Falenderues në çdo rrethanë

Print

Titulli: Falenderues në çdo rrethanë (pjesa 1)

 

A je tunduar ndonjëherë që të kesh të njëjtën përqasje për falënderimin si Bart Simsoni? Në një episod televiziv të filmit “Familja Simson” Barti i vogël ulet në tryezë për të ngrënë së bashku me familjen e tij. E ka radhën Ai të falënderojë për ushqimin, dëgjoni se çfarë thotë ai: “Zot, babai punoi dhe fitoi para për të blerë ushqimin, ndërsa nëna është marrë disa orë për ta gatuar atë. Po ti Perëndi çfarë bëre? Faleminderit shumë që nuk ke bërë asgjë!”

Breti Bart Simson (Bratty Bart Simpson) është thjesht një personazh vizatimor, por a nuk tundohesh edhe ti të mendosh njëlloj si ai? Ndoshta ti je i lumtur me situatën ku ndodhesh. Ti ke një punë shumë të mirë, një shtëpi shumë të mirë, një apo dy makina, ke shëndet të mirë, ke miq dhe familje shumë të dashur, ke disa kursime mënjanë dhe burimet e të ardhurave të tua duket se po shkojnë shumë mirë. Pra ti ke gjithçka për të qenë i lumtur por asgjë pas të cilës të mbahesh fort. Por a do të thotë kjo se duhet t’i jesh falenderues Perëndisë?

Sigurisht që ti je i lumtur që ke një punë, por ti e ke fituar vetë atë apo jo?

Sigurisht që shtëpia jote është e madhe, por nuk po ta paguan Perëndia kredinë, po e paguan vetë. Makina është  e bukur por nuk ta bleu Perëndia e bleve vetë.

Ti je i shëndetshëm, pjesërisht nga fakti se ti kujdesesh për veten dhe pjesërisht se shoqëria jonë ka burime mjekësore shumë të mira. Ç’lidhje ka Perëndia me këtë? Investimet e tua kanë shkuar shumë mirë, por nuk të ka thënë Perëndia se ku të investosh, ato vendime i ke marrë vetë ti. Pra gjërat potë shkojnë shumë mirë dhe je i lumtur për këtë, atëherë pse duhet ta falënderosh Perëndinë? Madje darka jote e fundit falënderimeve duhet të ketë qenë diçka normale e ty nuk të shkoi në mendje ta falënderoje Perëndinë. Ti thjesht hëngre ushqimin që dikush tjetër kishte blerë dhe gatuar për ty dhe familjen tënde. Çfarë bëri Perëndia? Sikurse thotë edhe Bart Simsoni: “Faleminderit shumë që nuk ke bërë asgjë.”

Por ndoshta ti ke një tjetër arsye për t’i thënë Perëndisë: “Faleminderit shumë.” Ndoshta do ta falënderoje Perëndinë për gjërat në jetën tënde, por duket sikur jeta nuk po të shkon mirë. Po si mund të jesh falenderues kur ke probleme me punën apo kur të ka rënë xhiroja e biznesit? Po të kishe probleme me familjen a do të ishe falenderues? Po të kishte një artrit kronik apo po trajtimet e kimioterapisë për të bërë, apo probleme shëndetësore, a do të ishe falenderues?

Dita e falënderimeve njihet si festë e amerikanëve, por tashmë të krishterët kudo e festojnë si një ditë kur ata i janë mirënjohës Perëndisë për gjithçka në jetën e tyre.

Por jo rrallëherë njerëzit i shikojnë ditët e festave si një mundësi më shumë për të pushuar apo për të kaluar një fundjavë të bukur me familjen. Kështu ndodh edhe në ditën e falënderimeve me disa prej tyre. Kur vjen darka dhe koha e falënderimit, ndoshta harrojmë të falënderojmë. Duket sikur për falënderime nuk ka kohë.

Nëse gjërat po shkojnë mirë, pse duhet ta falënderojmë Perëndinë për atë që kemi fituar? Dhe nëse gjërat nuk po shkojnë mirë, atëherë për çfarë duhet ta falënderojmë Atë? Mos duhet ti themi Faleminderit shumë që nuk e bërë asgjë!

Pra ofrimi i falënderimeve nuk na vjen natyrshëm apo jo? Por Bibla thotë: ” Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.” (1 Thesalonikasve 5:18) Në çdo situatë, falëndero! Gjithmonë ji falenderues! Ky duket një urdhër shumë i prerë. Nëse i përshtatemi filozofisë së Bart Simsonit do të thoshim mos ji Asnjëherë falenderues. Kjo po që ka kuptim. Ose ji ndonjëherë falenderues, pra ta falënderojmë Perëndinë ndonjëherë, kur gjërat po shkojnë mirë. Por si mund të jesh gjithmonë falenderues?! Gjithmonë? Mjaft tani! Nuk ka mundësi?

” Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.” Kështu thotë Bibla. Nëse gjithçka po shkon shumë mirë, Perëndia dëshiron që ta falënderosh Atë. Dhe nëse je duke kaluar kohë të vështira, Perëndia sërish dëshiron që ta falënderosh Atë. Falëndero në çdo rrethanë që je, sepse ky është vullneti i Perëndisë.

Por çfarë do të thotë kjo? Pse duhet të jemi gjithmonë falenderues? Për ta kuptuar më mirë këtë le ti hedhim një sy Dhjatës së vjetër, Ligji i Përtërirë kapitulli 8.

Ky kapitull është pjesë e mesazhit që Perëndia u dha izraelitëve përmes Mojsiut teksa qëndronin në skaj të tokës së premtuar. Dyzet vjet më parë, Zoti i kishte çliruar njerëzit prej skllavërisë së Egjiptit dhe ata ishin endur në shkretëtirë gjatë tërë kësaj kohe. Ata ishin gati të linin pas vështirësitë e shkretëtirës dhe të hynin në një tokë të pasur. Vetëm një hap i ndante nga prosperiteti.

Teksa Perëndia u foli njerëzve përmes Mojsiut, ai e dinte se përvojat e vështira në shkretëtirë mund t’i kishin shtyrë më shumë drejt hidhërimit. Perëndia i dinte se do të ishte e vështirë për ta, madje akoma më e vështirë të ishin falenderues në tokën e bollëkut. Atje do të ishte më i madh tundimi për të qenë krenarë, të vetëkënaqur, të pavarur prej Perëndisë dhe për të harruar se ishte Perëndia dhuruesi i gjithçkaje që kishin.

Pra është e lehtë të mos falënderosh në shkretëtirë, por është akoma më e lehtë të mos falënderosh në tokën e bollëkut. Që të jemi gjithmonë falenderues duhet të dimë se qoftë në shkretëtirë apo në tokën e bollëkut, në vështirësi apo në luks, Perëndia është duke punuar në jetën tonë.

Falenderues në kohë të vështira

Le të shqyrtojmë edhe një herë përvojën e shkretëtirës. Nuk është e lehtë të japim falënderime në shkretëtirë.

Ndoshta këtë vit ke kaluar pak kohë në shkretëtirë, apo ke pasur shumë vështirësi. Shkretëtira jote mund të ketë marrë formën e vështirësive financiare,apo vdekjes së bashkëshortit apo një fëmije. Shkretëtira jote personale mund të jetë një sëmundje e vështirë, apo një marrëdhënie e thyer apo diçka tjetër që ka qenë e vështirë për ty. Si mund të jesh mirënjohës në shkretëtirë?

Te ligji i Përtërirë kapitulli 8, Mojsiu po u fliste njerëzve që kishin qenë duke bërë të njëjtën pyetje. Ata kishin qëndruar për 40 vjet në shkretëtirë. Pse duhet të ishin falenderues? Mirë, nëse nuk kishin diçka për të falenderuar, thjesht mund të falënderonin që shkretëtira ishte një pjesë e planit të madh që Perëndia kishte për ta.

Me siguri që koha në shkretëtirë ishte e vështirë për ta, por ku kishin qenë ata më parë? Ata kishin qenë skllevër në tokën e Egjiptit. Pra problemet që kaluan në shkretëtirë nuk kishin më rëndësi, sepse nuk ishin më skllevër të askujt. Për më tepë mund të falënderonin që shkretëtira nuk ishte destinacioni i tyre final. Ata ishin drejtuar drejt tokës së premtuar. Ata do të kishin një të ardhme të shkëlqyer. Pra ndonëse situata që kaluan në shkretëtirë ishte e pakëndshme, mund të ishin falenderues që ishin shpëtuar prej së kaluarës së mjerueshme dhe degraduese dhe ishin përzgjedhur për një të ardhme fantastike.

Si e praktikojmë ne sot këtë? Kjo do të thotë se ti mund të jesh gjithmonë mirënjohës Perëndisë, edhe në kohët më të vështira, për sa kohë që beson atë që Perëndia ka bërë me anë të Jezus Krishtit. Nëse mendon se Perëndia të ka çliruar prej skllavërisë së mëkatit dhe Satanit, dhe nëse e di se je drejtuar drejt tokës së premtuar të jetës së përjetshme, atëherë ke një arsye për të falenderuar, pavarësisht çfarë po ndodh në jetën tënde. Nëse i përket Jezusit, koha e vështirë që po kalon tani është pjesë e një udhëtimi më të rëndësishëm që të nxjerr jashtë skllavërisë së Satanit drejt bekimit të Perëndisë.

Nëse nuk e njeh realitetin e shpëtimit në Jezus Krishtin, para se kjo ditë të mbyllet, duhet ti besosh Atij si Zot. Pasi ta kesh bërë këtë, mund të përballosh çdo lloj vështirësie, dhe të jesh gjithmonë falenderues për atë që Perëndia ka bërë për ty në Krishtin.

Kur Perëndia na thotë të jemi gjithmonë falenderues, ai nuk po na thotë që ta bëjmë vetëm për disa gjëra. Zoti na thotë: ” Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.” Ti mund të jesh falenderues vetëm në Jezus Krishtin. Me anë të jetës, vdekjes dhe ringjalljes së Jezus Krishtit njerëzit janë çliruar prej mëkatit dhe vdekjes së përjetshme. Ai i ka nisur njerëzit për rrugë, drejt tokës së premtuar të gëzimit të përjetshëm, ku do të jenë në praninë e Perëndisë.

Nuk ka rëndësi se çfarë vështirësish po kalon, do të kesh gjithmonë një arsye për të qenë falenderues, nëse beson në Jezus Krishtin. Ashtu siç Perëndia çliroi popullin e tij nga Egjipti dhe i solli në një tokë të re duke i kaluar përmes shkretëtirës, po kështu Ai i shpëton njerëzit prej mëkatit dhe, i sjell në qiell me anë të një pelegrinazhi që ndonjëherë është i vështirë. Pra mos u fokusoni thjesht në vendin ku jeni tani. Fokusohuni te fakti se nga keni ardhur dhe ku po shkoni. Vetëm kështu do të jeni në gjendje të falënderoni.

Por jo vetëm kaq. Arsye ka plot, jo vetëm për të qenë falenderues në shkretëtirë, por edhe për të qenë falenderues për shkretëtirën. Perëndia e përdor përvojën e shkretëtirës për të përmbushur qëllime të rëndësishme në jetën tënde. Te Ligji i Përtërirë 8, Mojsiu u thotë popullit:

Kujto gjithë rrugën që Zoti, Perëndia yt, të ka bërë të përshkosh në këto dyzetë vjet në shkretëtirë që ti të ulësh kokën dhe të vihesh në provë, për të ditur çfarë kishte në zemrën tënde dhe në se do të respektoje apo jo urdhërimet e Tij. Kështu, pra, ai të bëri të ulesh kokën, të provosh urinë, pastaj të ka ushqyer me mana që ti nuk e njihje dhe as etërit e tu s’e kishin njohur kurrë, me qellim që ti të kuptosh se njeriu nuk rron vetëm me bukë, por rron me çdo fjalë që del nga goja e Zotit. Petkat e tua nuk të janë konsumuar mbi trup dhe këmba jote nuk është ënjtur gjatë këtyre dyzet viteve. Prano, pra, në zemrën tënde se, ashtu si njeriu korrigjon birin e vet, ashtu Zoti Perëndia, yt, të korrigjon ty. (Ligji i Përtërirë 8:2-5)

Ti mund ta falënderosh Perëndinë për shkretëtirën, jo sepse të pëlqen, por sepse nëpërmjet saj Perëndia po përmbush gjëra shumë të rëndësishme për jetën tënde. Shkretëtira është një vend përulësie dhe sprovimi, një vend dorëzimi dhe disiplinimi.

Në shkretëtirë ti nuk i beson Perëndisë thjesht sepse Perëndia e bën jetën tënde të rehatshme, pore sepse ai është Perëndi. Në shkretëtirë, duhet t’i jetosh ditët një nga një duke u mbështetur vetëm te Perëndia. Në shkretëtirë ti mëson se Perëndia është gjithçka që ti ke, i vetmi që përmbush nevojat e tua.

Shkretëtira është një vend ku je i detyruar të jetosh me anë të besimit, është vendi ku ti i beson qëllimit që Perëndia ka për ty dhe të mbështetesh në providencën e Tij.

Më kujtohet një grua e cila po tregonte përvojën e saj për Luftën e Dytë Botërore. Ajo foli për frikën dhe vdekjen, për miqtë e mirë që u nisën me një mision dhe nuk u kthyen më. Ajo tregoi shumë histori prekëse dhe zemër-copëtuese dhe më pas tha:

“Ato ishin kohë të bukura!” Të bukura?!

Unë kam dëgjuar që shumë emigrantë flasin për vështirësitë e emigrimit, se si e kanë filluar jetën duke mos pasur asgjë, duke qenë në një tokë të panjohur, ku zor se dinin se si do të siguronin vaktin tjetër. Unë kam dëgjuar disa prej tyre që thonë: “Ato ishin kohë të bukura.”

Të bukura? Si mund t’i quash ato kohë të bukura?

Nuk është aspak bukur të humbasësh njerëzit e dashur në luftë, apo të shkosh në një tokë të huaj. E bukura e këtyre kohëve është se ndihesh i varur plotësisht te Perëndia, gjatë kësaj kohe sprovohet dhe forcohet besimi, guximi dhe heroizmi rriten prej sfidave të mëdha, po kështu solidarizohesh më shumë me të tjerët që përballen me të njëjtën sfidë.

Shumë njerëz dëshmojnë se në kohë të vështira ata kanë një miqësi më të ngushtë me Perëndinë. Ata zbulojnë se njeriu nuk jeton vetëm me bukë, apo vetëm me anë të prosperitetit dhe sigurisë, por prej çdo fjale që del nga goja e Perëndisë.

Të jesh falenderues në çdo rrethanë, jo për shkak se jeta është e këndshme, por sepse Perëndia është gjithmonë Perëndi.