Gjykatësi i caktuar

Print

Titulli: Gjykatësi i caktuar (pjesa 3)

Kurora e drejtësisë

Në rast se përfiton prej korrupsionit dhe mizorisë, gjykimi i drejtë është gjëja e fundit që ti dëshiron dhe Jezusi si gjykatësi i caktuar është gjëja e fundit që dëshiron të dish. Por nëse e njeh Jezusin si Shpëtimtar dhe qëndron për drejtësinë, ti pret me padurim që Ai të gjykojë botën dhe të vendosë drejtësi njëherë e mirë. Qysh në kohën e Dhjatës së Vjetër, populli i Zotit, e ka thirrur Perëndinë, gjykatësin që të vendosë Ai për rastin e tyre.

Tek Psalmi 7, Davidi u lut, “Zoti do të gjykojë popujt; gjykomë, o Zot, sipas drejtësisë sime dhe ndershmërisë sime. Jepi fund ligësisë së njerëzve të këqij, por vendos njeriun e drejtë, sepse ti je Perëndia i drejtë, që provon zemrat dhe mendje” (Psalmi 7:8) Kjo nuk është mënyra për tu mburrur dhe për të thënë: “Më shiko Zot. Unë jam i përsosur.” Davidi thjesht po thotë se ai i përket Perëndisë dhe ndonëse ai mëkaton ndonjëherë, ai mbetet besnik ndaj Perëndisë dhe i sinqertë në dëshirën e tij që e drejta të dominojë.

Zbulesa 6:10 përshkruan shpirtrat e njerëzve të vrarë për besimin e tyre, që thonë, ” Deri kur, o Zot, që je i Shenjtë dhe i Vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi dhe?” Këta martirë të vrarë e dinë se Jezusi është caktuar si gjykatës, dhe ata dëshirojnë që dita e gjykimit të vijë shpejt. Mos vallë është gabim që përdorin fjalën “hakmarrje?” Epo, shpirtrat që po i thonë këto fjalë janë në qiell dhe nuk kanë më asnjë mëkat. Ndaj nuk është gabim. Ligësia meriton të ndëshkohet, dhe diçka është jashtë ekuilibrit në botë derisa të vijë ndëshkimi.

Thellë-thellë brenda vetes ne e dimë se duhet marrë hak për ligësinë. Kjo është arsyeja pse na pëlqejnë filmat ku të këqijtë dënohen në fund.

Nuk është thjesht një dëshirë për dhunë, që na bën ti ngjajmë mbylljeve të filmave ku djemtë e këqij marrin atë që meritojnë. Ne ndihemi të kënaqur kur bëhet drejtësi, kur ligësia mposhtet dhe ndëshkohet. Libri i Zbulesës, thotë se kur Zoti gjykon botën dhe ndëshkon armiqtë e Tij populli fitimtar i Perëndisë do të këndojë, ” Haleluja! Shpëtimi, dhe lavdia, dhe nderimi, dhe fuqia i përkasin Zotit, Perëndisë sonë, sepse të vërteta dhe të drejta janë gjykimet e tij!.” (Zbulesa19:1-2)

Megjithatë, gëzimi ynë më i madh nuk është që do ta shohim Perëndinë duke gjykuar të keqen, por që do të marrim shpërblim për të mirën. Ne nuk marrim këtë shpërblim për shkak se jemi të përsosur, por sepse i përkasim Jezusit me anë të besimit, ne jemi quajtur të drejtë për hir të Tij, dhe me anë të Frymës së Tij, ne vazhdojmë të ngulojmë për të drejtën dhe drejtësinë.

Siguria e shpërblimit, na fuqizon të ruajmë besimin derisa të takohemi me gjykatësin e caktuar. Sikurse e thotë edhe Apostulli Pal,  pak para se të vdiste: ” Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin. Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij.

(2 Timoteu 4:7-8)

Në rast se i beson Jezusit si shpëtimtar dhe gjykatës, mos ki frikë gjykimin. Prite me padurim. Gjykatësi i drejtë do të japë ty kurorën e drejtësisë, shpërblimin që ke qenë i drejtë me Perëndinë dhe në një linjë me drejtësinë e Tij.

Në këto ditë, ne duhet ta lejojmë këtë të vërtetë të jetojë brenda nesh se Perëndia ” Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit.” (Veprat 17:31) Ringjallja e Jezusit e identifikon atë si gjykatësin suprem, dhe thekson faktin se ti edhe unë do të ringjallemi me qëllim që të gjykohemi. “Po vjen koha” thotë Jezusi, ” kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit. (Gjoni 5:28-29) Gjykimi përfundimtar do të sjellë ose humbje totale ose një kurorë drejtësie.

Politikanët dhe votuesit mund të debatojnë për vendimet dhe drejtësinë e gjykatës dhe, për llojin e gjykatësve që duhen vendosur. Këto janë debate të rëndësishme dhe pavarësisht vendit ku ne jetojmë, duhet të lutemi për gjykatësit dhe drejtuesit tanë politikë dhe duhet të veprojmë drejt ne vetë dhe të punojmë për një shoqëri më të drejtë. Kur të na jepet mundësia ne duhet të qëndrojmë për të pa përkrahurit dhe të shtypurit, kundër korrupsionit dhe të gabuarës. Edhe sikur të përmirësohen përpjekjet tona, shoqëria dhe sistemi ynë duket si i pasuksesshëm ndonjëherë. Le të mos dëshpërohemi asnjëherë apo t’i dorëzohemi korrupsionit dhe ligësisë. Asnjë rast nuk është vërtetë i humbur nëse mund të apelohet në një gjykatë më të lartë. Gjykata supreme, mbi çdo gjykatë tjetër supreme dhe gjykatësi më i madh ndër të gjithë do të gjykojë çështjen tonë. Nëse ai del kundër nesh, asgjë nuk mund të na shpëtojë. Por nëse është në favorin tonë, asgjë nuk mund të na i vjedhë neve kurorën.

A pret për një kohë kur shpatat të bëhen plugje, kur predhat të bëhen lodra, kur ujku dhe qengji të mund të qëndrojnë bashkë, kur fëmijët të mund të luajnë me kobra, kur çdo person dhe çdo familje të mund të shijojë kopshtin e vet frutor, pa frikë se mos sulmohet apo humb pronën, kur njerëzit besnikë e ata të falur, do të bëhen të përsosur dhe do të kurorëzohen me bekime? Unë nuk e di se kur do të ndodhë kjo, por unë e di se kush do ta realizojë këtë. Unë e di se Jezusi është ngritur prej së vdekurish, i parëlinduri i një krijimi të ri. Unë e di që Jezusi është gjykatësi, i cili është caktuar të ndreqë çdo gabim në botë dhe të largojë gjithçka që refuzon të korrigjohet.

Mos e kundërshto Jezusin. Besoji atij. Ai të fal, të transformon dhe të shpëton. Thuaj bashkë me Biblën dhe me tërë popullin e Perëndisë. ” Me qenë se Zoti është gjykatësi ynë, Zoti është ligjvënësi ynë, Zoti është mbreti ynë; ai do të na shpëtojë.” (Isaia 33:22)

PSALM LAVDËRIMI

“…dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.

Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.

Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.

Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë… Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës. Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë. Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij. Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur. I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli. Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.” (Psalmi 72)