E lamë herën e kaluar tek çështja si të bëjmë një stil të ri jetese pasi pendohemi dhe rrëfejmë mëkatet tona. Pamë se çfarë thoshte ungjilli sipas Markut.
Ungjijtë e tjerë zbulojnë fjalë edhe më të vështira nga Gjon Pagëzori. Për shembull, te Mateu, Gjon Pagëzori nxjerr këto fjalë nga goja e tij para njerëzve që e dëgjonin: ” O gjarpërinj,o pjellë nepërkash! Si do ti shpëtoni gjykimit të ferrit?Ai vazhdon të na paralajmërojë: “Dhe tashmë sëpata është vënë në rrënjën e drurëve, çdo dru pra që nuk jep fryt të mirë, do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.”
Këto fjalë duken të ashpra; duken si një lajm i keq; i ngjajnë një shkretëtire.
Por pjesa më shqetësuese e “Lajmit të mirë” në ungjillin e Markut, janë fjalët që ai thotë për veten. Ai thotë: “Pas meje po vjen një që është më i fortë se unë.” Në fillim, unë e pranoj se ky duket si Lajm i Mirë. E kush nuk do ta donte që të vinte dikush më i madh se Gjoni, siç do të ishte Mesia i madh dhe shpëtimtari i botës? Por dëgjoni fjalinë e plotë të Gjonit: “Pas meje po vjen një që është më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për ti zgjidhur rripat e sandaleve të tij.”
Kur i dëgjoj ato fjalë unë shqetësohem. Gjoni po thotë se edhe ai si profet i madh nuk është i denjë të qëndrojë në praninë e Mesias. Unë pyes veten se nëse Gjon Pagëzori, ky njeri që hante karkaleca dhe vishej me lëkurë deveje, nëse Gjon Pagëzori, një profet dhe pararendës i Zotit tonë dhe i Shpëtimtarit Jezus Krisht, nuk është i denjë, atëherë sa shpresë kemi unë dhe ti?
Për ta përmbledhur, nëse ky njeri nuk mund të qëndrojë në praninë e Jezusit, atëherë kush mund të qëndrojë?
Prej kësaj zbulojmë se ne kemi ngecur në shkretëtirë. Ashtu si barinjtë, edhe ne marrim mesazhin e engjëllit për Lajmin e Mirë të gëzimit, por sigurisht kjo nuk do të thotë se jemi mjaftueshëm të mirë për të parë foshnjën Jezus. Sikundër njerëzit në kohën e Gjon Pagëzorit edhe ne dëshirojmë të përgatitim rrugën e Zotit, por nuk jemi të denjë. Ne kemi ngecur në shkretëtirë.
Për më tepër, edhe nëse mendojmë se jemi të denjë shpirtërisht, rrethanat e jetës shpesh na mbajnë të mbërthyer në shkretëtirë. Kur kanceri sulmon trupat tanë, ne mbetemi në shkretëtirë. Kur mëkatojmë jo vetëm që e shkatërrojmë martesën tonë përmes tradhtisë bashkëshortore, por ngecim në shkretëtirë. Kur jemi mposhtur prej mëkateve tona, mbetemi në shkretëtirë. Ka kaq shumë gjëra që na sjellin në shkretëtirë dhe shpesh na bëjnë të mbetemi atje. Fjala e ungjillit, fjala e Gjon Pagëzorit është: “Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e Tij…pendohuni.”
Por Zoti na ndihmoftë ta bëjmë, sepse shpesh ne nuk e bëjmë këtë.
Si mendon se mund të përgatisim rrugën për Mesian kur kemi ngecur në shkretëtira shpirtërore? Si do të pendohemi, kur jemi njerëz qafë fortë, më të gatshëm të luajmë në rërë se sa të përgatisim rrugën e Zotit?
Me pak fjalë, si mund të gjejmë Lajmin e Mirë për këtë Vit të Ri?
Më lejo të të sugjeroj diçka, le të kthehemi te Fjala, pikërisht te Marku dhe Luka, atje gjejmë shumë të dhëna për këtë.
Së pari, le të shikojmë fjalët që engjëlli iu tha barinjve. Engjëlli nuk thotë thjesht: “Unë sjell një lajm të mirë gëzimi,” por thotë: “Unë ju sjell JUVE Lajmin e Mirë të një gëzimi të madh”. Ky është Lajmi i Mirë për barinjtë, për njerëzit në fusha, për ata që janë në shkretëtirë. Ky nuk është Lajmi i Mirë për disa njerëz, por për “ të gjithë njerëzit”, thotë engjëlli. Shpëtimtari nuk ka lindur vetëm për Marinë dhe Jozefin. Në vend të kësaj, engjëlli thotë, se Shpëtimtari ka lindur “për JU”.
Për më tepër, engjëlli i jep barinjve një shenjë që është vetëm për ta. Ai thotë:”Kjo është një shenjë “për JU”. Pra, janë barinjtë që do të gjejnë Shpëtimtarin. “JU do ta gjeni Atë”, thotë engjëlli. JU, JU, JU. Shpëtimtari është për JU! Për barinjtë duhet të ketë qenë diçka e madhe që pikërisht ata njerëz në fusha, në shkretëtirën e shpirtit të tyre, dëgjuan Lajmin e Mirë. Veç kësaj, sa mirë që këto fjalë po i dëgjoni edhe JU sot.
Por ndonjëherë këto fjalë janë të vështira për tu dëgjuar. Një burrë që unë do ta quaj Miri, nuk mund ti bënte personale fjalët e Lajmit të Mirë. Këtë burrë unë e njihja mirë. Ai vinte vazhdimisht në zyrën time dhe më shikonte me sytë e dëshpëruar dhe të trishtuar.
Ai kishte mëkatuar dhe e pranonte këtë. Mëkati i tij i kishte lënë një shije të keqe dhe ai nuk mund ta largonte këtë ndjesi. Ai e kishte marrë mesazhe qoftë nga kisha apo familja se mëkati i tij ishte i neveritshëm. Ai ndihej i papastër dhe i padenjë për dashurinë e Perëndisë. Ai ishte në shkretëtirë.
Unë u takova me të disa herë. I thashë Mirit se Lajmi i Mirë i paqes dhe faljes i përkiste atij në emër të Jezusit. Por fjalët e mia nuk e ngushëlluan aspak.
Miri, pohoi se këtë e dinte shumë mirë “në kokën e vet” (kështu e shprehu ai) se Perëndia e donte dhe e falte atë. Por ai ende e ndjente se ishte në shkretëtirë, një vend ku Lajmi i Mirë nuk mund të depërtonte. Atëherë një ditë, një ditë njëlloj si të tjerat, ai vjen në zyrën time sërish i dëshpëruar. Por atë ditë Miri dëgjoi atë fjalën “Ti”. Ajo fjalë e vogël prej dy shkronjash ndryshoi gjithçka për Mirin.
Kjo ndodhi në lutje. Unë po lutesha, sikurse kisha bërë kohë më parë, që Miri të kapërcente atë ndjenjën e mos faljes së vetes dhe të kuptonte se Perëndia, Shpëtimtari e kishte falur atë. Teksa unë po lutesha , hapa rastësisht sytë dhe pashë se Miri po tundte kokën për të thënë “jo”. Ai nuk e mendonte kështu. Unë nuk jam i sigurt se çfarë ndodhi me mua, por në atë çast, unë thjesht ndalova lutjen dhe i thashë Mirit duke e parë në sy: “Lajmi i mirë i faljes është për TY, Miri, në emrin e Jezusit, falja është për TY!” Befas u duk sikur një peshë e rëndë u shkëput prej supeve të tij. Kur dëgjoi fjalën “Ty” Ai e bëri personal Lajmin e Mirë sikur ta kishte dëgjuar për herë të parë.
Po ti? A e ke dëgjuar Lajmin e Mirë? Ndoshta ashtu si Miri edhe ti e ke dëgjuar atë tërë jetën tënde, por nuk e ke bërë asnjëherë personal. Nëse po, dëgjo fjalët e engjëllit dhe transformohu edhe ti sot.
Atë ditë Miri u largua prej zyrës sime i gëzuar në Zotin, ashtu si barinjtë në Betlehem. Lavdi Perëndisë! Lajmi i Mirë është për TY.
Është e vërtetë se për barinjtë asgjë nuk ndryshoi. Barinjtë mbeten jashtë në fusha, sërish në rangun më të ulët të shkallës sociale-ekonomike. Po kështu fakti që Miri mëkatoi nuk e zhbëri mëkatin. Por Lajmi i Mirë është se ka një fillim të ri. Për barinjtë ai fillim do të thoshte të shkonin në Betlehem dhe të pas të ktheheshin në fusha të transformuar, duke e lavdëruar Perëndinë për shpëtimin e Tij. Për Mirin dhe për të gjithë ne sot, kjo do të thotë të pendohemi për mëkatet tona dhe të transformohemi prej Lajmit të Mirë, të gëzimit të madh se Shpëtimtari ka ardhur dhe Ai na ka falur.
Nëse përdorim fjalët e ungjillit të Markut mund të themi se barinjtë dhe Miri dhe të gjithë ne sot, që dëgjojmë dhe besojmë këtë mesazh kemi përjetuar “fillimin e Lajmit të Mirë rreth Jezus Krishtit”.
Pra çfarë inkurajimi marrin në këto fjalë? Ne duhet të pranojmë se shkretëtira është një vend i çuditshëm nga ku mund të fillosh këtë Vit të Ri.
Megjithatë, njerëzit e Perëndisë gjithmonë kanë kaluar shumë kohë në shkretëtirë. Më e rëndësishme është, që Perëndia gjithmonë i ka nxjerrë njerëzit e Tij prej shkretëtirës me një Lajm të Mirë. Unë të nxis ta bësh këtë gjë në këtë Vit të Ri, teksa dëgjon Lajmin e Mirë që ka ardhur për TY, edhe pse mund të jesh në shkretëtirë! Sepse një Shpëtimtar ka lindur për TY.