Fakte fizike të Pashkës

Print

Titulli: Fakte fizike të Pashkës (pjesa 3)

Besimi Fizik

Krishterimi është një besim fizik. Sigurisht që ai përfshin po ashtu  mbretërinë frymërore, por krishterimi mbetet një besim vërtetë fizik. Ku besim fizik bazohet në ringjalljen trupore të Jezusit, dhe ky besim fizik shikon një domethënie të madhe shpirtërore në gjërat fizike. Fakti që Biri i Perëndisë e bashkoi veten në një trup do të thotë që Ai kujdeset për botën fizike dhe jo vetëm për mbretërinë shpirtërore. Shpëtimi është po aq i madh sa vetë krijimi.

Ai prek jo vetëm qëndrimet shpirtërore sikurse janë mirësia dhe mëshira, por edhe gjërat fizike, si për shembull lulet, këlyshët, shkëmbinjtë dhe pemët, elefantët dhe lumenjtë. Perëndia krijoi botën fizike, dhe ringjallja e Krishtit përcakton sfondin për ripërtëritjen e botës fizike për të përmbushur qëllimin për të cilin Ai e krijoi.

Bota fizike në përgjithësi merr një domethënie të re në ringjalljen trupore të Krishtit, dhe trupi njerëzor në veçanti është tërësisht i rëndësishëm. Disa filozofë, mësojnë se mendja është ajo që ka më shumë rëndësi, jo trupi. Disa fe, kanë mësuar se shpirti apo fryma, është ajo që ka rëndësi, dhe jo trupi. Por ringjallja e Jezusit tregon se trupi ka rëndësi. Bibla mëson që një ditë ne do të kemi trupa të ringjallur ashtu si Jezusi, dhe që në këtë mënyrë duhet të jemi të pastër në mënyrën se si i përdorim trupat tanë pikërisht tani. Duhet t’ia ofrojmë Perëndisë trupat tanë si një sakrificë e gjallë. (Romakëve 12:1).

Kjo ka një impakt të madh në etikën seksuale. Bibla thotë: ” por trupi nuk është për kurvëri, po për Zotin, dhe Zoti për trupin. Tani Perëndia siç e ringjalli Zotin kështu do të na ringjallë edhe ne me fuqinë e tij. A nuk e dini ju se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju. Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.” (1 Korintasve 6:13-20).

Përgjatë historisë, mësuesit e rremë të cilët kanë mohuar realitetin trupor të Jezusit, po ashtu kanë pasur prirjen të mohonin rëndësinë e nderimit të Perëndisë me trupat tanë dhe kanë mohuar etikën seksuale të Biblës. Gnostikët e lashtë e shtrembëruan Krishterimin aq shumë sa nuk mund të njihej. Ata pretendonin se kishin një urtësi të veçantë, për njerëzit me të vërtetë të arsimuar dhe të ndriçuar. Ata besonin në një Krisht jo fizik, jo në realitetin e tij trupor. Me pohimin se Jezusi nuk kishte trup, ata po ashtu thanë se nuk kishte rëndësi se çfarë bënin me trupat e tyre. Aventurat e tyre seksuale, nuk kishin rëndësi të qëndrueshme, thonin ata, sepse ata do të linin pas trupat e tyre dhe nuk do t’i kthenin mbrapa kurrë. Vetëm shpirtërorja ka rëndësi, jo fizikja. Drejtuesit e këtyre kulteve Gnostike, nuk e panë aspak të nevojshme ta kufizonin seksin brenda martesës, mes një burri dhe një gruaje. Imoraliteti, orgjitë, homoseksualiteti, shtazëria-asgjë nuk ishte e ndaluar, duke qenë se trupi nuk kishte rëndësi.

Historia po përsëritet. Në kohën tonë disa drejtues të kishës mohojnë ringjalljen trupore të Jezusit dhe vazhdojnë të hedhin në plehra edhe etikën seksuale të krishterë. Xhozef Sprejg, për shembull, dëshiron që denominacioni  i tij të miratojë homoseksualitetin dhe të bekojë martesat gej. Teologu Liberal Pol Tillic (Paul Tillich), një ndikim i madh mbi Sprejg dhe të tjerët, ishte një kurorëshkelës serial. Shumë njerëz që janë liberalë për nga teologjia, e që mohojnë faktet fizike të Pashkës, janë po ashtu liberalë në refuzimin e fakteve fizike të seksualitetit, sikurse e ka në plan Perëndia. Bibla flet për këta njerëz si:

” të pabesë që e kthejnë hirin e Perëndisë tonë në imoralitet dhe mohojnë të vetmin Zotëri Perëndi, dhe Zotin tonë Jezu Krisht.” (Juda 4).

Faktet fizike të Pashkës tregojnë se të gjitha faktet e tjera fizike  duhet të vijnë nën autoritetin e Jezus Krishtit. Ne duhet të kujdesemi për krijimin fizik rreth e rrotull nesh, dhe duhet të tregojmë kujdes të veçantë për të qenë të pastër seksualisht. Të krishterët e vlerësojnë trupin kaq shumë sa që kjo gjë ndikon edhe mënyrën se si e trajtojmë trupin e njerëzve të vdekur. Disa fe mësojnë që bota fizike, dhe trupat janë një iluzion dhe në të vërtetë nuk kanë rëndësi, kështu që kur dikush vdes, trupi digjet.

Por të krishterët përgjatë historisë nuk i kanë djegur trupat e të vdekurve të tyre. Ata e veshin trupin me kujdes, e shtrijnë atë të prehet në një arkivol, dhe e varrosin, ashtu si mbillet një farë, duke pritur që trupi të ngrihet sërish kur të kthehet Krishti.

Trupa që zgjasin përgjithmonë

Trupi yt nuk është një pjesë e përkohshme dhe që flaket. Ti ke një shpirt që mund të vazhdojë të ekzistojë kur trupi yt vdes, por kjo nuk është gjendja jonë normale apo përfundimtare. Jemi krijuar si persona me trup fizik, dhe tani që Shpëtimtari ynë ka pushtuar vdekjen, duke u ngritur në jetë me një trup të pavdekshëm, mund të jemi të sigurt që edhe ne do të kemi trupa që zgjasin përgjithmonë. Ky është një premtim emocionues dhe një paralajmërim i qartë.

Bibla thotë: ” Lum të vdekurit që këtej e tutje vdesin në Zotin” (Zbulesa 14:13) Shpirtrat e tyre shkojnë menjëherë drejt një marrëdhënieje me Krishtin, dhe trupat e tyre do të ngrihen një ditë sërish dhe do të jenë të ngjashëm me trupin e Jezusit. Vdekja është ende e hidhur, por Bibla thotë, që ne nuk ” trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë. Sepse, po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, besojmë gjithashtu që Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur.” (1 Thesalonikasve 4:13-14). Krijim i ri nuk do të jetë vetëm shpirtëror por edhe fizik, dhe kënaqësia jonë nuk do të jetë vetëm shpirtërore por edhe fizike.

Nga ana tjetër, edhe ata që e refuzojnë Krishtin do të kenë një të ardhme fizike, por ajo do të jetë e zymtë. Kur Krishti të kthehet, ata që kaluan jetën pa Krishtin do të ngrihen nga varret e tyre në trupa që do të zgjasin përgjithmonë. Ato trupa do të përjetojnë një vuajtje pa fund në ferr, e po ashtu vuajtjen shpirtërore e të qenët të gjykuar prej Perëndisë. Në Bibël Jezusi paralajmëron që nëse nuk kundërshton prerazi mëkatin dhe vazhdon të bësh të keqen, ndëshkimi është ” të hidhet në Gehena gjithë trupi yt; (Mateu 5:29). Ndërkohë që burimi i mëkatit është zemra jonë e korruptuar, është trupi që mbart mëkatet e zemrës së brendshme, dhe kështu kur zemra e brendshme gjykohet dhe ndëshkohet në ditën e gjykimit, trupi po ashtu ngrihet dhe ndëshkohet me dhimbje pa fund. Sikurse Pashka është një fakt fizik, edhe refuzimi i Jezusit ka pasoja fizike të  tmerrshme. Jezusi foli për ferrin si një mundim dhe ankth i ashpër që nuk ndalon kurrë. Ferri nuk është thjesht një gjendje e mendjes apo një keqardhje shpirtërore. Është po ashtu një torturë trupore.

Jezusi i ringjallur nuk është një fantazmë; ai ka mish dhe kocka. Pranimi apo refuzimi i Jezusit ndikon shumë mishin dhe kockat tona, në këtë jetë dhe në jetën pambarim që do të vijë. A beson faktet fizike të Pashkës? A po përgjigjesh me një besim të çiltër dhe bindje trupore ndaj Zotit të ngjallur? Kur trupi yt të bëhet i përjetshëm,  a do të jetë në qiell apo në ferr? Përballu me faktet fizike sot. Mos u mashtro prej mësuesve të rremë. Pashka është po aq reale dhe fizike sa qerpikët dhe thonjtë e këmbës, mjekra dhe bërrylat, goja dhe stomaku, lëkura dhe flokët. Beso në Jezusin dhe në fitoren e Tij, dhe do të marrësh pjesë në fitoren e Tij përgjithmonë.