U erdhi radha gjërave që dashuria nuk i bën kurrë.
Dashuria nuk i bën kurrë këto gjëra:
Dashuria “nuk ka smirë”.
Smirë do të thotë të mos duroj dikë tjetër që ma ka kaluar dhe të dëshiroj që gjërat e tij të jenë të miat. Smira shfaqet kur unë e dua veten time më shumë se të tjerët. Kur dikush tjetër është më mirë me mësime, kur dikush tjetër është ylli dhe jo ti, kur dikush tjetër zë një punë më të mirë se ti, kur fëmijët e dikujt tjetër kanë sukses, por jo të tutë, atëherë smira ngryset mbi fytyrën tënde.
Por dashuria e qesh fytyrën. Smira dëshiron gjithçka të mirë për vete. Por dashuria është mirënjohëse sa herë që më ndodhin gjëra të mira mua apo të tjerëve. Dashuria “nuk ka smirë”.
Dashuria “nuk vë në dukje”.
Nëse jeta është garë unë duhet të mburrem. Unë duhet ta promovoj apo reklamoj veten. Nëse bëj diçka të mirë, të gjithë duhet ta marrin vesh se çfarë kam bërë. Nëse nuk e bëj unë të madje atë që kam bërë kush do ta bëjë? Çfarë vlere ka të bësh diçka të mirë që kalon pa u vënë re? Unë duhet të sigurohem që njerëzit të kenë opinionin më të mirë të mundshëm për mua. Unë duhet të nxjerr në pah veten! Dhe përgjatë këtij procesi unë shqetësohem më shumë me faktin si do tu bëj përshtypje të tjerëve se sa si t’i dua ata. Dashuria nuk garon për të marrë vëmendje apo admirim. Në vend që të mundohet të bjerë në sy, dashuria largon vëmendjen nga vetja për të parë se çfarë ka diçka të mirë te të tjerët. Dashuria “nuk vë në dukje”.
Dashuria “nuk krekoset”. Ndonjëherë unë e kundërshtoj ndjenjën për tu mburrur apo krekosur, por një pjesë të arritjeve të mia nuk arrij t’i mbaj sekrete madje ndihem superior ndaj të tjerëve. Dashuria nuk vepron kështu. Kur unë jetoj me krenari, nuk shikoj gabimet e mia, por edhe sikur t’i shikoj, mbaj gjithmonë gati një justifikim. Krenaria mundohet të nxjerrë sa më në dritë atë që bëj unë, dhe të zbehë sa më shumë atë që bëjnë të tjerët. Kështu unë dal në krye. Sidoqoftë dashuria, llogarit të tjerët përpara, madje i quan më të mirë se vetja. Dashuria “nuk krekoset”.
Dashuria nuk “sillet në mënyrë të pahijshme”. Fundja fare, dashuria është e durueshme dhe plot mirësi megjithatë është e vështirë të jesh i duruar dhe i mirë e njëkohësisht të sillesh në mënyrë të pahijshme, apo jo? Të sillesh me ashpëri do të thotë të bëj gjithçka dua, apo ndiej, pavarësisht se sa i lëndon apo i fyen kjo të tjerët. Por dashuria nuk vepron kështu. Me anë të dashurisë unë i shpreh ndjenjat e mia, dhe jam më i prirur të respektoj ndjenjat e të tjerëve. Dashuria është shumë e sjellshme, plot respekt, shumë e ndjeshme për të qenë e ashpër apo e pahijshme.
Dashuria “nuk kërkon të sajat”.
E kundërta e dashurisë është të kërkoj të bëhet si dua unë, të kujdesem vetëm për veten dhe për gjërat e mia, të bëj prioritet arritjen e asaj që dua, të jem i fiksuar pas vetëvlerësimit dhe vetë përmbushjes. Në rast se i dua të tjerët vetëm për sa kohë m’i plotësojnë dëshirat, apo m’i plotësojnë nevojat, atëherë realisht unë nuk i dua aspak ata. Mua thjesht më pëlqen çfarë ata bëjnë për mua. Dashuria “nuk kërkon të sajat ”.
Dashuria “nuk pezmatohet”. Dashuria do kohë që të shpërthejë në zemërim. Nuk shpërthen menjëherë. Kjo nuk do të thotë se dashuria nuk zemërohet asnjëherë, por ajo nuk zemërohet aq lehtë. Dashuria zemërohet vetëm për një arsye të drejtë. Dashuria zemërohet kur diçka po shkon me të vërtetë keq dhe jo atëherë kur nuk bëhet ashtu siç do ajo. Dashuria nuk lëndohet apo irritohet kollaj. Dashuria “nuk pezmatohet lehtë”.
Dashuria “nuk dyshon për keq”. Dashuria nuk mban një listë me ofendimet e së kaluarës. Dashuria e lë pas diçka të gabuar, nuk e kujton më.
Dashuria ka kujtesë të fortë për të mirat që bëjnë të tjerët dhe kujtesë të dobët për gabimet.
Dashuria është e ngadaltë për të sulmuar dhe e shpejtë për të falur ofendimet. Dashuria nuk hakmerret. Dashuria nuk i regjistron gabimet. Dashuria nuk mban mëri. Dashuria është e gatshme t’i ndihmojë të tjerët në vend që ti gozhdojë ata pas së kaluarës. Dashuria “nuk dyshon për keq”.
Mos më keqkuptoni. Dashuri nuk do të thotë të tregohesh i mirë ndonëse ligësitë bëhen para syve tuaj. E fundit por jo më pak e rëndësishmja, në listën e gjërave që dashuria nuk bën është kjo:
Dashuria “nuk gëzohet për padrejtësinë”. Në vend të kësaj “gëzohet me të vërtetën”.
Dashuria nuk thotë: “ Nuk ka rëndësi se çfarë bën, për sa kohë që kjo të bën ty të lumtur”. Dashuria nuk gëzohet me të keqen edhe sikur dikush tjetër të jetë duke u kënaqur me këtë. Dashuria nuk thotë:
“Nuk ka rëndësi se çfarë beson për sa kohë kjo funksionon për ty.” Dashuria gëzohet me të vërtetën, jo me gënjeshtrat, gabimet apo të keqen.
A mund të përfytyrosh një nënë që u thotë fëmijëve: “Nuk ka rëndësi nëse e ushqejmë njëri -tjetrin me helm apo me petulla, rëndësia ka që e duam njëri- tjetrin”. Kjo është çmenduri si mund të helmosh një njeri që e do?! Nëse e do ti dëshiron më të mirën për të! Dashuria që tregohet indiferente ndaj së keqes apo falsitetit, nuk është dashuri e vërtetë.
Dashuria e vërtetë vjen prej Perëndisë. Ajo nuk mund të miratojë diçka që nuk vjen prej Perëndisë. Dashuria e Perëndisë dëshiron më të mirën për të tjerët dhe e keqja nuk hyn tek “më e mira”. E keqja shkatërron gjithmonë. Nga ana tjetër e vërteta, gjithmonë restauron dhe ndihmon, edhe sikur të jetë e pakëndshme për një farë kohe.
Dashuria nuk kënaqet në të keqen, as nuk i shtyn njerëzit drejt së keqes, po kështu nuk kënaqet kur rivalët kapen në ligësinë e tyre.
Unë mendoj se është e lehtë të kënaqesh me rrëzimin e një personi, me të cilin ti nuk shkon mirë, apo të kënaqesh kur dëgjon skandalin apo ligësinë e një partie, politika e së cilës nuk të pëlqen. Por kur një person goditet prej fatkeqësisë, dashuria nuk e vështron ngultas duke thënë: “ Të thashë”. Dashuria qëndron me të vërtetën, gëzohet me të vërtetën, dhe bën të pamundurën që t’i kthejë njerëzit nga ligësia e tyre e dëmshme në të vërtetën e shëndetshme të Perëndisë. Lum ju që keni dashuri.