Gjetja e diagnozës së duhur

Print

Titulli: Gjetja e diagnozës së duhur (pjesa 2)

Një diagnozë e gabuar?

Disa njerëz e refuzojnë diagnozën e gjendjes njerëzore, ashtu siç përshkruhet në Fjalën e Perëndisë. Sepse ajo duket shumë kërkuese për ne qeniet inteligjente njerëzore.

Ndoshta kjo i përshtatet shumë njerëzve, ndoshta njerëzve të këqij. Por nuk është për ne njerëzit e mirë. Ne jemi shumë më të mirë se njerëzit e përshkruar në letrën e Romakëve kapitulli 3 vargjet 10 deri 18.

Këta njerëz, i kthehen besimeve të tjera, të cilat ofrojnë një diagnozë më pozitive për gjendjen njerëzore.

Ata e ngushëllojnë veten me mendimin se shkrimet e ekzagjerojnë paksa gjendjen e rënë të natyrës njerëzore. Gjendja jonë nuk mund të jetë dhe aq e keqe.

Fjalët që thotë Bibla janë shumë të ashpra për njerëz si ne. Ky është një gabim me pasoja të mëdha. Sepse kur ti e refuzon diagnozën e Biblës, për gjendjen dhe nevojën e botës, ti ke futur duart në Zgjidhjen Hyjnore.

Përmes ndryshimit, ti i shndërron gjërat e tjera dhe kjo është e rrezikshme. Në mjekësi ashtu si në fushat e tjera, një diagnozë e gabuar, ka pasoja serioze. Vite më parë një grua u përfshi në një aksident të rëndë automobilistik.

Gjatë aksidentit dëmtoi të dyja këmbët, dhe njërën këmbë shumë keq. Doktorët e spitalit lokal, bënë sa mundën për ta ndihmuar.

Ata i bënë eko dhe më pas i vendosën një prej këmbëve në allçi, nga gjuri deri te gishtat e këmbës.

Allçia ishte e rëndë sa spiranca e një anije. Sapo ju dha mundësia ata e dërguan atë me helikopter në një spital më të kualifikuar, në një qytet tjetër.

Gjatë gjithë kohës gruaja po ankohej se kishte një dhimbje të tmerrshme në këmbën që nuk kishte allçi “Kjo pritet,” i thanë doktorët. “Këmba do të shërohet vetë.” Kur doktorët e panë këmbën dhe e ekzaminuan në pajise më të mira , zbuluan se diagnoza e mëparshme ishte e gabuar, dhe se allçia ishte hedhur në këmbën e gabuar.

Nuk është nevoja të them se për këmbën pa allçi të dhimbja ishte shumë e madhe, e po kështu dëmtimi gjatë transportit ishte më i madh dhe tani operacioni bëhej më i vështirë.

Thelbi i kësaj historie është ky: një diagnozë e gabuar është diçka e rrezikshme dhe ndikon shëndetin njerëzor dhe mirëqenien. Më e keqja nga të gjitha, është një diagnozë e gabuar në çështjet shpirtërore.

Për këtë arsye, më duhet t’i them çdokujt që po më dëgjon tani: Ki kujdes se nga kush dëgjon.

Kontrollo gjithçka nga Bibla, fjala e pagabueshme e Perëndisë. Ne rast se dëgjon diçka, e cila nuk përputhet me atë që thotë Bibla, lerë, mos e dëgjo.

Të kuptuarit e drejtë të shpëtimit fillon me një njohje të saktë të gjendjes sonë shpirtërore. Kur ne kuptojmë se nga natyra jemi njerëz mëkatarë dhe nuk mund të drejtësohemi vetë me Perëndinë, atëherë fillojmë të kuptojmë se kemi nevojë për një shpëtimtar, për Jezus Krishtin, dhe kapemi fort pas Tij zemër e shpirt.

Diagnoza më e saktë

Dëgjo se çfarë u thotë Apostulli Pal, të krishterëve në qytetin e Efesit. Ata ishin besimtarë relativisht të rinj, dhe ata kishin ndjekur besimet e tjera për shumë vite, para se të ktheheshin në Krishtin. Pali  e përshkruan gjendjen e tyre të mëparshme, në terma shuam të qarta. Më lejoni t’ju lexoj së pari ngadalë tre vargjet e para, që të mund të kuptoni peshë e tyre, në mendjen tuaj:

” Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate,në të cilat keni ecur dikur, sipas ecjes së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes, ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes, dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët.”

Sa diagnozë të saktë që jep Bibla për gjendjen e mëparshme të këtyre të krishterëve të rinj!  Në natyrën e tyre njerëzore ata ishin të vdekur në mëkatet dhe paudhësitë e tyre…ndjekës të Satanit dhe të anëtarëve të mbretërisë së tij…njerëz të cilët e theksonin natyrën e tyre mëkatare, me mendimet por edhe veprimet e tyre

…dhe tani, (dridhem kur e them këtë) ata ishin njerëz nën zemërimin e Perëndisë.

Le të ndalemi e të mendojmë paksa rreth kësaj.

Të jetosh larg prej Perëndisë, do të thotë të vdesësh shpirtërisht.

Ti shërbesh diçkaje apo dikujt tjetër, veç Perëndisë, I Cili të ka bërë për lavdinë e Tij, do të thotë t’i shërbesh djallit, dhe të jesh pjesë e mbretërisë së Tij.

Të jetuarit për kënaqësi dhe për të bëra atë që të pëlqen, të bën ty objekt të zemërimit të Perëndisë; dhe ky është një pozicion shumë i frikshëm.

Historia, e Pajd Pajpër në qytetin Hamelin, (Pied Piper of Hamelin), është shumë e lashtë.  Ngjarja ka ndodhur në Gjermani rreth vitit 1284, dhe versionet e saj janë shfaqur kudo në gjuhë të ndryshme.

Historia flet për një njeri misterioz, i cili u shfaq në qytetin e Hamelinit, veshur në një xhaketë shumëngjyrëshe, duke pretenduar se ishte një kapës minjsh. Ai premtoi se do të hiqte qafe të gjithë minjtë e qytetit, në këmbim të një shume parash.

Themeluesit e qytetit, ishin shumë të interesuar për këtë, sepse qyteti i Hamelinit ishte pushtuar nga këto krijesa të vogla. Ata lidhën një ujdi me Pajperin, duke i premtuar një shumë të madhe parash, nëse ai do të hiqte qafe minjtë e qytetit.

Sa e keqe ishte situata në Hamelin? Dëgjoni se si Robert Brauning, një poet i madh anglez e ka përshkruar atë:

“Minjtë!

Ata luftuan qentë, dhe vranë macet,

Dhe vunë në fre foshnjat në djep,

Dhe hëngrën djathin nga kadet,

Dhe lëpinë supën nëpër garuzhde,

Hapën bucelat e peshqve të kripur,

Bënë fole brenda kapelave që burrat vendosnin të dielave,

Madje ndotën edhe bisedat e grave,

Duke mbytur të folurën e tyre

Me vikatje dhe angullima

Në pesëdhjetë rrafshe dhe pjerrina të ndryshme.”

Teksa historia jonë vazhdon, ky njeriu çuditshëm në xhaketë shumëngjyrëshe, nxori një fyell të vogël nga xhepi, dhe filloi t’i frynte.

Minjtë dhe miushet e gjithë qytetit u mblodh nga ishin dhe erdhën para tij.

Ngadalë ai i tërhoqi ato qindra minj, drejt lumit, e të gjithë ecën në lumë, teksa e ndiqnin, ranë në ujë dhe u mbytën.

Banorët e qytetit të Hamelinit, veçanërisht kryetari i pasur i bashkisë kërcenin nga gëzimi që tashmë qyteti ishte çliruar prej pushtimit të minjve.

Ata po kërcenin nëpër rrugë e po festonin.

Por për fat të keq, dhe pa asnjë arsye, Kryetari i bashkisë refuzoi të paguante Pajperin, për shërbimin e kryer. Kështu Pajperi u largua i zemëruar dhe i hidhëruar, për tu kthyer vetëm disa ditë më pas, por kësaj here me një shprehje keqdashëse në fytyrën e tij. Kështu ai doli sërish në rrugë duke luajtur në fyellin e  tij misterioz. Por kësaj here ai luajti një tjetër melodi, një melodi e cila, pa e kuptuar tërhoqi të gjithë fëmijët e qytetit, të mëdhenj e të vegjël, për ta ndjekur atë.

Ai i çoi ata lart në një mal, ku ai së bashku me fëmijët e tjerë, u zhdukën dhe nuk u panë më.

Çfarë melodish misterioze luajti Pajperi herën e parë që bëri të mirën duke tërhequr gjithë minjtë por më pas herën e dytë u vodhi banorëve fëmijët e tyre?

Robert Brauning (Robert Browning) e përshkroi humbjen e njerëzve në këtë mënyrë:

Ububu, ububu, për Hamelinin!

Të gjithëve u erdhi si një goditje pas koke

Një tekst thotë, se një i pasur kalon në

portën e qiellit aq lehtë sa kalon

Një deve në vrimën e një gjilpëre!

Kryebashkiaku shkoi në Lindje, Perëndim ,Veri dhe Jug

Pajperin ta paguante sa të hapte gojën ai vet,

Sido që të dëshironte zemra e tij,

Ar, dhe argjend sipas pëlqimit të vet,

Vetëm të kthente në këmbim

Fëmijët, të vinin pas tij.

Ashtu si Pajd Pajpër, i tërhoqi fëmijët prej shtëpisë së tyre drejt shkatërrimit përfundimtar, Satani i ka joshur njerëzit ndër vite të jetojnë në mëkat, në mjerim dhe në fund të shkojnë drejt shkatërrimit.

Procesi i mashtrimit fillon me diagnozën e gabuar, të gjendjes sonë shpirtërore, përveç hirit shpëtues të Perëndisë në Jezus Krishtin.

Ndoshta pohimi më i fuqishëm i një besimtari në Krishtin gjendet në fillim të një përmbledhje me shkrim që të krishterët e quajnë Katekizmi i Heidelbergut. Ai fillon duke bërë pyetjen:Cili është ngushëllimi juaj i vetëm në jetë dhe në vdekje? Dhe përgjigja është kjo:

Që unë nuk i përkas më vetes, por në trup, dhe shpirt, në jetë dhe në vdekje i përkas shpëtimtarit tim besnik Jezus Krishtit.

Ai ka paguar për të gjitha mëkatet e mia me gjakun e tij të çmuar, dhe më ka bërë të lirë prej tiranisë së djallit. Po kështu Ai kujdeset për mua aq shumë sa nuk lejon as fijen e flokut të bjerë nga koka ime, pa bërë vullnetin e Atit: në fakt, të gjitha gjërat bashkëveprojnë për shpëtimin tim. Për shkak se unë i përkas Atij, i përkas Krishtit, me anë të frymës së Shenjtë Ai më siguron për jetën e përjetshme, dhe më bën të jem me gjithë zemër i gatshëm, të jetoj për Të.

Fjalë të mrekullueshme, dhe me shumë kuptim!  Por ne nuk duhet të ndajmë këto fjalë ngushëllimi, shprese dhe sigurie, nga pyetja dhe përgjigja e dytë e Katekizmit:  Çfarë duhet të dish që të jetosh dhe të vdesësh me gëzimi e këtij ngushëllimi?

Përgjigja është kjo, ti duhet të dish tre gjëra:

Sa i madh është mëkati im dhe sa e mjerueshme është gjendja ime;

Së dyti, se si jam çliruar prej mëkateve dhe gjendjes sime të mjerueshme;

Së treti, si ta falënderoj Perëndinë për këtë çlirim kaq të madh?

I gjithë mesazhi i shpëtimit, fillon me një diagnozë të saktë të gjendjes njerëzore, mëkati ynë dhe mjerimi ynë, dhe gjendja jonë e humbur pa Krishtin.

Kur e vërteta nuk duket, kemi jashtëzakonisht nevojë për një Shpëtimtar.