Fakte rreth AIDS-it

Print

Titulli: Fakte rreth AIDS-it (pjesa 1)

Danieli dhe Anjeza

Danieli ka gruan dhe tre fëmijë të vegjël. Danieli bën shpesh udhëtime të largëta për hir të punës dhe i kalon netët në qytete të ndryshme. Ndonjëherë kur është larg familjes, Danieli viziton shtëpinë e prostitutave, apo gra të tjera që gjen në hotele. Papritur në një nga këto udhëtime ai fillon të ndiejë shqetësime në trup. Diçka nuk shkon si duhet. Ai vizitohet, bën analiza dhe në to rezulton se Danieli është me HIV, një virus që shkakton AIDS-in. Danieli nuk është i sigurt se cila grua ia ka ngjitur HIV-in dhe, nuk e ka idenë se sa gra të tjera ka infektuar ai vetë.

Danieli nuk dëshiron që të tjerët ta marrin vesh për sëmundjen, as punëdhënësi i tij, as gruaja, as fëmijët, as miqtë, pra askush. I vjen turp nga vetja tua tregojë. Kështu që vazhdon të shkojë në shtrat me gruan e tij, nuk ndryshon asgjë, as nuk përmend fare faktin se duhet të përdorin prezervativ. Po t’ia përmendë gruas do t’i lindin dyshime duke menduar se diçka nuk shkon, kështu që nuk i tregon.

Pak kohë më vonë, gruaja e Danielit, Anjeza, dyshon se mund të ketë diçka që nuk shkon në trupin e saj.

Ajo vret mendjen dhe mendon se mund të ketë HIV.

Por ajo nuk dëshiron të bëjë një analizë gjaku. Se i vjen turp! Po sikur të jetë e infektuar?! Ajo nuk do që të tjerët ta marrin vesh. Ndërkohë foshnja e saj vazhdon me gjirin dhe Anjeza nuk e di nëse foshnja mund të marrë HIV-in me anë të ushqyerjes me gji.

Ajo nuk ka dëgjuar asnjëherë për ilaçet që ndihmojnë për mbrojtjen e fëmijëve të gjirit nga HIV-i dhe as nuk guxon t’i japë fëmijës diçka tjetër në vend të qumështit të gjirit. Në fshatin e saj, të gjitha foshnjat ushqehen nga nënat e tyre, dhe ato nëna që ndalojnë së dhëni gji foshnjave të tyre duke përdorur diçka tjetër në vend të tij, mund të etiketohen me shenjën: “Diçka nuk shkon si duhet!”. Njerëzit mund ta shmangin në rrugë nga frika se mos marrin virusin e saj dhe, Anjeza nuk e duron idenë e të qenurit e përçmuar dhe e izoluar. Kështu që Anjeza nuk bën analiza dhe vazhdon të ushqejë më gji foshnjën e saj.

Pak muaj më vonë, ajo mbetet sërish shtatzënë. Danieli dhe Anjeza nuk e diskutojnë bashkë e as me dikë tjetër mundësinë që kjo foshnjë të lindë me HIV. Ata as nuk pyesin se çfarë mund të bëhet për të shmangur që foshnja të marrë HIV-in. Danieli dhe Anjeza thjesht vazhdojnë jetën normale.

Pasi foshnja lind, Danieli, sëmuret kaq keq sa nuk ka më vend për tu shtirur sikur është mirë. Njerëzit e tjerë e marrin vesh për sëmundjen e tij. Por edhe pse e marrin vesh, askush nga miqtë apo të afërmit e tij nuk i tregon shumë për AIDS-in. Ata thjesht e shmangin Danielin. Ai nuk mund të përballojë blerjen e ilaçeve që ndonjëherë ndihmojnë të prekurit me HIV/AIDS të jetojnë më gjatë. Faktikisht Danieli vdes, duke lënë gruan dhe fëmijët pa asnjë të ardhur.

Disa njerëz të mirë mundohen t’i ndihmojnë, por shumica e njerëzve i shmangin. Anjeza dhe fëmijët nuk kanë mjaftueshëm ushqim për të ngrënë. Ata hanë aq sa për tu mbajtur gjallë, janë të keq ushqyer dhe të dobët. Pas ca kohe Anjeza zbulon se HIV-i është zhvilluar dhe ka kaluar në AIDS. Në mungesë të ushqimit të duhur dhe të ilaçeve, ajo papritur vdes, duke lënë jetimë katër fëmijët e saj. Dy më të vegjlit, janë HIV pozitiv dhe janë të destinuar të vdesin që në fëmijëri. Njëri mori virusin duke pirë qumështin e gjirit, ndërsa tjetri e mori ndërsa u formua në barkun e nënës së infektuar.

Nevoja për të vërtetën

Historia që sapo kemi treguar është një kombinim i historive që u ndodhin njerëzve të ndryshëm. AIDS-i është një sëmundje vdekjeprurëse që godet si burrat ashtu dhe gratë, të rinjtë dhe fëmijët e vegjël. Një nga armët më të fuqishme në betejën kundër AIDS-it, është e vërteta. Ne duhet të themi të vërtetën. Ne duhet të përballemi me faktet rreth AIDS-it. Fuqia vrastare e AIDS-it do të zhdukej nëse çdo njeri do të dinte të vërtetën, do të jetonte me të vërtetën dhe do tua thoshe këtë edhe të tjerëve.

Në historinë që sapo dëgjuam, nëse Danieli do të jetonte me të vërtetën e Perëndisë se seksi është një dhuratë që duhet shijuar vetëm brenda martese, ai nuk do të kishte marrë asnjëherë sëmundjen. Edhe pasi mori sëmundjen ai duhet t’i kishte treguar gruas, Anjezës dhe, duhet të kishin bërë seks të mbrojtur, kështu edhe familja e tij do të kishte shpëtuar.

Pasi Anjeza mori sëmundjen, nëse do të kishte kërkuar të mësonte të vërtetën për gjendjen e saj dhe, të kishte mësuar të vërtetën se HIV-i ndonjëherë mund të përcillet nga ushqyerja me gji, nëse nuk do ta kishte vazhduar ushqyerjen vetëm për ta fshehur sëmundjen nga të tjerët, ajo mund të kishte mbrojtur foshnjën duke e zëvendësuar qumështin e gjirit me diçka tjetër.

Po ta kishin ditur njerëzit e fshatit të vërtetën se HIV-i apo AIDS-i nuk mund të përhapen me prekje dhe po ta dinin të vërtetën e Perëndisë që thotë të duam të sëmurët dhe njerëzit në nevojë, kjo familje nuk do të ishte shmangur kështu nga të tjerët dhe ky çift nuk do të ishte tunduar të fshihte faktin që kishin AIDS. Po ta kishin ditur Danieli dhe Anjeza faktin se tridhjetë përqind e foshnjave me HIV e marrin sëmundjen në barkun e nënës, ata do të kishin vepruar ndryshe, duke mos bërë më fëmijë.

Pasi dëmi është bërë, është e kotë të kujtomë se çfarë mund të kishim shmangur. Sado të mendojmë “ah sikur” apo “duhet të kisha bërë këtë apo atë” ajo iku. Ndoshta do të na duhet të përballemi me të vërteta të dhimbshme për mëkatet apo gabimet tona, por më e rëndësishmja është të dimë nëse ka mbetur shpresë përballë sëmundjes apo vdekjes. Teksa përballemi me faktet për AIDS-in, do të shohim një sërë gjerash të tjera të rëndësishme, por fakti më i rëndësishëm është se Perëndia i jep dashurinë dhe jetën e Tij njerëzve që janë në situatat më të frikshme. Për këtë mjafton të besojnë në Jezusin. Nëse ata besojnë te Jezusi, është e mundur që të përballen me shpresë e jo me dëshpërim edhe para diçkaje kaq të tmerrshme si AIDS-i.

Arma kryesore në luftën kundër AIDS-it është e vërteta. Kur mungon e vërteta njerëzit vdesin. Kur e vërteta bëhet e njohur dhe, veprohet sipas saj, njerëzit jetojnë.

Statistika të frikshme

Një fakt i rëndësishëm për AIDS-in është se përhapet si epidemi e tmerrshme. Fillimisht ka pasur një ndikim të tmerrshëm të përqendruar në një pjesë të vogël të popullsisë: tek meshkujt homoseksualë. Në fillim të viteve 1980-të kur doktorët filluan të vërejnë një sëmundje të re të çuditshme, e quajtën atë GRID, që do të thotë mungesë imuniteti në personat gej. Kjo, për arsye se shumica e njerëzve me këtë sëmundje ishin homoseksualë. Më pas u zbulua se përdoruesit e drogës e merrnin këtë sëmundje duke përdorur të njëjtën shiringë. Ka pasur disa raste të njerëzve që morën AIDS-in me anë të transfuzioneve të këqija të gjakut, kohë para se HIV-i të dilte në analizat e gjakut. Por në ditët e hershme të AIDS-it njerëzit që nuk ishin homoseksualë apo që nuk përdornin drogë ishin shumë të sigurt, pjesa më e madhe. Tani kjo gjë na ndryshuar.

Homoseksualët janë ende grupi më i rrezikuar, por shkalla e infektimit mes heteroseksualëve është në rritje dhe, shumë gra apo fëmijë po infektohen. Tre rrugët kryesore për të marrë AIDS-in janë nëpërmjet: marrëdhënies seksuale, përdorimit të drogës, dhe transmetimit nga prindi te fëmija.

Por më shumë rreth kësaj do të ndalemi herën e ardhshme.