Falenderues në çdo rrethanë

Print

Titulli: Falenderues në çdo rrethanë (pjesa 2)

Disa njerëz janë falenderues në shkretëtirë për arsye të tjera: Perëndia e përdori atë për t’i disiplinuar ata, për t’i kthyer te vetja dhe për t’i sjellë në një marrëdhënie më të ngushtë me Të. Ndoshta kjo të ka ndodhur ty. Ndoshta je larguar prej Zotit, dhe i thirre Atij vetëm kur jeta tu bë një rrëmujë e vërtetë e kuptove se të doli jashtë kontrollit.

Ndoshta ke qenë në një qeli burgu, në një shtrat spitali, në një gjykatë divorcesh, një program rehabilitimi. Të gjitha këto kanë qenë përvoja të tmerrshme, por të kanë shtyrë t’i kërkosh ndihmë dhe mëshirë Perëndisë.

Shqetësimet ishin disiplinimi i Perëndisë, për të afruar ty më pranë Krishtit. Ndoshta ti mund ta gjesh veten në fjalët e psalmit 119: ” Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde… Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua … Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde. Mirësia jote qoftë përdëllimi im… ” (Psalmi 119:67,71,75-76)

” Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.” Njeriu që i shkroi këto vargje, apostulli Pal e dinte shumë mirë se çfarë do të thoshte të ishe falenderues në çdo rrethanë. Ja se si e përshkruan Pali situatën: ” si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s’kanë kurrgjë, por kanë gjithçka.” (2 Korintasve 6:10). Pali e dinte se nëse kishte Krishtin, kishte gjithçka.

Pali tregon për një mundim të dhimbshëm, të cilin ai e quan gjembi në mish. Ai iu lut Perëndisë që ta largonte atë, por Perëndia i tha:“Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”. Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë.

Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë. (2 Korintasve 12:8-10)

A mund të falënderosh edhe atëherë kur je i varfër dhe i dobët? Si mund të jesh falenderues në kohëra të vështira? Vetëm me anë të besimit në hirin e Jezusit, i Cili i shpëton dhe i mbështet të gjithë njerëzit e tij. Ti nuk mund të jesh falenderues nëse e vetmja mënyrë si e shikon jetën është: a ndiej kënaqësi apo dhimbje për momentin? Nëse është kështu atëherë nuk do të shikosh arsye për të qenë falenderues në kohë të vështira.

Por nëse e njeh Zotin, je në gjendje të falënderosh që të ka shpëtuar prej skllavërisë së mëkatit dhe Satanit; madje edhe në mes të problemeve të tua ai ka një qëllim dhe do të sigurojë gjithçka që të nevojitet; se fuqia e Perëndisë përsoset në dobësi, kështu që kur je i dobët bëhesh i fortë në Të. “Falëndero me një zemër mirënjohëse.”

Falenderues në kohë të mira

Falenderues në çdo rrethanë. Deri tani kemi parë se përse është e mirë të falënderosh në kohëra të vështira. Tani ka ardhur momenti të flasim se përse është e rëndësishme të falënderojmë edhe në kohëra të mira. Ndonëse mund të duket e çuditshme kjo që do të them por është më e lehtë të jesh mirënjohës në shkretëtirë se sa në tokën e bollëkut. Shpesh është më e lehtë të jesh falenderues në një kasolle se sa në një vilë madhështore. Ndonjëherë është më e lehtë të jesh falenderues kur ke ushqim sa për një ditë, se sa kur ke siguruar gjithçka në jetë. Le t’i kthehemi Ligjit të Përtërirë kapitulli 8. Teksa populli i Izraelit po bëheshin gati për të hyrë në tokën e premtuar, Mojsiu u thotë atyre:

Prandaj zbato urdhërimet e Perëndisë, të Zotit tënd, duke ecur në rrugët e tij dhe duke ia pasur frikën;

7  sepse, Zoti Perëndia yt, po të bën të hysh në një vend të mirë, një vend me rrjedha uji e me burime që dalin nga luginat dhe nga malet;

8  një vend me grurë dhe elb, me vreshta, me fiq dhe shegë, një vend me ullinj që japin vaj dhe me mjaltë;

9  një vend ku do të hash bukë sa të duash, ku nuk do të të mungojë kurrgjë; një vend ku gurët janë hekur dhe ku do të rrëmosh bakër nga malet. (Ligji i Përtërirë 8:6-9)

Ndryshim shumë i madh nga shkretëtira apo jo? Ujë, ushqim, burime të pasura, dhe jo vetëm mjaftueshëm sa për një ditë, por sa për gjithë jetën. A nuk ngjan kjo me situatën ku ne të gjithë ndodhemi?

Ne i kemi të gjitha. Kemi shtëpi të bukura dhe të rehatshme, ujë sa të duam, ngrohje të përgjithshme të ambientit, dhe dritë me një shtypje të çelësit. Ne kemi dyqane plot me fruta dhe perime të freskëta dhe me lloje të ndryshme mishi.

Ne kemi më shumë kohë dhe më shumë para për të shpenzuar apo për tu argëtuar se sa çdo shoqëri tjetër në historinë njerëzore. Kemi kujdes mjekësor, siguracione dhe plane pensioni.

Pra kemi shumë arsye për të qenë falenderues. Por për fat të keq, ndonëse i kemi të gjitha, kemi prirjen të bëhemi krenarë apo të vetëkënaqur. Shumë kombe të pasura në Evropë dhe Amerikë kanë lënë kishën dhe shpërfillin Krishtin, ndërsa shumë njerëz të varfër në Afrikë apo në Azi po mbushin kishat dhe po përqafojnë Krishtin. Suksesi dhe siguria i bëjnë njerëzit që të të jenë të vetëkënaqur ndonjëherë. Ata e humbin besimin. Ata nuk mbështeten më te Perëndia. Ata e humbin mirënjohjen për Perëndinë. Ja pse duhet të kujtojmë se nga kemi ardhur dhe se kush na ka dhënë gjithçka që kemi. Para se Izraelitët të hynin në tokën e Premtuar, Mojsiu u tha:

Do të hash, pra, dhe do të ngopesh, dhe do të bekosh, Zotin Perëndinë tënd, për shkak të vendit të bukur që të ka dhënë.

11  Ruhu mirë të mos harrosh Zotin, Perëndinë tënd, duke shtuar për të mos zbatuar urdhërimet e tij, dekretet e tij, statutet e tij që sot do të japë;

12  e të mos ndodhë që, pasi të kesh ngrënë deri sa të ngopesh dhe të kesh ndërtuar dhe banuar shtëpi të bukura,

13  pasi të kesh parë të shtohet bagëtia jote e trashë dhe e imët të shtohet, argjendi dhe ari yt, dhe të rriten tërë të mirat e tua,

14  zemra jote të lartohet dhe ti të harrosh Zotin, Perëndinë tënd, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë;

15  që të ka sjellë nëpër këtë shkretëtirë të madhe dhe të tmerrshme, vend gjarpërinjsh veprues dhe akrepash, tokë e thatë pa ujë; që nxori ujë për ty nga shkëmbinjtë shumë të fortë;

16  dhe që në shkretëtirë të ka ushqyer me manë të cilën etërit e tu nuk e njihnin, për të të përulur dhe për të të vënë në provë dhe së fundi për të të bërë të mirë.

17  Ruhu, pra, të thuash në zemrën tënde: “Forca ime dhe fuqia e dorës sime m’i kanë siguruar këto pasuri”.

18  Por kujto Zotin, Perëndinë tënd, sepse ai të jep forcën për të fituar pasuri, për të ruajtur besëlidhjen për të cilën Ai iu betua etërve të tu, ashtu siç është në fuqi sot. (Ligji i Përtërirë 8:10-18)

Pasi kemi folur për të gjitha, i kthehemi edhe një herë tundimit të Simsonit. Qëndrimi ynë ndaj Perëndisë është: ” Faleminderit shumë për …asgjë. E kam siguruar pasurinë time me këto duar e këto krahë. Për gjithçka që kam i detyrohem familjes, shkencës moderne dhe vetes sime. Pse duhet ta falënderoj Perëndinë?”

Ja pse Zoti thotë: “Kujtoni se nga keni ardhur.” Izraelitët nuk kishin qenë gjë tjetër veçse skllevër. Në shkretëtirë ata do të kishin vdekur të gjithë brenda një jave po të mos kishte siguruar ushqim Zoti.

Perëndia i kishte dhënë kurajë në vështirësi. Pa ndihmën e tij, ata nuk do të kishin mbërritur asnjëherë në tokën e bollëkut. Pasi mbërritën atje, burimet dhe shëndeti që ata kishin për të prodhuar pasuri ishin veç dhurata prej Perëndisë.

Një miku im e di mirë se çfarë do të thotë kjo. Ai ishte shumë i suksesshëm në punën e tij në një kompani, por vendosi të krijonte një biznes të vetin dhe ishte i bindur se do të kishte sukses. Megjithatë ai hasi vështirësi në fillim. Për shumë muaj, biznesi i tij lëkundej në buzë të greminës.

Ato muaj ai kaloi shumë net pa gjumë dhe qau shumë, por njëkohësisht pati një siguri të madhe se Perëndia do të kujdesej pavarësisht se çfarë do të ndodhte. Ai e dinte se edhe sikur të dështonte ai do të kishte Perëndinë, dhe kjo kishte më shumë rëndësi se gjithçka tjetër. Në fund biznesi bëri kthesë dhe filloi të rritej. Kur kjo ndodhi, ai e dinte shumë mirë se nuk ishte për meritë të tij apo se kishte punuar shumë. Ai po punonte njëlloj si në kohën kur biznesi po shkonte keq, kur kreditë shtoheshin si pirg njëra mbi- tjetrën dhe banka po i zinte frymën. Në fillim Perëndia e përuli atë dhe më pas e bekoi me sukses. Tani nëse suksesi e tundon që të bëhet krenar, ai thjesht i kujton vetes se sa poshtë ishte, e më pas sjell ndërmend të vërtetën e Perëndisë: është Zoti që i jep aftësinë për të bërë pasuri.

Nëse j i pasur dhe je bërë i suksesshëm dhe i begatë, atëherë nuk është dhe aq e dukshme varësia jote e përditshme te Perëndia, sa kur ti i beson Perëndisë ditë pas dite, se Ai do të sigurojë atë që ke nevojë. Por mos harro se kush ta jep ty pasurinë, mundësitë dhe suksesin. Nuk është vetëm merita jote. Është e Perëndisë, Atij që krijoi botën dhe solli shpëtimin përmes gjakut të Jezus Krishtit. Pra kujto Zotin dhe falënderoje në të gjitha rrethanat e tua.

Çfarë përfshin të qenit i suksesshëm? Ligji i përtërirë 8  tregon dy forma të falënderimit: lutja dhe bindja. Ne i shprehim mirënjohje Perëndisë duke i thënë “Faleminderit” në lutjet tona, ose duke iu bindur urdhërimeve të tij me sjelljen tonë. Të jesh gjithmonë falenderues do të thotë të lutesh rregullisht dhe të jesh i bindur.

Pra nuk ka rëndësi nëse ke qenë në shkretëtirë apo në tokën e bollëkut, në varfëri apo në begati kujto këtë se: Sekreti i mirënjohjes nuk është te rrethanat por te Krishti. Shën Pali shkroi:

Unë di të jem i përunjur dhe di të jetoj edhe në bollëk; në çdo vend dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të vuaj në ngushticë. Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon. (Filipianëve 4:12-13)

Miqtë e mi “në çdo rrethanë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë për ju në Jezus Krishtin.”