Gjaku i besëlidhjes

Print

Titulli: Gjaku i besëlidhjes (pjesa 1)

Tom Sojeri (Tom Sawyer) dhe Hakëllbëri Fini ( Huckleberry Finn) janë dy djem që përpiqen të ruajnë një sekret. Si mund të sigurohen që as njëri as tjetri nuk do ta zbulojë sekretin? Tomi dëshiron që të kapin duart dhe të betohen. Por Hak thotë, “Oh jo, kjo nuk na hyn në punë. Kjo gjë vlen për gjëra të rëndomta, por jo për gjëra me kaq rëndësi. Për këtë duhet gjak:” Tomi mendon ashtu si Hak: kjo besëlidhje vuloset me shkrim dhe me gjak. Kështu Tomi shkruan premtimin mbi një dërrasë të bardhë pishe. Më pas secili prej djemve e shpon gishtin e madh me një gjilpërë, shtrydh pak gjak dhe vulos inicialet e tij.

Këto dy personazhe janë artistikë. Por marrëveshjet e vërteta nuk janë aspak artistike kur bëhet fjalë për dhënien e dorës dhe të fjalës. Kur Perëndia e bëri një besëlidhje me popullin e Tij të zgjedhur, Ai nuk tha thjesht fjalë, që t’i bënin përshtypje për momentin dhe të ngeleshin më pas në harresë. Ai e shkroi gjithçka. Ai regjistroi historinë e besëlidhjes për veprat e Tij të krijimit si edhe ato të shpëtimit, dhe po ashtu regjistroi urdhërimet e besëlidhjes, premtimet dhe mallkimet si një dëshmi për tërë brezat. Perëndia shkroi besëlidhjen e tij në Bibël. (Fjala testament, e përdorur si për testamentin e ri dhe atë të vjetër do të thotë : Besëlidhje.)

Dhe ai vulosi këtë besëlidhje të shkruar me gjakun e Tij. Kjo nuk përfshinte veç shpimin e gishtit dhe një pikë gjaku. Ajo përfshinte shpimin prej gozhdëve, gjembave dhe shtizës.  Kjo përfshinte derdhjen e plotë të gjakut të Jezusit. Besëlidhja e Zotit, shkruar në Shkrime dhe vulosur me gjakun e Tij, është diçka e pandryshueshme dhe e përjetshme.

Unë nuk e di se çfarë mendon ti për këtë besëlidhje, por kjo është jeta ime. Unë nuk do të pajtohem me një fe që bazohet te ndjenjat, takimi i duarve, bisedat dhe koret që këndojnë. Kjo mund “të jetë e mirë për gjëra të vogla dhe të zakonta,” sikurse e tha Hak Fini, por kur jeta ime dhe tërë bota është në rrezik, unë kam nevojë për diçka më të fortë. Unë kam nevojë për një besëlidhje, të shkruar dhe të vulosur me gjak.

Më lejo të të tregoj se çfarë do të thotë të jesh në këtë besëlidhje me Krishtin. Në këtë besëlidhje, unë nuk duhet të pyes veten “A vlej për diçka”. Unë nuk kam pse të pyes veten se ku është vendi im, apo kujt i përkas.

Falë gjakut të besëlidhjes: Perëndia më pranon. Perëndia më do. Perëndia gëzohet për mua. Perëndia gjen kënaqësi në mua. Perëndia këndon për mua. Perëndia nuk i mban mend mëkatet e mia kundër Tij, por më ndihmon t’i mposht ato. Perëndisë i pëlqen të më ketë pranë vetes. Perëndisë i pëlqen të më dëgjojë. Perëndia pret gjëra të mëdha prej meje. Perëndia po e bën botën më të mirë përmes meje. Perëndia po bekon brezat e ardhshëm përmes meje. Perëndia më quan një njeri të veçantë mes shumë njerëzve të veçantë. Perëndia im do të jetë Perëndia i fëmijëve të mi, nipërve dhe stërnipërve për mijëra gjenerata, nëse bota do të ekzistojë aq gjatë!

Kur e them këtë nuk është një ego e imja. Është një realitet. Pikërisht këtë garanton Perëndia në Bibël, për tërë ata që mbahen fort pas besëlidhjes së tij në Krishtin. Unë nuk kam pse të ndihem i zënë në faj. Unë nuk kam pse t’i frikësohem ndëshkimit. Nuk kam pse të ndihem i turpëruar apo i pavlerë. Unë nuk kam pse të ndihem i acaruar apo ta shfryj acarimin tim te të tjerët.

Unë nuk kam pse të ndihem konfuz për faktin se kush është Perëndia apo çfarë kërkon Ai prej meje. Unë mund të jem i qartë, i sigurt, i qëllimshëm, duke ditur se Perëndia më mirëpret mua, më çmon, më drejton, më korrigjon, më disiplinon, dhe ka rezervuar gjëra të mëdha për mua. Të gjitha këto janë dhurata e Perëndisë, nuk janë arritjet e mia.

Dhurata e Perëndisë nuk është vetëm për mua. Por për të gjithë ata që i besojnë Birit të tij dhe janë besnikë ndaj besëlidhjes së Tij. Perëndia nuk më zgjedh mua si individ. Ai më zgjedh mua në Krishtin së bashku me tërë njerëzit dhe bën besëlidhje me ta. Vetëm brenda kësaj besëlidhjeje të vulosur me gjakun e tij unë mund të lulëzoj. Unë kam një marrëdhënie personale me Perëndinë, por jo si individ në personin tim. Unë lidhem me Perëndinë në bashkësi me njerëzit e besëlidhjes së tij, kishën. Unë e di se jam i veçantë, dhe i them edhe fëmijëve të mi se janë të veçantë, sepse Jezusi na ka quajtur pjesë të “ kishës së Perëndisë, të cilën Ai e bleu me gjakun e Tij.” (Veprat 20:28)

Ka shumë gjëra që mund të thuhen për vetëvlerësimin, dhe është e tmerrshme që fëmijët të rriten me ndjenjën e mungesës së dashurisë, vetmisë, pavlefshmërisë dhe pa një qëllim në jetë. Por a do të ketë kuptim që vetëvlerësimi i fëmijëve të ndërtohet mbi lajkat e prindërve dhe të mësuesve? Ky vetëvlerësim është si kështjellat në rërë.

Kuptimi im për veten, bazohet te fakti se çfarë mendon Perëndia për mua, në të qenit pjesë e një trupi më të gjerë njerëzish, dhe në të pasurin e qëllimeve më të larta dhe më fisnike. Unë e bazoj këtë në besëlidhjen e Perëndisë, të shkruar në Fjalën e Tij dhe të vulosur me gjakun e Jezusit.

Jezusi dhe Mojsiu

Natën para se Jezusi të vdiste, ai organizoi një darkë, darkën e Zotit si  një festë besëlidhjeje për dishepujt e Tij dhe tërë pasuesit e ardhshëm. Ja se çfarë ndodhi:

Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi im”.

Pastaj mori kupën, dhe falënderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: “Pini prej tij të gjithë,

sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkateve. ” (Mateu 26:26-28)

Kjo nuk ishte hera e parë që dikush përdorte frazën “gjaku i besëlidhjes.” Mojsiu e kishte përdorur atë shekuj më parë. Pasi Perëndia e shpëtoi popullin e Izraelit prej skllavërisë, Zoti i dha një besëlidhje përmes Mojsiut në malin Sinai, që përfshinte, shkrimin, gjakun dhe një ushqim të veçantë. Ai shkroi Dhjetë Urdhërimet dhe ligjet përkatëse, Ai kërkoi gjak prej sakrificave njerëzore, si shenjë e shpengimit prej mëkatit. Ndërsa Pashkën e vendosi si një shenjë çlirimi dhe e miqësisë së besëlidhjes. Sipas Eksodit 24, u ndërtua një altar, dhe u sakrifikuan disa dema të rinj.

” Dhe Mojsiu mori gjysmën e gjakut dhe e vuri në legenë; dhe gjysmën tjetër të gjakut e shpërndau mbi altar. Pastaj mori librin e besëlidhjes dhe ia lexoi popullit, i cili tha: “Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti, dhe do t’i bindemi”.

Pastaj Moisiu mori gjakun, spërkati popullin me të dhe tha: “Ja gjaku i besëlidhjes që Zoti ka lidhur me ju sipas tërë këtyre fjalëve”. (Eksodi 24:6-8)

Pastaj Mojsiu, disa priftërinj dhe, shtatëdhjetë pleqtë e Izraelit u ngjitën në Malin Sinai dhe panë Perëndinë. Në njëfarë mënyre Perëndia bëri të dukshme diçka nga qenia e Tij e padukshme.

Një  takim kaq i ngushtë me Perëndinë mund të kishte qenë dërrmues dhe vdekjeprurës. ” Por ai nuk e shtriu dorën kundër krerëve të bijve të Izraelit; dhe ata e panë Perëndinë, dhe hëngrën dhe pinë.” (Eksodi 24:11) Besëlidhja e lidhur atë ditë me Mojsiun ishte një dhuratë e mrekullueshme prej Perëndisë.

Çdo element ishte i çmuar. Zoti premtoi se do të ishte Perëndia i popullit të tij të zgjedhur, dhe ata ishin dakord me këtë. Perëndia shkroi këto urdhërime për ti bërë të ditur se çfarë kërkohej prej tyre, dhe ata deklaruan përkushtimin e tyre. Perëndia e dinte se ata nuk mund të bindeshin pikë për pikë, kështu që Ai pranoi gjakun e sakrificës mbi altar si një mënyrë për të mbuluar mëkatet e popullit të Tij, dhe vendosi gjakun mbi njerëzit si një shenjë se Ai do të ishte me ta dhe asgjë nuk do ta ndryshonte këtë.

Por a e zbatoi populli këtë besëlidhje të vjetër? Pse Perëndia bëri një besëlidhje të re me ta? Dhe për çfarë e kam fjalën?