Më e madhja është dashuria

Print

Titulli: Më e madhja është dashuria (pjesa 3)

Çfarë bën dashuria ‘gjithmonë’

Pasi treguam se çfarë nuk bën dashuria, 1 Korintasve13 i kthehet sërish gjërave pozitive duke pohuar se çfarë bën gjithmonë dashuria: ” I duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë.” (v. 7). Një përkthim fjalë për fjalë do të ishte: “Dashuria i duron të gjitha gjërat, i shpreson të gjitha gjërat, i mban të gjitha gjërat.” (v. 7 RSV) Në çdo rrethanë dashuria mbetet gjithmonë dashuri.

Dashuria “mbron gjithmonë”.

Dashuria e di se ” Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha”, (Fjalët e urta 22:1) ndaj edhe mbron emrin e të tjerëve. Dashuria di të mbajë një sekret. Dashuria di si ta mbajë gojën mbyllur. Në vend që t’i turpërojë të tjerët apo të bëjë thashetheme, dashuria shikon si mund t’i inkurajojë të tjerët. Në vend që t’i shtyjë pas, dashuria i ndihmon të bëjnë përpara. Kjo nuk do të thotë se dashuria mbulon gabime të mëdha, ndonjëherë disa gjëra duhen nxjerrë në pah e të dënohen. Por edhe atëherë kjo duhet bërë me qëllim që të ata të mos lëndohen, e po kështu për të mbrojtur mëkatarin për të vazhduar në mëkat dhe në vetëmashtrim. Dashuria “mbron gjithmonë”.

“Dashuria beson gjithmonë”.

Çdo marrëdhënie mbështetet te besimi, po kështu edhe dashuria. Dashuria është realiste për ligësinë e të tjerëve, por është e gatshme të besojë më të mirën. Dashuria nuk bie në cinizëm, ndonëse është tradhtuar apo lënduar. Edhe atëherë kur duket e pamundur t’i besosh një personi, dashuria vazhdon ti besojë Burimit të dashurisë, pra Perëndisë. “Dashuria beson gjithmonë”.

Dashuria “shpreson gjithmonë”.

Dashuria shpreson më të mirën. Kur gjithçka duket e errët, dashuria përshkon terrin drejt horizontit të së ardhmes, duke pritur gjithmonë agimin e rrezeve të arta të diellit.

Dashuria është kaq e sigurt në Perëndinë, kaq e sigurt për fuqinë e dashurisë, sa që nuk i humb kurrë shpresat se dashuria do të fitojë në fund. Dashuria shpreson më të mirën për të gjithë njerëzit, edhe për ata që duken të pashpresë dhe dashuria pret më të mirën për të ardhmen përfundimtare të kësaj bote, sepse gjithçka mbështet në dashurinë e madhe të Perëndisë. “Dashuria shpreson gjithmonë”.

Dashuria “duron gjithmonë”.

Dashuria i duron të gjitha. Dashuria mbetet konstante përgjatë gjithë gëzimeve edhe zhgënjimeve, përgjatë çdo rrethane ndryshuese. Dashuria mbahet fort. Dashuria “duron gjithmonë”.

Këtë pamje ka dashuria. Ajo vjen prej qiellit dhe është reale, e prekshme. Dashuri do të thotë të jetosh në këtë botë, i fuqizuar përmes diçkaje që nuk është e kësaj bote. Dashuri do të thotë të duash ashtu si Jezusi. Jezusi thotë: “…Ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur… Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin’.’ (Gjoni 13:34-35)

Në një vend tjetër në Bibël thuhet: “Shumë të dashur, le ta duam njeri tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia dhe kushdo që do, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë. Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri. Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij. Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona. Shumë të dashur, në qoftë se Perëndia na ka dashur në këtë mënyrë; edhe ne duhet ta duam njeri-tjetrin.” (1 Gjoni 4:7-11)

Dashuria nuk është diçka që mund ta prodhojmë vetë. Ajo vjen nga Perëndia dhe vjen përmes Jezus Krishtit. Perëndia pa mëkatin tonë, se sa pak dashuri kishim dhe në dashurinë e Tij dërgoi Birin e tij që të paguante për mëkatet tona e të na fuqizonte për të jetuar në dashuri.

Mendoj se edhe ti ashtu si unë, kur dëgjon 1 Korintasit 13 ndien se ke dështuar në një prej këtyre gjërave në listë, por njëkohësisht ndien gëzim dhe ripërtëritje se kjo dashuri ka fuqi për të larguar prej egoizmit dhe mungesës së dashurisë, duke të bërë që të duash sërish.

Beso sot se dashuria e Jezusit në kryq, i zëvendëson të gjitha dështimet e tua për të dashur me diçka të re. Beso se “…sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.” (Romakëve 5:5) Më pas jeto në pushtetin e asaj dashurie, dhe duaji të tjerët ashtu siç Perëndia të do ty.

Dashuri e pandryshueshme

Kapitulli 13 te letra e parë e Korintasve na tregon se sa i rëndësishëm është faktori dashuri, se si është dashuria, çfarë bën dashuria gjithmonë dhe çfarë nuk bën dhe më pas apostulli Pal e mbyll duke na tregua se sa zgjat dashuria. Pali shkruan se dashuria zgjat përgjithmonë.

Dashuria nuk ligështohet kurrë; por profecitë shfuqizohen, gjuhët pushojnë dhe njohuria do të shfuqizohet, sepse ne njohim pjesërisht dhe profetizojmë pjesërisht.

Por, kur të vijë përsosmëria, atëherë ajo që është e pjesshme do të shfuqizohet.

Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë; kur u bëra burrë, i flaka gjërat fëminore.

Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe; tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë ashtu sikurse njihem.

Tani, pra, këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria; por më e madhja nga këto është dashuria. (1 Korintasve 13:8-13)

Dashuria është shprehja më e lartë e aktivitetit mbinatyror dhe hyjnor. Pra nuk janë gjuhët, as profecia por dashuria. Atyre që krenohen për dhuntitë mbinatyrore, dhe atyre që krenohen se kanë gjithmonë të drejtë për gjithcka, Pali u thotë se gjuhët, profecitë dhe njohuria, ndonëse mund të kenë vlerë dhe rëndësi mbeten të pjesshme fëminore dhe të përkohshme. Kur të vijë fundi dhe ta shohim Jezusin ballë për ballë dhe më në fund do të njohim po aq mirë sa jemi njohur, dhe njohuria dhe bindjet e tanishme do të duken si refleksione apo ide fëminore.

Teksa jetojmë jetën tonë, këto na ndihmojnë për të krijuar një ide se kush është Perëndia, çfarë natyre ka, por këto gjërat do ti lemë pas kur të hyjmë në lavdinë e plotë të Perëndisë, e ta njohim ballë për ballë Zotin. Shumë prej dhuratave shpirtërore dhe rrugët e njohjes që ne kemi nevojë në këtë kohë do të lihen pas në kohën që do të shfaqet Perëndia. Megjithatë dashuria nuk do të mbetet kurrë prapa. Dashuria nuk ligështohet kurrë. Prandaj prioriteti ynë më i lartë, edhe tani, është t’i besojmë dashurisë së pandryshueshme në Jezusin dhe të jetojmë një jetë dashurie.

Dhuntia e mrekullisë dhe e njohurisë mund të jetë diçka e këndshme, por nuk zgjasin. Mrekullitë nuk do të jenë të nevojshme në botën e re ku Perëndia do të jetë i gjithi në gjithcka. Njohuria, të paktën ajo që kemi tani, do të përpihet në botën e ardhshme, ku më në fund do të shohim qartë.

Cilat janë gjërat që do të zhduken dhe cilat janë gjërat që do të mbeten përgjithmonë? Tri gjëra: besimi shpresa dhe dashuria. Besimi është bindja dhe siguria e mrekullueshme se Jezusi shpëton dhe se Perëndia i bën të gjitha gjërat mirë. Kjo siguri do të konfirmohet më së miri në qiell. Shpresa është pritja se e ardhmja do të jetë e ndritur. Kjo pritje në qiell do të zgjerohet në një të ardhme që vazhdon të bëhet gjithmonë e më e mirë, për gjithë përjetësinë.

Besimi dhe shpresa janë shumë të mira, por më e mira dhe më e madhja ndër to është dashuria. Dashuria buron prej përjetësisë nga zemra e Perëndisë Atë. Bëhet fjalë për atë dashuri që takohet në jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Jezus Krishtit dhe shumëfishon gjithcka në jetën  tonë duke e bërë një jetë që ia vlen të jetohet; dashuri që vazhdon dhe shtrihet deri në përjetësi. Dashuri që zgjat përgjithmonë. Pa këtë dashuri, ti nuk je asgjë. Me këtë dashuri, ke gjithçka!