Bibla thotë: “Dëshirat e përtacit e vrasin atë, sepse duart e tij nuk pranojnë të punojnë.” (Fjalët e Urta 21:25) Ti mund të pyesësh veten: “çfarë lidhje ka kjo me blerjen me kredi? Kjo flet për dembelizmin dhe, unë nuk jam dembel. Unë kam dëshirë të punoj.” Shumë mirë, nëse dëshiron të paguash mjaftueshëm për të blerë gjërat që dëshiron, a je gati të punosh sa duhet për të paguar gjërat që dëshiron, para se të shkosh ti blesh ato? Nëse jo, nëse dëshiron gjithçka tani, sidomos nëse nuk ke punuar për to, atëherë miku im ky është një rast më i ndërlikuar që quhet: dembelizëm. Nuk është puna se ti nuk do të punosh, por që gjithmonë dëshiron diçka pa punuar për të, dhe gjithmonë do të duash më shumë se sa ke punuar. Ky është rezultati përfundimtar:do të kesh gjithmonë më pak para dhe më shumë fatura që duhen paguar.
Marrja e një huaje mund të jetë e nevojshme për disa gjëra, si blerja e një shtëpie apo pagesat për shkollim. Por ndryshe nga produktet e tjera të konsumit, shtëpitë zakonisht e ruajnë vlerën dhe, shkollimi siguron një pagë më të mirë. Për më tepër, interesi i huas për shtëpi dhe shkollim është shumë më i ulët.
Megjithatë mos e tepro me huan për shtëpi dhe shkollim. Është mirë të shkosh në një shkollë të mirë me një pagesë modeste që kërkon hua më të vogël, se të shkosh në një universitet elitar ku duhet të marrësh hua një sasi të madhe parash. Po ashtu është më mirë të blesh një shtëpi modeste me pagesa që mund t’i përballosh se sa të mburresh me një vilë që ka një kredi kolosale.
Në rast se nuk je në një borxh të thellë dhe nuk mund të kontrollosh shpenzimet e tua, ka libra të panumërt për financën personale, që të ofrojnë këshillim të detajuar për bërjen e një buxheti. Ato po ashtu të ofrojnë këshilla për kursimin e parave siç është: blerja e ushqimeve me shumicë, mos harxhimi i parave për mallra që janë markë, ngrënia e darkave më shumë në shtëpi dhe më pak në restorante, zvogëlimi i faturave të telefonit duke kërkuar planin më të mirë të mundshëm në treg, gjetja e siguracioneve më të lira, rifinancimi i kredisë së shtëpisë, pagimi i taksave apo faturave në kohë, shmangia e kamatës, shmangia e alkoolit të shtrenjtë apo zakonit të duhanit, mos blerja e biletave të lotarive, e kështu me radhë.
Kumari në mënyrë të veçantë kritikohet ashpër tek libri “Financa Personale për Fillestarët”. Autori i tij Erik Tajsën thotë:
Është dokumentuar shumë mirë se lotaritë dhe kazinotë e sigurojnë formën më të mirë të biznesit të tyre nga njerëzit që janë më pak në gjendje ta përballojnë atë, bëhet fjalë kryesisht për buxhetorët me të ardhura të mesme dhe të ulta. Miratimi i qeverisë për kumarin promovon mentalitetin e pasurimit të shpejtë. Pse të shkollohesh dhe të punosh tërë ato vite, kur ti mund të zgjidhësh tërë problemet e tua financiare me biletën tjetër të lotarisë apo duke bërë kombinim e duhur në një loje elektronike? Kumari ashtu si alkooli dhe duhani, mund të kthehet në varësi dhe është shkatërrues.
Në rastin më të keq, kumari dhe borxhet e kumarit mund të ndajnë familjet dhe të çojnë në divorc apo vetëvrasje. Sa keq që eksiton kumari i legalizuar. Është akoma më keq, që në kërkim të fitimeve në një kohë të shkurtër, dhe një rregullimi të shpejtë, më shumë qeveri lokale po dynden në këtë biznes.
Qeveria po nxit një qëndrim të pa përgjegjshëm ndaj parasë.
Këto nuk janë fjalët e një predikuesi. Ç’është e vërteta, unë nuk mbaj mend që Tajsën të ketë përmendur ndonjëherë Perëndinë në tërë libër për financat. Por edhe prej pikëpamjes së zakonshme jo fetare, kumari është një marrëzi financiare.
Çdo ekspert i një niveli të lartë financiar, i krishterë ose jo, do të pajtohej me Biblën kur thotë: “Kush punon tokën e tij do të ketë bukë me bollëk, por kush jepet pas kotësive do të ketë varfëri të madhe.” (Fjalët e Urta 28:19) Të përpiqesh të pasurohesh sa më shpejt, e bën një person gjithnjë e më të varfër. Dhe sikur pak njerëz t’ia dalin mbanë në nxjerrjen e një grushti parash me lehtësi, shpesh përfundojnë duke i humbur ato. Sikurse e thotë edhe Bibla: “Pasuria e përftuar në mënyrë jo të ndershme do të katandiset në pak gjëra, por atij që e grumbullon me mund do t’i shtohet ajo.” (Fjalët e Urta 13:11) Paratë siç vijnë ashtu ikin; por paratë e fituara me vështirësi shtohen goxha. Mënyra më e sigurt për të mbledhur pasuri, është të punosh për to, të kursesh pak nga pak dhe të investosh me mençuri.
Kurse dhe investo
Pasi mëson të kontrollosh shpenzimet dhe huan, hapi tjetër është të kursesh atë që nuk e shpenzon dhe ta investosh atë me mençuri. Shumë njerëz, edhe sikur të shmangin problemet me kredinë, jetojnë gjithmonë në pritje të rrogës, dhe sapo e marrin e shpenzojnë atë, madje janë të aftë të shpenzojnë edhe paratë e ndonjë pune ekstra. Në rast se i thuhet se mund të marrin një shpërblim nga puna, pa e marrë mirë, mendojnë si do ta shpenzojnë. Në rast se ky është qëndrimi yt, ti duhet të mësosh si të kursesh, dhe motivimi për kursim është të shikosh përtej së tashmes, në të ardhmen.
Niveli i parë i kursimeve përbëhet nga ngritja e një fondi emergjence. Konsulentët financiarë thonë se nëse e kjo mundësohet, ti duhet të kesh tre deri në gjashtë muaj kursime për jetesë, në një llogari të veçantë, të cilën mund ta përdorësh në çdo kohë. Kështu, nëse përballesh me një sëmundje apo ngelesh pa punë, ti do të kesh paratë për ta kapërcyer këtë fazë, derisa të gjesh një punë tjetër.
Bibla na inkurajon t’i besojmë Perëndisë, se Ai do të kujdeset për ne çdo ditë, por Shkrimi po ashtu na nxit të punojmë shumë dhe, të mendojë si mund të krijojmë disa rezerva. Edhe sikur të kishe trurin e një insekti përsëri do të doje ta bëje këtë. “Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë! … e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes”. (Fjalët e Urta 6:6-8) Në rast se milingonat kanë këtë arsyetim dhe grumbullojnë në stinët e bollëkut për të pasur në kohë mungese, a nuk duhet edhe ti të përdorësh shëndetin e mirë dhe të ardhurat e qëndrueshme për të kursyer diçka për ato kohë kur mund të mos fitosh aq shumë? A nuk duhet të jetë një njeri të paktën aq i zgjuar sa një insekt?
Mendimi për të ardhmen dhe kursimi fillon me ngritjen e një fondi emergjence, mjaftueshëm i madh sa për të mbuluar disa muaj shpenzime. Pasi e ke bërë këtë, mund të fillosh të kursesh dhe të përgatitesh për të tjera gjëra që të presin si mund të jetë rasti se do të duhet një makinë tjetër apo dëshiron të shmangësh marrjen e një makine me qira, në vend që të blesh me kredi dhe të bësh pagesa për vitet që do të vijnë.
Në rast se nuk ke një shtëpi tënden dhe dëshiron ta kesh, do të duhet të kursesh të paktën mjaftueshëm për të paguar paradhënien. Në rast se ke fëmijë apo shpreson të kesh, mund të duash të lesh mënjanë diçka për shpenzimet e shkollimit. Dhe është zgjuarsi të kursesh para në llogari të veçanta pensioni, veçanërisht nëse investimet e pensionit janë pa taksa. Në rast se një milingonë tregohet aq e mençur sa kursen për të ardhmen, pse të mos tregohet edhe njeriu aq i mençur!
Teksa kursen para, ti duhet të vendosësh si t’i investosh ato. Paratë që mund të të duhen më vonë, siç është fondi i emergjencës apo kursimet e tua për blerjen e një makine apo shtëpie, duhet të investohen në kursime me risk të ulët apo fonde sipas parasë së tregut. Për qëllime më afat gjata, si kolegji për fëmijët apo pensioni, ti mund të jesh i gatshëm për të ndërmarrë një rrezik disi më të lartë, në investime më afatgjata në rezerva dhe fonde të përbashkëta. Rreziku i luhatjeve të investimeve afat shkurtra është më i madh, por gjasat janë që rrezik më të madh të kenë edhe investimet afatgjata.
Nuk është zgjuarsi të investosh në diçka që nuk e njeh mirë. Shmang vendimet e nxituara dhe bëj disa planifikime dhe kërkime të zgjeruara. “Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri.” (Fjalët e Urta 21:5) Pra mos u nxito për të bërë investime. Së pari informohu për fondet e përbashkëta, llogari pensioni pa taksa dhe, çështje të tjera që lidhen me investimin personal dhe financën. Librat e mirë mbi këtë çështje, mund të ndihmojnë të kuptosh se si fondet e përbashkëta, mund të shpërndajnë investimet e tua nëpër shumë biznese, nëpër shumë sektorë të ekonomisë, dhe madje nëpër shumë kombe, duke reduktuar nivelin e plotë të rrezikut. Ti mund të mësosh se si të shmangësh shitësit me komision të lartë dhe komisionerët dhe të gjesh rekomandime për fonde të mira me raport të ulët shpenzimesh, dhe të ardhura të plota.
A është kumari, investim?
Ti mund të pyesësh veten a ka ndonjë ndryshim real mes investimit dhe kumarit, duke qenë se të dyja përfshijnë rrezikun. Në disa lloje të spekulimit ekstrem, mund të jetë pak më mirë se sa kumari, por e vërteta është se ka një ndryshim të madh mes kumarit dhe investimit afat gjatë, si moralisht ashtu edhe financiarisht.
Ndryshimi në anën morale është se kumar do të thotë të bëhesh i pasur në kurriz të dikujt tjetri dhe të marrësh paratë e tyre. Ndërkohë që investimi mundohet që ti ndihmojë të tjerët të zgjerojnë sipërmarrjet e tyre. Paratë e tua ndihmojnë në rritjen e kompanive të ndryshme dhe në këmbim ato ndihmojnë që të shtohen paratë e tua. Çdo palë ndihmon tjetrën, në vend që të mundohen të vjedhin njëri- tjetrin.
Ndryshimi në anën financiare mes kumarit dhe investimit është që kumari pothuajse gjithmonë të bën më të varfër, pak njerëz fitojnë shumë para, të tjerët humbasin dhe lotaria, apo kazinoja fut në xhep të paktën 40 përqind të parave të luajtura. Me anë të investimeve në bursë, bono dhe fonde të përbashkëta njerëzit bëjnë para shumicën e kohës. Ka edhe humbje, por përgjatë kësaj rruge, shumica e investitorëve dalin me fitime. Investimet në bursë janë rritur mesatarisht 11 përqind çdo vit në shtatëdhjetë vitet e fundit. Për ta bërë këtë më personale dhe më praktike po jap një shembull: nëse shpenzon njëzetë mijë lekë në javë me bileta lotarie, gjasat janë të mos fitosh asgjë, por nëse e merr të njëjtën shumë, pra 20 mijë lekë në javë, ose një milion në vit dhe e investon në të një llogari të mirë pensioni për fonde të përbashkëta, për një periudhë tridhjetë apo dyzetë vjeçare me fitime të dyfishuara, ti ke një mundësi të mirë për të përfunduar me qindra dhe mijëra lekë. ” Pasuria e përftuar në mënyrë jo të ndershme do të katandiset në pak gjëra, por atij që e grumbullon me mund do t’i shtohet ajo.” (Fjalët e urta 13:11)
Herën e ardhshme do të sjellim të tjera këshilla financiare. Si të kursejmë që të mund të investojmë?
