo nuk na pëlqen shumë apo jo? Sa do të donim të zgjidhnim çdo situatë të thyer apo të ndreqnim çdo person që duhet ndrequr.

Por durim do të thotë të jesh i gatshëm të qëndrosh në situata të vështira, që duket se duan kohë për tu rregulluar, po kështu durim do të thotë të tolerosh njerëz, të cilët duan një kohë e gjatë që të ndryshojnë, apo që ndoshta nuk do të ndryshojnë asnjëherë. Kjo është fuqia e dashurisë. Dashuria vuan për një kohë të gjatë. “Dashuria është e durueshme”.

“Dashuria është plot mirësi.” Dashuria është e ëmbël me njerëzit e ndjeshëm. Dashuria është bujare me njerëzit nevojtarë. Është e ëmbël me njerëzit e lënduar. Është inkurajuese me njerëzit e pasigurt. I zgjat dorën atij që ka nevojë për ndihmë. Dashuria është e mirë edhe me ata që nuk e meritojnë mirësinë. Dashuria e shpaguan të keqen me të mirë, mizorinë me mirësi. Dashuria lutet për përndjekësit . Dashuria kërkon një mënyrë që njeriu i lig të bëhet i mirë, dhe ndihmon që armiku të bëhet mik. Dashuria “është plot mirësi”.

Uroj të jeni inkurajuar sado pak prej temës “Më e madhja është dashuria”.