Financa për fillestarët

Print

Titulli: Financa për fillestarët (pjesa 1)

Libri i Erik Tajsën me titullin “Financa personale për fillestarët” (“Personal Finance For Dummies”) fillon duke më siguruar mua, lexuesin se ndonëse libri thotë se është për ata që nuk dinë shumë për financat, unë nuk jam realisht një fillestar, përndryshe nuk do të isha duke lexuar një libër kaq të mirë si ky. Dëgjoni se çfarë është një fillestar, shkruan Tajsën:

Fillestar ishte njeriu që hyri në një dyqan dhe hodhi një kartëmonedhë prej 20 dollarësh mbi banak dhe kërkoi t’ia thyenin. Kur kasieri hapi kasën, burri nxorri armën dhe kërkoi tërë paratë kesh. Hajduti mori një kartëmonedhë prej 15 dollarësh dhe la mbi banak kartëmonedhën e tij njëzetëshe.

Ose ç’mund të thoni për kriminelin në Çarlston, në Karolinën e Jugut që vodhi një person që nuk kishte para me vete? Viktima i ofroi  sulmuesit një cek, i cili më vonë tentoi të merrte në bankë paratë e çekut dhe surprizë…çfarë ndodhi kur u paraqit atje? E arrestuan!

Tani, shumë prej nesh nuk janë aq të pamend sa të pranojnë një çek në një grabitje apo të dalin me më pak para se sa hynë në një vjedhje, por shumë prej nesh, kanë shumë për të mësuar për paratë, dhe libri “Financa personale për fillestarët” (Personal Finance for Dummies), mund të ndihmojë. Disa këshilla mund të bëjnë për të qeshur. Për shembull, autori thotë:

Që të arrish qëllimet e tua financiare, duhet të jetosh brenda mundësive të tua. E të jetuarit brenda mundësive të tua përfshin tri hapa:

  1. Shpenzo më pak se sa fiton.
  2. Kurse ato që nuk i shpenzon.
  3. Investo ato që kursen.

A thua na duhet një libër për të kuptuar këto? Epo me sa duket ashtu është. Shumë prej nesh shpenzojnë më shumë se sa fitojnë, futen në borxhe të mëdha për të financuar shpenzimet tona, dhe nuk kursejmë apo investojmë pothuajse asgjë për shkollimin e fëmijëve tanë apo për kohën e pensionit. Pra edhe pse është e qartë të themi “Shpenzo më pak se sa fiton, kurse ato që nuk i shpenzon, investo ato që kursen,” kjo nuk ndodh vetë, në mënyrë automatike. Shumë prej nesh kanë nevojë për këto ide bazë që të na mësojnë, por njëkohësisht kemi nevojë për ndihmë praktike se si mund të shkurtojmë shpenzimet, të rrisim kursimet dhe të investojmë me mençuri.

Kontrollo shpenzimet dhe marrjen e borxheve

Çfarë është e nevojshme që të bësh me qëllim që të shpenzosh më pak se sa fiton? Ti mund të thuash, “Kjo është e lehtë. Unë thjesht kam nevojë për të ardhura më të mëdha. Nëse do të bëja më shumë para do të mbyllja edhe disa punë.” Por a është kjo zgjidhja, të kesh më shumë para? Ndoshta jo. Bibla thotë: “Ç’duhet paraja në duart e budallait? Mos vallë për të blerë dituri, kur ai nuk ka mend fare?” (Fjalët e Urta 17:16) Shumë njerëz nuk kanë nevojë për më shumë para; ata kanë nevojë për më shumë urtësi për ta menaxhuar atë. E vërteta është se ti ke vetëm këto para që hyjnë në xhepin tënd. Dhe sikur të kishe më shumë para, sërish do të gjeje mënyra të reja për t’i shpenzuar ato. Bibla thotë,” Kush është i dhënë pas parasë, nuk ngopet kurrë me para, dhe kush dëshiron pasuritë nxjerr përfitim prej tyre.” (Predikuesit 5:10) Disa njerëz të cilët bëjnë më shumë se 100,000 mijë euro në vit hyjnë në borxhe të thella dhe mendojnë se kanë nevojë për të ardhura më të larta, ndërkohë që të tjerët me pak a shumë të ardhurat e tyre janë të lirë prej borxheve, madje arrijnë të kursejnë. Prandaj në vend që të dëshirosh të ardhura më të mëdha, mënyra më e sigurt për të rregulluar financat është të bëhesh më i zgjuar dhe të shpenzosh më pak.

Një pjesë e rëndësishme e shkurtimit të shpenzimeve do të thotë të marrësh më pak borxh. Nëse nuk mund ta përballosh që të paguash për diçka me para në dorë, mos e bli. Mos tolero blerjet me karta debiti, apo blerje të produkteve në bazë të kësteve mujore.

Bli vetëm ato gjëra që mund t’i paguash. Një kartë krediti është një mënyrë shumë e mirë për të paguar për blerjet pa qenë nevojë të mbajmë shumë para me vete por nëse nuk  shlyen tërë faturat e kartës së kreditit çdo muaj, ti po hedh paratë e tua në plehra. Në rast se bën pagesat minimale mujore, borxhi yt do të rritet me detyrime interesash më të mëdha. Në rast se vazhdon të blesh me para që nuk i ke, nuk do të kesh asnjëherë para. Pra në qoftë se nuk ke paguar tërë faturat çdo muaj, apo nëse nuk mund t’i rezistosh tundimit që të përdorësh karta krediti për të blerë gjëra që nuk mund t’i paguash në çast, hidhe në plehra kartën e kreditit dhe paguaj faturat që të kanë mbetur sa më parë.

Bibla thotë: “…dhe huamarrësi është skllav i huadhënësit.” (Fjalët e Urta 22:7). Po ashtu atje thuhet “Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveç se ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin e ka përmbushur ligjin.” (Romakëve 13:8) Në rast se dëshiron të jesh në borxh, vazhdo merr borxhe dhe ndihu sikur ti gjithmonë i detyrohesh të tjerëve – por mos hyr në një situatë që ndihesh sikur gjithmonë ke para borxh. Përndryshe, ti do të humbasësh lirinë tënde financiare. Ti si huamarrës, bëhesh shërbëtor i huadhënësit.

Tregtarët kanë nxjerrë qindra mënyra për të blerë sot dhe për të paguar më vonë për shembull me: karta krediti, pagesa me këste mujore, e kush e di sa e sa të tjera. Mos bjer pre e tyre. Mos merr borxh për të blerë diçka që i bie vlera. Mos bli rroba a këpucë të reja, bizhu apo mobilie me karta krediti, nëse nuk ke para në dorë.

Mos bli një televizor me ekran të madh apo një sistem të  mirë stereo me pagesa me këste mujore. Prit derisa të mund të paguash plotësisht për atë, ose më e mira do të ishte të mos e blije fare. Mësohu që të jesh i kënaqur me sa më pak pajisje moderne.

Imagjino sikur ke dalë për të blerë një kompjuter. Shitësi mund të të thotë ty që të shkosh në ekstreme, pra të blesh më të shtrenjtin, ndonëse ti nuk i ke ato para me vete, dhe të sugjeron ta blesh në detyrime apo këste mujore. Mos e bli. Bli atë tjetrin në fund të raftit që kushton sa një e treta e kompjuterit më të shtrenjtë. Fundja fare, para gjashtë muajve ajo pajisje ishte më e shtrenjta. Dhe nëse ky kompjuter i lirë nuk është mjaft i mirë për ty dhe, mendon se duhet të kesh absolutisht kompjuterin më të mirë, që të shitësi  të shtyn ta blesh, thjesht prit gjashtë muaj të tjerë, sa ajo pajisje të kalojë me çmim të lirë. Pajisja që ti e dëshiron fort tani shumë shpejt do të jetë një sektorin e uljeve. Ti do të jesh në gjendje të paguash menjëherë dhe do të jesh i lumtur që prite për të, në vend që të ishe i detyruar për muaj e vite të paguaje këstet e një makine që do ta humbasë vlerën me kalimin e ditëve.

Një prej vjedhjeve më të mëdha të kredisë është marrja e diçkaje me qira për tu përdorur. Një artikull që kushton 200 mijë lekë kur e blen, me qira mund të kushtojë mbi 750 mijë lekë!

Mos përdor kredinë apo planet e pagesës mujore për të blerë produkte konsumi që do ta humbasin vlerën, këtu hyjnë edhe makinat. Një tregtar makinash mund të mburrë një makinë të shkëlqyer, një model të ri që mund të bëhet i yti vetëm për 199 euro, 249 euro, ose 399 euro në muaj.

Ndoshta mund të duket diçka e mirë në fillim, por do të jesh i lidhur pas pagesave, muaj pas muaji, vit pas viti. Kur makina jote nuk është e shkëlqyeshme apo nuk është më e re, ti do të jesh ende duke paguar dhe makina jote do ta humbasë vlerën. Nëse nuk mund të paguash për një makinë me para në dorë, mos e bli. Përdor transportin publik, apo gjej një makinë të mirë të përdorur që mund ta përballosh.

Asnjëherë mos lejo dëshirat t’ia kalojnë kursimeve të tua.

Këtu miqtë e mi minutave tona u ka ardhur fundi. Besoj se ju ka pëlqyer kjo temë. Herën e ardhshme do të sjellim të tjera këshilla financiare.  Si të kursejmë që të mund të investojmë? A është kumari një farë investimi? Na ndiqni në programin tonë Fjalët e Shpresës. Deri atëherë mirë u dëgjofshim dhe kalofshi sa më bukur sot.