Monumenti i gjykatësit Roji
Shumica e të krishterëve sot, mund të zgjedhin të festojnë ose jo Krishtlindjen, sipas dëshirës së tyre. Megjithatë disa, dëshirojnë të shkojnë përtej lavdërimit të Jezusit në shtëpitë dhe kishat e tyre, dhe ata dëshirojnë që Jezusi të nderohet në sheshe publike, me anë të skenave të grazhdit në pronë shtetërore. Me të njëjtin zell ata dëshirojnë që ligjet e Perëndisë të nderohen në sheshe publike duke postuar Dhjetë Urdhërimet, në prona shtetërore. Pse këta njerëz dëshirojnë grazhde dhe monumente në vende publike? Ata e bëjnë këtë për të treguar që komuniteti dhe shoqëria e tyre pranon epërsinë e Jezus Krishtit dhe nderon Perëndinë si ligjvënësin suprem.
Nëse një shumicë njerëzish në komunitet besojnë tek Jezusi si Bir i Perëndisë, pse të mos tregojmë këtë duke vendosur skena të grazhdit në kohën e Krishtlindjes? Nëse shumica e njerëzve i shohin Dhjetë Urdhërimet si standardin e Perëndisë për sjelljen morale, pse të mos tregojmë këtë duke vendosur monumente në ndërtesat qeveritare?
Në Shtetet e Bashkuara, në Alabama, kryegjykatësi Roji Mur shkaktoi një trazirë të madhe duke vendosur një monument graniti të Dhjetë Urdhërimeve në ndërtesën qeveritare të Gjykatës Supreme. Monumenti u bë i njohur si Shkëmbi i Rojit. Shumica e njerëzve në shtetin e tij e mbështetën këtë veprim, por një gjykatës federal urdhëroi që të hiqej ai monument. Roji Mur e shpërfilli urdhrin dhe kundërshtoi të hiqte monumentin. Kështu që u pezullua nga detyra e tij, dhe monumenti u hoq. Por kjo çështje nuk u mbyll aty.
Disa të krishterë favorizuan kauzën e Rojit dhe mbështetën refuzimin e gjykatësit Mur për t’iu bindur gjykatës federale. Një arsyetim i mirë mund të ishte që gjykata federale kaloi juridiksionin e vet duke hyrë atje ku nuk i takonte, dhe që çështja e monumentit ishte vendim që i përkiste vetëm qeverisë së atij vendi. Një arsyetim akoma më i fortë, mund të bëhet duke pohuar se një qeveri që nuk i jep llogari asnjë ligji më të lartë, sepse kjo do të zbulojë se ligjet e veta respektohen shumë pak. Pra unë kam shumë simpati për mbështetësit e monumentit të Rojit.
Por sërish unë kam ndjenja të ndryshme, përsa i përket vendosjes së këtij monumenti dhe monumenteve të tjera të Dhjetë Urdhërimeve, në hapësira qeveritare. Unë nuk hedh poshtë dhjetë urdhërimet. I vlerësoj se janë Fjala e Perëndisë, përmbledhja madhështore e vullnetit të Perëndisë për popullin e Tij, shkruar në gur prej vetë Perëndisë. Këtë e kam të qartë, por ajo që nuk kuptoj është se pse duhet të kemi monumente të dhjetë urdhërimeve në ndërtesat qeveritare, kur kishat vetë, në ambientet e tyre nuk kanë as një monument të Dhjetë Urdhërimeve, ndërkohë që shumë kisha rrallë në mos asnjëherë nuk lexojnë Dhjetë Urdhërimet në adhurimin e tyre publik, kur shumë njerëz nuk vendosin urdhërimet në shtëpitë e tyre dhe kur shumë besimtarë se kanë problem të shkelin Ditën e Zotit, të kryejnë idhujtari, të gënjejnë, të lakmojnë gjënë e tjetrit, njëlloj si shumë prej fqinjëve të tyre jobesimtarë.
Gjëja më e rëndësishme që të krishterët mund të bëjnë për të promovuar Dhjetë Urdhërimet, është t’i mbajnë në mendje ato, të gëzohen në to dhe t’i binden me gëzim dhe besnikëri Atij. Së pari Perëndia dha këto urdhërime duke i shkruar ato në pllaka guri, të cilat ia dha Mojsiut, por Perëndia thotë për një besëlidhje të re që vjen me Jezusin: “Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre” (Jeremia 31:33)
Dhjata e Re tregon për të krishterët:” duke qenë manifestuar se jeni një letër e Krishtit, e hartuar me anë të shërbesës sonë, dhe e shkruar jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë, dhe jo mbi rrasa guri, por mbi rrasa të një zemre mishi.”(2 Korintasve 3:3) Nëse dëshirojmë një kulturë të formuar prej Dhjetë Urdhërimeve, nuk kemi nevojë për monumentet, por kemi nevojë për njerëz që përçojnë mesazhin e Krishtit, zemrat dhe jeta e të cilëve janë shkruar prej Frymës së Shenjtë të Perëndisë së gjallë.
Simbole boshe
Simbolet dhe monumentet mund të jenë kujtesa të çmuara nëse janë shenja të një realiteti të gjallë, por ato nuk mund të zëvendësojnë realitetin. Skenat e grazhdit, të foshnjës Jezus, nuk e zëvendësojnë marrëdhënien tonë me Jezusin e gjallë. Monumentet e dhjetë Urdhërimeve nuk zëvendësojnë bindjen tonë ndaj Zotit.
A ka kuptim që një qeveri të vendosë një monument të Dhjetë Urdhërimeve nëse qeveria nuk i zbaton ato urdhërime? Edhe sikur shteti i Alabamës të postonte Dhjetë Urdhërimet në çdo ndërtesë publike, kjo nuk do ti përforconte ato urdhërime. Qeveria federale e Shteteve të Bashkuara, nuk i përforcon Dhjetë Urdhërimet. Qeveria e Kanadasë nuk i zbaton Dhjetë Urdhërimet në nivelin lokal, provincial apo kombëtar. Nigeria nuk i zbaton dhjetë urdhërimet. A ka ndonjë qeveri diku që të zbatojë të paktën gjysmën e Dhjetë Urdhërimeve? Pra çfarë kuptimi ka që qeveria të sponsorizojë ligjet e Perëndisë, nëse qeveria nuk e zbaton atë ligj? A janë këto monumente shenja të një përkushtimi ndaj ligjit të Perëndisë, apo janë simbole boshe?
Sa prej Dhjetë Urdhërimeve zbatojnë këto qeveri?
Urdhërimet kundër vrasjes, vjedhjes dhe dëshmisë së rreme, ndonjëherë imponohen me ligj, ndonëse kur bëhet fjalë për disa forma të vrasjes, siç është aborti dhe eutanazia, shohim se ato po kthehen nga krime të tmerrshme në, të drejta themelore. Sa për urdhërimet e tjera, nuk ka asnjë pretendim për t’i bërë ato pjesë të ligjit qeveritar. Disa qeveri e kishin bërë zakon ndalimin e përdorimit të emrit të Zotit, por nëse do të përndiqej çdo pasthirrmë e pamenduar që themi si për shembull fjala “O zot”, nëse çdo përdorim jo i duhur i emrit të Jezusit do të ndëshkohej, shumë njerëz besimtarë do të ishin në telashe të mëdha. Shumë prej tyre përdorin këto fjalë dhe pjesën më të madhe të kohës së lirë e kalojnë duke parë shfaqje televizive që përdorin fjalë të tilla. Në shtetin e Kandasë mund të hysh në telashe shumë më të mëdha kur përmend vargje biblike që ndalojnë homoseksualizmin se sa kur blasfemon emrin e Perëndisë.
Disa qeveri dikur e përforcuan urdhërimin e Shabatit duke mos lejuar punën ditën e Diel, por jo tanimë. Madje shumë prej njerëzve në kishë nuk kundërshtojnë që të punojnë në Ditën e Zotit. Besimtarët punojnë të dielave në profesione që nuk njihen për urgjenca, ata bëjnë pazare të Dielave në ato dyqane ku punojnë njerëz të tjerë, e hanë në restorante të dielave ndërkohë që dikush tjetër punon në shërbim të tyre. A duan vërtetë të nderojnë ditën e Zotit duke mos punuar atë ditë dhe duke mos i shtyrë të tjerët të punojnë, apo do të zgjidhnin ata besimtarë që më mirë të kishin monumente të Dhjetë Urdhërimeve në vende të ndryshme publike? Duke vepruar kështu ata mund të ndihen goxha të perëndishëm pa bërë atë që thotë Perëndia.
Disa qeveri e kishin zakon të ndalonin tradhtinë bashkëshortore, por tani konsiderohet si një e drejtë themelore e njeriut. Më shumë telashe mund të kesh nëse nuk ke vënë rripin e sigurimit apo nëse pi cigare në ambiente publike, se sa kur tradhton partnerin apo braktis familjen.
Madje edhe njerëzit që favorizojnë monumentin e gjykatësit Roji, dhe monumente të ngjashme nuk do të donin që Dhjetë Urdhërimet të ishin me të vërtetë ligji i vendit. Shumë prej urdhërimeve nuk mund të detyrohen me forcë, dhe kur arrijmë tek urdhërimi i dhjetë, zbulojmë një ligj që nuk mund të imponohet prej asnjë qeverie tokësore. Madje edhe Mojsiu dhe Izraelitët e lashtë nuk u përpoqën të impononin urdhërimin, “Ju pra nuk duhet të lakmoni gjënë e tjetrit.” Lakmia është çështje zemre, nuk mund të vërehet nga jashtë qenies së një personi, prandaj nuk mund të ndëshkohet apo dënohet prej asnjë autoriteti tokësor.
Vetëm Perëndia e di me siguri se kur lakmojmë. Asnjë qeveri në botë nuk ka ligje kundër lakmisë. Nga ana tjetër, mund të jetë e vërtetë se shumë kombe e kanë ndërtuar ekonominë mbi lakminë dhe zilinë. Madje edhe njerëzit të cilët e dinë se zilia është e gabuar, nuk kanë miratuar asnjëherë ligje kundër saj apo të kenë dënuar ata që lakmojnë gjërat e tjetrit.
Pse shumë besimtarë e duan ende monumentin e Rojit dhe të tjera si ajo me dhjetë Urdhërimet? Disa kanë një besnikëri të vërtetë ndaj Perëndisë dhe duan që kombi dhe shoqëria e tyre të nderojë Perëndinë dhe t’i bindet urdhërimeve të Tij. Unë kam shumë respekt për ata që synojnë këtë. Nuk dua të gjykoj asnjë individ i cili mbështet këtë kauzë, por unë do të bëja kujdes kundër rrezikut të hipokrizisë. A duam vërtetë të japim përshtypjen se ne si komb po jetojmë nën ligjin e Perëndisë kur në fakt ne po e thyejmë vazhdimisht, madje as qeveria vetë as nuk merr mundimin të zbatojë shumicën prej tyre?
E vërteta e trishtueshme është se gjykatat tani lejojnë ekspozime publike të Dhjetë Urdhërimeve vetëm nëse ajo ekspozitë është gjykuar si një relikte historike apo thjesht një shfaqje ndër shumë të tjera. Për shembull një skulpturë e Mojsiut dhe e urdhërimeve është e dukshme për të gjithë në ndërtesën e Gjykatës supreme të Shteteve të Bashkuara. Si mund të publikojë Dhjetë Urdhërimet Gjykata Supreme e SHBA-ve dhe jo gjykata e Roj Murit në Alabama? Për gjykatësin Mur, monumenti i Dhjetë Urdhërimeve është thelbësor, ndërsa për gjykatën supreme të SHBA-ve Mojsiu është thjesht një ndër shumë ligjvënësit nga kultura të ndryshme. Hamurabi i Babilonisë, Soloni i Greqisë, Konfuci i Kinës, dhe të tjerë së bashku me të janë portretizuar përkrah Mojsiut. Dhjetë Urdhërimet trajtohen thjesht si një kod ligjor mes shumë të tjerave në procesin historik të zhvillimit të rendit ligjor.
Miq, këtu duhet të ndahemi, ju kujtoj se vazhdimin e kësaj teme mund ta ndiqni herën e ardhshme. Deri atëherë mirë u dëgjofshim!