Fillimi i Lajmit të Mirë

Print

Titulli: Fillimi i Lajmit të Mirë (pjesa 1)

Fëmijët e moshës tre deri katër vjeç, janë qetësuar më në fund dhe po qëndrojnë me mësuesen në takimin e tyre.

Mësuesja i mbledh nxënësit rreth “kutisë së shkretëtirës”. Ajo fillon të rrotullojë duart në rërë. Ndërkohë me një zë të ëmbël thotë: “Kjo është kutia e shkretëtirës. Shumë histori të ndryshme të Biblës ndodhin në shkretëtirë, pra ne kemi nevojë për një copë të vogël shkretëtire në dhomën tonë.  Shkretëtira është një vend i çuditshëm dhe i egër. Gjatë ditës bën i nxehtë përvëlues. Gjatë natës atje bëhet acar i ftohtë. Era fryn dhe rëra është gjithmonë në lëvizje. Dikur një njeri me emrin Gjon Pagëzori, jetoi në shkretëtirë.

Këto janë fjalët me të cilat mësuesja fillon të ndajë historinë e Lajmit të Mirë në shkretëtirë.

Si e bën ajo këtë? Nëse i kërkon dikujt të përshkruajë shkretëtirën, me shumë mundësi do të dëgjosh fjalë si, vend i vetmuar, i thatë dhe i pajetë.  A nuk të duket edhe ty si një vend i papërshtatshëm për të filluar shpjegimin e ungjillit, sidomos sot, pak ditë pas Krishtlindjes dhe në prag të Vitit të Ri!  Kjo është një kohë për ëmbëlsira, festa, dhe urime të bukura, nuk është koha për shkretëtirën.

Ditët pas Krishtlindjes janë ditë kur këngë si “Natë e qetë” dhe “Gëzohu botë”, na kumbojnë ende në vesh!   Por jemi në prag të ditës së Vitit të Ri! A je gati për të festuar Vitin e Ri? A ke qenë në çdo festë apo festival? A je gati të gëzohesh nën dritat shumëngjyrëshe, në ushqimin e pasur, dhe festimin e Vitit të Ri?

Mirë, por është shpejt, nuk ka ardhur ende koha, më parë duhet të kalosh nëpër shkretëtirë.

Pse?! Sepse mësuesja e atyre fëmijëve kishte të drejtë. Shumë histori të Biblës ndodhin në shkretëtirë. Perëndia i flet Mojsiut prej shkurres që digjej, në shkretëtirë. Mana bie prej qiellit dhe uji del prej shkëmbinjve, në shkretëtirë. Davidi i fshihet mbretit Saul dhe fiton famë si një mbret i fuqishëm, në shkretëtirë.  Profetët e mëdhenj Elia, Eliseu dhe të tjerët pjesën më të madhe të punës së tyre e bëjnë në shkretëtirë. Në Dhjatën e Re, ungjilltari Filip, e flet të vërtetën e Shkrimeve dhe pagëzon eunukun Etiopas në një rrugë në shkretëtirë.

Jezusi kalon kohë në shkretëtirë. Dhe sikurse do ta dëgjojmë edhe sot, vetë Lajmi i Mirë i Ungjillit, i lindjes dhe shërbesës së Jezusit, fillon në shkretëtirë.

Edhe një herë, unë e pranoj se shkretëtira duket një vend i çuditshëm për ta filluar ungjillin.

Por mos më fajëso mua; sepse atje e fillon si Luka ashtu edhe Marku, dy rrëfyesit e parë të historisë së ungjillit, apo Lajmit të Mirë.

Le ta shohim së bashku. Nëse ke një Bibël mund ta lexosh bashkë me mua:

Luka 2: 8-12

Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe.

Por engjëlli u tha atyre: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin;

sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.

Dhe kjo do t’ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellë me pelena, të shtrirë në një grazhd”.

Marku 1:1-8

1  Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë.

2  Ashtu si është shkruar tek profetët: “Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës tënde, i cili do të përgatit udhën tënde përpara teje.

3  Ka një zë që bërtet në shkretëtirë: “Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij””.

4  Gjoni erdhi në shkretëtirë duke pagëzuar dhe duke predikuar një pagëzim pendese për faljen e mëkateve.

5  Dhe gjithë vendi i Judës dhe ata nga Jeruzalemi shkonin tek ai, dhe pagëzoheshin të gjithë nga ai në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre.

6  Por Gjoni ishte i veshur me lesh deveje, mbante një brez lëkure përreth ijëve dhe ushqehej me karkaleca dhe me mjaltë të egër.

7  Ai predikonte duke thënë: “Pas meje po vjen një që është më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’i zgjidhur lidhëset e sandaleve të tij.

8  Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa Ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë”.

Historia e Lukës është shumë e njohur. Është Luka ai që na tregon udhëtimin për në Betlehem, që thotë se nuk kishte as një dhomë bosh në han, por kishte një stallë, një grazhd. Me shumë mundësi ti e ke dëgjuar tashmë historinë e Lukës për Krishtlindjen, ndoshta dhe më shumë se një herë gjatë javës së kaluar. Por a të kujtohet ajo pjesë e historisë pas lindjes së Jezusit?  Menjëherë pasi Jezusi lind, Luka na largon prej foshnjës Jezus dhe na çon në fushat “atje pranë”, te një tufë barinjsh të palarë dhe pluhurosur. Tani e di se barinjtë nuk ishin realisht në një shkretëtirë por në anën figurative mund ta themi se ishin. Asokohe barinjtë konsideroheshin si fundërrina të shoqërisë. Burimet na tregojnë se ata nuk lejoheshin të dëshmonin nga ana ligjore në një sallë gjyqi sepse quheshin si dëshmitarë të pabesueshëm dhe të rremë. Për shkak të kohës që kalonin nga fshati në fshat apo jashtë në fusha me delet, shpesh ishin të palarë apo me një erë të keqe. Me pak fjalë, ata ishin në fund të hallkës ekonomike sociale. Ata ishin në shkretëtirë.

Po pikërisht atje në fusha, këtyre barinjve të ulët dhe të shpërfillur të shoqërisë, iu shfaqet engjëlli që u thotë “lajmin e mirë të gëzimit të madh”.  Pikërisht atje në shkretëtirë, dëgjojmë për herë të parë Lajmin e Mirë të ungjillit. Sa çudi që Lajmi i Mirë fillon në shkretëtirë!

Po kështu ungjilli i Markut fillon në shkretëtirë. Jo më larg se vargu i parë, Marku deklaron se ky është “Fillimi i lajmit të mirë rreth Jezus Krishtit”, dhe menjëherë pohon duke thënë “ky është zëri i atij që thërret në shkretëtirë”.  Në shkretëtirë?

Pse duhet të thërrasë ky zë në shkretëtirë? Ne duam të shpejtojmë te Lajmi i Mirë, por në vend të kësaj Marku ngadalësohet dhe na çon para një profeti të veshur çuditshëm, që ka një mesazh të ashpër për pendimin në shkretëtirë. Marku na çon në shkretëtirë. Pra si te ungjilli i Markut dhe i Lukës, ne e gjejmë veten në një shkretëtirë, për prezantimin e Lajmit të Mirë.

Ndoshta nuk duhet të habitemi prej faktit, që ungjilli fillon në shkretëtirë. Fundja fare, pjesën më të madhe të jetës e kemi jetuar në shkretëtirë.  Madje edhe në stinën e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, pjesa më e madhe e ekzistencës sonë kalohet me diçka boshe, të thatë e të pajetë. Disa prej jush që po dëgjoni programin Fjalët e Shpresës, për herë të parë në jetën tuaj po festoni Vitin e Ri pa bashkëshortin apo bashkëshorten, i cili apo e cila ka vdekur disa ditë, javë apo muaj më parë.

Ndoshta disa prej jush nuk keni atë lloj pune që do të dëshironit të kishit. Ndoshta nuk jeni fare në punë. Ndoshta fëmijët tuaj nuk duan të vijnë në shtëpi për Vit të Ri, ose ata do të vijnë por nuk do t’ju sjellin aspak gëzim për shkak të marrëdhënieve të tendosura. Çdo vit në këtë kohë në kishën time vijnë anëtarë që më  thonë se janë të pikëlluar apo të lënduar sepse këto festa nuk kanë ndonjë lajm të mirë për ta. E vërteta është se shumë prej nesh gjenden në atë shkretëtirë.

Ndoshta atje ishin barinjtë teksa ruanin tufat e tyre natën, jashtë Betlehemit. Ndoshta ata e ndienin thatësirën e shkretëtirës së profesionit të tyre të ulët. Ata shpresonin se ndoshta një ditë, do të kishin një profesion tjetër apo do të ishin njerëz më të plotë. Por ka shumë mundësi që barinjtë ishin të kënaqur me pozitën e tyre në jetë, megjithatë ata ishin jashtë në fusha, larg festave, festimeve, dritave të shndritshme dhe shtëpive të ngrohta. Ne mund të jemi të sigurt se asnjëri prej tyre, nuk priste të takonte engjëjt atje jashtë.

Përfytyroni habinë e barinjve teksa engjëlli vjen dhe i flet “lajmin e mirë të gëzimit të madh”. Ata mbeten gojëhapur nga habia dhe frika e më pas nga çudia që ky lajm po u jepej pikërisht atyre. Lajmi i Mirë po dilte në fusha, pra në vendet e shkreta.

Lajmi i Mirë nuk u shpall për herë të parë në Jeruzalem. Nuk iu shpall për herë të parë të pasurve, të famshmëve apo njerëzve të veshur mirë. Për herë të parë ai erdhi te njerëzit në fusha, te barinjtë në vende të shkreta.

Po kështu, Marku në ungjillin e tij, sjell Lajmin e Mirë të Jezus Krishtit në shkretëtirë.  Ai na çon në shkretëtirë ku Gjon Pagëzori po “predikon pagëzimin e pendimit”. Ç’mund të themi, pagëzimi është Lajm i Mirë, por vini re se Gjoni predikon pagëzimin e pendimit. Ky është një pagëzim që na ka kushtëzuar të ndryshojmë plotësisht jetën tonë, një pagëzim që i fton njerëzit të përgatisin rrugën e Zotit. Zoti po vjen. Mbretëria e Perëndisë është pranë dhe, ne duhet të jemi gati. E vërteta e hidhur rreth shkretëtirës që prezantohet në mesazhin e Gjon Pagëzorit, thotë se ne duhet të bëjmë diçka, për të cilën nuk jemi shumë të aftë; pra, të kthehemi në pendim dhe t’ia japim jetën Zotit. Po, ne e dimë se si të kthehemi dhe të rrëfejmë mëkatet tona, por është e vështirë për ne të ecim në një stil të ri jetese. Ne pendohemi por më pas mëkatojmë sërish. Ne dështojmë. Nuk arrijmë të masim standardet e Perëndisë dhe habitemi, si ka mundësi që ungjilli i Markut u ka sjellë Lajmin e Mirë disa njerëzve me shpirt të thatë dhe të pajetë si puna jonë!

Por ja që Lajmi i Mirë fillon në shkretëtirën shpirtërore për shkak të dashurisë së Perëndisë. Ndaj sot nëse Lajmi i Mirë ka arritur tek ti, ji mirënjohës dhe gëzohu në jetën e re që ke.