Grazhdi dhe monumentet (Krishtlindja)

Print

Titulli: Grazhdi dhe monumentet (pjesa 3)

 

Tani a është kjo mënyra për të nderuar ligjin e Perëndisë; duke e bërë atë thjesht një kod mes shumë të tjerëve? A dëshiron Perëndia që të nderojmë simbolin pa nderuar përmbajtjen? A dëshiron Perëndia që ligji i tij të skalitet në monumentet tona, por të mos shkruhet në zemrat tona? Nën ligjin e tanishëm, e vetmja mënyrë për të shfaqur ligjërisht Ligjin e Perëndisë në prona publike është nëse emri i Zotit përdoret kot.

Ekspozitat lejohen vetëm nëse nuk merren si Fjala e Gjallë e Perëndisë së vërtetë, vetëm nëse shihen si një tjetër përpjekje për të rregulluar sjelljen njerëzore.

Kjo është e vërtetë për shumë aspekte të fesë civile amerikane të cilat lejohen ende nëpër gjykata. Është shumë mirë që në kartëmonedhat amerikane shkruhet, “Në Perëndinë besojmë”, për sa kohë që ata nuk i besojnë realisht atij apo nuk e specifikojnë cilin Perëndi, kjo nuk ka vlerë. Është mirë të thuash për një komb që është nën “sovranitetin e Perëndisë”, për sa kohë ky nuk i vendos ligjet nën ligjet e Perëndisë, dhe nuk përmend se cilin perëndi beson. Një drejtues mund të betohet me këto fjalë: “pra, ndihmomë Perëndi”, për sa kohë nuk mbështetet tek ndihma e Perëndisë apo nuk e përcakton prej cilit Perëndi e pret ndihmën.

Çastin që një zyrtar qeveritar flet për Perëndinë dhe se çfarë kuptimi ka realisht kjo, shumë njerëz mendojnë se ai është një djalë fanatik. Ndonjëherë është i pavend fakti se ligji të lejon të përdorësh emrin e Perëndisë, kur ai emër s’ka rëndësi për ne. Perëndia çnderohet më pak kur nuk e përdorim kot emrin e tij, sesa kur përdorim fjalë të cekëta dhe vendosim simbole boshe.

Cili është kuptimi i grazhdeve?

Skenat e grazhdeve të sponsorizuara prej qeverisë mund të jenë edhe simbole boshe. Në fakt, gjykatat kanë vendosur se skenat e grazhdit lejohen në prona publike vetëm nëse janë simbole boshe. Vendosja e skenës së Jezusit është e ligjshme, nëse Jezusi është vetëm një kujtim sentimental i një foshnje në një grazhd, po nëse Ai është një Zot i gjallë, Ai nuk lejohet në prona qeveritare. Vendosja e skenës së grazhdit nuk ka problem nëse Jezusi është vetëm një ndër liderët e shumë feve të tjera, por nëse Jezusi është e vetmja rrugë për tek Perëndia, Ai nuk lejohet në prona qeveritare. Nëse Jezusi është thjesht një dekorim mes shumë të tjerave në kohë feste, Ai mund të qëndrojë, por nëse deklarohet se është autoriteti suprem, nuk lejohet në prona qeveritare. Këtë ka pohuar precedenti gjyqësor.

Në një rast të mirënjohur, një gjykatës mbrojti të drejtën e një qeverie lokale për të pasur një skenë grazhdi dhe mohoi kërkesën e atyre që u përpoqën të ndalonin grazhdin. Gjykatësi arsyetoi që skenat e grazhdit s’kishin asgjë të keqe sepse s’ishin gjë tjetër veç simbole feste, pak a shumë si Babagjyshi i Vitit të Ri.  Arsyetimi bazë i atij gjykatësi ishte se Jezusi dhe Babagjyshi janë të dy personazhe të një feste të komerçializuar. Grazhdi ishte i ligjshëm sepse ishte thjesht një objekt më shumë ndër sendet e festës.

Në vendime të tjera, gjykatësit kanë thënë se skena e grazhdit mund të vendoset pa problem në prona qeveritare nëse, ajo skenë përfshin simbole të feve të tjera, si për shembull, një menorah dhe një gjysmëhënë, statuja të idhujve të feve lindore. Është mirë të shfaqësh një simbol të Krishtit, për sa kohë që shfaqja të le përshtypjen se ka shumë rrugë të tjera që të çojnë te Perëndia.

Shumë të tjerë debatojnë se grazhdet janë thjesht një çështje e nënvizimit të një rrënjë historike për Krishtlindjen. Edhe të krishterët e kanë mbrojtur këtë çështje në gjykatë, duke pohuar se grazhdi duhet të lejohet si një shenjë e historisë së Krishtlindjes, dhe jo me doemos si një thirrje për të ndjekur Krishtin.

Por Jezusi nuk është thjesht një marifet historik; ai mbretëron tani në fronin e Tij qiellor. Jezusi nuk është thjesht një Shpëtimtar mes shumë të tjerëve; ai është i vetmi i cili mund të na shpëtojë prej mëkatit dhe të na japë jetë të përjetshme. Jezusi nuk është thjesht një ndër dekoret e Krishtlindjes, në pirgun e kostumeve dhe letrave të ambalazhit; Ai është Perëndia me ne, drejtuesi i kombeve i cili na fton ta duam dhe t’i jemi besnikë në kulm. Çdo skenë tjetër grazhdi që përcjell një tjetër mesazh veç këtij, mohon ungjillin dhe kundërshton të drejtat e Jezusit mbi ne.

Një skenë grazhdi ka vlerë vetëm nëse të çon ty tek Jezusi i gjallë. Natën kur lindi Jezusi, një engjëll shpalli: “sepse sot …lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. Dhe kjo do t’ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjell[ me pelena, të shtrirë në një grazhd.” (Luka 2:11-12) Grazhdi shënon ardhjen e Shpëtimtarit, nëse vendoset si një monument pa kuptim, atëherë është kot.

Nëse ty të pëlqejnë skena të grazhdit dhe monumente të Dhjetë Urdhërimeve në prona publike, ti mund të kesh arsye të shëndosha. Por ki kujdes nga arsyet e gabuara. Kujdes se mos zëvendëson simbolet me realitetin. Mos i kërko qeverisë që thjesht të vendosë monumente të Dhjetë Urdhërimeve; jeto me anë të moralit të Dhjetë Urdhërimeve. Mos mbështet thjesht skenat e grazhdit; kërko një marrëdhënie me Jezusin e gjallë. Besoji Atij si Shpëtimtarit tënd, e kërkoi që t’i pastrojë mëkatet e tua me gjakun e Tij. Nderoje si Zotin tënd, dhe bindu drejtimit të Tij. Gëzohu me të si me një shok, dhe afroju me dashuri. Vetëm kështu do të përjetosh kuptimin e vërtetë të Jezusit dhe të shijosh bekimet e Tij, ndryshe prej atyre që e bëjnë Krishtlindjen çështje gjyqësore, apo prej atyre që e shpërfillin Krishtlindjen, sikurse e kishin zakon puritanët.

Dhe kujtohu që të ndash besimin tënd me të tjerët. Mos u mbështet tek monumentet apo te grazhdet për t‘i drejtuar njerëzit tek Jezusi. Jo të krishterët me shumë mundësi ofendohen më shumë prej sponsorizimeve qeveritare për simbolet fetare, se sa prej përdorimit të tyre për t’i afruar te Krishti. Kur pushteti ynë i bindjes dështon, është tunduese të përdorësh fuqinë detyruese. Kur kishat, familjet dhe individët e krishterë nuk po e transformojnë shoqërinë, që t’i shtyjnë njerëzit në mënyrë të natyrshme ta nderojnë Krishtin, disa të krishterë dëshirojnë që t’i detyrojnë njerëzit ta pranojnë Krishtin. Ata dëshirojnë që qeveria të përmbushë rolin që kishat kanë dështuar. Por nuk është aspak zgjuarsi të detyrosh vendosjen e simboleve të krishtera në vende publike, po aq sa nuk ishte me vend fakti që Puritanët ndaluan Krishtlindjen në vende private.

Jezusi nuk ka nevojë për ndihma qeveritare që të ndryshojë jetë. Dy mijë vite më parë Jezusi nuk kërkoi të hynte në sallat e pushtetit; ai erdhi në një grazhd. Por ardhja e Tij ka ndryshuar botën, dhe ka ngritur strukturën e tërë universit. Sot Ai mbretëron prej fronit qiellor.

Pra nëse je një prej ndjekësve të Jezusit, mos u ndesh as mos u dëshpëro me qeverinë tënde nëse ajo nuk lejon vendosjen e skenave të grazhdit apo të monumenteve që e nderojnë atë. Bëje jetën tënde një dëshmi të fuqisë së tij shpëtuese. Kjo do ta nderojë atë më shumë se çdo simbol tjetër e do të sjellë ndryshim tek njerëzit e tjerë.